Lajme

Macron: Pas vitit 2027 nuk do të merrem më me politikë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se nuk do të jetë më i përfshirë në politikë pasi të përfundojë mandatin e tij në vitin 2027, duke mbyllur kështu një dekadë në krye të shtetit francez.

Gjatë një takimi me studentë në një shkollë franko-qipriote në Nicosia, ku ndodhej për një vizitë zyrtare para një samiti joformal evropian, Macron u shpreh:

“Unë nuk kam bërë politikë më parë dhe nuk do të bëj as pas kësaj.”

Ai pranoi se periudha përmbyllëse e dy mandateve të tij pesëvjeçare është ndër më sfidueset, sidomos kur duhet të mbrojë arritjet, duke ruajtur njëkohësisht energjinë për të korrigjuar atë që nuk ka funksionuar siç duhet, transmeton albinfo.ch.

“Sfida më e madhe pas nëntë vitesh është të ruash atë që ke bërë mirë dhe të përpiqesh të ecësh përpara, por ndonjëherë duhet të rikthehesh dhe të rregullosh gabimet,” theksoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje nga studentët lidhur me motivimin për t’u bërë president, Macron u shpreh se dashuria për vendin ka qenë gjithmonë e pranishme, por ajo nuk mjafton për të marrë një rol të tillë.

“Kam dashur që idetë e mia të bëhen realitet. Mendova se mund të ndryshonim gjërat më fuqishëm dhe më shpejt, ndaj krijova një lëvizje politike dhe kandidova për president,” tha ai.

Ai shtoi se angazhimi i tij politik ka qenë dhe mbetet një çështje pasioni: për të avancuar Francën dhe Evropën, si dhe për të mbrojtur vlerat në të cilat beson.