Diaspora nis peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve për zgjedhjen e Murat Jasharit president

Analisti politik Xhevdet Pozhari ka bërë të ditur se nga diaspora është iniciuar një peticion për kandidimin e Murat Jasharit për president të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Sipas Pozharit, deri më tani peticioni është nënshkruar nga 244 persona.

PETICIONI

Ndërkohë, të martën përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, çka ka rritur presionin mbi subjektet politike për të arritur një marrëveshje.

Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që të propozojnë së bashku tre kandidatë për postin e presidentit. Sipas VV-së, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar profesional dhe jashtë skenës aktuale politike.

Vetëvendosje ka bërë të ditur se për secilin kandidat do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit, ndërsa në rast të një marrëveshjeje do të tërhiqeshin nga kandidatura Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.

Ky subjekt ka theksuar se koha është e kufizuar për shkak të afateve kushtetuese dhe ka kërkuar përgjigje nga PDK dhe LDK deri të dielën në mbrëmje.

Në anën tjetër, Murat Jashari ka refuzuar mundësinë për të marrë postin e presidentit, duke deklaruar se familja Jashari “i takon gjithë shqiptarëve” dhe nuk duhet të përfshihet në kalkulime politike./Albinfo.ch

Kurti: Ne jemi tërhequr nga propozimet, po i presim tre emra nga PDK-ja e LDK-ja

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se është në pritje nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike që të bëjnë bashkë një listë prej tre emrave për president, përcjell albinfo.ch.

Nga një ceremoni për rrugën “Korishë-Kabash”, Kurti ka thënë se pret nga dy partitë që të nxjerrin emra jopartiakë dhe se pas publikimit të këtyre tre emrave, dy kandidatët e Vetëvendosjes për president do të tërhiqeshin.

Duke përsëritur propozimin që më herët gjatë ditës e bëri publik Vetëvendosje, Kurti ka thënë se “dy partitë më të vjetra mund t’i njohin figurat seniore në shoqëri më mirë se ne”.

“Figurat seniore në shoqërinë kosovare ata i njohin edhe më mirë se ne. Ka shumë profesorë në universitete, ka shumë njerëz të cilët kanë kontribuuar dhe kontribuojnë dhe kanë sakrifikuar për vendin tonë dhe s’mund të na thonë se dy partitë më të vjetra nuk mund të vijnë me tre emra”, ka deklaruar ai. “Tash ne s’po propozojmë më. Është radha e opozitës dhe është për të ardhur keq që s’ma kanë thënë asnjë emër. Por le të mos ma thonë mua. Le t’ia thonë njëri-tjetrit dhe qytetarëve. Ne ua sigurojmë nënshkrimet dhe të hënën ecim përpara”./Albinfo.ch

Zhegrova drejt largimit nga Juventusi, klubi po shqyrton shitjen e tij

Rrugët e Juventus me futbollistin kosovar Edon Zhegrova po duken gjithnjë e më afër ndarjes, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, përfshirë Calciomercato, klubi po e shqyrton seriozisht mundësinë e shitjes së lojtarit pas një sezoni të parë të konsideruar zhgënjyes.

Raportimet theksojnë se Zhegrova nuk ka arritur të bindë me paraqitjet e tij, duke pasur pak minuta në fushë dhe ndikim të kufizuar në lojë. Një nga momentet e kritikuara ka qenë ndeshja ndaj Bolognas më 19 prill, ku disa gabime të tij në posedim thuhet se kanë irrituar stafin teknik.

Në total, sulmuesi kosovar ka regjistruar një numër të kufizuar paraqitjesh gjatë sezonit, me mesatare të ulët minutash për ndeshje.

Klubi italian, sipas raportimeve, po e vlerëson edhe aspektin financiar, duke mos përjashtuar shitjen e tij për rreth 11.4 milionë euro për të shmangur humbje më të mëdha, pasi ai ishte blerë për një shumë më të lartë.

Megjithatë, Zhegrova thuhet se mbetet i fokusuar për të fituar më shumë minuta deri në fund të sezonit dhe për të ndryshuar opinionin e klubit. Ndërkohë, për të është raportuar interesim nga disa klube të Premier League, përfshirë Everton./Albinfo.ch

Shqiptari nga Kosova humb jetën në aksident trafiku në Zvicër

Një shtetas nga Kosova ka humbur jetën në një aksident trafiku në Zvicër. Viktima është identifikuar me inicialet F.H., i cili ishte me origjinë nga Gjilani dhe jetonte prej vitesh në Zvicër, transmeton albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga autoritetet e sigurisë dhe institucionet shëndetësore zvicerane, si dhe nga familjarët e të ndjerit.

Sipas të dhënave të para, F.H. ka humbur jetën si pasojë e aksidentit rrugor, ndërsa rrethanat e plota të ngjarjes nuk janë bërë ende publike.

Autoritetet në Zvicër kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet e aksidentit./Albinfo.ch

Shqipëria, ndër destinacionet kryesore turistike të Evropës në vitin 2026

Shqipëria po shfaqet si një nga destinacionet më premtuese dhe më emocionuese për udhëtime në Evropë gjatë vitit 2026, falë zhvillimeve të mëdha në turizëm, investimeve në infrastrukturë dhe lehtësimit të procedurave për vizitorët ndërkombëtarë, përcjell albinfo.ch.!

Sipas platformës ndërkombëtare “Travel and Tour World”, vendi po tërheq gjithnjë e më shumë turistë për shkak të kombinimit unik që ofron: trashëgimi kulturore, natyrë të paprekur, bregdet mesdhetar dhe oferta në rritje për turizëm luksoz.

Tirana – kryeqyteti që po kthehet në qendër turistike rajonale

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, po përjeton një zhvillim të hovshëm dhe po shndërrohet në pikën kryesore hyrëse për turistët që duan të eksplorojnë vendin. Qyteti ofron një ndërthurje të veçantë të historisë osmane, ndikimeve italiane dhe trashëgimisë së periudhës komuniste, duke u pasuruar me art rrugor, tregje të gjalla dhe muze bashkëkohorë.

Atraksione të njohura si Piramida e Tiranës, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe dhe muzetë e shumtë, ofrojnë një pasqyrë të thellë mbi historinë dhe zhvillimet e Shqipërisë. Ndërkohë, kultura e kafenesh dhe jeta e natës në rritje e bëjnë kryeqytetin tërheqës për turistët e rinj dhe aventurierët urbanë.

Riviera Shqiptare – bregdeti që po konkuron destinacionet mesdhetare

Riviera Shqiptare po shndërrohet me shpejtësi në një nga zonat më të preferuara bregdetare në Evropë. Me plazhe të pastra, ujëra të kristalta dhe fshatra të vegjël piktoreskë, ky rajon po tërheq turistë që kërkojnë pushime larg destinacioneve të mbipopulluara mesdhetare.

Qytete si Saranda dhe Vlora ofrojnë kombinim të jetës bregdetare me trashëgimi kulturore, ndërsa plazhe më të fshehura si Gjipeja dhe Filikuri ofrojnë qetësi dhe natyrë të paprekur.

Në këtë zonë ndodhet edhe Parku Kombëtar i Butrintit, pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, i cili konsiderohet një ndër atraksionet më të rëndësishme historike dhe arkeologjike të vendit.

Aeroporti i ri i Vlorës pritet të rrisë fluksin e turistëve

Një nga zhvillimet kryesore infrastrukturore është ndërtimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili pritet të hapet në fund të vitit 2026. Aeroporti, i vendosur rreth 10 kilometra në veri të Vlorës, pritet të krijojë qasje direkte për turistët drejt jugut dhe Rivierës Shqiptare, duke e bërë rajonin më të arritshëm për udhëtarët ndërkombëtarë.

Aktualisht, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës mbetet pika kryesore e hyrjes në vend, por zgjerimi i infrastrukturës dhe modernizimi i rrugëve pritet të ndikojnë në rritjen e numrit të vizitorëve.

Lehtësimi i vizave – Shqipëria më e hapur se kurrë për turistët

Një faktor tjetër që po e bën Shqipërinë më tërheqëse është procesi i thjeshtuar i vizave. Sistemi eVisa, i lansuar nga qeveria shqiptare, u mundëson shtetasve të shumë vendeve të aplikojnë online për vizë, duke e bërë më të lehtë hyrjen në vend.

Ndërkohë, shtetasit e vendeve të BE-së, zonës Shengen dhe Britanisë së Madhe mund të hyjnë pa vizë për qëndrime afatshkurtra. Po ashtu, vizitorët që posedojnë viza të vlefshme shumëhyrëse Shengen, amerikane ose britanike mund të përfitojnë nga procedurat e lehtësuara.

Rritet turizmi luksoz me hotele dhe resorte të reja

Viti 2026 pritet të sjellë rritje të ndjeshme të turizmit luksoz në Shqipëri. Në Tiranë po hapen hotele butik të nivelit të lartë si “Adorn Tirana”, ndërsa përgjatë Rivierës Shqiptare po shtohet oferta me resorte dhe hotele si “Green Coast Hotel” dhe “Crowne Plaza Durrës”.

Këto investime synojnë të përmbushin kërkesën në rritje për shërbime të standardeve të larta, përfshirë plazhe private, spa, pishina dhe turizëm mirëqenieje.

Alpet Shqiptare – destinacion ideal për aventurë dhe natyrë

Përtej bregdetit, Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë edhe në veri, ku Alpet Shqiptareofrojnë mundësi të jashtëzakonshme për ecje, eksplorim dhe ekoturizëm.

Shtegu i njohur Valbonë-Theth konsiderohet ndër më të bukurit në Ballkan, duke u ofruar vizitorëve pamje mahnitëse, ujëvara dhe përvoja autentike në fshatra tradicionale si Thethi dhe Valbona.

Shqipëria në 2026 – kombinim i kulturës, natyrës dhe luksit modern

Me zhvillimin e shpejtë të sektorit turistik, Shqipëria po pozicionohet si një destinacion që ofron gjithçka: kulturë dhe histori, plazhe të mrekullueshme, aventura malore dhe akomodim luksoz.

Sipas “Travel and Tour World”, viti 2026 mund të jetë momenti ideal për turistët ndërkombëtarë që të zbulojnë Shqipërinë, e cila po bëhet gjithnjë e më e aksesueshme dhe më tërheqëse për udhëtime në Evropë./Albinfo.ch

VV-ja fton PDK-në e LDK-në t’i propozojnë tre emra për president

Lëvizja Vetëvendosje (VV) ka ftuar Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) që së bashku të propozojnë tre kandidatë për presidentin e ri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të VV-së, kandidatët duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë dhe jashtë skenës aktuale politike. Nga këta tre emra, sipas propozimit, do të zgjidhej presidenti i ri i vendit me mbështetjen e deputetëve të Kuvendit.

VV ka bërë të ditur se është e gatshme të sigurojë nënshkrimet e deputetëve të saj dhe ka paralajmëruar tërheqjen e kandidaturave aktuale të Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, në rast të arritjes së një marrëveshjeje.

Partia në pushtet thotë se për këta tre kandidatë do të siguroheshin të paktën 90 vota në Kuvend.

VV ka kërkuar që përgjigjja nga PDK dhe LDK të jepet deri të dielën në mbrëmje, duke theksuar se vendi duhet të gjejë një zgjidhje brenda afatit kushtetues.

Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit. Nëse nuk arrihet marrëveshje, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare brenda 45 ditësh.

Zgjedhja e presidentit kërkon fillimisht dy të tretat e votave të deputetëve, ndërsa në rundin e tretë mjaftojnë 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të paktën 80 deputetë. Negociatat mes partive deri tani nuk kanë sjellë marrëveshje./Albinfo.ch

Angelin Preljocaj në qendër të një mbrëmjeje artistike në Muzeun Luvër

Një mbrëmje e veçantë artistike është mbajtur në Musée du Louvre në Paris, ku Paris Opera Ballet ka performuar nën piramidën ikonike të muzeut, në kuadër të ekspozitës “Michel-Angel Rodin. Living bodies”, transmeton albinfo.ch.

Në qendër të kësaj nate të jashtëzakonshme ishte koreografi me origjinë shqiptare Angelin Preljocaj, i cili u prezantua me veprën e tij të njohur “Le Parc”, e mirëpritur me entuziazëm nga publiku për elegancën, ndjeshmërinë dhe forcën artistike që përcolli në skenë.

Prania e Preljocajt në një nga hapësirat më prestigjioze kulturore në botë konsiderohet një moment i rëndësishëm, jo vetëm për karrierën e tij, por edhe për prezantimin e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

I shoqëruar nga muzikantët e Paris Opera Orchestra, aktiviteti solli dy shfaqje që u vlerësuan si të paharrueshme, duke krijuar një ndërthurje të veçantë mes vallëzimit dhe artit skulpturor. Mbrëmja vuri në pah fuqinë shprehëse të lëvizjes, bukurinë e trupit në dinamikë dhe dialogun intim mes kërcimit dhe skulpturës.

Programi artistik përfshiu gjithashtu edhe vepra të njohura si “Rhapsody” nga Frederick Ashton, “Three Gnossiennes” nga Hans van Manen dhe “Supercorps” nga Yvon Demol.

Ky aktivitet i pazakontë konfirmoi edhe një herë rolin e Parisit si një qendër botërore e kulturës, ndërsa suksesi i “Le Parc” dëshmoi ndikimin dhe kontributin e artistëve me origjinë shqiptare në skenat më prestigjioze ndërkombëtare. /Albinfo.ch

Dy të tretat e perimeve përmbajnë mbetje kimikatesh të rrezikshme

Një test i publikuar nga revista zvicerane e konsumatorëve K-Tipp tregon se pothuajse dy të tretat e perimeve të freskëta që shiten në tregun zviceran përmbajnë mbetje të kimikateve PFAS, përcjell albinfo.ch.

Nga 25 produkte të analizuara në laborator, 16 rezultuan me prani të acidit trifluoroacetik (TFA), një substancë që i përket grupit të kimikateve PFAS.

Sipas testit, më të prekura ishin patatet dhe karotat e prodhuara në Zvicër, ndërsa niveli më i lartë i ndotjes u gjet në domatet “Extra Tasty” të shitura nga Migros, të importuara nga Italia.

Analiza tregoi gjithashtu se edhe perimet bio mund të përmbajnë gjurmë të këtyre kimikateve, megjithëse zakonisht në nivele më të ulëta. Substancat PFAS mund të arrijnë në bujqësi përmes ujërave të shiut ose ujërave nëntokësore, duke ndotur tokën dhe kulturat bujqësore./Albinfo.ch

Mbyllet restoranti tradicional “Rössli” në Erlenbach pas 14 vitesh

Një tjetër restorant tradicional në Zvicër do të mbyllë dyert së shpejti. Restoranti i njohur Restaurant Rössli në komunën Erlenbach do të ndalojë aktivitetin në fund të prillit 2026, duke shënuar kështu fundin e një periudhe 14-vjeçare për pronarët aktualë, përcjell albinfo.ch.

Restoranti, i cili konsiderohej një nga “beiz”-et tipike të fshatit përgjatë bregut të Liqenit të Cyrihut, menaxhohej që nga viti 2012 nga çifti Denis dhe Beni Fehr-Menzi. Ata njiheshin për kuzhinën tradicionale zvicerane dhe çmimet e përballueshme, që tërhiqnin shumë banorë lokalë dhe vizitorë të rregullt.

Në menynë e restorantit gjendeshin pjata klasike zvicerane si sallata me sallam dhe djathë, entrecôte “Café de Paris” me patate të skuqura ose sallatë, si dhe cordon bleu nga mishi i viçit apo derrit. Një element i veçantë i lokalit ishte edhe tavolina e rrumbullakët e klientëve besnikë, e cila shërbente si pikë takimi për komunitetin.

Lajmi për mbylljen e restorantit u bë i ditur nga komuna e Erlenbach, ndërsa sipas raportimit të Zürichsee-Zeitung, kontrata e qirasë do të kishte vazhduar edhe më tej. Megjithatë, çifti që menaxhon restorantin vendosi në fund të verës së kaluar ta ndërpresë kontratën para kohe dhe ta mbyllë lokalin në fund të këtij muaji.

Para restorantit është vendosur një tabelë ku pronarët falënderojnë klientët për mbështetjen ndër vite. “Me gjithë zemër faleminderit për 14 vite të paharrueshme”, thuhet në mesazhin e publikuar edhe në rrjetet sociale.

Mbyllja e “Rössli”-t konsiderohet një tjetër shembull i fenomenit të njohur si zhdukja e restoranteve tradicionale në Zvicër. Vetëm gjatë vitit 2025 janë mbyllur rreth 1200 restorante në vend, rreth 35 për qind më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, e ardhmja e hapësirës ku ndodhej restoranti mbetet ende e paqartë./Albinfo.ch

Lea Ypi zgjidhet anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave

Akademikja dhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi është zgjedhur anëtare e Akademisë Amerikane të Arteve dhe Shkencave, një nga organizatat më prestigjioze intelektuale dhe akademike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, transmeton albinfo.ch.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Ypi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku e ka cilësuar këtë zgjedhje si një nder të madh, por edhe si një përgjegjësi për të mbrojtur rolin e dijes dhe vlerat e iluminizmit, në një periudhë kur këto parime, sipas saj, po vihen në provë.

Ajo ka theksuar se misioni i Akademisë për të avancuar interesin, dinjitetin dhe mirëqenien e një shoqërie të lirë është veçanërisht i rëndësishëm në kohët e sotme, kur liria akademike dhe autonomia e universiteteve po përballen me presione të vazhdueshme.

Akademia Amerikane e Arteve dhe Shkencave është themeluar në vitin 1780 dhe ndër anëtarët e saj ndër vite kanë qenë figura të njohura botërore si Benjamin Franklin, Alexander Hamilton, Charles Darwin, Albert Einstein, Martin Luther King Jr. dhe Jacques Derrida.

Ky është një tjetër vlerësim ndërkombëtar për Lea Ypin, e cila në vitin 2024 ishte zgjedhur gjithashtu Fellow e British Academy, duke forcuar më tej profilin e saj në botën akademike dhe intelektuale ndërkombëtare/Albinfo.Ch 

Kosova dhe Belgjika nënshkruajnë marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale

Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Donika Gërvalla, gjatë një vizite zyrtare në Mbretërinë e Belgjikës, ka nënshkruar marrëveshje për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet penale me homologen e saj belge, ministren Annelies Verlinden, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit zyrtar, Gërvalla ka deklaruar se kjo marrëveshje mes dy vendeve mike pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e efikasitetit në luftimin e krimit transnacional.

“Marrëveshja krijon bazën ligjore për themelimin e grupeve të përbashkëta hetimore dhe përfshin dispozita të avancuara për ngrirjen, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, shkëmbimin e provave dhe informatave, si dhe marrjen e dëshmive përmes videokonferencës, në përputhje me praktikat më moderne ndërkombëtare”, ka theksuar ajo.

Ministrja ka bërë të ditur se përmes kësaj marrëveshjeje do të përcaktohen qartë format dhe mekanizmat e ndihmës juridike në çështjet penale, përfshirë kushtet e ofrimit të ndihmës, bazat për refuzim, legjislacionin e zbatueshëm dhe procedurat që ndiqen gjatë kërkesave për bashkëpunim.

Në fund, Gërvalla ka falënderuar ministren belge Verlinden për mikpritjen dhe bisedën konstruktive, duke vlerësuar angazhimin e përbashkët për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Belgjikës./Albinfo.ch

Eurovizion: 1000 artistë, me letër të hapur për pjesëmarrjen e Izraelit

Më shumë se një mijë artistë jnë shprehur kundër bojkotit të Konkursit të Këngës në Eurovision, që shumë artistë të tjerë e kanë paralajmëruar për shkak të pjesëmarrjes së Izraelit.

Ata kanë nënshkruar një letër të hapur duke kundërshtuar qartë thirrje të tilla.

Apeli u iniciua nga organizata “Komiteti Krijues për Paqe” dhe u nënshkrua nga yje të Hollivudit si Helen Mirren, Liev Schreiber, Amy Schumer, Mila Kunis, Selma Blair dhe Jennifer Jason Leigh, si dhe nga muzikantë si bashkëthemeluesi i Kiss, Gene Simmons.

Në letër, nënshkruesit shprehin zhgënjimin e tyre ndaj thirrjeve për bojkot nga industria e argëtimit.

Sarnen (Obwalden): I burgosuri vdes pas zjarrit në qeli

Të hënën pasdite, një zjarr shpërtheu në një qeli në burgun pranë stacionit të policisë në Sarnen. Një i burgosur pësoi lëndime kërcënuese për jetën dhe u dërgua në spital, ku më vonë vdiq, transmeon albinfo.ch.

Autoritetet refuzuan të jepnin detaje të mëtejshme rreth rrethanave të zjarrit, duke përmendur hetimin në vazhdim.

Burgu ndodhet pranë stacionit të policisë në Foribach, shkruan srf.ch. Kjo ndërtesë dhe një tjetër u evakuuan si masë paraprake, njoftoi zyra e prokurorit publik të Obwalden.

Brigada e zjarrfikësve arriti ta vinte shpejt zjarrin nën kontroll dhe ta shuante atë. Nuk pati persona të tjerë të lënduar.

Syrigana: Opera e Petrit Halilajt në përmbyllje të ekspozitës së tij në Berlin

Për të përfunduar ekspozitën e tij “Petrit Halilaj. Një Opera Jashtë Kohës” (deri më 31 maj 2026), artisti, së bashku me Orkestrën Filarmonike të Kosovës, prezanton operën e tij “Syrigana” në një version koncerti në Hamburger Bahnhof.

Vepra u shfaq për herë të parë në natyrë në peizazhin e Kosovës në qershor 2025 dhe tani do të interpretohet në muze si një pjesë koncerti me njëmbëdhjetë muzikantë, dy soprano dhe grupin muzikor  “Don’t Listen to Your Neighbors”, të dirigjuar nga Marco Crispo, në mes të ekspozitës, trnsmeton albinfo.ch.

Vendi mitik Syrigana, një fshat mbi 3,000 vjeç pranë fshatit të lindjes së Halilajt, Runik, formon pikën fillestare konceptuale të operës. Vendi arkeologjik njëherësh vend mitesh lokale bëhet skena për një histori dashurie epike dhe të çuditshme: Në pesë akte, opera rrëfen mbërritjen e Dhelprës dhe Gjelit, të dëbuar nga Parajsa, të cilët arrijnë në vend me helikopter nga misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR-i, shkruan smb.museum.de.

Versioni instalues ​​i operës, i cili është shfaqur në kuadër të ekspozitës personale të Halilajt në Hamburger Bahnhof që nga shtatori i vitit 2025, tani do të aktivizohet në një formë të re, ëndërrimtare në mbylljen e ekspozitës.

Ndërsa opera origjinale u realizua si një prodhim skenik, këtu ajo shpaloset si një ndërveprim elementësh të ndryshëm: Filarmonia e Kosovës interpreton partiturën, sopranot Nina Guo dhe Urta Haziraj i japin zërat e tyre rrëfimit, dhe kukullat, të luajtura nga Keumbyul Lim, Hanik Soleimani dhe Carlo Silvester Duer, e sjellin historinë në jetë në miniaturë, përcjell lbinfo.ch.

Eventi është kuruar nga Catherine Nichols, kuratore në Hamburger Bahnhof – Galeria Kombëtare e Artit Bashkëkohor.

Ky aktivitet mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Hamburger Bahnhof International Companions e. V. dhe Ambasada Italiane në Berlin.

Donjeta Sadiku nuk mundi të fitojë medalje në Kupën Botërore

Boksierja e njohur kosovare, Donjeta Sadiku ka mbetur pa medalje në Kupën Botërore që është duke u mbajtur në Foz do Iguaçu të Brazilit.

Ajo sot pësoi humbje me rezultat të ngushtë 3:2 nga boksierja polake Aneta Elżbieta Rygielska, në një meç të fortë dhe të baraspeshuar në tri raunde, duke mos arritur të sigurojë kalimin tutje, që njëherësh do t’ia siguronte së paku medaljen e bronztë, nhofton rtk.live.

Raundi i parë i takoi boksieres polake, ndërsa në raundin e dytë Donjeta Sadiku reagoi fuqishëm, duke treguar ritëm më të lartë dhe duke e fituar këtë pjesë 3:2. Në këtë raund, kundërshtarja e saj mori edhe një vërejtje publike nga gjyqtari i ringut. Në raundin e tretë, gjyqtarët e vlerësuan 3:2 në favor të Rygielskës, në një periudhë ku Sadiku u paraqit aktive dhe kërkoi vazhdimisht iniciativën me goditje të pastra.

Në fund, me vendim të ndarë të gjyqtarëve 3:2, fitorja iu dha boksieres polake.

Kupa Botërore e Boksit ka rëndësi të veçantë në kalendarin ndërkombëtar, pasi pikët e fituara ndikojnë drejtpërdrejt në renditjen dhe procesin e kualifikimit për Lojërat Olimpike “Los Anxhelos 2028”.

“The Guestkeepers” sjell mikpritjen kosovare në Zvicër: një fundjavë kulturore e pasur me dialog dhe interaktivitet

Projektin “The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve- ku çdo vizitor bëhet mik”, një iniciativë e mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe e implementuar nga ABSM – Qendra Edukative dhe Këshillimore, e njohën këtë fundjavë pjesëmarrësit e diasporës shqiptare në Zvicër. Projekti synon të trajnojë të rinjtë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke integruar trashëgiminë kulturore dhe turizmin modern, dhe duke vendosur standarde profesionale për shërbimet turistike përmes platformës “Kosova INN”.

Gjatë datave 27–29 mars 2026, tri qytete kryesore të Zvicrës – Gjeneva, Bernë dhe Cyrih – u bënë skena të një fundjave kulturore të pasur me prezantime, pyetje, diskutime dhe sugjerime nga një audiencë shumë interaktive. Publiku nuk ishte thjesht dëgjues, por partner aktiv në dialogun për zhvillimin e turizmit dhe promovimin e Kosovës.

Një projekt që e kthen mikpritjen në profesion

Në thelb të kësaj fundjave ishte projekti “The Guestkeepers”, i cili synon të trajnojë të rinjtë në Kosovë si “ambasadorë të mikpritjes”, duke i pajisur ata me aftësi profesionale për të ofruar përvoja autentike për vizitorët.

Ky projekt ndërthur elemente të trashëgimisë kulturore, zejeve tradicionale dhe turizmit modern, duke synuar që Kosova të pozicionohet si një destinacion unik dhe i qëndrueshëm në hartën turistike ndërkombëtare.

Përmes platformës “Kosova INN”, projekti synon gjithashtu të vendosë standarde të reja cilësie në sektorin e mikpritjes, duke krijuar një rrjet të strukturuar të ofruesve të shërbimeve turistike.

Gjeneva: Hapja institucionale e një iniciative me vizion

Aktivitetet nisën në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, ku u bë prezantimi i parë zyrtar i projektit para diasporës. Konsullja znj. Floreta Kabashi e përshëndeti publikun dhe përgëzoi organizatorët për projektin, duke theksuar rëndësinë e promovimit të Kosovës përmes diasporës dhe turizmit kulturor.

Krenare Rizvanolli-Sina dhe Nazmi Jakurti u ndalën tek vizioni i projektit: të trajnojë të rinjtë si ambasadorë të mikpritjes, të lidhë turizmin me trashëgiminë kulturore dhe të krijojë standarde profesionale përmes platformës “Kosova INN”. Reagimet e publikut ishin të menjëhershme – levdata dhe duartrokitje për çdo ide inovative, dhe diskutime të gjalla për mënyra konkrete për të realizuar projektin.

Në këtë takim u theksua rëndësia e përfshirjes së diasporës në promovimin e Kosovës si destinacion turistik dhe roli i saj si urë lidhëse ndërmjet vendit dhe botës.

Atmosfera institucionale e aktivitetit i dha projektit një dimension të qartë diplomatik dhe strategjik.

Bernë: Ndërthurja e kulturës me turizmin

Ndalesa e dytë në Bernë solli një nga momentet më të rëndësishme të fundjavës, ku projekti u prezantua në kuadër të një mbrëmjeje kulturore të mbushur me publik.

Pas promovimit të një libri, vëmendja u zhvendos tek projekti “The Guestkeepers- Miqt e vizitorëve”, i cili u prezantua nga Krenare Rizvanolli dhe Nazmi Jakurti.

Gjatë prezantimit, u theksua se projekti synon jo vetëm zhvillimin e turizmit, por edhe krijimin e një identiteti të ri të mikpritjes kosovare – një identitet që bazohet në profesionalizëm, autenticitet dhe përvojë të personalizuar për vizitorët.

Pjesëmarrësit shfaqën interes të madh, duke u përfshirë në diskutime aktive dhe duke ndarë ide e sugjerime konkrete për zhvillimin e mëtejshëm të projektit.

Sugjerimet vërshuan nga çdo cep i sallës: disa ofruan ide për programet e trajnimit, të tjerë për mënyra promovimi tek turistët, dhe të gjithë u shprehën me levdata për iniciativën. Pjesëmarrësit ndiheshin pjesë e projektit – një ndjenjë e veçantë bashkëpunimi që e bëri Bernin qendër interaktiviteti dhe dialogu.

Projekti dëshmoi qartë se kultura dhe turizmi mund të funksionojnë si dy shtylla të ndërlidhura në promovimin e një vendi.

Cyrih: Konsolidimi i vizionit dhe bashkëpunimit

Fundjava u përmbyll në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, ku projekti u prezantua para një audience të angazhuar dhe të interesuar. Konsulli i Përgjithshëm z.Vigan Berisha përgëzoi organizatorët dhe vuri në pah rëndësinë e projektit për promovimin e Kosovës dhe përfshirjen e diasporës.

Në këtë prezantim u theksuan objektivat afatgjata të projektit, përfshirë:

  • profesionalizimin e sektorit të mikpritjes
  • krijimin e standardeve të qëndrueshme në turizëm
  • përfshirjen aktive të diasporës në promovimin e Kosovës

Diskutimet e hapura me pjesëmarrësit sollën perspektiva të reja dhe ide konkrete, duke e bërë këtë event një pikë të rëndësishme reflektimi dhe zhvillimi.

Diaspora si faktor kyç në zhvillim

Një nga elementet më të spikatura të kësaj fundjave kulturore ishte angazhimi i diasporës shqiptare në Zvicër.

Në të tri qytetet u vu re një interes i madh për projektin, si dhe një gatishmëri për të kontribuar në forma të ndryshme – qoftë përmes promovimit, bashkëpunimit apo investimit në sektorin e turizmit.

Interaktivitet i publikut, pyetjet, sugjerimet dhe levdatat e vazhdueshme, tregojnë se mikpritja kosovare ka potencial të jashtëzakonshëm për të lidhur njerëzit, për të ndërtuar komunitete dhe për të promovuar Kosovën në botë. Fundjava nuk ishte thjesht një ngjarje – ishte një përvojë e përbashkët, një histori që po shkruhet live dhe ku çdo pjesëmarrës lë gjurmë.

Ky angazhim dëshmon se diaspora mbetet një faktor kyç në zhvillimin ekonomik dhe kulturor të Kosovës.

Një hap drejt promovimit ndërkombëtar të Kosovës

Fundjava kulturore në Zvicër nuk ishte vetëm një seri prezantimesh, por një përpjekje e mirëorganizuar për të ndërtuar një narrativë të re për Kosovën – atë të një vendi me potencial të madh turistik, me kulturë të pasur dhe me njerëz të gatshëm për të mirëpritur botën.

Projekti “The Guestkeepers” vjen si një hap konkret në këtë drejtim, duke ofruar një model inovativ që e kthen mikpritjen nga një traditë në një profesion dhe nga një vlerë kulturore në një aset ekonomik.

Tri eventet në Gjenevë, Bern dhe Cyrih dëshmuan se kur kultura, turizmi dhe diaspora bashkohen, krijohen mundësi të reja për zhvillim dhe promovim ndërkombëtar.

“The Guestkeepers – Miqtë e Vizitorëve ” nuk është vetëm një projekt – është një vizion për të ardhmen e turizmit në Kosovë, ku çdo vizitor nuk mbetet thjesht turist, por bëhet mik.

 

Benjamin Netanyahu diagnostikohet me kancer

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu është diagnostikuar me kancer të prostatës.

Lajmin e ka konfirmuar vetë ai, teksa ka publikuar rezultatet e ekzaminimit të tij vjetor mjekësor.

Netanyahu, ka deklaruar se e vonoi publikimin e raportit të tij vjetor mjekësor, i cili zbuloi se ai ishte diagnostikuar me kancer për herë të parë, me dy muaj në mënyrë që të mos përdorej si propagandë nga Irani.

Duke cituar burime të brendshme, CNN ka raportuar se kanceri u diagnostikua disa muaj më parë, transmeton albinfo.ch.

A po mbetet Zvicra prapa në transformimin e saj digjital?

Përdorimi i përditshëm i teknologjive digjitale është një shenjë e një shoqërie të zhvilluar dhe me vizion. Si po shkon Zvicra në këtë drejtim?

Në një anketë të kohëve të fundit, u hulumtua se cilat janë sfidat kryesore me të cilat përballen në Zvicër.

Një nga të anketuarit shkroi: “Pyes veten kur Zvicra do të përshtatet me të qenit digjital”, duke thënë se ende ka shumë punë fizike me dokumente në vend.

A është Zvicra vërtet e prapambetur në aspektin e aftësive digjitale të popullsisë së saj?

Në përgjithësi është e vërtetë që shumë zviceranë, veçanërisht brezi i vjetër, janë të lidhur me traditat dhe mund të mos e kenë ndjekur revolucionin digjital me ritëm të shpejtë që ka pushtuar pjesën më të madhe të botës në dekadën e fundit aq me zell sa homologët e tyre më të rinj, shkruan thelocal, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, të thuash se të gjithë të moshuarit janë të sfiduar nga teknologjia nuk është e vërtetë.

Një studim i kryer në Zvicër në vitin 2025 zbuloi se 88 përqind e njerëzve midis moshës 65 dhe 74 vjeç kanë të paktën aftësitë themelore digjitale.

Studimi zbuloi gjithashtu se gjithnjë e më shumë të moshuar (33 përqind) po marrin informacionin e tyre nga pajisjet digjitale si telefonat inteligjentë, tabletët dhe kompjuterët sesa nga mediat tradicionale si televizioni (30 përqind), shtypi i shtypur (22 përqind) dhe radioja (15 përqind).

Brenda popullsisë së përgjithshme – domethënë, njerëzve të të gjitha moshave – shkalla e digjitalizimit është gjithashtu e lartë në krahasimin ndërkombëtar.

Renditja Botërore e Konkurrueshmërisë Digjitale IMD 2025, e cila mat kapacitetin e 69 kombeve për të adoptuar teknologjitë digjitale, e emëroi Zvicrën si vendin më të zgjuar digjitalisht në botë.

Një nga mënyrat se si kjo zgjuarsi manifestohet është e dukshme nga Raporti i Indeksit të IA-së 2026.

Ai zbuloi se Zvicra regjistroi 110.5 studiues dhe zhvillues të IA-së për 100,000 banorë në vitin 2025, duke e vendosur atë në vendin e parë në botë për sa i përket dendësisë së ekspertëve të IA-së.

Kudo në vend, mënyrat e vjetra të të bërit të gjërave po zhduken dhe të rejat po marrin përsipër.

Për shembull, vetëm pak vite më parë, kishte shumë vende ku udhëtarët mund të blinin bileta letre për transportin publik. Por tani, janë në dispozicion vetëm opsione elektronike, siç është aplikacioni SBB.

Por ndoshta shembulli më i mirë i “transformimit të gjerë digjital” të Zvicrës (siç e quajti qeveria) është karta e re e identitetit elektronik (e-ID).

Këshilli Federal tha se kjo kartë “do t’u mundësojë përdoruesve të identifikohen digjitalisht në një mënyrë të sigurt, të shpejtë dhe të pakomplikuar” dhe të kenë lehtësisht akses në një gamë të gjerë shërbimesh dhe procedurash – të cilat më parë kryheshin manualisht – në internet.

Nestlé njofton shkurtime deri në 180 vende pune në Francë

Gjigandi i ushqimit Nestlé po planifikon të shkurtojë deri në 180 vende pune mbështetëse në Francë. Zyra qendrore në Issy-les-Moulineaux (Hauts-de-Seine) dhe dy qendra kërkimore në Tours (Indre-et-Loire) dhe Lisieux (Calvados) do të preken, deklaroi kompania.

Këto projekte janë pjesë e planit të shpallur në tetor 2025 nga drejtori i ri ekzekutiv Philipp Navratil, i cili parashikon shkurtimin e 16,000 vendeve të punës në të gjithë botën për të ulur kostot e përgjithshme me më shumë se 1 miliard euro nga viti 2027.

Në një treg agro-ushqimor nën presion dhe të karakterizuar nga humbja e fuqisë blerëse, rritja e kostove të prodhimit dhe rritja e konkurrencës, Nestlé France planifikon në veçanti të përdorë më shumë shërbimet e përbashkëta të grupit dhe të thjeshtojë strukturën e saj, duke përfshirë qendrat e saj të kërkimit dhe zhvillimit në Tours dhe Lisieux, tha ajo në një deklaratë, transmeton albinfo.ch.

Këto plane mund të çojnë në humbjen e 180 vendeve të punës në Francë, shton teksti. Duke marrë parasysh vendet e lira të punës, punësimet e reja dhe transferimet vullnetare të brendshme, ndikimi aktual social mund të reduktohet në 75 deri në 100 vende pune, tha Nestlé. Plani do të zbatohet gradualisht nga viti 2027.

Kompania punëson gjithsej 9,000 persona në Francë në trembëdhjetë fabrika, katër qendra kërkimore dhe zhvillimi dhe një seli qendrore të korporatës. Kompania më e madhe ushqimore në botë punëson rreth 270,000 persona në mbi 180 vende. Kompania, e cila u themelua nga Heinrich Nestle, një asistent farmacisti nga Frankfurti, ka selinë qendrore në Vevey në kantonin Vaud në Zvicrën perëndimore.

Kriza e kerozinës: A do të anulohen fluturimet masivisht para festave të ardhshme?

Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar, furnizimi me kerozinë është ndërprerë. Fluturimet e para janë anuluar tashmë. Sa më gjatë të zgjasë lufta në Iran, aq më shumë sektori ajror i ndjen efektet në të gjithë botën.

Situata në sektorin ajror është e tensionuar. Disa linja ajrore kanë filluar të përmirësojnë oraret e tyre të fluturimeve. Javën e kaluar, Edelweiss njoftoi anulimin e udhëtimeve të saj për në Denver dhe Seattle në Shtetet e Bashkuara, pjesërisht për shkak të çmimit të lartë të karburantit.

Ky është një shembull tipik se sa shpejt linjat ajrore reagojnë dhe përshtatin shërbimet e tyre. Edhe pse kerozina është ende e disponueshme, çmimi është rritur për shkak të mungesës së stoqeve.

Siç qëndrojnë gjërat, priten ndërprerje të reja, por në numër të kufizuar. Parashikimi i zhvillimeve të ardhshme nuk është i lehtë, veçanërisht sepse aktorët kryesorë shprehin mendime të ndryshme.

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, për shembull, paralajmëron se kerozina mund të jetë e rrallë deri në fund të majit, shkruan RTS. Në të njëjtën kohë, disa linja ajrore janë më pak alarmuese, duke pretenduar se furnizimet janë aktualisht të siguruara, transmeton albinfo.ch.

Bileta avioni më të shtrenjta

Rritja e çmimeve të karburantit nuk çon mekanikisht në një rritje të çmimeve të biletave. Kompanitë ajrore po përballen me dilemën e konkurrencës.

Nëse njëra prej tyre rrit ndjeshëm çmimet e saj, kompanitë e tjera mund të mos e përballojnë. Më e shtrenjtë se të tjerat, kompania në fjalë do të humbiste klientë. Kjo është arsyeja pse, deri më tani, nuk ka pasur ende një rritje të përgjithshme dhe masive të çmimeve të biletave. Por efektet e para tashmë po ndihen.

Çrregullimet që lidhen me konfliktin në Iran do të kishin rritur koston e fluturimeve të gjata nga Evropa me më shumë se 100 dollarë për pasagjer dhe me gati 35 dollarë për pasagjer për fluturimet brenda kontinentit, një rritje që normalisht duhet të ketë ndikim në çmimet e biletave, njoftoi organizata Transport & Environment (T&E).

Udhëheqësit e kompanive ajrore si Lufthansa, Ryanair dhe Air France-KLM kishin treguar në mars se ndoshta do ta kalonin rritjen e kostove të karburantit në çmimet e biletave, dhe për këtë arsye te konsumatorët, nëse Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e mbyllur për një afat më të gjatë.

Gjendja e rezervave të kerozinës në Evropë dhe Zvicër

Deri më sot, nuk ka informacion të plotë mbi sasitë e kerozinës që janë ende të disponueshme në vendet evropiane. Disa qeveri po punojnë aktualisht për të bërë një vlerësim të kësaj, gjë që së shpejti duhet ta bëjë më të qartë.

Zvicra ka rezerva të detyrueshme që zakonisht mund të garantojnë një furnizim prej rreth tre muajsh. Konfederata vendos nëse do t’i lirojë apo jo këto rezerva. Një zëdhënës i Zyrës Federale për Furnizim Ekonomik (OFAE) të vendit pranoi të martën se rezervat ishin aktualisht nën nivelet e kërkuara, duke arritur në 72 ditë në vend të 90.

Edhe nëse konflikti midis Iranit, Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit do të mbaronte, do të duheshin disa javë, ose edhe muaj, që furnizimet të ktheheshin në normalitet. Një cisternë i duhen pesë deri në gjashtë javë për të arritur në Evropë.

Dhjetëra rafineri në Lindjen e Mesme janë gjithashtu të dëmtuara dhe duhet të riparohen para se të mund të prodhojnë sasitë e tyre të zakonshme të kerozinës. Sipas disa ekspertëve, rindërtimi mund të zgjasë me vite.

Prill jashtëzakonisht i thatë përfshin Zvicrën, paralajmëron MeteoSwiss

Zvicra po përjeton një prill jashtëzakonisht të thatë, sipas shërbimit kombëtar të motit. Ndërsa i gjithë vendi është prekur, deficiti i reshjeve është veçanërisht i theksuar në disa rajone.

Ky prill po duket të jetë më i thati që nga fillimi i regjistrimeve, tha Zyra Federale e Meteorologjisë dhe Klimatologjisë (MeteoSwiss) për agjencinë e lajmeve Keystone-ATS të premten.

Deri më 23 prill, vetëm rreth një e treta e reshjeve mesatare për periudhën referuese 1991-2020 kishin rënë në të gjithë vendin. Në disa zona, deficiti është shumë më i madh: rajoni perëndimor i Plateau, kantoni Valais dhe pjesë të kantonit Ticino kanë marrë pak më shumë se 15% të reshjeve të tyre të zakonshme të prillit.

Shumë stacione meteorologjike kanë regjistruar vetëm 10 milimetra shi që nga fillimi i muajit. Në kushte normale, Plateau zakonisht merr 70-100 milimetra në prill, ndërsa ana jugore e Alpeve regjistron 100-200 milimetra. Reshje të konsiderueshme shiu u vunë re vetëm më 12 dhe 13 prill.

Pritet pak përmirësim para fundit të muajit. Parashikimet e MeteoSwiss nuk tregojnë reshje të konsiderueshme, dhe indeksi i thatësirës pritet të mbetet i lartë deri në fillim të majit. Një ndryshim i kushteve pritet gjatë gjysmës së parë të muajit, transmeton albinfo.ch.

Rreziku i zjarreve në pyje

Mungesa e zgjatur e shiut ka rritur gjithashtu rrezikun e zjarreve në pyje. Niveli i rrezikut konsiderohet i konsiderueshëm deri i lartë në pjesën më të madhe të kantonit Graubünden, dhe i konsiderueshëm në Ticino. Disa komuna në Graubünden kanë vendosur tashmë ndalime zjarri.

Rezervat e ujit në digat hidroelektrike janë prekur gjithashtu. Sipas Zyrës Federale të Energjisë, rezervuarët aktualisht janë të mbushur me një mesatare prej 12% në të gjithë vendin, shumë nën normat sezonale. Nivelet janë 9% në Ticino, 8% në Valais dhe 11% në Graubünden.

Fermerët janë gjithashtu të shqetësuar, megjithëse situata nuk konsiderohet ende kritike, tha Unioni i Fermerëve Zviceranë. Për momentin, mungesa e shiut nuk pritet të ndikojë në të korrat.

Aksident zinxhir në autostradën A1, një person humb jetën, disa të tjerë të lënduar

Një aksident i rëndë zinxhir ka ndodhur të premten në mëngjes në autostradën A1 motorway në drejtim të Bern, ku një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur, përcjell albinfo.ch.

Sipas njoftimit të Touring Club Schweiz (TCS), aksidenti ka ndodhur mes Oftringen dhe nyjës rrugore Härkingen dhe ka përfshirë disa automjete.

Si pasojë e përplasjes, qarkullimi në këtë segment është ngadalësuar ndjeshëm dhe rruga është ngushtuar në vetëm një korsi. Udhëtarët duhet të llogarisin një vonesë prej rreth 20 minutash.

Kantonspolizei Solothurn konfirmoi se në aksident janë përfshirë gjithsej katër automjete. Një person ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit./Albinfo.ch