Zvicër: Shoqata e Policëve kundër iniciativës “Jo 10 milionë”

Shoqata Ombrellë e Policëve në Zvicër ka dalë kundër iniciativës së krahut të djathtë kundër imigracionit, e njohur si “Jo 10 milionë”, e cila pritet të hidhet në referendum më 14 qershor, përcjell albinfo.ch.

Në një deklaratë të publikuar të enjten, Shoqata e Policëve (VSPB) paralajmëroi se miratimi i kësaj iniciative mund të rrezikojë bashkëpunimin ndërkombëtar policor mes Zvicrës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas kësaj organizate, një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë dhe bashkëpunimin në luftën kundër krimit ndërkufitar.

Për këtë arsye, VSPB ka bërë thirrje të qartë për të votuar kundër kësaj nisme në referendumin e ardhshëm.

Shoqata e policëve është ndër institucionet dhe organizatat e fundit që i bashkohet një liste të gjatë partish politike dhe grupesh të ndryshme që kanë ngritur alarmin për pasojat e mundshme të kësaj mase./Albinfo.ch

Zvicër: Alpinisti 30-vjeçar humb jetën pas rënies 200 metra nga mali

Një alpinist 30-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të rëndë në kantonin e Fribourg. Ngjarja ndodhi gjatë zbritjes nga maja e Dent de Lys, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të policisë kantonale, aksidenti ndodhi të enjten rreth orës 16:00. Dy alpinistë po lëviznin nga zona e Les Paccots, përmes majës Dent de Lys, në drejtim të Sciernes d’Albeuves.

Gjatë zbritjes nga maja, njëri prej tyre u aksidentua dhe ra rreth 200 metra në humnerë.

Shërbimi ajror i shpëtimit Rega ndërhyri në vendngjarje, por 30-vjeçari nga kantoni Vaud mundi vetëm të nxirrej pa shenja jete.

Prokuroria ka hapur një hetim për të sqaruar rrethanat e aksidentit, ndërsa shkaqet e rënies mbeten ende të paqarta. Viktima ishte në shoqërinë e një 28-vjeçari nga kantoni Fribourg në momentin e ngjarjes./Albinfo.ch

BE mund ta detyrojë Zvicrën të paguajë miliona për punëtorët ndërkufitarë të papunë

Pas debateve të gjata, Bashkimi Evropian ka arritur më në fund një marrëveshje për një reformë sociale që pritet të ndryshojë mënyrën se si paguhen përfitimet për punëtorët ndërkufitarë të papunë, përcjell albinfo.ch.

Sipas rregullave të reja, në të ardhmen këta punëtorë nuk do të marrin më përfitimet e papunësisë në vendin ku jetojnë – siç ka ndodhur deri më tani – por në vendin ku kanë punuar për herë të fundit.

Ky ndryshim mund të ketë ndikim të madh për Zvicrën, e cila ka një numër të lartë punëtorësh ndërkufitarë. Vetëm në vitin 2025, mbi 410 mijë persona kanë udhëtuar çdo ditë nga vendet fqinje për të punuar në Zvicër.

Për shkak të këtij numri të madh, Zvicra mund të përballet me detyrimin për të paguar shuma të konsiderueshme për përfitimet e papunësisë së këtyre punëtorëve. Megjithatë, shifra e saktë e kostos që mund t’i ngarkohet vendit ende nuk është bërë e ditur./Albinfo.ch

Xherdan Shaqiri lëndohet në stërvitje, mungon ndaj FC Sion

Kapiteni i FC Basel, Xherdan Shaqiri, ka pësuar lëndim gjatë stërvitjes së zhvilluar të martën, më 21 prill 2026, transmeton albinfo.ch.

Sipas njoftimit të klubit, Shaqiri ka pësuar një dëmtim të lehtë strukturor muskulor në pjesën e pasme të kofshës së djathtë, duke bërë që ai të mos jetë i gatshëm për ndeshjen e ardhshme në shtëpi ndaj FC Sion.

FC Basel ka bërë të ditur se mungesa e tij mund të zgjasë disa javë, varësisht nga rikuperimi dhe gjendja fizike e lojtarit.

Shaqiri është një nga figurat kryesore të skuadrës dhe mungesa e tij pritet të ndihet në ndeshjet e ardhshme./Albinfo.ch 

Humb jetën në aksident trafiku në Gjermani një 30-vjeçar nga Kosova

Një 30-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur në Gjermani, transmeton albinfo.ch.

Viktima, B.F, nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve të rënda të marra në aksidentin që ndodhi të enjten.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar edhe familja nga Prishtina, e cila ka shprehur dhimbje të madhe për humbjen e të dashurit të tyre.

Në një njoftim të publikuar në rrjete sociale, familjarët kanë bërë të ditur se B.F. do të kujtohet për mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve, ndërsa detajet për ceremoninë mortore pritet të bëhen të ditura në ditët në vijim.

“B.F. do të kujtohet gjithmonë për zemrën e tij të madhe, mirësinë dhe respektin ndaj të gjithëve”, thuhet në postimin e publikuar në Facebook./Albinfo.ch

Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë

Një nga veprat më të fuqishme të teatrit evropian, “Vojçeku”, nga Georg Büchner, në adaptimin e Jack Thorne, vjen për publikun në Vjenë, nga Teatri i qytetit “Hadi Shehu” – Gjakovë, shkruan albinfo.at

Nën regjinë e Zana Hoxhës, kjo shfaqje sjell një rrëfim tronditës për njeriun në kufijtë e tij mes varfërisë, presionit dhe shpërbërjes shpirtërore.

Sipas njoftimit të grupit organizativ “Ká-grup”, shfaqja do të jepet më 2704.2026 në “Akzent Theater” në Vjenë, duke filluar nga ora 19:00.

“’Vojçek’ është një udhëtim shpirtëror dhe psikologjik që shqyrton kufijtë e vuajtjes njerëzore, tensionet e brendshme dhe marrëdhëniet e shkatërruara nga shqetësimet e jetës.” thuhet në njoftim.

Në shfaqje luajnë: Bujar Ahmeti, Vlora Dervishi, Edi Kastrati, Aurita Agushi, Arbies Komoni, Altina Kusari, Eden Kastrati.

Shfaqja është realizuar nga teatri “Hadi Shehu”, Gjakovë, në partneritet me Qendrën për Art dhe Komunitet “Artpolis.

📍 Akzent Theater, Vjenë

🗓 27 Prill 2026

🕖 Ora 19:00

🎟 Hyrja: Freie Spende (rezervimi: [email protected])

Ftesë për lexim letrar dhe diskutim me autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj

Është bërë thirrje për pjesëmarrje në një lexim letrar dhe diskutim me dy autoret Jehona Kicaj dhe Elona Beqiraj, të cilat përmes veprave të tyre trajtojnë me ndjeshmëri temat e luftës, kujtesës dhe ndikimit të saj në shoqëri, transmeton albinfo.ch.

Edhe kur lufta nuk përjetohet drejtpërdrejt, gjurmët e saj mbeten të pranishme në historitë familjare, në kujtime, por edhe në heshtjet që bartin brezat njëri pas tjetrit. Pikërisht ndërmjet kujtesës dhe harresës lindin rrëfime të pathëna, të cilat vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën se si e kuptojmë veten dhe botën përreth.

Në këtë aktivitet, autorët do të sjellin perspektivën e tyre mbi luftën në Kosovë, një kapitull që edhe pse ka përfunduar para më shumë se 25 vitesh, vazhdon të jetojë në përvojat personale dhe identitetin kolektiv të shoqërisë sonë.

Ngjarja synon të hapë hapësirë për reflektim, dialog dhe kujtesë përmes letërsisë, duke sjellë një diskutim të rëndësishëm mbi temat që ende prekin thellë shoqërinë kosovare./Albinfo.ch

Për më shumë të dhëna klikoni në linkun në vijim:

https://www.flucht-vertreibung-versoehnung.de/de/veranstaltung/e-mit-jehona-kicaj-und-und-wir-kamen-jeden-sommer-mit-elona-beqiraj

Albian Hajdari rinovon me Hoffenheim, kontratë e re deri në vitin 2031

Futbollisti shqiptar Albian Hajdari ka rinovuar kontratën me klubin gjerman Hoffenheim, duke zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2031, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, Hajdari në marrëveshjen e re do të përfitojë edhe rritje të pagës, çka tregon besimin e klubit ndaj tij dhe rolin që pritet të ketë në të ardhmen.

Po ashtu, bëhet e ditur se kontrata e re nuk përmban klauzolë largimi, duke e bërë edhe më të vështirë transferimin e tij pa marrëveshje direkte me Hoffenheim.

Ky rinovim konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e Hajdarit dhe një sinjal i qartë për stabilitetin e tij në Bundesligë./Albinfo.ch

Sot shpallet aktgjykimi për tre të akuzuarit në rastin “Banjska”

Sot, më 24 prill, do të shpallet aktgjykimi ndaj tre të akuzuarve për rastin “Banjska”, Vlladimir Toliq, Bllagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, përcjell albinfo.ch.

Shpallja e vendimit vjen pas 2 vjet e 7 muajsh nga sulmi terrorist në Banjskë, që ndodhi më 24 shtator 2023.

Javën e kaluar, prokurori i rastit, Naim Abazi, kishte kërkuar burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit. Ndërkohë, Toliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq i kanë mohuar akuzat me të cilat ngarkohen.

Përveç tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ngriti aktakuzë në mungesë edhe ndaj 42 personave të tjerë, në mesin e të cilëve edhe Millan Radoiçiq, i cilësuar si kryeterrorist, i cili ende nuk është kapur nga organet e drejtësisë.

Prokuroria kishte kërkuar më herët gjykim në mungesë edhe ndaj të akuzuarve të tjerë, por kërkesa ishte hedhur poshtë nga Gjykata Themelore e Prishtinës, duke u cilësuar si e pabazë.

Të akuzuarit ngarkohen për veprat penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit” si dhe “Shpëlarja e parave”.

Sipas aktakuzës, ata dyshohen se përmes përdorimit të dhunës dhe armatimit të rëndë kanë tentuar të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe ta bashkojnë me Serbinë.

Në sulmin e shtatorit 2023 u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, ndërsa u plagos zyrtari policor Alban Rashiti dhe u lënduan edhe disa zyrtarë të tjerë. Në përleshje mbetën të vrarë edhe tre sulmues, ndërsa pjesa tjetër u largua pasi qëndroi për disa orë në Manastirin e Banjskës.

Millan Radoiçiq më pas kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin.

Serbia ende nuk ka dorëzuar të dyshuarit e këtij rasti, përfshirë edhe Radoiçiqin, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare./Albinfo.ch

Nisin homazhet në nderim të akademik Rexhep Qosja

Në hollin e Kuvendi i Kosovës sot do të organizohen homazhe përkujtimore dhe do të hapet Libri i Zisë në nderim të jetës dhe veprës së akademikut Rexhep Qosja, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit nga Presidenca e Kosovës, homazhet do të mbahen nga ora 08:45, ku do të bëhen edhe shënime në Librin e Zisë.

Ndërkohë, është shpallur edhe një ditë zie shtetërore për të nderuar figurën dhe kontributin e akademikut Qosja, i cili ndërroi jetë një ditë më parë.

Përditësim

Kanë nisur homazhet përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së akademik Rexhep Qosja.

Nën përkujdesjen e ushtrueses së detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, po mbahet homazh përkujtimor, ndërsa është hapur edhe Libri i Zisë për të gjithë qytetarët që duan të shprehin respektin dhe ngushëllimet e tyre./Albinfo.ch

Melisa Ibrahimi shpallet Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë

Pianistja e re nga Mitrovica, Melisa Ibrahimi, ka shënuar një sukses të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare të muzikës klasike, duke u shpallur “Ambasadore Artistike e Kosovës në Spanjë”, transmeton albinfo.ch.

 

Melisa Ibrahimi

 

Ajo është nderuar gjithashtu me çmimin prestigjioz “Award of Supreme Excellence” nga organizata World Piano Association Spain, një vlerësim që dëshmon talentin dhe përkushtimin e saj në muzikën klasike.

Ky sukses konsiderohet një arritje e rëndësishme jo vetëm për karrierën e saj personale, por edhe për promovimin e kulturës dhe talentit kosovar në skenën globale.

Përmes punës së saj artistike dhe pasionit ndaj muzikës, Melisa Ibrahimi po kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe Spanjës, duke përfaqësuar vendin me dinjitet në arenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Egzona Veseli diplomon në Master për Drejtësi në Bern

Egzona Veseli nga Krusha e Madhe e Rahovecit ka diplomuar me sukses në programin master për Drejtësi në Bern të Zvicrës, transmeton albinfo.ch.

Ky arritje përbën një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e saj akademik dhe profesional, duke dëshmuar se të rinjtë nga Kosova, e në veçanti vajzat, po shënojnë suksese të vazhdueshme në universitetet më prestigjioze të Evropës.

Suksesi i Veselit konsiderohet si shembull i përkushtimit, punës dhe ambicies, ndërsa arritjet e saj janë një motivim për shumë të rinj të tjerë që synojnë të ndërtojnë të ardhmen përmes dijes.

Me rezultatet e tyre, studentët kosovarë në diasporë po shndërrohen në ambasadorët më të mirë të vendit, duke përfaqësuar Kosovën me dinjitet në skenën ndërkombëtare./Albinfo.ch

Paracetamoli në farmaci: Çmimet mund të jenë deri 10 herë më të larta

Një test i kryer nga organizatat për mbrojtjen e konsumatorëve ka zbuluar dallime të mëdha në çmimet e barnave me përbërësin aktiv paracetamol në farmaci. Sipas rezultateve, vetëm 3 nga 10 farmaci rekomandojnë vetë alternativa më të lira (gjenerike), ndërsa në shumicën e rasteve klientëve u ofrohen fillimisht produkte më të shtrenjta.

Testimet u realizuan në degë të disa rrjeteve farmaceutike në qytetet Bernë dhe Cyrih. U konstatua se shpesh pacientëve u shiten barna deri në disa herë më të shtrenjta, edhe pse ekzistojnë alternativa me të njëjtin efekt dhe çmim më të ulët, transmeton albinfo.ch.

Në disa raste, opsionet më të lira përmenden vetëm nëse klienti pyet drejtpërdrejt. Madje, në një pjesë të farmacive, nuk u rekomandua asnjë ilaç gjenerik më i lirë, edhe kur u kërkua.

Një nga gjetjet më shqetësuese lidhet me diferencat ekstreme të çmimeve: barna me përbërje shtesë si kafeina mund të kushtojnë deri në 10 herë më shumë se versionet standarde, megjithëse efekti mund të arrihet edhe me kombinime më të thjeshta dhe më të lira.

Organizatat e konsumatorëve theksojnë se qytetarët shpesh paguajnë më shumë sesa duhet, për shkak të mungesës së transparencës dhe këshillimit jo të plotë në farmaci. Ata u bëjnë thirrje farmacive të informojnë në mënyrë aktive për alternativat më ekonomike.

Këshilla për konsumatorët:

Pyetni gjithmonë për barna gjenerike më të lira

Krahasoni çmimet mes farmacive

Mos u mbështetni vetëm në rekomandimin fillestar

Sipas ekspertëve, transparenca më e madhe dhe ulja e marzheve të fitimit në tregun e barnave janë të domosdoshme për të mbrojtur konsumatorët/albinfo.ch

Macron: Pas vitit 2027 nuk do të merrem më me politikë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk do të jetë më i përfshirë në politikë pasi të përfundojë mandatin e tij në vitin 2027, duke mbyllur kështu një dekadë në krye të shtetit francez.

Gjatë një takimi me studentë në një shkollë franko-qipriote në Nicosia, ku ndodhej për një vizitë zyrtare para një samiti joformal evropian, Macron u shpreh:

“Unë nuk kam bërë politikë më parë dhe nuk do të bëj as pas kësaj.”

Ai pranoi se periudha përmbyllëse e dy mandateve të tij pesëvjeçare është ndër më sfidueset, sidomos kur duhet të mbrojë arritjet, duke ruajtur njëkohësisht energjinë për të korrigjuar atë që nuk ka funksionuar siç duhet, transmeton albinfo.ch.

“Sfida më e madhe pas nëntë vitesh është të ruash atë që ke bërë mirë dhe të përpiqesh të ecësh përpara, por ndonjëherë duhet të rikthehesh dhe të rregullosh gabimet,” theksoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga studentët lidhur me motivimin për t’u bërë president, Macron u shpreh se dashuria për vendin ka qenë gjithmonë e pranishme, por ajo nuk mjafton për të marrë një rol të tillë.

“Kam dashur që idetë e mia të bëhen realitet. Mendova se mund të ndryshonim gjërat më fuqishëm dhe më shpejt, ndaj krijova një lëvizje politike dhe kandidova për president,” tha ai.

Ai shtoi se angazhimi i tij politik ka qenë dhe mbetet një çështje pasioni: për të avancuar Francën dhe Evropën, si dhe për të mbrojtur vlerat në të cilat beson.

Virusi Mpox rikthehet: çfarë do të thotë kjo?

Virusi mpox (dikur i njohur si “lija e majmunit”) është rikthyer në Zvicër, këtë herë me një variant më ngjitës, duke ngritur sërish shqetësime në shëndetin publik.

Sipas autoriteteve shëndetësore, që nga fillimi i vitit 2026 janë regjistruar rreth 30 raste të mpox në Zvicër. Prej tyre, 16 i përkasin variantit të ri 1B, i cili konsiderohet më ngjitës dhe potencialisht më i rëndë se varianti 2 që qarkullonte më herët në vend.

Ky variant 1B ishte më parë i përhapur kryesisht në disa vende të Afrikës, si Republika Demokratike e Kongos dhe shtetet përreth.

Simptomat dhe rreziku

Simptomat kryesore të mpox përfshijnë skuqje të lëkurës dhe puçrra të ngjashme me lija. Në raste më të rënda, mund të shfaqen dhimbje të forta dhe infeksione sistemike.

Sipas ekspertëve, edhe pse shumica e rasteve janë të lehta, rritja e transmetimit rrit edhe rrezikun për forma më të rënda të sëmundjes.

“Ka arsye për kujdes, por jo për panik,” shpjegon Florent Jouinot, koordinator për Zvicrën frëngjishtfolëse në organizatën Swiss AIDS Help. Ai thekson se mpox ka qarkulluar në nivel të ulët që nga viti 2022, me raste sporadike.

Si përhapet virusi?

Mpox transmetohet kryesisht përmes kontaktit të ngushtë “lëkurë me lëkurë”, përfshirë kontaktin seksual. Për këtë arsye, personat me partnerë të shumtë seksualë janë më të ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit, transmeton albinfo.ch.

Sipas ekspertëve, prezervativi nuk ofron mbrojtje të plotë kundër këtij virusi, pasi transmetimi nuk ndodh vetëm përmes lëngjeve trupore, por edhe përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me lëkurën e infektuar.

Kush është më i rrezikuar?

Rastet më të shpeshta në Zvicër janë vërejtur te burrat që kryejnë marrëdhënie seksuale me burra, si dhe te personat trans. Megjithatë, infeksioni mund të prekë këdo që është në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.

Vaksinimi si mbrojtja kryesore

Ekspertët theksojnë se mënyra më efektive për t’u mbrojtur është vaksinimi kundër lisë (i cili përdoret edhe për mpox).

Personat e vaksinuar më herët në fëmijëri mund të kenë nevojë për një dozë përforcuese, ndërsa ata që nuk janë vaksinuar më parë duhet të marrin dy doza fillestare. Në disa raste rekomandohet edhe një dozë përforcuese pas të paktën dy vjetësh.

Çfarë të bëni nëse jeni ekspozuar?

Nëse një person konfirmon se ka qenë në kontakt me një rast të mpox, rekomandohet vaksinimi pas ekspozimit për të ulur rrezikun e simptomave të rënda.

Në rast simptomash (si puçrra pas kontaktit seksual), këshillohet konsultimi me mjekun dhe shmangia e kontaktit fizik derisa lezionet të shërohen plotësisht. Sëmundja mbetet ngjitëse derisa të bien korja e plagëve.

Rrezet radioaktive nga aksidenti i Çernobilit vazhdojnë në Zvicër

Aksidenti i reaktorit të Çernobilit më 26 prill 1986 preku kantonet e Ticinos, St. Gallen dhe Thurgau nëpërmjet reshjeve në Zvicër. Në Ticino, ndotja me cezium shumë radioaktiv është zvogëluar me më shumë se gjysmën që nga aksidenti.

Më 3 maj 1986, reshjet e dendura të shiut në Ticino lejuan depozitimin e substancave radioaktive, siç shpjegoi Cristina Poretti, drejtuese e organizatës kombëtare për marrjen e mostrave dhe matjeve për Qendrën Kombëtare të Operacioneve të Emergjencave të Zyrës Federale për Mbrojtjen Civile, raporton swissinfo, transmeton albinfo.ch.

Materiali vinte nga një re radioaktive që ishte përhapur në të gjithë Evropën pas aksidentit të reaktorit. Aty ku binte shi, grimcat depozitoheshin në tokë. Në Ticino, depozitat radioaktive u zbuluan më pas në mbi 5,000 mostra qumështi, mishi, frutash dhe peshku, siç shpjegoi Poretti.

Administrata e presidentit amerikan riklasifikon kanabisin, konsiderohet si më pak i rrezikshëm

Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ndryshuar zyrtarisht mënyrën se si e klasifikon kanabisin.

Sipas vendimit të ri, kjo substancë, e njohur edhe si marijuana, nuk konsiderohet më një drogë shumë e rrezikshme siç ishte më parë, por është zhvendosur në një kategori më të ulët rreziku, ku përfshihen substanca që kanë përdorim mjekësor dhe kontrollohen nga shteti, transmeton albinfo.ch. Ndryshimi e vendos kanabisin në të njëjtin grup me disa barna që përdoren për trajtim mjekësor, si ilaçe që përmbajnë kodeinë.

Vitin e kaluar, presidenti Trump pati nënshkruar urdhër ekzekutiv për të nisur këtë proces, me synimin për të lehtësuar kërkimin shkencor dhe qasjen ndaj kësaj substance.

Vlen të përmendet se kanabisi në nivel federal mbetet i paligjshëm teksa pavarësisht kësaj, shumica e shteteve amerikane e kanë legalizuar përdorimin e tij për qëllime mjekësore dhe në shumë vende ajo mund të blihet ligjërisht në dyqane të posaçme.

Kjo kompani ajrore do të mbyllë regjistrimin dhe dorëzimin e bagazheve më herët

Ryanair njoftoi të mërkurën, më 22 prill, se nga e marta, më 10 nëntor, shërbimet e regjistrimit dhe lënies së bagazheve në të gjitha aeroportet do të mbyllen 60 minuta para nisjes së planifikuar, nga 40 minutat që janë aktualisht. Kompania ajrore tha se ndryshimi synon t’u japë pasagjerëve më shumë kohë për të kaluar nëpër sigurinë e aeroportit dhe kontrollin e pasaportave, duke zvogëluar numrin e vogël të rasteve kur udhëtarët humbasin fluturimet për shkak të mbingarkesës në radhët e aeroportit.

Ky ndryshim vjen ndërsa Ryanair zgjeron rrjetin e saj të kioskave vetëshërbim për lënien e bagazheve. Kompania ajrore tha se më shumë se 95 përqind e aeroporteve të saj do t’i kenë këto kioska në vend deri në tetor, raporton theinternational. Sistemet janë të integruara me aplikacionin Ryanair, duke u lejuar pasagjerëve të regjistrojnë bagazhet dhe të shtypin vetë etiketat e bagazheve, me qëllim përshpejtimin e procesit të lënies së bagazheve dhe zvogëlimin e kohës së pritjes, transmeton albinfo.ch.

Sipas Ryanair, rreth 20 përqind e pasagjerëve të saj regjistrojnë bagazhet. Këta udhëtarë do të marrin kohë shtesë sipas rregullit të ri për të kaluar kontrollin e sigurisë dhe të pasaportave dhe për të arritur në portat e nisjes para se të fillojë hipja në bord. 80 përqind e mbetur e pasagjerëve, të cilët nuk i regjistrojnë bagazhet, nuk do të preken. Ata vazhdojnë të regjistrohen në internet para se të mbërrijnë në aeroport dhe të vazhdojnë direkt në kontrollin e sigurisë dhe më pas në portën e tyre.

Drejtoria Kryesore e Marketingut të Ryanair, Dara Brady, tha se ora e fundit e përditësuar ka për qëllim të përmirësojë saktësinë dhe të lehtësojë mbingarkesën gjatë periudhave të pikut të udhëtimit, kur radhët në aeroport mund të jenë më të gjata.

Brady tha se kalimi në një kohë 60-minutëshe do t’i ndihmojë pasagjerët që kontrollojnë bagazhet të arrijnë në portat e tyre në kohë dhe të përfitojnë nga përdorimi i zgjeruar i kioskave të vetëshërbimit, të cilat pritet të zvogëlojnë kohën e pritjes në sportelet e aeroportit.

Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online

Blerjet online dhe brenda aplikacionit po ua bëjnë më të lehtë konsumatorëve të shpenzojnë më shumë para sesa kanë në dispozicion. Në vend që të aplikojnë për një kredi në një bankë, produktet porositen online pa mbajtur gjurmët e shumave të papaguara. Një Akt i ri për Ndryshimin e Ligjit për Kreditin e Konsumatorit 2026 synon të mbrojë më mirë klientët më të rinj në veçanti nga rënia në borxhe, tha Ministria e Drejtësisë të mërkurën.

“Sidomos të rinjtë shpesh nënvlerësojnë totalin e pagesave të tyre me këste,” tha Ministrja e Drejtësisë Anna Sporrer. “Borxhet fantazmë grumbullohen në sfond dhe shpesh çojnë në probleme të gjera për ata që preken.” Qëllimi nuk është të ndalohet kredia, por të “sigurohet që digjitalizimi të mos vijë në kurriz të transparencës”.

Kontrolle më të rrepta për kredinë digjitale

Sipas ligjit të ri, edhe kreditë e vogla nën 200 € dhe modelet “bli tani, paguaj më vonë” do t’i nënshtrohen të njëjtave rregulla të rrepta si kreditë tradicionale. Huadhënësve do t’u kërkohet të kryejnë kontrolle më të hollësishme të besueshmërisë kreditore, duke përfshirë rastet kur vendimet mbështeten nga inteligjenca artificiale.

Ofertat e kredisë duhet të paraqiten gjithashtu në një format digjital të standardizuar për t’i bërë ato më të lehta për t’u krahasuar. Ligji synon gjithashtu të frenojë marketingun agresiv dhe reklamat mashtruese, veçanërisht në mediat sociale. Në përgjithësi, kuadri ligjor do të përditësohet për të reflektuar produktet e reja digjitale të kreditit.

Rregullat e BE-së dhe të Drejtat e Konsumatorit

Legjislacioni do të zbatojë gjithashtu direktivën e BE-së mbi marrëveshjet e kreditit për konsumatorët. Klientët do të marrin të njëjtin nivel mbrojtjeje si me një kredi bankare tradicionale. Ata gjithashtu do të kenë të drejtën të kërkojnë një shqyrtim njerëzor të çdo vendimi për besueshmërinë e bazuar në inteligjencën artificiale.

Përveç kësaj, të drejta të tilla si tërheqja nga marrëveshjet e kreditit dhe shlyerja e parakohshme do të përcaktohen më qartë.

Projektligji qeveritar do t’i paraqitet Kabinetit, duke shënuar fillimin e procesit të miratimit parlamentar. Ligji është planifikuar të hyjë në fuqi më 20 nëntor 2026.

Transporti rajonal në Zvicër duhet të bëhet më fitimprurës

Transporti rajonal i udhëtarëve në Zvicër duhet të jetë më ekonomikisht i qëndrueshëm, sipas diskutimeve të fundit në sektorin e mobilitetit dhe politikave publike.

Autoritetet dhe ekspertët theksojnë se, megjithëse sistemi i transportit publik në Zvicër është ndër më të zhvilluarit në Evropë, ai mbetet shumë i kushtueshëm dhe varet në masë të madhe nga subvencionet shtetërore.

Në fakt, më shumë se gjysma e kostove të këtij sistemi mbulohen nga fondet publike, transmeton albinfo.ch.

Në veçanti, transporti rajonal – që lidh zonat më të vogla dhe periferike – konsiderohet më pak fitimprurës, pasi kërkon investime të larta për një numër më të vogël pasagjerësh. Megjithatë, ai mbetet thelbësor për lidhjen e komuniteteve dhe për zhvillimin ekonomik rajonal.

Debati aktual fokusohet në mënyrën se si mund të rritet efikasiteti i këtij sektori, pa rritur ndjeshëm çmimet për qytetarët. Disa opsione përfshijnë optimizimin e linjave, rritjen e përdorimit dhe investime më të zgjuara në infrastrukturë.

Nga ana tjetër, kërkesa për transport publik në Zvicër vazhdon të rritet, me më shumë se gjysmën e punonjësve që e përdorin atë për të shkuar në punë, duke e bërë sistemin një shtyllë kyçe të ekonomisë dhe jetës së përditshme.

Zvicër: Kamera e shpejtësisë “ndezet për të gjithë” – alarm për drejtuesit e automjeteve

Një incident i pazakontë me kamerat e shpejtësisë ka ngritur shqetësime në Zvicër, pasi një radar ka filluar të “flashtojë” pothuajse çdo automjet që kalonte, pavarësisht nëse shoferët po respektonin kufizimet e shpejtësisë.

Sipas raportimeve, problemi lidhet me një defekt teknik ose gabim në sistemin e matjes, duke bërë që kamera të regjistrojë gabimisht shkelje të rregullave të trafikut. Raste të ngjashme kanë ndodhur edhe më parë në vend, ku mijëra shoferë janë gjobitur padrejtësisht për shkak të problemeve teknike, transmeton albinfo.ch.

Autoritetet kanë ndërhyrë për të analizuar situatën dhe për të ndalur funksionimin e pajisjes deri në identifikimin e plotë të problemit.

Në raste të tilla, zakonisht gjobat e vendosura në mënyrë të gabuar anulohen dhe qytetarëve u kthehen mjetet e paguara.

Ekspertët theksojnë se, edhe pse teknologjia e radarëve është zakonisht shumë e saktë, defektet teknike mund të ndodhin dhe kërkojnë kontrolle të vazhdueshme për të shmangur penalizime të padrejta ndaj qytetarëve.

Ky rast ka rikthyer debatin mbi besueshmërinë e sistemeve automatike të kontrollit të trafikut dhe nevojën për transparencë më të madhe në menaxhimin e tyre.

Përplasen dy trena në Danimarkë, raportohet për të lënduar

Një aksident i rëndë hekurudhor është regjistruar në Danimarkë, ku dy trena lokalë janë përplasur ballë për ballë pranë qytetit Hillerød, në veri të kryeqytetit Kopenhagen, transmeton albinfo.ch.

Si pasojë e përplasjes, disa persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa shkaqet e incidentit ende nuk janë bërë të ditura.

Shërbimet e emergjencës kanë njoftuar se të gjithë pasagjerët janë evakuuar nga trenat dhe nuk raportohet për persona të bllokuar. Një zëdhënës i zjarrfikësve ka konfirmuar se ka të lënduar, por nuk ka dhënë detaje mbi numrin e saktë dhe gjendjen e tyre.

Sipas mediave daneze, përfshirë gazetën Ekstrabladet, numri i të plagosurve mund të jetë nga 5 deri në 10 persona.

Në vendngjarje janë angazhuar forca të shumta policore dhe ekipe shpëtimi, të cilat po punojnë për menaxhimin e situatës dhe sigurimin e zonës. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur edhe hetimet për të zbardhur shkaqet e përplasjes.

Policia daneze ka bërë të ditur se segmenti hekurudhor mes Hillerød dhe Kagerup, në zonën e Isterødvejen, është mbyllur dhe pritet të qëndrojë i tillë për një kohë të gjatë. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve dhe drejtuesve të automjeteve që të shmangin zonën dhe të respektojnë udhëzimet e trafikut./Albinfo.ch