Pas sulmit në Zveçan, Sveçla: Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas shpërthimit të granatës së dorës në një nga zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan.

Sveçla ka thënë se Kosova do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar qytetarët pa dallim, përcjell albinfo.ch.

“Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, ka shkruar Sveçla.

Në orët e para të mëngjesit, një sulm u raportua në Postën e Kosovës në Zveçan, ku një granatë dore shpërtheu, ndërsa një tjetër u gjet më pas brenda objektit.

Policia bëri të ditur se të dyshuarit për sulmin nuk janë identifikuar ende.

Për sulmin foli edhe Kryeministri Albin Kurti.

Kurti tha se ky sulm, me elemente terroriste, është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.

Ai e ka quajtur shqetësues faktin që individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë dhe, siç ka thënë ai, po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi.

Dy kosovarë ekstradohen në SHBA për mashtrim të amerikanëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar për ekstradimin e dy të akuzuarve për mashtrim të qytetarëve amerikanë, përcjell albinfo.ch.

Në njoftimin e ambasadës thuhet se, falë koordinimit me autoritetet në Kosovë, dy të pandehurit janë ekstraduar në SHBA për t’u përballur me drejtësinë për akuzat.

“E vlerësojmë shumë vazhdimin e bashkëpunimit të autoriteteve kosovare në mbështetje të qeverisë amerikane për këtë rast, i cili forcon përpjekjet tona të përbashkëta për të ruajtur sigurinë e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet tutje në njoftim.

Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka njoftuar për ndalimin e një faqeje interneti dhe tregu të jashtëligjshëm, si dhe për arrestimin e dy administratorëve të kësaj faqeje, Rydox, të cilët janë shtetas kosovarë me inicialet A.K. dhe J.K.

Lidhur me rastin, është arrestuar edhe një shtetas tjetër kosovar me inicialet Sh.S., i cili pritet të akuzohet dhe të ndiqet penalisht në Shqipëri.

Ata akuzohen se për më shumë se tetë vjet kanë kryer këtë vepër penale.

Kurti: Sulmi në veri ka elemente terroriste, orvatje nga pafuqia e atyre që nuk sundojnë më

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dënuar fuqishëm sulmin me granata ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, përcjell albinfo.ch.

Kurti ka thënë se sulmi ka elemente terroriste.

“Me shqetësim të thellë dhe vendosmëri të palëkundur për të mbrojtur stabilitetin dhe rendin kushtetues, dënojmë fuqishëm sulmin me elemente terroriste ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, i kryer sot, më datë 1 prill 2025. Ky akt dhune është një orvatje për të cenuar sigurinë dhe për të penguar integrimin e qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Ai ka pohuar se “brengosëse në këtë situatë mbetet fakti se individë të njohur për lidhjet e tyre me grupe kriminale dhe terroriste, si Millan Radoiçiq, vazhdojnë të mbeten të lirë, e po strehohen dhe po shfrytëzohen nga pushteti në Serbi për qëllime shoviniste”.

“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, pohoi ai.

Kurti ka shkruar se përmes krijimit të tensioneve artificiale po tentohet të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i vendit tonë.

“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset dhe shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët”, theksoi ai.

Kurti shton tutje se institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë.

“Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Shteti do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri për të siguruar që të gjithë qytetarët, pa dallim, të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të lirë”, deklaroi ai.

Sot, rreth orës 00:20, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se, si pasojë e shpërthimit të njërës granatë, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.

E lidhur me këtë, ka reaguar sot Posta e Kosovës.

“Sot, pas mesnate, zyra postare Zveçan-2, e vendosur në qendër të Zveçanit, është sulmuar me mjete shpërthyese. Posta e Kosovës Sh.A. dënon ashpër këtë akt kriminal dhe kërkon nga autoritetet kompetente hetimin e plotë të rastit dhe vënien e përgjegjësve para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Postës.

Edhe një futbollist shqiptar mund t’i bashkohet Xhakës te Leverkuseni

Bëhet e ditur se mbrojtësi kosovar, Albian Hajdari, mund t’i bashkohet Bayer Leverkusenit. Kështu ka njoftuar të hënën mbrëma gazeta e madhe gjermane Bild, raporton albinfo.ch.

Thuhet se Hajdari është duke u paraqitur me shumë sukses te Lugano, që garon në Superligën e Zvicrës.

Referuar gazetës gjermane, Leverkuseni tashmë ka nisur bisedimet për transferimin e mbrojtësit të talentuar 21-vjeçar. Hajdari, i cili debutoi gjatë këtij muaji me fanellën e Zvicrës, ka kontratë me Luganon deri në vitin 2028.

16 vjet nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO

Më 1 prill 2009, Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO, në Departamentin e Shtetit, që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.

Duke u bërë palë e këtij Traktati dhe shtet anëtar i NATO-s, Shqipëria përmbushi një synim strategjik dhe një objektiv parësor të politikës së jashtme, duke avancuar ndjeshëm në realizimin e interesave të saj kombëtare.

Paraqitja e parë e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota e NATO-s u bë në Samitin e Aleancës që u mbajt në Strasbourg/Kehl më 4 prill 2009, ndërkohë që më 7 prill 2009, në selinë e Aleancës në Bruksel, u zhvillua ceremonia zyrtare e ngritjes së flamujve të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, ndërsa një ditë më vonë, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës zhvilloi një vizitë zyrtare në Shqipëri, gjatë së cilës atij iu akordua titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti i Tiranës, përcjell albinfo.ch.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO erdhi si rrjedhojë e vendimit të rëndësishëm për zgjerimin e Aleancës, të marrë më 3 prill 2008 nga 26 krerët e shteteve dhe qeverive të Aleancës gjatë një seance të posaçme të Samitit të NATO-s në Bukuresht, nëpërmjet të cilit Shqipëria dhe Kroacia u ftuan të fillonin bisedimet për anëtarësim. Ky vendim erdhi pas mbylljes së ciklit të nëntë të Planit të Veprimit për Anëtarësimin (MAP) të Shqipërisë me NATO-n dhe pas kryerjes së një sërë reformash që synonin plotësimin e kritereve të nevojshme për anëtarësimin në Aleancë.

Më 25 prill 2008, Shqipëria dhe Kroacia nisën zyrtarisht bisedimet për anëtarësimin në NATO. Agjenda e këtyre bisedimeve përfshinte çështje politike, ushtarake, sigurie dhe ligjore, të cilat të dy vendet i trajtuan me ekspertët e Aleancës, me qëllim rikonfirmimin e vullnetit të tyre për të përmbushur në të ardhmen të gjitha detyrimet që lidhen me anëtarësimin me të drejta të plota në Aleancë.

Nëpërmjet një serie takimesh dypalëshe midis ekipeve të ekspertëve të NATO-s dhe ekipeve të institucioneve shqiptare, u trajtua dhe u konfirmua zyrtarisht interesi, vullneti dhe kapacitetet e Shqipërisë për të plotësuar detyrimet dhe angazhimet politike, ligjore dhe ushtarake të anëtarësimit në NATO, raporton Kosova press.Produkti final i këtyre diskutimeve ishte një kalendar me afate kohore për përmbushjen e kritereve dhe reformave të domosdoshme.

Periudha e përgatitjes për anëtarësim shërbeu për intensifikimin e përpjekjeve nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë për të thelluar në të gjitha drejtimet reformën e mbrojtjes, duke përshpejtuar realizimin e prioriteteve sipas standardeve të NATO-s. Kështu, u punua me përparësi për plotësimin e kuadrit të dokumenteve bazë strategjike të rishikuara, si Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të FARSH 2007–2020, Udhëzimi për Planifikimin Strategjik 2008, etj.

Më 9 korrik 2008, 26 vendet anëtare të NATO-s nënshkruan, gjatë një ceremonie në selinë e NATO-s në Bruksel, Protokollet e Anëtarësimit me Shqipërinë dhe Kroacinë – akte këto juridike që i bashkëngjiten Traktatit të Uashingtonit, duke hedhur kështu një hap të rëndësishëm institucional për anëtarësimin e të dy vendeve në Aleancën Atlantike.

Pas anëtarësimit në NATO, përpjekjet e Shqipërisë u fokusuan në transformimin e forcave të armatosura në një forcë me përmasa më të vogla, tërësisht profesioniste, të aftë për t’u dislokuar dhe të ndërveprueshme me NATO-n. Ky integrim dhe modernizim i Forcave të Armatosura është shoqëruar me angazhimin për reduktimin e depove të municioneve, si dhe shkatërrimin e një sasie të madhe municionesh.

Xherdan Shaqiri në prag të rekordit të ri historik për më së shumti asistime

Futbollisti shqiptar, Xherdan Shaqiri, është duke kaluar formë të mirë këtë edicion te skuadra e Baselit, përcjell albinfo.ch.

Klubi futbollistik Basel po zhvillon ndeshje shumë më të mira dhe është në garë për titull kampioni në elitën e futbollit zviceran.

Kujtojmë se Shaqiri të dielën kontribuoi me gol dhe asistim në fitoren 2:0 të Baselit ndaj Winterthurit.

Vlen të theksohet se Shaqiri, në 25 ndeshje kampionale, ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 13 asistime.

Nëse vazhdon me këtë formë, 33-vjeçari Shaqiri mund ta thyejë rekordin historik për më së shumti asistime për një edicion në Superligën e Zvicrës.

Rekordin e mban futbollisti i Servette-s, Miroslav Stevanoviq, që bëri 22 asistime në edicionin 2021/2022. Kështu ka raportuar të hënën “20minuten”.

Shaqiri u transferua te Baseli në verën e vitit të kaluar si lojtar i lirë nga Chicago Fire.

Kosovë: Vendimi për çmimin e rrymës merret më 11 prill

K

Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, bëri të ditur se vendimi për tarifat e energjisë elektrike do të merret më 11 prill, përcjell albinfo.ch.

“Varësisht se si vendos bordi. Tarifat mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi që s’ka kuptim që kjo të bëhet në gjysmën e muajit. Aktualisht jemi duke i shqyrtuar komentet e dërguara nga institucionet dhe të tjerët. Kemi deklaruar se shqyrtimi do të zgjasë deri në dy javë, por shqyrtimi mund të zgjasë edhe më shumë”, tha Fejzullahu.

Paralajmërimi për shtrenjtimin e rrymës me 15 për qind ka shkaktuar reagime të shumta dhe ka ngjallur pakënaqësi të gjerë ndër qytetarë dhe biznese. Në këtë kuadër, më 5 prill në Prishtinë do të mbahet protestë kundër shtrenjtimit të rrymës.

Edhe Presidenca e Kosovës e ka kundërshtuar propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke konsideruar se ai nuk është në përputhje me kornizën ligjore që obligon Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike në vend.

“Në vazhdë të një rritjeje potenciale, rikujtojmë se rritja e tarifave nuk mund të bëhet si një proces i izoluar, por duhet të marrë parasysh kontekstin zhvillimor dhe aspektin e mirëqenies në vend. Kjo kërkon një analizë të mirëfilltë të rrethanave, duke u fokusuar po ashtu në mbrojtjen e konsumatorëve dhe situatën ekonomike aktuale”, është thënë në komunikatën e Presidencës së Kosovës.


Pas shpërthimit në objektin e postës në Zveçan, banorët janë evakuuar

Sot rreth orës 00:20, persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në objektin e Postës së Kosovës në Zveçan, përcjell albinfo.ch.

Referuar një njoftimi të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se, si pasojë e shpërthimit të njërës prej granatave, janë shkaktuar dëme materiale, mirëpo nuk është raportuar për të lënduar.

“Njësitet policore relevante, pasi kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë vërejtur se brenda objektit gjendet edhe një granatë e pashpërthyer, për të cilën njësitë policore, paraprakisht, kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa banorët janë evakuuar për një kohë, derisa njësia e specializuar për trajtimin e mjeteve eksplozive ka bërë shpërthimin e granatës në mënyrë të kontrolluar”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se njësia antiterror është duke punuar intensivisht për të zbuluar autorët e këtij shpërthimi. Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

“Policia e Kosovës i dënon ashpër këto veprime të rrezikshme dhe apelon te qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij shpërthimi.

Çdo informacion që mund të ndihmojë hetimet mund të raportohet në numrat e Policisë apo përmes linjave të besueshme të raportimit”, thuhet në njoftim.

Njoftim për mërgimtarët që do të votojnë jashtë Shqipërisë

Zgjedhësit që votojnë jashtë Shqipërisë, të cilët janë regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 11 majit 2025, dhe që nuk e gjejnë emrin e tyre në listën e zgjedhësve nga jashtë, mund të ankohen deri më 11 prill (30 ditë para zgjedhjeve), përmes portalit të dedikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ).

Sipas Vendimit nr. 129, datë 6 mars 2025, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) ka miratuar një platformë elektronike që mundëson paraqitjen online të kërkesave nga zgjedhësit që votojnë jashtë Shqipërisë. Ata mund të dërgojnë kërkesat e tyre për regjistrim në procesin zgjedhor përmes adresës zyrtare të postës elektronike: [email protected].

Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Vendimi është publikuar në faqen zyrtare të KLGJ-së dhe ka hyrë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

https://klgj.al/media/0ish1b4o/vendim-nr-129-dat%C3%AB-06-03-2025-p%C3%ABr-miratimin-e-platform%C3%ABs-elektronike-p%C3%ABr-paraqitjen-e-k%C3%ABrkesave-edhe-online-t%C3%AB-zgjedh%C3%ABsve-q%C3%AB-votojn%C3%AB-nga-jasht%C3%AB-territorit-t%C3%AB-republik%C3%ABs-s%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB.pdf

Eurostat: Gati 100 mijë shqiptarë emigruan në vendet e BE-së vetëm në vitet 2022-2023

Duket se ritmet e emigracionit janë përshpejtuar ndjeshëm vitet e fundit, duke tejkaluar edhe nivelin e vitit 2015, kur u konstatua një ikje masive, raporton albinfo.ch.

Teksa në vitin 2015 të dhënat u reflektuan drejtpërdrejt në kërkesat për azil në Bashkimin Evropian, treguesi real tashmë jepet nga të dhënat për emigrantët që kanë hyrë në vendet e BE-së, të publikuara nga Eurostat.

Instituti Evropian i Statistikave raportoi në publikimin e fundit për emigracionin në BE se në vitin 2023 janë regjistruar rreth 49 mijë emigrantë të ardhur nga Shqipëria. Edhe në vitin 2022 emigrimi nga vendi ynë kishte qenë në nivele të ngjashme, duke bërë që vetëm në dy vjet, 2022–2023, të emigrojnë gati 100 mijë persona nga vendi. (Të dhënat nuk përfshijnë Greqinë, që është një destinacion kryesor i shqiptarëve.)

Kjo shifër është edhe më e lartë se në vitin 2015, kur emigrantët nga Shqipëria në BE arritën në 44 mijë, sipas të dhënave të përpunuara nga Monitor (shiko grafikun). Më pas tendenca ishte në rënie, por një valë e re emigracioni nisi pas pandemisë.

Këtë herë ikjet nuk po reflektohen më përmes kërkesave për azil. Po sipas Eurostat, në vitin 2022 kishte vetëm 13 mijë kërkesa për azil dhe në 2023 numri i tyre zbriti në 9.145, ndryshe nga viti 2015, kur aplikimet për azil arritën rekordin në 68 mijë.

Ndërsa aplikimet për azil të krijojnë përshtypjen se tendenca e emigracionit është në tkurrje, duket se shqiptarët tashmë nuk ikin më përmes kësaj forme, por përmes bashkimeve familjare (kryesisht në Itali), apo për punë (në Gjermani).

Në vitin 2023, rreth 30 mijë emigrantë u regjistruan në Itali, ose 62% e totalit. Edhe në vitin 2022 ky shtet regjistroi rreth 29 mijë emigrantë. Italia ka një numër të lartë të bashkimeve familjare, si një nga destinacionet kryesore historike të shqiptarëve që ikin jashtë, por nuk mungojnë as të rinjtë. Në vitin 2023, 59% e emigrantëve ishin të grupmoshës deri në 34 vjeç, ndërsa 21% të grupmoshës mbi 50 vjeç.

Gjermania është destinacioni i dytë, me rreth 15 mijë emigrantë në vitin 2022 dhe 14 mijë në vitin 2023. Vitet e fundit, Gjermania ka qenë e preferuar nga të rinjtë që ikin në kërkim të një pune. Më shumë se gjysma e atyre që emigruan në Gjermani në vitin 2023 (55%), sipas të dhënave, ishin të grupmoshës 20–34 vjeç, me dominim të grupmoshës 25–30 vjeç.

E treta është Kroacia, që ka parë vitet e fundit emigrimin e mbi 1 mijë personave nga Shqipëria, teksa ky shtet po tërheq punonjës në ndërtim dhe në turizëm.

Siç u theksua, Greqia nuk i raporton të dhënat, çka nënkupton se numri i të emigruarve në vendet e Bashkimit Evropian është edhe më i lartë sesa raportohet.

Europa

Sipas Eurostat, në vitin 2023, 4.3 milionë persona imigruan në BE nga vende që nuk janë anëtare të BE-së. Kjo shifër nuk përfshin kërkuesit e azilit dhe/ose refugjatët nga Ukraina që kanë marrë mbrojtje të përkohshme në disa vende (shih shënimin metodologjik).

Për më tepër, 1.5 milionë persona migruan midis vendeve të BE-së. Krahasuar me vitin 2022, numri i personave që imigruan në BE ka rënë me 17.9% (nga 5.3 milionë), ndërsa numri i personave që migruan midis vendeve të BE-së mbeti i qëndrueshëm në 1.5 milionë.

Në total, në BE u vlerësua se kishte rreth 10 imigrantë nga vendet jo anëtare për çdo 1.000 banorë në vitin 2023.

Për pak ditë do të betohej si Këshilltar Bashkiak, arrestohet shqiptari në Belgjikë

Bëhet fjalë për Amarildo Vllazeria, 27 vjeç, një shqiptar që do të betohej si këshilltar bashkiak në qytetin e Mortsel në Belgjikë dhe do të zëvendësonte Caro Abutoh, i cili është vënë në pranga.

Mediat belge shkruajnë se Vllazeria ka dalë në përgjime në aplikacionin SKY ECC, ku fliste për trafik droge me persona të tjerë me precedentë penalë. Detektivët nga FGP Antwerp bastisën pesë vende të martën, duke përfshirë bashkinë (e përkohshme) në Meerminne, zyrat e OCMW Mortsel në Deurnestraat dhe adresat në Wilrijk dhe Antwerp.

https://www.hln.be/mortsel/de-op-en-teloorgang-van-amarildo-vllazeria-27-van-veelbelovend-politicus-over-luie-schepen-tot-verdachte-in-drugsdossier~a3044aa4/?referrer=https%3A%2F%2Fwww.google.com%2F

Në total u vunë në pranga tre persona, rreth të njëzetat, mes tyre edhe shqiptari Amarildo Vllazeria (27).

Të tre dyshohet se janë anëtarë të një organizate kriminale që ishte përfshirë në kontrabandën e kokainës nëpërmjet portit të Antwerp-it në vitet 2020 dhe 2021.

Kjo gjë ka dalë edhe nga mesazhet e deshifruara nga Sky ECC. Në një prej bisedave është diskutuar edhe për importin e më shumë se 150 kilogramëve kokainë. Droga do të eksportohej edhe në vende të tjera, në automjete të pajisura me ndarje të fshehura.

“Flitet për importe nëpërmjet portit të Antwerp-it, ku po rekrutohen edhe punëtorë të portit,” thotë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit Publik, Kristof Aerts. “Kishte gjithashtu plane për një plantacion kanabisi në Mortsel.” Gjatë kontrolleve u gjetën mallra luksi, celularë dhe 9 mijë euro cash.

Referuar Prokurorisë Publike, ka të dhëna konkrete se Vllazeria është përfshirë në eksportin dhe transportin e lëndëve narkotike. Megjithatë, ai dhe dy personat e tjerë që u arrestuan të martën për të njëjtin rast u liruan pas marrjes në pyetje. Hetimi është ende në vazhdim, thekson Prokuroria Publike.

Vllazeria ka qenë kryetar i Komitetit të Posaçëm të Shërbimeve Sociale, ish-Këshillit të OCMW, nga tetori 2023 deri në përfundim të mandatit të mëparshëm. Ai ka shërbyer edhe në Këshillin Policor të Zonës së Policisë Minos. Në zgjedhjet bashkiake të tetorit 2024, Vllazeria u zgjodh për të qenë anëtar i Këshillit Bashkiak.

Hetimi duhet të sqarojë nëse Vllazeria ka abuzuar me mandatet e tij në qytetin e Mortsel-it. Veprat e drogës dhe organizata kriminale, në të cilën thuhet se ka qenë i përfshirë, datojnë nga viti 2020 dhe 2021, kur ai kishte detyra të rëndësishme.

Hanover: Tetë kompani nga Kosova në panairin më të madh ndërkombëtar për industri dhe teknologji

Bëhet e ditur se, për të dytin vit radhazi, Kosova gjendet në mesin e shteteve pjesëmarrëse në “Hannover Messe 2025”, i cili është panairi më i madh ndërkombëtar i industrisë dhe teknologjisë, përcjell albinfo.ch.

Tetë kompani nga Kosova janë pjesëmarrëse në panair: Tenton Sh.P.K., Innovation Academy Sh.P.K., Proton Cable L.L.C., Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji UBT Sh.P.K., Nori Glass Sh.P.K., ITE Sh.P.K., Euro Eco Transformers Sh.P.K. dhe Talent Management Services Sh.P.K.

Nga mesi i prillit me vetëm një kontroll në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut

Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup ka thënë se regjimi i ri kufitar mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut do të funksionalizohet në mesin e muajit prill, i cili parasheh kontrolle vetëm në hyrje nga policia respektive e shtetit.

Regjimi i ri do të bëhet sipas modelit “hyrje-hyrje” dhe do të zbatohet në pikat kufitare Hani i Elezit/Bllacë dhe Glloboqicë/Jazhincë, ndërsa policët do të punojnë në një objekt të përbashkët.

“Prolongimi disaditor është bërë me qëllim të përgatitjeve finale teknike e logjistike të ekipeve, të cilat janë duke punuar intensivisht në zbatimin e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme ndërshtetërore,” është thënë në reagimin e Ambasadës së Kosovës në Shkup, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet kanë thënë se ky model pritet t’i zvogëlojë pritjet dhe do të jetë në funksion të lehtësimit të qarkullimit të qytetarëve të të dyja shteteve.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se nga mesi i muajit prill, konkretisht më 14 prill, zyrtarisht do të fillojë të funksionojë kontrolli i përbashkët kufitar (One Stop Shop) në pikën e përbashkët kufitare Bllacë e Poshtme – Hani i Elezit.

Ky njoftim është i katërti me radhë i MPB-së për sistemin One Stop Shop me Kosovën, pas premtimeve se nis më 1 janar, pastaj në mars, më 1 prill e tash më 14 prill.

Shtetasit e Kosovës duhet të jenë të pajisur me letërnjoftim biometrik apo pasaportë për të kaluar në Maqedoninë e Veriut.

Për dallim prej këtij regjimi, Kosova dhe shteti tjetër fqinj, Shqipëria, kanë pika të përbashkëta kufitare dhe në pjesën më të madhe të vitit shtetasit e këtyre dy vendeve udhëtojnë në territorin e njëra-tjetrës pa iu nënshtruar fare kontrolleve.

Të huajt investojnë në tregun e pronave në Shqipëri

Rritja e vlerës së pronave në Shqipëri po shihet si një biznes fitimprurës, jo vetëm për vendasit, por edhe për të huajt.

Ndonëse prej vitesh po investojnë, në vitin 2024, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, 379 milionë euro shkuan në drejtim të këtij tregu nga të huajt.

Ekspertët e tregut thonë se qëllimi për t’i kthyer në biznese me qira ditore është arsyeja që po i nxit më shumë të huajt të investojnë, raporton TCH, transmeton albinfo.ch.

“Kemi kërkesa shumë të mëdha që marrin apartamente, i riparojnë me kushtet që duan të huajt dhe turistët, dhe i japin me Booking për disa net,” tha Gjin Gjoka, ekspert i pasurive të paluajtshme.

“Gjithmonë rritje. Dita-ditës shohim kërkesa të shtuara, ku dhe oferta është po në të njëjtin drejtim. Njerëzit kërkojnë me qira – janë vendasit, por më shumë janë dhe të huajt,” tha Ervin Demirxhiu, ekspert i pasurive të paluajtshme.

Ky zhvillim i tregut ka rritur ndjeshëm çmimet edhe për vendasit, kryesisht ato të qirave.

“Nëse çmimet kanë një stopim, ka te pronat luksoze, por s’ka rënie çmimesh. Në shtëpi do ishte mirë që të gjithë të kishin një shtëpi. Duke llogaritur Unazën e Vjetër, pothuajse 90% e apartamenteve janë të riparuara dhe me Booking. Së dyti, kërkesa e studentëve është e lartë, por edhe rreth 19 mijë banorë shpërngulen, pashaportizohen në Tiranë. Në Astir sot gjejmë një apartament jo poshtë 350 euro dhomë-kuzhinë. 2+1 të kompletuar nuk e gjen nën 500 euro. Kinostudio, Porcelani, Xhamlliku – qiratë janë 550, tek Unaza 650,” theksoi Gjoka.

“Trendi rritës vazhdon, si pasojë e kërkesës së lartë, por edhe ndërtuesit kanë shtuar kostot që përkthehen në fund te klienti,” tha Demirxhiu.

Por deklarata e kryeministrit Edi Rama për një dyfishim të çmimeve të pronave me anëtarësimin në BE, si rrjedhojë edhe të qirave, sipas ekspertëve të tregut, do të vërë në lëvizje qytetarët për të investuar me çmimet aktuale.

“Sipas parashikimeve, mund të kemi rritje. Por i bëj thirrje që nuk ka ulje çmimesh,” tha Gjoka.

“Nuk kemi hyrë në Evropë dhe rritjet e çmimeve janë goxha. E shohin një treg me potencial. Të huajt do jenë goxha në numër dhe sigurisht do rrisin çmimet,” tha Demirxhiu.

Jo vetëm në tregun e pasurive të paluajtshme, investimet e të huajve në 2024 u rritën ndjeshëm, teksa arritën 1.6 miliardë euro, 92 milionë më shumë se në 2023.

Holanda, Italia dhe Turqia janë shtetet që kryesojnë listën për vlerën e investimeve të huaja në Shqipëri.

Ekspertët: Fëmijët nën 3 vjeç të mos lejohen asnjë sekondë pranë ekraneve

Fëmijët nën tre vjeç nuk duhet të ekspozohen ndaj ekraneve, kurse ata deri në gjashtë vjeç mund të kenë akses në ekrane, por në mënyrë të limituar. Këto janë udhëzimet që ka nxjerrë një grup ekspertësh, i caktuar nga presidenti francez, Emmanuel Macron.

Paneli deklaroi po ashtu të martën se fëmijët nën 11 vjeç nuk duhet të lejohen të mbajnë celularë. Po ashtu, sipas tyre, askush deri në 13 vjeç nuk duhet të lejohet të ketë celular me akses në internet, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, sa i përket mediave sociale, sipas këtyre ekspertëve, ato duhet të ndalohen për fëmijët nën 15 vjeç. Kurse adoleshentët mbi këtë moshë duhet të kenë akses vetëm në platforma etike, si Bluesky.

Sipas grupit të caktuar nga Macron, mediat sociale mund të kthehen në faktorë risku për përjetimin e ankthit dhe depresionit te të rinjtë. Po ashtu, ata zbuluan se fëmijët mund të përballen me një nivel alarmues ekspozimi ndaj përmbajtjes pornografike dhe dhunës.

Në raport thuhet se ka një konsensus shumë të qartë sa i përket efekteve negative, si indirekte ashtu edhe direkte, që sjellin ekranet.

Në të thuhet gjithashtu se koha e kaluar në ekrane ka pasoja si për shëndetin e fëmijëve, ashtu edhe për zhvillimin e tyre, por edhe në të ardhmen e civilizimit dhe shoqërisë sonë.

 

Profesionet më të kërkuara në Kosovë

Mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar po nxit një numër gjithnjë e më të madh të të rinjve në Kosovë të orientohen drejt arsimit profesional. Këtë trend e ka vënë në dukje edhe Al Jazeera Balkans, e cila i ka kushtuar një raport të veçantë aftësimit të të rinjve kosovarë për tregun e punës.

Sipas Al Jazeera, automekanikët janë ndër profesionet më të kërkuara në Kosovë dhe pagat në këtë sektor tejkalojnë mesataren. Në një vizitë në shkollën e mesme profesionale “Shtjefën Gjeçovi” në Prishtinë, mediumi ndërkombëtar ka vërejtur se nxënësit me aftësi profesionale kanë mundësi më të mëdha punësimi sesa ata me diploma akademike, transmeton albinfo.ch.

Ndryshe nga të diplomuarit në fusha akademike, të cilët shpesh përballen me vështirësi për të gjetur një vend pune, të rinjtë me kualifikime profesionale mund të zgjedhin më lehtë ku duan të punojnë.

Shaip Kamberi refuzon të marrë pjesë në konsultimet për qeverinë e re serbe

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, i ka drejtuar një letër Presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke e informuar se nuk do të marrë pjesë në konsultimet për formimin e qeverisë së re.

Në letrën e tij, Kamberi ka deklaruar se refuzimi i tij vjen si pasojë e diskriminimit të vazhdueshëm ndaj shqiptarëve në Serbi dhe mungesës së vullnetit politik për të përmirësuar pozitën e tyre, transmeton albinfo.ch.

“Nuk shoh të arsyeshme të bëhem pjesë e një procesi të rremë të demokracisë, sa për të përmbushur formën, ndërkohë që bashkëkombasit e mi mbeten një pakicë e diskriminuar në sistemin shtetëror gjatë 13 viteve të fundit”, ka shkruar Kamberi, duke publikuar edhe letrën e plotë.

Ai ka theksuar se shqiptarët në Serbi vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, përfshirë pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Kosovë, mungesën e përfaqësimit në institucionet publike dhe diskriminimin ekonomik, përcjell albinfo.ch.

Kamberi ka rikujtuar se, që nga viti 2014, kërkesat e shqiptarëve janë bazuar në “Planin me shtatë pika”, një dokument i hartuar nga subjektet politike shqiptare dhe i miratuar nga Qeveria serbe në vitin 2013. Sipas tij, pavarësisht premtimeve dhe përpjekjeve institucionale, asnjë qeveri e drejtuar nga Vuçiq nuk ka bërë përpjekje serioze për t’i realizuar këto kërkesa.

Problemet kryesore të komunitetit shqiptar në Serbi

Në letrën e tij, Kamberi ka renditur disa nga problemet kryesore me të cilat përballen shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë:

  • Pasivizimi i adresave të shqiptarëve vazhdon.

  • Mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë pengon punësimin e të rinjve.

  • Shqiptarët vazhdojnë të përjashtohen nga institucionet publike.

  • Gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve mbetet e pranishme në diskursin politik.

  • Zonat me shumicë shqiptare janë ndër më të pazhvilluarat në Serbi.

  • Mjekët dhe kuadrot shqiptare të specializuara në polici mbeten të papunë.

Duke përmbyllur letrën e tij, Kamberi ka bërë thirrje për një qasje të re në politikën serbe, e cila do të përfshinte lirinë e plotë të medias, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare.

“Jam i hapur për bisedime dhe bashkëpunim me këdo që, në mënyrë serioze dhe të sinqertë, do të angazhohet për realizimin e kërkesave tona legjitime”, ka përfunduar ai.

Ky vendim i Kamberit për të bojkotuar konsultimet vjen në një kohë kur Serbia po përballet me një krizë politike dhe tensione të brendshme lidhur me qeverisjen e ardhshme të vendit.

E përditshmja britanike shkruan për bukuritë në Shqipëri

Koha me diell dhe perëndimet nuk ishin e vetmja gjë që më bëri përshtypje në udhëtimin tim në këtë pikë të nxehtë të Ballkanit, shkruan Sydney Evans në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Express”.

Javën e kaluar, “Wizz Air” zbuloi plazhet më të qeta për t’u vizituar në Evropë në muajin prill dhe u befasova kur pashë një të tillë në listë.

Kompania ajrore hungareze zbuloi se plazhi shqiptar i Durrësit ishte një nga plazhet më pak të mbushura me njerëz në prill, me një numër të ulët vizitorësh ditorë gjatë këtij muaji, shkruan ATSh, transmeton albinfo.ch.

Vitet e fundit, Shqipëria është shndërruar në një destinacion popullor për turistët britanikë – e njohur për plazhet e saj bruz dhe peizazhin e thyer – që është perfekt për ata që kërkojnë të eksplorojnë më këmbë.

Në kërkim të pushimeve relaksuese me diell të garantuar, unë dhe disa miq vendosëm të rezervonim një udhëtim në Durrës verën e kaluar. Duke mos qenë kurrë më parë në Shqipëri, mezi prisja të zbuloja vetë pse ky vend i vogël evropian ishte një destinacion kaq popullor për pushuesit e huaj.

Zgjodhëm Durrësin pasi na kishin mbetur vetëm disa ditë, dhe qyteti i bukur bregdetar ndodhet vetëm 45 minuta me makinë nga kryeqyteti Tiranë, ku është aeroporti kryesor ndërkombëtar i vendit.

Fluturimi direkt nga aeroporti “London Stansted” me “RyanAir” – rreth tre orë – ia vlente absolutisht për disa ditë në vendin ballkanik.

Ne qëndruam në një hotel të vogël të bukur, vetëm disa minuta më këmbë nga plazhi, dhe temperaturat shënonin nën 28 gradë Celsius gjatë gjithë kohës që ishim atje.

Sigurisht që nuk do ta përshkruaja plazhin si të qetë, pasi ne e vizituam atë gjatë muajit korrik, i cili konsiderohet kulmi i sezonit turistik në Shqipëri.

Megjithatë, ishte tepër e lehtë për të gjetur hapësirë të mjaftueshme në plazh dhe për të rezervuar shezlonge që ishin të lira, duke kaluar ditën në bregdet derisa dielli të zhdukej në perëndimet më të pabesueshme çdo natë.

Ajo që më la më shumë përshtypje ishte mikpritja dhe cilësia e ushqimit.

Pjata me sardele të sapokapura, spageti dhe rizoto, pica krokante dhe sallata greke të mbushura me perime të freskëta – ishin vaktet më të shijshme që kemi provuar.

E vendosur në Gadishullin Ballkanik, fqinje me Greqinë dhe Malin e Zi, Shqipëria ka lidhje të forta me Italinë dhe kjo ishte padyshim e pranishme në ushqimin dhe mikpritjen miqësore që përjetuam.

Restoranti “Pampas Restaurant Golem”, që ndodhet pikërisht në plazhin e Durrësit, shërben ushqim cilësor dhe me kosto të përballueshme. Për një vakt – një pjatë kryesore dhe pije – pagova 10 paund.

Ndërsa Durrësi është i mrekullueshëm për disa ditë buzë plazhit, me shumë hotele dhe restorante aty pranë dhe me vendndodhje të përshtatshme falë afërsisë me Tiranën, plazhet më në jug janë padyshim më piktoreske – që shpesh u referohen si Rivieria Shqiptare.

Patjetër që do të kthehem në Shqipëri, por herën tjetër do t’i jap vetes më shumë kohë – për të eksploruar këtë rajon të vendit dhe plazhet e tij spektakolare.

Rriten kërkesat për rezervime në Sarandë

Industria e turizmit në Sarandë është optimiste për një sezon të suksesshëm, me rritje të ndjeshme të rezervimeve edhe para hapjes zyrtare.

Sipas kreut të Shoqatës së Operatorëve Turistikë, Arben Çipa, Saranda po bëhet gjithnjë e më e preferuar për grupet turistike nga jashtë. “Një numër i madh turistësh grekë dhe francezë kanë filluar të vizitojnë qytetin që në fillim të vitit, një shenjë pozitive për vazhdimësinë e fluksit të vizitorëve,” shprehet ai për Euronews, transmeton albinfo.ch.

Ndërsa rezervimet rriten, Çipa thekson rëndësinë e menaxhimit të mirë të qytetit, duke përfshirë trafikun dhe pastrimin. “Është thelbësore që autoritetet të menaxhojnë trafikun dhe të sigurojnë pastërtinë për një sezon të suksesshëm,” shton ai.

Operatorët turistikë tashmë po përgatiten për një fluks të madh turistësh, duke synuar një menaxhim efikas për një përvojë të këndshme të vizitorëve dhe një vit të mbarë për industrinë.

 

Fitimet e Zelenskyt për vitin 2024: Sa ka fituar presidenti ukrainas?

Sipas deklaratës tatimore të publikuar nga shërbimi i shtypit presidencial, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe familja e tij patën të ardhura prej rreth 337,000 euro gjatë vitit 2024.

Pothuajse gjysma e këtyre të ardhurave burojnë nga shitja e bonove të qeverisë, ndërsa pjesa tjetër përfshin pagën e presidentit, interesat bankare dhe qiratë e pronave private, transmeton albinfo.ch.

“Bilanci financiar i familjes së presidentit në fund të vitit 2024 mbetet kryesisht i pandryshuar,” thuhet në deklaratën zyrtare, megjithëse shuma e saktë nuk është specifikuar.

Para se të hynte në politikë, Zelensky ishte një aktor, producent filmi dhe skenarist i njohur. Sa i përket pasurisë së tij totale, vlerësimet ndryshojnë, me disa burime që sugjerojnë se ajo arrin në miliona dollarë, por shifra e saktë mbetet e paqartë.

Zbulimi zviceran: Metanina është më e keqe se nikotina

Dega Thurgau e Shoqatës Zvicerane të Mushkërive po jep alarmin: zëvendësuesi sintetik i nikotinës në cigaret elektronike dhe qeset e nikotinës – 6-Methylnicotine (6-MN), ose Metatin – mund të jetë potencialisht më i varur sesa nikotina që rrjedh nga bima e duhanit.

Në këtë kuptim, shoqata shkruan në një njoftim për shtyp, produktet që përmbajnë këtë substancë dhe që shiten me etiketën “NoNic” ose “0% nikotinë” janë mashtruese, sepse ato thjesht përmbajnë një formë të ndryshme, sintetike të nikotinës, e cila mund të jetë edhe më problematike, transmeton albinfo.ch.

Sipas faqes së internetit të Shoqatës Zvicerane për Parandalimin e Duhanit (AT), kjo është një formë e re e nikotinës sintetike që i ngjan strukturës së nikotinës natyrale. Është krijuar për të imituar apo edhe për të intensifikuar efektet psikoaktive të nikotinës. Kjo është arsyeja pse shoqata ka bërë thirrje për një ndalim të menjëhershëm të shitjes së metatinës në javët e fundit.

 

Reagime të forta për dënimin e Marine Le Pen

Një gjykatë franceze ka dënuar lideren e partisë së djathtë “Rally Franceze”, Marine Le Pen, me katër vjet burg për përvetësim të fondeve evropiane. Nga ky dënim, dy vite janë të pezulluara, ndërsa asaj i ndalohet mbajtja e posteve publike për pesë vjet dhe i është caktuar një gjobë prej 100,000 eurosh.

Avokati i Le Pen ka njoftuar se ajo do të apelojë vendimin, ndërsa ky dënim ka shkaktuar reagime të forta nga liderë të ndryshëm politikë në Evropë, transmeton albinfo.ch.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, ka shprehur mbështetjen e tij për Le Pen, duke shkruar në platformën X: “Unë jam Marin”, duke e krahasuar atë me figura të tjera politike të cilat ai i cilëson si të persekutuara, si Donald Trump dhe zëvendëskryeministri italian, Matteo Salvini.

Edhe Salvini, i cili vetë përballet me sfida ligjore në Itali, ka reaguar duke e quajtur këtë vendim një përpjekje për ta përjashtuar Le Pen nga jeta politike: “Në Paris ata dënuan Marine Le Pen dhe duan ta përjashtojnë atë nga skena politike – një skenar i frikshëm që e kemi parë edhe në vende të tjera si Rumania. Ky është një akt lufte nga Brukseli, por ne nuk do të frikësohemi,” tha ai.

Në Spanjë, lideri i partisë së djathtë Vox, Santiago Abascal, deklaroi se ky vendim nuk do të mund ta shuajë zërin e popullit francez. Ai e ftoi Le Pen në Madrid, në një ngjarje të organizuar nga grupi “Patriots for Europe”, në të cilën pritet të marrin pjesë edhe Orban dhe liderë të tjerë evropianë.

Ndërkohë, në Holandë, lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, e quajti vendimin “të paimagjinueshëm mizor” dhe tha se beson në fitoren e Le Pen në apel, duke shtuar se ajo ende ka mundësinë të bëhet presidente e Francës.

Dënimi i Marine Le Pen vjen në një kohë kur politika evropiane po përjeton tensione të mëdha mes forcave tradicionale dhe atyre të ekstremit të djathtë. Si do të ndikojë ky vendim në të ardhmen politike të Francës dhe të Evropës, mbetet për t’u parë.