Specialja thotë se Trëndafilova i ishte përgjigjur letrës së Kurtit

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Michael Doyle ka treguar se letrës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit i ishte përgjigjur kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trëndafilova, përcjell albinfo.ch.

Doyle ka thënë se në letrën e saj, Trëndafilova ka thënë se vendimet në rastet gjyqësore- specifikisht për paraburgimet, merren nga gjyqtarët në rastet përkatëse dhe jo nga vetë ajo si kryetare e DhSK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Një letër nga Kryeministër Kurti i është dërguar kryetares në shtator 2022 dhe ajo iu përgjigj kësaj letre. Kryetarja në përgjithësi ka theksuar në përgjigje se DHSK-ja dhe gjykatësit janë të pavarur në punën e tyre dhe se ata po zhvillojnë gjykimet sipas kornizës ligjore të DHSK-së dhe standardeve më të larta të të drejtave të njeriut. Ajo gjithashtu ka theksuar se vendimet në lidhje me paraburgimet merren nga trupat gjykues kompetentë në çdo çështje gjyqësore, dhe jo nga kryetarja”, ka thënë Doyle.

Ndryshe, duke folur për proceset gjyqësore në këtë Gjykatë, Doyle ka treguar se në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjykimi do të vazhdojë të hënën nga ora 14:00 deri në orën 17:00 duke mos llogaritur 45 minutat vonesë në transmetim.

Sipas Doyles, mbrojtja e Hashim Thaçit, synon që të thërrasë edhe tre dëshmitarë të tjerë në këtë proces. Ndërsa, në pasditen e 18 nëntorit pritet të fillojë dëshminë Wesley Clark i cili është dëshmitari i fundit që kjo mbrojtje synon që ta thërrasë.

Ai tregoi se këtij rasti iu shtua edhe një seancë më 21 nëntor 2025, në mënyrë që Clark të përfundojë me dëshminë e tij.

Veç kësaj, se fundi thuhet se është marrë edhe një vendim ndaj ankesës së mbrojtjes së Prokuroria s’ka nxjerrë me kohë materialet për mbrojtjen. Kërkesa u hodh poshtë pasi nuk u vërtetuan pretendimet e mbrojtjes.

“Trupi Gjykues vuri në dukje se “respektimi i plotë dhe në kohë nga Prokuroria i detyrimit të saj për nxjerrjen e materialeve është element dhe garanci e rëndësishme për drejtësinë e procesit dhe barazinë midis palëve, ZPS-së dhe Mbrojtjes”. Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk i kishte dhënë mbrojtjes njoftim të hollësishëm për disa materiale dhe prova në posedim të saj dhe gjykatësit i kujtuan ZPS-së rëndësinë e përfshirjes së materialeve në njoftimin sipas Rregullës 102 (3). Njëkohësisht, trupi gjykues konstatoi se materialet ishin nxjerrë pa vonesë dhe nuk i kishin shkaktuar dëm mbrojtjes, dhe e hodhi poshtë kërkesën”, tha ai.

Nga nesër SHBA do shkurtojë fluturimet në 40 aeroporte

Mbyllja e qeverisë amerikane e cila konsiderohet si më e gjata në historinë e vendit. Përfshirja e Kongresit në një mosmarrëveshje për buxhetin ka bërë që vendi të jetë në krizë që nga tetori me vonesa të pagave, pushime të detyruara nga puna e së fundi, edhe anulimin e fluturimeve për shkak të “shutdown”.

Mijëra fluturime kërcënohen me anulime në aeroportet kryesore të SHBA-së duke filluar nga nesër teksa arsyeja është mungesa e pagesës për kontrollorët e trafikut ajror.

“Nëse mbyllja e qeverisë vazhdon, do të ketë një ulje prej 10% të kapacitetit të udhëtimit ajror në 40 aeroporte kryesore të SHBA-së nga e premtja. Vendimi vjen sepse kontrollorët e trafikut ajror kanë raportuar probleme me lodhjen. Është e pazakontë, ashtu siç është e pazakontë mbyllja, ashtu siç është e pazakontë fakti që kontrollorët tanë nuk janë paguar për një muaj”, ka deklaruar Sean Duffy, Sekretari amerikan i Transportit, transmeton albinfo.ch.

“Askush nuk fiton në një mbyllje të qeverisë”, u shpreh senatori republikan Mike Rounds për CNBC. Ai tha se SHBA-ja po humbet 15 miliardë dollarë në prodhim ekonomik çdo javë si rezultat, por shtoi se do të përpiqen të diskutojnë mundësi të ndryshme me kolegët e tyre demokratë dhe është optimist se kjo tani do të jetë e mundur.

Kongresi Amerikan duhet të kishte rënë dakord për një buxhet të ri federal para fundit të shtatorit. Megjithatë, një propozim për buxhet kalimtar i paraqitur nga Partia Republikane e presidentit Trump nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme në Kongres.

Infermieri gjerman vrau 10 pacientë, dënohet me burgim të përjetshëm

Një infermier i kujdesit paliativ në Gjermani është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi është shpallur fajtor për vrasjen e dhjetë pacientëve dhe tentativën e vrasjes së 27 të tjerëve. Vendimi tronditës është shpallur nga një gjykatë në qytetin Aachen, ndërsa rasti ka ngjallur kujtime të një serie të ngjashme vrasjesh që tronditën vendin disa vite më parë, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimeve të BBC dhe Agence France-Presse (AFP), infermieri, emri i të cilit nuk është bërë publik për arsye ligjore, u kishte injektuar pacientëve morfinë dhe qetësues të fuqishëm për të “lehtësuar ngarkesën e punës” gjatë ndërrimeve të natës. Viktimat ishin kryesisht pacientë të moshuar që po trajtoheshin në repartin paliativ të spitalit në Würselen, në Gjermaninë perëndimore.

Veprat penale ndodhën midis dhjetorit 2023 dhe majit 2024, periudhë gjatë së cilës infermieri abuzoi me pozitën e tij profesionale për të kontrolluar jetën dhe vdekjen e pacientëve. Prokurorët deklaruan në gjykatë se ai tregonte “mungesë empatie dhe irritim” ndaj personave që kërkonin kujdes më të madh, duke e cilësuar sjelljen e tij si “luajtje me rolin e zotit të jetës dhe vdekjes”.

Burri i paidentifikuar kishte punuar në spitalin e Würselen që nga viti 2020, pas përfundimit të trajnimit si infermier profesionist në vitin 2007. Ai u arrestua në vitin 2024, ndërsa pritet të ketë të drejtë apelimi të vendimit.

Autoritetet gjermane kanë njoftuar se po zhvillohen zhvarrime për të identifikuar viktima të tjera të mundshme, çka mund të çojë në hapjen e një procesi të ri gjyqësor kundër tij.

Ky rast ka ngjashmëri të dukshme me atë të Niels Högel, ish-infermierit gjerman që në vitin 2019 u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e 85 pacientëve në dy spitale në Gjermaninë veriore. Högel u shpall fajtor për administrimin e dozave vdekjeprurëse të barnave kardiake ndaj pacientëve që ndodheshin nën kujdesin e tij midis viteve 1999 dhe 2005.

Rasti i ri në Würselen ka hapur sërish debat në Gjermani për kontrollin dhe mbikëqyrjen e stafit shëndetësor, si dhe për etiken profesionale në trajtimin e pacientëve më të brishtë të sistemit shëndetësor.

Osmani takon Prattipatin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur dje në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, diskutimet u fokusuan në zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë edhe çështjet që lidhen me sigurinë.

Në këtë kontekst, Osmani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar.

“Si gjithnjë, rikonfirmoj përkushtimin e Kosovës për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”, ka theksuar Osmani.

Ajo gjithashtu vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Partneriteti me SHBA-të është strategjik e thelbësor për suksesin e Kosovës”, tha Osmani.

Ky është vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026

Bëhet e ditur se Holanda është zgjedhur si vendi më i sigurt për t’u vizituar në vitin 2026, sipas listës së përpiluar nga kompania e sigurimeve “Berkshire Hathaway Travel Protection” (BHTP), përcjell albinfo.ch.

BHTP-ja anketoi një numër të madh njerëzish për vendet ku kanë udhëtuar vitet e fundit dhe se sa të sigurt janë ndjerë në secilin prej tyre. Kjo vlen veçanërisht për gratë, personat e komunitetit LGBTQ+ dhe grupet e tjera të margjinalizuara.

ezultatet e këtyre anketave kombinohen më pas me statistika nga “Global Peace Index” dhe indekse të ngjashme, për të përcaktuar me saktësi se cilat vende ofrojnë më shumë paqe për udhëtarët çdo vit.


Vitin e kaluar, Islanda ishte në krye të listës, por këtë vit ajo ka rënë në vendin e katërt, duke ia lënë fronin Holandës.

Kjo është veçanërisht mbresëlënëse, pasi vitin e kaluar Holanda renditej në vendin e 14-të. Sipas BHTP, sekreti i suksesit të këtij vendi është i thjeshtë: “Është një vend që dashuron paqen.

Gratë dhe grupet e margjinalizuara thanë se janë ndier shumë të mirëpritur në Holandë dhe vlerësuan lart masat shëndetësore. Shqetësimet më të mëdha për sigurinë që mund të keni lidhen me ndonjë çiklist të pakujdesshëm apo turistë të zhurmshëm”, thekson kompania.

Në vendin e dytë, duke ruajtur pozicionin nga viti i kaluar, është Australia. Ajo ka një sistem shumë të rregulluar, kujdes shëndetësor të shkëlqyer për vizitorët dhe një nivel të ulët aktiviteti terrorist. Sipas australianëve, kjo është rezultat i një sistemi politik të qëndrueshëm, nivelit të ulët të krimit dhe ligjeve të rrepta për bio-sigurinë dhe kontrollin e armëve.

Sipas studimit të Berkshire Hathaway Travel Protection, këto janë 15 vendet më të sigurta për të udhëtuar në vitin 2026: Holanda, Australia, Austria, Islanda, Kanada, Zelanda e Re, Emiratet e Bashkuara Arabe, Zvicra, Japoni, Irlandë, Belgjikë, Portugali, Francë, Mbretëria e Bashkuar, Danimarkë.

Yakini tregon pse nuk e ftoi Jasharin

Ardon Jashari është kthyer në fundjavë në ekipin e Milanit por nuk ka nisur ende me ndeshje pas lëndimit të rëndë që e pësoi dy muaj më parë, përcjell albinfo.ch.

Dhe për këtë arsye ai nuk u ftua nga Zvicra për ndeshjet me Suedinë dhe Kosovën.

Këtë e bëri të ditur përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, në konferencën.

“Ardoni është kthyer vetëm së fundi dhe ende nuk është 100 për qind gati. Për këtë e kemi planifikuar këtë grumbullim pa të. Për këtë jemi marrë vesh edhe me lojtarin”, ka thënë Yakin.

Libri i Mira Kazhanit promovohet në Gjermani

Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot emocion, në Gjermani u mbajt promovimi i librit bestseller “Një Ditë Tjetër” të autores së njohur Mira Kazhani, përcjell albinfo.ch.

Libri autobiografik, botuar nga shtëpia botuese Dora Distria, sjell rrëfimin e ndjerë dhe personal të autores për periudhën më të vështirë të jetës së saj, betejën me një sëmundje të rëndë, tumorin në gji.

Përmes këtij rrëfimi të sinqertë, Kazhani ofron një udhëzues shpirtëror e praktik për këdo që përballet me sfida të papritura në jetë, duke përcjellë forcë, besim dhe shpresë. “Një Ditë Tjetër” është një histori që frymëzon dhe tregon se drita e brendshme mund të triumfojë edhe në ditët më të errëta.

Ky ishte promovimi i parë i librit në Evropën Perëndimore, që mblodhi bashkatdhetarë, dashamirë të librit dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Gjermani. Mbrëmja u përmbyll me një bufe tradicionale shqiptare, verë nga Kosova dhe bashkëbisedime të ngrohta me pjesëmarrësit, shkruan Faruk Ajeti,

Ambasadori i Kosovës në Gjermani.

Kosova prezanton potencialin turistik në “World Travel Market London”

Kosova pavarësisht se është një vend i vogel, ka potencial turistik.

Vendet më turistike të Kosovës po prezantohen në “World Travel Market London”, një prej panaireve më të rëndësishme të turizmit në botë, transmeton albinfo.ch.

Në këtë ngjarje madhështore, me përkrahjen e KIESA-s, kompani nga sektori i turizmit kosovar po prezantojnë ofertat dhe potencialin e jashtëzakonshëm që vendi ynë ofron për vizitorët ndërkombëtarë.

Ambasadori Kapiti shprehu mirënjohjen për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës dhe theksoi rëndësinë e promovimit të turizmit si sektor kyç për zhvillimin ekonomik dhe imazhin e vendit tonë.

 

Parashikimet për çmimet e naftës deri në fund të vitit

Javën e kaluar, çmimet e naftës në tregjet globale shënuan një rënie të lehtë. Fitimet e arritura më parë u tkurrën për shkak të rritjes së ngadaltë të ekonomive kryesore botërore, duke kufizuar kërkesën, ndërsa furnizimi mbetet i bollshëm. Në tregun e Londrës, çmimi i një fuçie ra 1.3% në 65.07 dollarë, ndërsa në SHBA, fuçia u ul 1% në 60.88 dollarë.

Pas një rritjeje prej rreth 7% një javë më parë, të nxitur nga sanksionet e reja perëndimore ndaj naftës ruse, çmimet u stabilizuan javën e fundit, pasi kërkesa nuk arriti nivelin e pritur. Ekonomitë kryesore botërore treguan një performancë të moderuar, ndërkohë që furnizimi me naftë po rritet.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) parashikon se furnizimi mund të mbetet i lartë në fillim të vitit të ardhshëm, me prodhim në SHBA, Kanada, Brazil, Gujanë dhe Argjentinë që tejkalon kërkesën. Në kontrast, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) pret një rritje të kërkesës me 1.3 milion fuçi në ditë vitin e ardhshëm, pothuajse dyfish i parashikimeve të IEA-s.

Megjithatë, në takimin e fundit të OPEC+, u vendos që prodhimi të rritet vetëm me 137,000 fuçi në ditë në dhjetor, i njëjti nivel si në tetor dhe nëntor, shumë më pak se në shtator. Po ashtu, OPEC+ njoftoi se nuk do të ketë rritje të prodhimit në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, duke sugjeruar se nuk pritet një rritje e konsiderueshme e kërkesës dhe se çdo furnizim shtesë mund të shkaktojë mbipopullim në treg.

 

 

Rrezikohet mbyllja e Spitalit të dytë më të madh në Graubünden

Spitali i dytë më i madh në kanton, i vendosur në Samedan, rrezikon të mbyllet pranverën e ardhshme. Komunat Zuoz, Silvaplana dhe Madulain refuzuan huan prej 51 milionë frangash për një marrëveshje të re shërbimi me operatorin e spitalit.

Pa këtë financim, Fondacioni i Kujdesit Shëndetësor të Engadinit të Sipërm (SGO) paralajmëron se spitali mund të jetë i falimentuar deri në pranverën e vitit 2026. Fondacioni po planifikon të kërkojë një moratorium borxhi për të shmangur hapjen e menjëhershme të procedurave të falimentimit.

Kryetarja e bordit të SGO, Selina Nicolay, thekson se prioritet mbetet gjetja e zgjidhjeve alternative për stafin dhe vazhdimin e shërbimeve shëndetësore gjatë dimrit. Një alternativë e mundshme për sigurimin e kujdesit është bashkëpunimi me Klinikën Gut AG dhe Spitalin Kantonale të Graubünden, por kjo kërkon miratimin e të 11 komunave pjesëmarrëse.

Kryetari i Zuoz, Romeo Cusini, shprehet se duhet të vendoset midis riparimit të shërbimeve ekzistuese ose krijimit të një strukture të re.

 

Ja për çfarë jemi të thirrur të votojmë më 8 mars 2026

Këshilli Federal ka vendosur se cilat çështje do të hidhen në votim më 8 mars 2026. Për herë të parë që nga viti 2010, do të mbahet një votim federal mbi një iniciativë popullore dhe kundërpropozimin e saj, i ndjekur nga një pyetje vendimtare.

  1. Iniciativa popullore “Po për një monedhë zvicerane të pavarur dhe të lirë me monedha ose kartëmonedha (Paraja është liri)” dhe kundërpropozimi i drejtpërdrejtë përkatës “Dekreti Federal mbi njësinë monetare zvicerane dhe furnizimin me para në dorë”
  2. Iniciativa popullore “200 franga janë të mjaftueshme! (Iniciativa SSR)”
  3. Iniciativa popullore “Për një politikë të drejtë për energjinë dhe klimën: investim për prosperitet, vende pune dhe mjedis (Iniciativa e Fondit për Klimën)”
  4. Ligji Federal i 20 qershorit 2025 mbi Tatimin Individual

“Paraja është liri”

Në votimin mbi iniciativën popullore “Paraja është liri” dhe kundërpropozimin e saj të drejtpërdrejtë (Dekreti Federal mbi Njësinë Monetare Zvicerane dhe Furnizimin me Para), votuesit votojnë veçmas për iniciativën popullore dhe kundërpropozimin e saj. Ata mund të miratojnë ose refuzojnë të dy tekstet dhe, në pyetjen vendimtare, të tregojnë se cilin nga dy tekstet preferojnë nëse populli dhe kantonet i pranojnë të dy. Kjo procedurë votimi u përdor për herë të fundit në votimin popullor të 28 nëntorit 2010 (“Iniciativa e Dëbimit” dhe kundërpropozimi i saj i drejtpërdrejtë).

Rama premton pagë minimale 500 euro nga 1 janari i vitit 2026

Edhe këtë të mërkurë, kryeministri shqiptar Edi Rama shpalosi planet e qeverisë për rritjen e pagës minimale, si dhe një rritje të përvitshme të pensioneve të parashikuar në buxhetin e vitit 2026, që i është çuar parlamentit.

“Sot me kostum, se për pak marrim në dorëzim Progres Raportin e Komisionit për Shqipërinë dhe kemi konferencën e shtypit.

Pa dyshim që pjesën e luanit në projekt-buxhetin e vitit 2026, që sapo ka shkuar në parlament e zënë pensionistët për të cilët e nisim vitin e ardhshëm me 100 milionë euro shtesë përveç indeksimit.

Në 2027 e dyfishojmë shtesën 200 milionë euro, plus indeksimi 45 milionë euro. Në 2028 e trefishojmë 300 milionë euro, plus indeksimi 46 milionë euro. Në 2029 e katërfishojmë 400 milionë euro, plus indeksimi 47 milionë euro. Në 2030 e pesëfishojmë 500 milionë euro, plus indeksimi 48 milionë euro.

Pra janë rreth 1,7 miliardë euro më shumë, që pensionistët do të marrin mbrapsht nga investimi i tyre për mandatin tonë të katërt qeverisës”, u shpreh Rama, duke shtuar:

“Por, nga 1 janari 2026 do të rritet edhe paga minimale, për 307.850 punonjës, të cilët do të marrin shumën e premtuar 500 euro, e cila do të jetë e para, por jo e vetmja rritje e këtij mandati, ku paga minimale do të arrijë 700 euro dhe jo vetëm kaq, por siç e kemi premtuar qeveria do të subvencionojë për një periudhë 9 mujore me 90 milionë euro, edhe shtesën e kostos së sigurimeve për të punësuarit në sektorin privat.

E, pra ja kështu. Fiks kështu. Ky jam unë dhe këta jemi ne. Them dhe themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi dhe ato 83 mandate që ju na dhatë për të qeverisur Shqipërinë në mandatin e katërt dhe për ta ulur në tryezën e BE si të barabartë ndër të barabartët, janë 83 arsye më shumë se deri dje, për të mos fjetur gjumë, për të punuar papushim dhe për t’ju kthyer ju me të gjithë pasionin, vullnetin, këmbënguljen durimin dhe dashurinë e mundshme të gjithë atë, që ju na dhatë, një besim të jashtëzakonshëm që është privilegj i jashtëzakonshëm”, u shpreh Rama në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale.

Besfort Zeneli rikthehet në përfaqësuesen e Suedisë

Mesfushori Besfort Zeneli është rikthyer në përfaqësuesen e Suedisë pas disa muajsh mungesë, përcjell albinfo.ch.

Selektori i ri, Graham Potter, shpalli të mërkurën listën për ndeshjet kundër Zvicrës dhe Sllovenisë, ku mes emrave të ftuar është edhe 22-vjeçari i Elfsborgut.

Zeneli më parë ka luajtur për Kosovën U21, por në nivelin e të rriturve ka zgjedhur të përfaqësojë Suedinë. Deri tani numëron tri paraqitje me kombëtaren suedeze, ndërsa nuk ishte pjesë e grumbullimit në muajt shtator dhe tetor.

Fitore historike, Zohran Mamdani bëhet kryebashkiaku i parë mysliman i Nju Jorkut

Në një fitore historike për qytetin më të madh të Shteteve të Bashkuara, 34-vjeçari Zohran Mamdani, socialist demokrat, u zgjodh kryebashkiak i Nju Jorkut, duke u bërë kështu kryebashkiaku i parë mysliman në historinë e qytetit, përcjell albinfo.ch. 

Përveç Nju Jorkut, demokratët shënuan fitore edhe në dy zgjedhje të tjera kyçe, duke treguar një impuls të fortë para zgjedhjeve për Kongresin që do të mbahen vitin e ardhshëm. Abigail Spanberger, 46 vjeç, dhe Mikie Sherrill, 53 vjeç, fituan zgjedhjet për guvernator në Virxhinia dhe New Jersey, me epërsi të dukshme.

Mamdani ka premtuar politika progresive, duke përfshirë ngrirjen e qirave, kujdesin falas për fëmijët, transportin publik falas, si dhe rritjen e taksave për korporatat dhe të pasurit për të financuar këto iniciativa.

Pas fitores, ish-presidenti Donald Trump e quajti Mamdanin “komunist” dhe kërcënoi të shkurtojë fondet për qytetin. Por Mamdani nuk u tërhoq:

“Nëse dikush mund t’i tregojë një kombi të tradhtuar nga Donald Trump se si ta mposhtë atë, është qyteti që e lindi atë. Dhe nëse ka ndonjë mënyrë për të tmerruar një despot, është duke çmontuar kushtet që i lejuan atij të grumbullonte pushtet.”

Ai shtoi se Nju Jorku do të mbetet një qytet i emigrantëve:

“Një qytet i ndërtuar, i fuqizuar dhe që nga sonte, i udhëhequr nga një emigrant.”

Zyrtare: Vjosa Osmani mandaton Glauk Konjufcën për formimin e Qeverisë së Kosovës

Në njoftimin e Presidencës thuhet se vendimi është marrë në përputhje me nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

“Sot, në përputhje me nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar z. Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës,” thuhet në njoftim.

Presidentja Osmani i ka uruar suksese Konjufcës në procesin e formimit të qeverisë së re.

Rita Ora gati ta ndezë atmosferën në hapjen e sezonit dimëror në Austri

Siç ka shkruar ditë më parë, Albinfo.at për të gjithë adhuruesit e muzikës dhe sporteve dimërore: këngëtarja me famë botërore me origjinë shqiptare, Rita Ora, do të jetë ylli i hapjes së sezonit të skijimit në qendrën e njohur Ischgl në Tirol të Austrisë.

Eventi pritet të zhvillohet më 29 nëntor 2025, në Ischgl Stage, duke filluar nga ora 18:00. Me këtë performancë, Rita Ora do të ndezë atmosferën në njërën prej qendrave më ikonike të skijimit në Evropë – Silvretta Arena, e cila çdo vit tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.

Autoritetet lokale të Ischgl-it kanë njoftuar se rezervimet për fundjavën e hapjes janë duke u shtuar me shpejtësi, falë interesimit të madh që ka ngjallur koncerti i Ritës. “Presim një atmosferë elektrizuese që do të ngrohë këtë dimër të ftohtë”, thuhet në njoftimin zyrtar të organizatorëve.

Me një karrierë që shtrihet në skenat më të mëdha ndërkombëtare, Rita Ora pritet të sjellë në Tirol një show të paharrueshëm, duke e kthyer hapjen e sezonit të skijimit në një festë të madhe për dashamirët e muzikës dhe aventurës në borë. /Albinfo.at 

Austri: Rita Ora do të hap sezonin e skive në Ischgl me koncert spektakolar

Mbyllja e Qeverisë në SHBA rrezikon paralizimin e trafikut ajror

Në Shtetet e Bashkuara, mbyllja e qeverisë rrezikon të paralizojë pjesërisht trafikun ajror.

Sekretari amerikan i Transportit paralajmëroi të martën për rreziqet e “kaosit” në trafikun ajror, përfshirë mbyllje të pjesshme të hapësirës ajrore nëse paraliza e buxhetit vazhdon deri javën e ardhshme.

“Do të shihni kaos të gjerë. Do të ketë vonesa masive në fluturime. Do të ketë anulime të shumta. Dhe mund të jemi të detyruar të mbyllim pjesë të hapësirës ajrore sepse nuk do të kemi mundësi t’i menaxhojmë për shkak të mungesës së kontrollorëve të trafikut ajror,” deklaroi Sean Duffy gjatë një konference për shtyp në Filadelfia, duke fajësuar demokratët për mbylljen aktuale të qeverisë.

Që nga 1 tetori, me skadimin e buxhetit federal, senatorët republikanë dhe demokratë nuk kanë arritur të bien dakord mbi një ligj të ri për të zgjidhur krizën. Pas mesnatës së së martës, pritet të thyhet rekordi për bllokimin më të gjatë të këtij lloji.

Si pasojë e “shutdown”-it, dhjetëra mijëra kontrollorë të trafikut ajror dhe punonjës të sigurisë punojnë pa pagë, ndërsa të dyja palët fajësojnë njëra-tjetrën për situatën.

“Më shumë se 13,000 kontrollorë të trafikut ajror vazhdojnë të punojnë pa pagë për shkak të demokratëve,” tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. “Dua të jem e qartë për kontrollorët tanë të jashtëzakonshëm në të gjithë vendin: Presidenti Trump dhe republikanët duan që ju të paguheni.”

Përplasja politike

Sëmundjet ndër punonjësit e sektorit dhe radhët e gjata në aeroporte kanë detyruar më parë zyrtarët e zgjedhur të gjejnë një zgjidhje gjatë mbylljes së qeverisë në mandatin e parë të Donald Trump-it, që përfundoi në 2019.

Aktualisht, pozicionet e të dyja palëve në Kongres mbeten të pandryshuara. Republikanët propozojnë zgjatjen e buxhetit aktual, me të njëjtat nivele shpenzimesh, ndërsa demokratët kërkojnë zgjatjen e subvencioneve për programet e sigurimeve shëndetësore për familjet me të ardhura të ulëta.

Përveç punonjësve publikë të cilët konsiderohen “thelbësorë” dhe që janë të detyruar të punojnë pa pagë, qindra mijëra punonjës civilë janë vendosur në pushim të detyruar (furlough).

Gripi i shpezëve: Kosova ndalon importin nga Italia

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se në Itali është konfirmuar praninë e gripit të shpezëve, serotipi HPAI–H5N1, në ferma komerciale dhe tek shpezët e egra në rajonet Emilia-Romagna dhe Lombardia.

Ky informacion bazohet në raportin më të fundit të Organizatës Botërore për Shëndetin e Kafshëve (WOAH) dhe në raportin e Komisionit Evropian datë 4 nëntor 2025.

Në përputhje me ligjin dhe masat parandaluese për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurisë ushqimore në Kosovë, AUV ka vendosur ndalimin e importit të kafshëve të gjalla, shpezëve dhe produkteve të tyre që vijnë nga zonat e infektuara të Italisë.

Përjashtim bëhet vetëm për prodhimet që vijnë nga fermat e pa prekura brenda një rrethi prej 50 km nga zonat e infektuara.

Ky vendim hyn menjëherë në fuqi dhe do të mbetet në zbatim deri në një vlerësim të ri të situatës nga autoritetet ndërkombëtare dhe AUV.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka njoftuar gjithashtu se do të monitorojë situatën epidemiologjike dhe do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin e përhapjes së sëmundjes. Publiku dhe operatorët ekonomikë do të informohen në kohë për çdo ndryshim eventual.

 

Më shumë vdekje në rrugët zvicerane, një rekord negativ europian

Zvicra mban rekordin europian për numrin e viktimave në trafikun rrugor. Numri i vdekjeve në rrugët zvicerane është rritur me 34% gjatë pesë viteve të fundit, duke arritur 250 vetëm gjatë vitit të kaluar. Ndërkohë, në shumicën e vendeve të tjera evropiane, ky numër ka shënuar ulje.

Sipas një deklarate të Këshillit Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve (BFU), përpjekjet për të ndalur këtë trend negativ dhe për të reduktuar aksidentet fatale nuk kanë pasur sukses. Prandaj, është e nevojshme një politikë e qëndrueshme për sigurinë rrugore dhe angazhimi i përbashkët i të gjitha palëve të përfshira në trafikun rrugor.

Rritja më e madhe në Evropë

Nga viti 2019 deri në 2024, numri i viktimave në trafikun rrugor në Zvicër është rritur me mbi 30%.

Zvicër: +33,7%

Estoni: +32,7%

Izrael: +23,7%

Irlandë: +22,9%

Sllovaki: +6,9%

Holandë: +2,1%

Spanjë: −0,2%

Francë: −1,6%

Greqi: −3,3%

Suedi: −3,6%

Serbi: −3,7%

Itali: −4,5%

Mbretëria e Bashkuar: −5,9%

Portugali: −7,8%

Gjermani: −9,8%

Letoni: −15,2%

Austri: −15,6%

Finlandë: −16,6%

Hungari: −17,4%

Norvegji: −17,6%

Luksemburg: −18,2%

Kroaci: −19,5%

Çeki: −19,9%

Rumani: −20,8%

Qipro: −21,2%

Bullgari: −23,9%

Maltë: −25,0%

Danimarkë: −27,1%

Belgjikë: −27,2%

Slloveni: −33,3%

Poloni: −34,8%

Lituani: −34,9%

“Ekzistojnë masa efektive, por ato mund të zbatohen vetëm nëse ka vullnet politik,” thotë Mario Cavegn, drejtues i trafikut rrugor në Këshillin Zviceran për Parandalimin e Aksidenteve. Pa mbështetje politike, është e paqartë nëse do të arrihet qëllimi i Zyrës Federale të Rrugëve (ASTRA) për të ulur numrin e viktimave në rrugë në 100 deri në vitin 2030.

 

Cigaret elektronike ndihmojnë në lënien e duhanit, sipas një studimi të specialistëve

Një studim i zhvilluar nga Unisanté në Lozanë, me pjesëmarrjen e rreth njëqind specialistëve frankofonë, ka arritur në përfundimin se përdorimi i cigareve elektronike është efektiv për të ndaluar duhanin. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i tyre duhet të mbetet i përkohshëm, pasi efektet anësore afatgjata mbeten ende të debatueshme.

Cigaret elektronike, të konceptuara që në vitet 1960 dhe të përhapura në treg rreth vitit 2010, vazhdojnë të ndajnë mendimet brenda komunitetit shkencor. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i ka cilësuar në vitin 2019 si “padiskutim të dëmshme” dhe ka kërkuar rregullimin e tyre. Kohët e fundit, OBSH e ka përsëritur qëndrimin se “vapingu” po pengon përparimin në luftën kundër duhanpirjes.

Megjithatë, shumë ekspertë të shëndetit publik theksojnë se cigaret elektronike — që përmbajnë nikotinë — mund të ndihmojnë në uljen e rreziqeve që lidhen me pirjen e duhanit, sidomos si një mjet për të ndaluar përdorimin e tij.

Paga e drejtuesve të shëndetësisë duhet të kufizohet

Paga më e lartë e drejtuesve të sigurimeve shëndetësore duhet të kufizohet – thotë Komiteti i Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetit i Këshillit Kombëtar.

Propozimi do të kufizonte kompensimin për anëtarët e organeve drejtuese të siguruesve në nivelin më të lartë të pagave në administratën federale – aktualisht rreth 405,000 CHF në vit, transmeton albinfo.ch.

Ligjvënësit thonë se paga e lartë e drejtuesve është e pajustifikuar pasi primet vazhdojnë të rriten dhe ata duan rregulla më të rrepta transparence për të siguruar pajtueshmërinë.

Masa, bazuar në një iniciativë nga Këshilltari Kombëtar i SP-së Baptiste Hurni, u miratua me 14 vota pro dhe 9 kundër. Konsultimi zgjat deri në shkurt.

Tarifat e larta të parkimit në Bazel janë ‘të tepërta’

Një debat i nxehtë po zhvillohet në Bazel mbi tarifat e parkimit.

Që nga fillimi i vitit, çmimi tani varet nga gjatësia e makinës së tyre, duke çuar në rritje deri në 80 përqind – dhe deri në 160 përqind deri në vitin 2027.

Automjetet më të mëdha, mbi 4.9 metra të gjata, përballen me tarifa vjetore prej mbi 1000 frangash, transmeton albinfo.ch.

Klubi Turistik i Zvicrës ka paraqitur një peticion duke i quajtur tarifat e reja të tepërta dhe të padrejta, duke theksuar se motoçikletat parkohen falas.

Komiteti i peticioneve i parlamentit kantonal pranoi zhgënjimin e publikut, por vuri në dukje se politika e çmimeve pasqyron vullnetin e votuesve.

Qeveria tani ka një vit për t’u përgjigjur.