Albulena Haxhiu merr pjesë në Samitin e SEECP në Sofje

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, do të marrë pjesë sot në Samitin e South-East European Cooperation Process, i cili po mbahet në Sofia, përcjell albinfo.ch.

Në këtë takim rajonal të nivelit të lartë, ku këtë vit shënohet 30-vjetori i nismës SEECP, Kosova do të përfaqësohet nga Haxhiu në diskutimet që pritet të fokusohen në bashkëpunimin rajonal, stabilitetin, integrimin evropian dhe sfidat e përbashkëta të vendeve të Evropës Juglindore.

Samiti shënon edhe përmbylljen e presidencës njëvjeçare të Bulgaria në kuadër të SEECP-së. Pas përfundimit të mandatit bullgar, presidenca e radhës do t’i kalojë Romania për vitin e ardhshëm.

Liderë dhe përfaqësues të lartë nga vendet e rajonit pritet të diskutojnë mbi forcimin e bashkëpunimit politik dhe ekonomik, si dhe avancimin e proceseve integruese evropiane.

Samiti në Sofje konsiderohet një nga forumet më të rëndësishme të dialogut dhe koordinimit rajonal në Evropën Juglindore, duke mbledhur përfaqësuesit më të lartë institucionalë të vendeve pjesëmarrëse./Albinfo.ch

Yakin me dilema para Botërorit

Vetëm pak ditë para fillimit të Botërorit 2026, përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, ka marrë përgjigje të rëndësishme nga ndeshjet miqësore të zhvilluara në SHBA.

Sipas analizës së SRF, disa futbollistë kanë përfituar nga faza testuese dhe kanë rritur gjasat për të pasur rol më të rëndësishëm në turne.

Në veçanti, paraqitjet e mira të lojtarëve që nuk konsideroheshin titullarë të padiskutueshëm i kanë ofruar Yakin më shumë alternativa për formacionin bazë, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, jo gjithçka është e qartë në kampin zviceran. Një nga shqetësimet mbetet gjendja e disa futbollistëve që kanë pasur probleme fizike ose kanë munguar në ndeshjet e fundit. Kjo e bën më të vështirë vendimmarrjen për formacionin që do të nisë Botërorin.

Pas barazimit 1:1 ndaj Australisë në provën e fundit para turneut, kapiteni Granit Xhaka u shfaq kritik ndaj paraqitjes së skuadrës, duke kërkuar përmirësime para ndeshjes së parë në grup. Nga ana tjetër, Yakin u shpreh më i qetë, duke theksuar se ka marrë “informacione të rëndësishme” për përbërjen e ekipit dhe se fakti që nuk pati lëndime është një lajm shumë pozitiv.

Trajneri zviceran vlerëson se faza përgatitore i ka ndihmuar të kuptojë më mirë opsionet që ka në dispozicion, ndërsa dilemat e fundit pritet t’i zgjidhë para debutimit të Zvicrës në Botëror.

Zvicra do të nisë aventurën e saj në Kupën e Botës me ambicie të mëdha, ndërsa stafi teknik beson se konkurrenca e shtuar brenda skuadrës mund të jetë një nga pikat më të forta të ekipit gjatë turneut.

Kundër shtimit të dyqaneve të hapura të dielave

Dyqanet në Zvicër nuk do të lejohen të hapen më shpesh të dielave. Kufiri prej katër të dielave në vit do të mbetet në fuqi.

Dhoma e Kantoneve (Senati ose dhoma e lartë e Parlamentit Zviceran) e vendosi këtë me një votim 22 kundër 21.

Një ndryshim i propozuar në ligj do t’u lejonte kantoneve të autorizonin deri në dymbëdhjetë të diela blerjesh në vit.

Mbështetësit kishin argumentuar se nevojat për blerje kanë ndryshuar dhe se shitësit me pakicë online po përballen me konkurrencë në rritje. Kundërshtarët ndërkaq kanë argumentuar se e diela është një kohë për shoqërinë për të pushuar dhe duhet të mbetet e tillë.

Këshilli Kombëtar (dhoma e ulët e Parlamentit Zviceran) tani do të shqyrtojë çështjen e blerjeve të dielave.

Sa kanë ‘peshë’ votat e diasporës

Votat ende të panumëruara të diasporës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, pritet të kenë peshë më të madhe dhe të jenë përcaktuese në formimin e institucioneve të reja të Kosovës, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 104 mijë e 480 votues ishin regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën kanë votuar 22 mijë e 414 persona.

Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë për Radion Evropa e Lirë se numri i madh i votave që pritet të konfirmohen si të vlefshme – që ai vlerëson se mund të jenë mbi 100 mijë – do të kenë ndikim “tejet domethënës” në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës prej 120 karrigesh, transmeton albinfo.ch.

“Nëse i marrim parasysh trendët e viti 2025, përkatësisht ato të dhjetorit, dhe duke supozuar që Lëvizja Vetëvendosje do të performonte njëjtë, ky subjekt mund të shkojë deri në 53 mandate, që nënkupton një rritje prej pesë mandatesh, që në suaza normale do t’i merrte dy nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por gjithmonë në varësi të performancës së vetë këtyre subjekteve politike”, thotë Cakolli.

Në bazë të rezultateve preliminare – ku përfshihen vetëm votat e rregullta – Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.95 për qind të votave apo 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 21.14 për qind të votave apo 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 17.60 për qind të votave apo 20 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – subjekt që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave apo tetë mandate.

Cakolli nga KDI thotë se në fund, numri i mandateve në Kuvend do të përcaktojë se “kush do të ketë gjasat më të mëdha” për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të deputetëve, pra 61.

Po sipas Kushtetutës, posti i kryekuvendarit i takon partisë që del e para në zgjedhje, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.

Po ashtu, pas konstituimit të Kuvendit, këtij subjekti i takon që të propozojë i pari mandatarin për Qeverinë. Akti më i lartë juridik i shtetit parasheh që në rastin e ekzekutivit, stafeta mund t’i kalojë edhe partive të tjera, në rast se fituesi i zgjedhjeve s’arrin të bëjë shumicën. Por, kjo mbetet në diskrecionin e presidentit, në rastin aktual të ushtrueses së detyrës së presidentit të Kosovë, Albulena Haxhiu, që vjen nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në legjislaturën paraprake, të dalë nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, LVV-ja siguroi 57 ulëse në Kuvend dhe me mbështetjen e tetë deputetëve nga komunitetet joshumicë, arriti të siguronte shumicën parlamentare dhe duke formuar Qeverinë.

Nga 120 vendet në Kuvend, 20 janë të rezervuara për komunitetet joshumicë: dhjetë për komunitetet joserbe dhe dhjetë për komunitetin serb. Sa i përket dhjetë vendeve për komunitetin serb, bazuar në rezultatet e deritanishme, Lista Serbe do të fitojë nëntë prej tyre dhe një ulëse do ta ketë Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë e Nenad Rashiqit.

Ndikimi i votave nga jashtë në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, sipas Cakollit, kësaj radhe është rritur edhe për shkak të daljes së ulët në zgjedhje në Kosovë.

Më 7 qershor, pjesëmarrja ishte 37.02 për qind – apo 725 mijë e 488 votues – më e ulët se zgjedhjet e dhjetorit, kur votuan 906 mijë e 754 persona apo 45.36 për qind e trupit votues.

Në zgjedhjet e 7 qershorit u shënua numri më i lartë i votuesve të regjistruar për votim nga jashtë vendit, me mbi 132 mijë aplikime. Pas përfshirjes së votave të diasporës, Cakolli pret që përqindja e përgjithshme e pjesëmarrjes në zgjedhje të jetë rreth 41 për qind.

“Trendët tregojnë që kemi një interesim të shtuar të votuesve në diasporë e një rënie të interesimit [për të votuar] te votuesit në Kosovë”.

Sipas Cakollit, nëse trendi i uljes së pjesëmarrjes në votimet në Kosovë vazhdon edhe në të ardhmen, e rritet ai i atyre që jetojnë jashtë vendimit, ndikimi i votave nga diaspora mund të jetë edhe më i madh. “Pra, në dhjetor ka qenë dy-tre [ulëse], derisa tani jemi te kalkulimi te e pesta. Nëse vijohet me një trend të tillë, [ndikimi i votave nga diaspora] mund të rritet edhe më shumë në të ardhmen”, thotë Cakolli.

Përderisa votat e rregullta brenda vendit – që rëndom numërohen në klasa menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve – u numëruan brenda pak orësh gjatë së dielës – autoritetet zgjedhore tani duhet të numërojnë edhe votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, përveç atyre nga diaspora.

KQZ planifikon që të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve më 26 qershor dhe t’i certifikojë më 6 korrik, por këto afate janë vetëm planifikime, pasi do të varet edhe nga ankesat që mund të ushtrojnë palët lidhur me procesin.

Europol godet krimin e organizuar në Kosovë, arrestohen 5 persona, sekuestrohen 80 milionë euro

Europol ka njoftuar se mesazhet e shkëmbyera në platformën e koduar SKY ECC kanë zbuluar një rrjet kriminal të organizuar me bazë në Kosovë, i përfshirë në trafikim të drogës në shkallë të gjerë, përdorim të dokumenteve të rreme të identitetit, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash në Evropë.

Sipas Europolit, inteligjenca e mbledhur gjatë një hetimi trevjeçar kulmoi më 9 qershor me një aksion të koordinuar në Kosovë, ku u arrestuan pesë anëtarë kyç të organizatës kriminale. Në operacion u angazhuan rreth 150 zyrtarë, të mbështetur nga një ekspert i Europolit, transmeton albinfo.ch.

Europol ka bërë të ditur se grupi i krimit të organizuar përdorte një platformë të koduar komunikimi për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të drogës në disa vende evropiane, ndërsa qendrën operative e mbante në Kosovë. Sipas Europolit, prej aty anëtarët e lartë drejtonin aktivitetet kriminale, koordinonin dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme.

Sipas Europolit, hetimi u mbështet në analizën e komunikimeve kriminale të shkëmbyera përmes platformave të koduara. Duke kombinuar këtë inteligjencë me informacionin operativ të mbledhur në disa vende, hetuesit identifikuan anëtarët kyç të rrjetit, hartëzuan infrastrukturën kriminale dhe gjurmuan rrjedhat financiare të lidhura me aktivitetet e trafikimit të drogës.

Europol njofton se qasja hetimore e bazuar në të dhëna ishte thelbësore për operacionin, ndërsa analistët e tij punuan së bashku me specialistë të Policisë së Kosovës në selinë e Europolit për të analizuar inteligjencën dhe për të identifikuar lidhjet operative ndërmjet të dyshuarve, aktiviteteve kriminale dhe pasurive kriminale të shpërndara në disa juridiksione.

Sipas Europolit, që nga nisja e hetimit janë hetuar 42 të dyshuar, janë kontrolluar 76 objekte dhe janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë të vlerësuar prej 80 milionë eurosh.

Europol thekson se operacioni është pjesë e një projekti të strukturuar operacional në kuadër të Task Forcës Operacionale LIMIT, që bashkon autoritetet e zbatimit të ligjit nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, me mbështetjen e Europolit.

Gjithashtu, Europol bën të ditur se lehtësoi shkëmbimin e informacionit, mbështeti analizën operacionale dhe koordinoi bashkëpunimin ndërkombëtar mbi të cilin u mbështet hetimi. Për ditën e aksionit, Europol dërgoi një ekspert në Kosovë për të ofruar mbështetje operative në kohë reale dhe për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet autoriteteve pjesëmarrëse.

Ku shkojnë paratë e taksave? Zvicra shpenzon mbi 50 miliardë franga për subvencione

Më shumë se 20 mijë përfitues marrin mbështetje financiare nga Konfederata Zvicerane, sipas statistikave më të fundit të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave.

Të dhënat tregojnë se shpenzimi më i madh publik vazhdon të jetë mirëqenia sociale. Vetëm për pensionet e pleqërisë dhe invaliditetit janë ndarë 50.6 miliardë franga gjatë vitit 2025, transmeton albinfo.ch.

Në vendin e dytë renditet transporti publik dhe infrastruktura me 8.3 miliardë franga, ndërsa arsimi dhe kërkimi shkencor kanë përfituar 8.2 miliardë franga.

Shteti ka investuar gjithashtu 3.6 miliardë franga në bujqësi, 2.3 miliardë në bashkëpunim ndërkombëtar dhe 1.9 miliardë në sektorin ekonomik.

Në anën tjetër, mjedisi, kultura, siguria dhe shëndetësia kanë marrë subvencione më të ulëta, secila nën nivelin e një miliardi frangash.

Rritet kërcënimi terrorist në Zvicër

Shërbimi Federal i Inteligjencës (FIS) ka paralajmëruar se kërcënimi terrorist ndaj Zvicrës është rritur gjatë muajve të fundit, me fokus të veçantë te ekstremizmi xhihadist.

Sipas raportit të publikuar nga autoritetet zvicerane, rreziku më i madh nuk vjen nga organizata të mëdha terroriste, por nga individë të izoluar ose grupe të vogla që mund të kryejnë sulme ndaj objektivave të vështira për t’u mbrojtur, si hapësirat publike, aktivitetet masive apo infrastruktura civile, transmeton albinfo.ch.

Inteligjenca federale po monitoron vazhdimisht aktivitetet në internet, përfshirë rrjetet sociale, forumet dhe faqet e lidhura me propagandën ekstremiste.

Numri i personave që ndiqen në këto platforma është rritur nga 922 në 958 që nga nëntori i vitit të kaluar.

Aktualisht, autoritetet zvicerane mbajnë nën vëzhgim 44 persona që konsiderohen se paraqesin rrezik serioz për sigurinë kombëtare. FIS thekson se situata ndërkombëtare dhe konfliktet në Lindjen e Mesme vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në nivelin e kërcënimit edhe për Zvicrën.

Gjeografia ndikon në arsimim në Zvicër, dallime të mëdha mes qyteteve dhe lagjeve

Vendbanimi luan rol të rëndësishëm në nivelin e arsimimit të të rinjve në Zvicër, sipas të dhënave të reja të publikuara nga Zyra Federale e Statistikave (FSO), përcjell albinfo.ch.

Sipas raportit, 91.7 për qind e personave që mbushën 15 vjeç në periudhën 2010–2014 kanë arritur një kualifikim të arsimit pas-sekondar brenda dhjetë viteve.

Megjithatë, të dhënat tregojnë dallime të dukshme mes rajoneve dhe qyteteve të mëdha. Në qytete si Cyrihu (88%), Bazeli (86%) dhe Gjeneva (82%), niveli i arsimimit është më i ulët krahasuar me mesataren kombëtare.

Dallimet janë edhe më të theksuara brenda vetë qyteteve. Në Cyrih, në lagjen Langstrasse, rreth 80 për qind e të rinjve kanë përfunduar arsim pas-sekondar, ndërsa në zonën Fluntern kjo shifër arrin në 96 për qind.

Zyra Federale e Statistikave nuk ka dhënë shpjegime për arsyet e këtyre pabarazive, duke lënë të hapur debatin mbi ndikimin e faktorëve socialë dhe ekonomikë në arsimim./Albinfo.ch

Zvicra miraton regjistrin kombëtar për borxhet, synohet luftimi i abuzimeve

Zvicra do të krijojë një regjistër kombëtar për përmbarimin e borxheve, pas miratimit unanim të Këshillit të Shteteve, pas vendimit të mëhershëm të Këshillit Kombëtar, përcjell albinfo.ch.

Sistemi i ri synon të centralizojë të dhënat në nivel kombëtar, me qëllim thjeshtimin e procedurave dhe parandalimin e abuzimeve, sidomos nga personat që ndryshojnë vendbanim për t’iu shmangur detyrimeve financiare.

Aktualisht, në Zvicër ekzistojnë mbi 340 zyra të përmbarimit të borxheve, ku secila mban regjistrat e saj në nivel lokal, duke bërë që informacioni të jetë i fragmentuar sipas distrikteve.

Me reformën e re, të gjitha të dhënat do të unifikohen në një sistem të vetëm kombëtar, duke rritur transparencën dhe efikasitetin në menaxhimin e borxheve. /Albinfo.ch

Gjeneva forcon kufirin me Francën, vendosen blloqe betoni në pikat kufitare

Autoritetet zvicerane kanë njoftuar masa të shtuara sigurie në kufirin mes Gjenevës dhe Francës, në prag të samitit të G7 që do të mbahet në Evian më 12 qershor, përcjell albinfo.ch.

Si pjesë e këtyre masave, blloqe betoni do të vendosen në disa pika kufitare, duke rikthyer masa të ngjashme me ato të përdorura gjatë pandemisë Covid-19, kur lëvizja ndërkufitare ishte e kufizuar.

Sipas njoftimeve zyrtare, këto masa do të jenë në fuqi nga 12 deri më 18 qershor, periudhë gjatë së cilës vetëm shtatë pika kufitare mes Francës dhe Gjenevës do të mbeten të hapura.

Pikat e hapura për kalim do të jenë Anières, Moillesulaz, Thônex-Vallard, Bardonnex, Perly, Meyrin dhe Ferney-Voltaire, ku automjetet do t’i nënshtrohen kontrolleve më të rrepta dhe sistematike.

Autoritetet theksojnë se masat janë të nevojshme për arsye sigurie dhe për të garantuar mbarëvajtjen e samitit ndërkombëtar./Albinfo.ch

Dua Lipa dhe Callum Turner kurorëzojnë dashurinë me një dasmë përrallore në Palermo

Ylli shqiptar me famë botërore dhe aktori britanik organizuan një festë luksoze në Sicili, me qindra të ftuar nga bota e artit, modës dhe muzikës, ndërsa festimet sollën miliona euro përfitime për Palermon, transmeton albinfo.ch.

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhe aktori britanik Callum Turner kanë kurorëzuar dashurinë e tyre me një dasmë madhështore në Palermo të Sicilisë, një ngjarje që ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe të opinionit publik në mbarë botën.

Ceremonia festive u zhvillua në vilën historike Villa Valguarnera, një rezidencë e shekullit XVIII, ku qindra të ftuar nga bota e muzikës, modës, filmit dhe biznesit u mblodhën për të festuar martesën e çiftit.

Kopshtet e vilës ishin dekoruar sipas traditave siciliane me detaje elegante, ndërsa të ftuarit u pritën me bajame tradicionale dhe suvenire të personalizuara që simbolizonin historinë e dashurisë së çiftit. Mes emrave të njohur që morën pjesë në festë ishin këngëtarja Charli XCX dhe stilistja legjendare Donatella Versace.

Një nga momentet më emocionuese të mbrëmjes ishte performanca surprizë e legjendës së muzikës Elton John, i cili interpretoi këngën e tij ikonike “Your Song” për çiftin e sapomartuar.

Pas ceremonisë, të ftuarit shijuan një darkë luksoze të përgatitur nga shefa kuzhine të vlerësuar me yje Michelin, ndërsa festa vazhdoi deri në orët e para të mëngjesit nën tingujt e DJ-ve të njohur ndërkombëtarë si Carl Cox, Martin Garrix, David Guetta dhe Peggy Gou. Mbrëmja kulmoi me një spektakël mbresëlënës fishekzjarrësh që ndriçoi qiellin e Palermos.

Në festimet luksoze nuk mungoi as ngjyra shqiptare. Këngëtari kosovar Besnik Qaka dhe bendi i tij performuan muzikë live, duke argëtuar të pranishmit me atmosferë festive dhe ritme shqiptare.

Për arsye sigurie dhe privatësie, organizatorët kishin vendosur masa të rrepta. I gjithë stafi kishte nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti, ndërsa telefonat e të ftuarve u mblodhën gjatë pjesës më të madhe të ceremonisë për të shmangur publikimin e pamjeve në rrjetet sociale.

Festimet kishin nisur që një ditë më herët në rrugët e qendrës historike të Palermos, ku Lipa dhe Turner organizuan aktivitete të ndryshme për miqtë dhe familjarët e tyre. Një nga atraksionet kryesore ishte një vizitë private në Galeria e Artit Modern e Palermos, e ndjekur nga një mbrëmje gala në Palazzo Valguarnera-Gangi.

Dasma në Palermo erdhi vetëm një javë pasi çifti kishte zyrtarizuar martesën e tyre me një ceremoni civile në Old Marylebone Town Hall.

Sipas mediave italiane, ngjarja konsiderohet si një nga ceremonitë më të rëndësishme që ka pritur Palermo në dekadat e fundit. Një raport i institutit kërkimor JFC, i cituar nga agjencia italiane ANSA, vlerëson se festimet e çiftit gjeneruan rreth 268 milionë euro ndikim ekonomik për zonën metropolitane të qytetit.

Megjithatë, organizimi i dasmës shkaktoi edhe reagime kritike. Një grup protestuesish doli në rrugët e Palermos me pankarta kundër elitizmit dhe privatizimit të hapësirave publike, duke kundërshtuar shpenzimet dhe përmasat e ngjarjes.

Një ditë pas ceremonisë, Dua Lipa u shfaq në një drekë festive pas dasmës me një fustan të bardhë prej dantelle, duke reflektuar elegancën dhe atmosferën romantike të fundjavës së saj më të rëndësishme.

Me një organizim spektakolar, pjesëmarrjen e emrave më të njohur të skenës botërore dhe praninë e artistëve shqiptarë, dasma e Dua Lipës dhe Callum Turner është shndërruar në një nga ngjarjet më të komentuara të vitit në botën e showbiz-it. /Albinfo.ch

Diaspora mund të ndryshojë balancën politike: Ja si pritet të ndikojnë votat e tyre në rezultatet përfundimtare

Sipas Eugen Cakollit nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, votat e diasporës mund të kenë ndikim në përqindjet dhe numrin e mandateve të partive politike në vend.

Ai tha në emisionin “Frontal” në T7 se, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të jetë e para, votat me postë nga diaspora mund të sjellin ndryshime në rezultatet finale.

Sipas tij, ndikimi i këtyre votave mund të sjellë luhatje prej 2 deri në 3 deputetësh në përbërjen e Kuvendit.

Cakolli vlerëson se me votat e diasporës, LVV mund të arrijë rreth 46%, PDK 21–22%, LDK deri në 19%, ndërsa AAK mund të bjerë nën 6%.

Ai shtoi se AAK pritet të ketë përqindje më të ulët nga votat jashtë vendit, rreth 3–4%, gjë që ndikon në rezultatin përfundimtar.

Sipas vlerësimeve aktuale, bazuar në rezultatet preliminare, LVV do të kishte rreth 48 deputetë, PDK 24, LDK 20 dhe AAK 8.

Zvërneci: Dy modele zhvillimi dhe një pyetje për shqiptarët

Pak vende në Evropë kanë privilegjin të posedojnë një kombinim të tillë natyre, biodiversiteti dhe trashëgimie kulturore si Zvërneci. Për këtë arsye, debati nuk duhet të jetë nëse zona duhet të zhvillohet apo jo, por çfarë lloj zhvillimi duhet të ketë.

Shqipëria tashmë ka prodhuar modele suksesi që mund të shërbejnë si pikë referimi. Njëri është modeli i turizmit në komunitet, i mishëruar nga Mrizi i Zanave. Në pak më shumë se një dekadë, ky projekt ka transformuar një zonë rurale në një destinacion të njohur ndërkombëtarisht.

Përveç vlerësimeve gastronomike dhe artikujve të shumtë në mediat botërore, ndikimi më i madh ka qenë tek komuniteti lokal. Restorante të reja, bujtina, ferma dhe biznese të vogla kanë lindur si rezultat i drejtpërdrejtë i suksesit të tij.

Banorët janë bërë krenarë për vendin e tyre dhe kanë gjetur arsye ekonomike për të qëndruar aty. Modeli tjetër është ai i turizmit të aventurës, i përfaqësuar nga Peaks of the Balkans. Një shteg malor ndërkufitar ka arritur të kthejë një pjesë të Alpeve Shqiptare në një destinacion ndërkombëtar. Vlera e këtij modeli qëndron në faktin se pothuajse i gjithë zinxhiri ekonomik mbetet lokal: bujtinat, transporti, guidat, fermat, prodhuesit e ushqimit dhe bizneset e vogla familjare.

Të dy këto modele kanë një karakteristikë të përbashkët: përdorin relativisht pak burime natyrore dhe krijojnë ndikim të kufizuar në mjedis. Konsumi i ujit, energjisë dhe hapësirës është i moderuar, ndërsa përfitimet shpërndahen në një numër të madh familjesh dhe biznesesh lokale. Por pyetja më e rëndësishme nuk është sa turistë vijnë dhe as sa para shpenzojnë. Pyetja është: sa prej këtyre parave mbeten në vend?

Kjo është një pyetje që ekonomistët e turizmit e studiojnë prej dekadash përmes konceptit të njohur si “tourism leakage” – rrjedhja e të ardhurave turistike jashtë destinacionit. Studimet ndërkombëtare tregojnë se modelet e turizmit në komunitet dhe të aventurës kanë tendencë të mbajnë shumicën e vlerës së krijuar në ekonominë lokale.

Në shumë raste, mbi 60 për qind e shpenzimeve të turistëve mbeten në komunitet dhe në disa modele të suksesshme kjo shifër mund të jetë edhe më e lartë. Arsyeja është e thjeshtë: turisti fle në bujtinë lokale, ha produkte të zonës, përdor guida vendase, transport lokal dhe blen mallra të prodhuara nga komuniteti. Në anën tjetër qëndron modeli i turizmit elitar i bazuar në resorte të mëdha.

Ky model sjell zakonisht qarkullim më të lartë financiar për turist. Një vizitor mund të shpenzojë dy ose tri herë më shumë sesa një turist i aventurës ose i turizmit rural.

Megjithatë, studimet ndërkombëtare tregojnë se në resortet e mëdha dhe modelet all-inclusive, rrjedhja e të ardhurave mund të arrijë 60 deri në 80 për qind. Një pjesë e madhe e parave largohet përmes importeve të ushqimit dhe pajisjeve, kontratave me kompani ndërkombëtare, pagesave të menaxhimit dhe transferimit të fitimeve tek pronarët jashtë vendit.

Për ta ilustruar me një shembull të thjeshtë: Nëse një turist i aventurës ose i turizmit në komunitet shpenzon 1,200 euro gjatë një jave në Shqipëri, në ekonominë lokale mund të mbeten rreth 720 deri në 1,080 euro. Nëse një turist i një resorti elitar shpenzon 3,000 euro gjatë së njëjtës periudhë, në ekonominë lokale mund të mbeten rreth 600 deri në 1,200 euro. Këto janë natyrisht përllogaritje teorike, por ato tregojnë se qarkullimi më i lartë nuk përkthehet domosdoshmërisht në përfitim më të madh për komunitetin.

Kjo nuk do të thotë se resortet nuk krijojnë vende pune. Sigurisht që krijojnë. Por ekziston një dallim i rëndësishëm. Në modelin e turizmit në komunitet, shqiptarët janë kryesisht pronarë: të bujtinave, fermave, restoranteve, shërbimeve të transportit dhe guidave. Pasuria e krijuar mbetet në familje dhe trashëgohet nga brezi në brez. Në modelin e resorteve, shqiptarët janë më shpesh të punësuar sesa pronarë.

Përfitimet vijnë kryesisht përmes pagave, ndërsa kapitali dhe fitimet mund të përqendrohen tek investitorët. Ekziston edhe çështja e përdorimit të burimeve natyrore. Turizmi i komunitetit dhe ai i aventurës kërkojnë relativisht pak ndërhyrje në mjedis.

Ata konsumojnë më pak ujë, më pak energji dhe kanë nevojë për më pak betonizim të bregdetit apo të zonave natyrore. Resortet elitare zakonisht kërkojnë më shumë ndërtime, më shumë energji, më shumë ujë dhe më shumë infrastrukturë. Në vende me burime të kufizuara ujore, ky aspekt bëhet veçanërisht i rëndësishëm. Ka edhe një dimension tjetër, më pak të matshëm, por po aq të rëndësishëm: ai psikologjik.

Turizmi në komunitet i bën banorët të krenohen me natyrën, kulturën, traditat dhe produktet e tyre. Ai krijon një ndjenjë pronësie mbi zhvillimin.

Turizmi elitar mund të krijojë krenari për investimet moderne dhe standardin e lartë të shërbimeve, por jo domosdoshmërisht të njëjtën ndjenjë pjesëmarrjeje të komunitetit. Sigurisht, ekziston edhe një dimension tjetër që nuk mund të injorohet: ai gjeopolitik. Investimet strategjike, veçanërisht ato amerikane dhe perëndimore, mund të kenë vlera që shkojnë përtej ekonomisë së turizmit dhe lidhen me orientimin politik e strategjik të vendit. Por edhe duke e marrë këtë faktor në konsideratë, pyetja themelore mbetet e njëjtë.

Çfarë duan shqiptarët të mbetet pas pesëdhjetë vitesh? Një peizazh i ruajtur, me qindra biznese të vogla lokale, komunitete të forta dhe ekonomi që shpërndan përfitimet tek shumë familje? Apo një ekonomi e ndërtuar kryesisht rreth investimeve të mëdha dhe resorteve? Nuk është detyrë e imja t’i përgjigjem kësaj pyetjeje.

Është një zgjedhje që i takon shoqërisë shqiptare. Por për ta bërë atë zgjedhje me vetëdije, debati duhet të shkojë përtej premtimeve për investime dhe vende pune.

Pyetja nuk është vetëm sa para sjell turizmi. Pyetja është sa prej tyre mbeten në Shqipëri, sa prej tyre mbeten në komunitet dhe çfarë trashëgimie ekonomike e mjedisore u lëmë brezave që vijnë. Për një pasuri natyrore si Zvërneci, kjo është ndoshta pyetja më e rëndësishme që shqiptarët duhet t’i bëjnë vetes sot.

Rëniet dhe ngritjet e partive politike, sipas komunave të Kosovës

Eugen Cakolli nga Insitituti i Kosovës për Drejtësi ka publikuar një analizë krahasuese të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të fundit me ato të 28 dhjetorit 2025, duke theksuar ndryshime të dukshme në përqindjet e subjekteve politike në nivel komunal.

Ai ka deklaruar se përveç dallimeve në numrin e përgjithshëm të votave si pasojë e daljes më të ulët në zgjedhje, të dhënat tregojnë lëvizje interesante në nivel komunash.

“Përveç dallimeve në numrin e përgjithshëm të votave, që normalisht reflektojnë daljen dukshëm më të ulët në zgjedhjet e djeshme, rezultatet në nivel komune tregojnë edhe disa lëvizje interesante në përqindjet e subjekteve politike”, ka shkruar ai, teksa referuar të dhënave krahasuese, ai thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka shënuar rënie në të gjitha komunat e Kosovës.

“LVV ka pësuar rënie në përqindje në secilën prej 38 komunave të Kosovës. Ndonëse mbetet partia e parë në shumicën e tyre (31 sosh), rënia është evidente – duke humbur edhe primatin në tri komuna,” ka shkruar ai, transmeton albinfo.ch.

Cakolli ka theksuar se rëniet më të theksuara të LVV-së janë regjistruar në Suharekë, Mamushë, Junik dhe Rahovec, ndërsa sipas tij Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje në shumicën e komunave.

“LDK ka shënuar rritje në përqindje në 35 komuna,” ka theksuar ai, duke përmendur si rritjet më të mëdha Istogun, Malishevën, Junikun, Suharekën dhe Rahovecin.

Ai ka vlerësuar se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë më stabile në këto zgjedhje.

“PDK duket më stabile, dhe për dallim nga partitë tjera, lëvizjet në shumicën e komunave i ka relativisht të vogla,” ka shkruar ai, duke shtuar se PDK ka shënuar rritjen më të madhe në Malishevë.

Sa i përket Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ai ka theksuar se kjo parti ka rritur përqindjen në 30 komuna, kryesisht në mënyrë simbolike.

“AAK ka rritur përqindjen e votave në 30 komuna, ndonëse në shumicën prej tyre në përqindje simbolike,” ka shkruar ai teksa përmendi Suharekën, Deçanin, Rahovecin, Junikun dhe Gjakovën si komunat me rritjet më të mëdha.

UNESCO shpalli Liqenin e Shkodrës Rezervë të Re të Biosferës Botërore

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar në rrjetet e tij sociale pamje nga Liqeni i Shkodrës, pas futjes në UNESCO.

Krahas videos, Rama shkruan se futja e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës është rezultat i punës së tyre diplomatike, transmeton albinfo.ch.

“Me kënaqesinë e një tjetër lajmi të bukur për Shqipërinë e Gjelbër dhe trashëgiminë tonë natyrore, futjen e Liqenit të Shkodrës nga UNESCO në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës, rezultat i punës sonë diplomatike po edhe i kujdesit me përgjegjësi për këtë pasuri shqiptare që i shtohet thesareve të botës së mbrojtur nga UNESCO, ju uroj një javë të mbarë”, ka shkruar ai.

Vjosa Osmani: Emri im nuk do të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një reagimi publik ka falënderuar qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se angazhimi i saj do të mbetet i fokusuar në tejkalimin e krizës politike dhe ndërtimin e institucioneve.

Ajo ka thënë se gjatë muajve të fundit ka takuar mijëra qytetarë në gjithë Kosovën dhe se shpresa e tyre për një vend më të zhvilluar dhe më të bashkuar ka qenë motivimi kryesor.

“Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe”, ka shkruar ajo.

Teksa ka folur për rolin e saj pas zgjedhjeve, Osmani ka ritheksuar se nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve të reja.

“Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.

Sipas Osmanit, kontributi i saj do të jetë i përqendruar në tejkalimin e krizës politike dhe funksionalizimin e institucioneve.

“Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracinë, kushtetutën dhe aleancat”, ka deklaruar Osmani.

Ndarja e mandatave në Kuvendin e Kosovës, sipas rezultateve preliminare

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka publikuar rezultatet preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, ku nuk janë përfshirë votat me kusht, ato me postë, si dhe në përfaqësitë diplomatike.

Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar 42.91 për qind të votave pritet të ketë 48 deputetë në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës me 21.12 për qind të votave, do të ketë 24 deputetë.

Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.58 për qind të votave do të ketë 20 deputetë ndërsa Aleanca me 7.16 për qind të votave do të ketë 8 deputetë, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë 20 vendet e tjera janë të rezervuara për pakicën serbe dhe joserbe, nga 10 secila.

Zvicra voton më 14 qershor: Paga minimale, taksat dhe sigurimi dentar në qendër të vëmendjes

Më 14 qershor, qytetarët zviceranë nuk do të votojnë vetëm për iniciativën federale “Jo një Zvicre me 10 milionë banorë” dhe ndryshimet në ligjin për shërbimin civil, por edhe për një sërë çështjesh kantonale në 16 kantone të vendit.

Në mesin e temave më të rëndësishme janë paga minimale, taksat, projektet infrastrukturore dhe sigurimi dentar, transmeton albinfo.ch.

Në kantonin e Ticinos, votuesit do të vendosin për dy iniciativa të rëndësishme. E para kërkon krijimin e një sigurimi të detyrueshëm kantonal për mbulimin e trajtimeve bazë dentare, ndërsa e dyta synon të parandalojë që rivlerësimi i pronave të çojë automatikisht në rritje taksash ose ulje të përfitimeve sociale. Qeveria kantonale mbështet iniciativën e dytë, por kundërshton sigurimin dentar.

Një nga votimet më të ndjekura do të zhvillohet në kantonin Vaud, ku qytetarët do të vendosin për çështjen e pagës minimale. Ndërkohë, në Bazel (Basel-Stadt) në qendër të debatit është sistemi i tatimit në burim, një temë që prek mijëra punëtorë dhe banorë të huaj.

Në Argau, votuesit do të shprehen për një projekt rrugor me vlerë 380 milionë franga, si dhe për një iniciativë që kërkon garantimin e cilësisë së arsimit dhe numrit të mjaftueshëm të mësimdhënësve të kualifikuar në shkolla.

Ndërkohë, në Basel-Landschaft përveç tri votimeve kantonale do të mbahet edhe një zgjedhje e pjesshme për zëvendësimin e një anëtari të dorëhequr të qeverisë kantonale.

Votimet e 14 qershorit konsiderohen ndër më të rëndësishmet e vitit në Zvicër, pasi përveç çështjeve federale, qytetarët do të vendosin edhe për tema që ndikojnë drejtpërdrejt në financat, punësimin, shëndetësinë dhe jetën e përditshme në kantonet e tyre.

Zviceranët kanë frikë nga mungesa e energjisë

Frika për sigurinë e furnizimit me energji elektrike po rritet në Zvicër. Sipas një sondazhi të institutit Gfs.bern, 58 për qind e zviceranëve besojnë se politika aktuale energjetike mund të shkaktojë probleme me furnizimin me energji brenda dhjetë viteve të ardhshme.

Studimi tregon se gjithnjë e më shumë qytetarë dyshojnë se energjia e prodhuar vetëm nga burimet e rinovueshme, si hidrocentralet, panelet diellore dhe turbinat e erës, do të jetë e mjaftueshme për të përmbushur nevojat e vendit. Rreth 64 për qind e të anketuarve mendojnë se energjitë e rinovueshme nuk do të mjaftojnë të vetme për të garantuar furnizimin afatgjatë.

Si pasojë, mbështetja për energjinë bërthamore është rritur ndjeshëm. Sondazhi tregon se 79 për qind e qytetarëve mbështesin vazhdimin e funksionimit të centraleve ekzistuese bërthamore për sa kohë që ato konsiderohen të sigurta, ndërsa 59 për qind e shohin si të arsyeshme ndërtimin e centraleve të reja bërthamore të gjeneratës së ardhshme, transmeton albinfo.ch.

Rezultatet vijnë në prag të debatit të madh në Parlamentin zviceran mbi drejtimin e ardhshëm të politikës energjetike. Në qendër të diskutimeve do të jetë edhe iniciativa popullore “Stop Blackout”, e cila kërkon garantimin e furnizimit të sigurt me energji pa përjashtuar asnjë teknologji, duke hapur kështu rrugën për rikthimin e mundshëm të energjisë bërthamore në strategjinë energjetike të vendit.

Sondazhi tregon gjithashtu se siguria e furnizimit me energji është bërë prioriteti kryesor për qytetarët, duke lënë pas shqetësimet për çmimet e energjisë dhe objektivat klimatike.

Më stresuese se puna dhe paratë: Prindërimi rëndon shëndetin mendor në Zvicër

Prindërimi është faktori që po rëndon më së shumti shëndetin mendor të të rriturve në Zvicër, duke lënë pas shqetësimet për punën dhe financat. Kështu tregon një studim i ri i kompanisë së sigurimeve AXA, i cili nxjerr në pah presionin në rritje me të cilin përballen familjet në vend, transmeton albinfo.ch.

Sipas studimit, një në katër të rritur në Zvicër vuan nga një problem i shëndetit mendor. Më të prekurit janë të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjeç, ku 39 për qind raportojnë vështirësi të tilla.

Raporti tregon gjithashtu se kërkesat për sigurime invalidore të lidhura me probleme të shëndetit mendor janë rritur me 78 për qind gjatë katër viteve të fundit, duke reflektuar një përkeqësim të situatës në shkallë kombëtare.

Ekspertët vlerësojnë se prindërit po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha, duke u përpjekur të balancojnë karrierën, jetën familjare dhe përgjegjësitë e përditshme. Presioni është veçanërisht i lartë tek familjet që jetojnë larg rrjetit të tyre familjar dhe mbështetjes së të afërmve.

Studimi vjen në një kohë kur shqetësimet për shëndetin mendor po rriten në të gjithë Zvicrën, ndërsa autoritetet dhe specialistët kërkojnë më shumë mbështetje për familjet dhe të rinjtë.

Zbulim zviceran që mund të ndryshojë luftën kundër verbërisë

Një ekip ndërkombëtar shkencëtarësh i udhëhequr nga studiues zviceranë ka identifikuar një objektiv të ri dhe premtues për trajtimin e degjenerimit makular të lidhur me moshën (AMD), një sëmundje që prek miliona njerëz në mbarë botën dhe është ndër shkaqet kryesore të humbjes së shikimit te personat e moshuar, transmeton albinfo.ch.

Hulumtimi është realizuar me pjesëmarrjen e ekspertëve nga University of Fribourg dhe është përqendruar në mekanizmat e pastrimit të mbetjeve brenda qelizave të retinës. Shkencëtarët zbuluan se forcimi i këtij sistemi natyror të “pastrimit” ndihmon qelizat të përballojnë më mirë stresin dhe të ruajnë funksionin e tyre. Testet e kryera në qeliza të marra nga pacientë me AMD treguan rezultate inkurajuese.

Sipas studiuesve, qasja e re nuk synon vetëm një simptomë të sëmundjes, por një mekanizëm më të gjerë të plakjes qelizore. Kjo mund të ofrojë mundësi për zhvillimin e terapive që jo vetëm ngadalësojnë, por potencialisht edhe parandalojnë dëmtimin progresiv të shikimit.

Degjenerimi makular prek afërsisht një në dhjetë persona mbi moshën 50-vjeçare. Rreziku rritet ndjeshëm me kalimin e viteve dhe te personat mbi 80 vjeç sëmundja mund të prekë më shumë se një të katërtën e popullsisë. AMD dëmton pjesën qendrore të retinës, duke vështirësuar leximin, drejtimin e automjetit dhe njohjen e fytyrave.

Megjithëse studimi është ende në fazat e hershme dhe trajtimi nuk është gati për përdorim klinik, ekspertët e konsiderojnë zbulimin një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të terapive më efektive kundër humbjes së shikimit të lidhur me moshën.

A po rikthehet energjia bërthamore në Zvicër? Rritet mbështetja për centrale të reja

Një sondazh i ri tregon se në Zvicër po rritet mbështetja për ndërtimin e centraleve të reja bërthamore. Sipas hulumtimit të kryer nga instituti GFS dhe i porositur nga shoqata e energjisë elektrike VSE, opinioni publik po bëhet gjithnjë e më pozitiv ndaj energjisë bërthamore – duke ngritur pyetje mbi të ardhmen e planit për heqjen graduale të saj.

Gjysma e qytetarëve mbështesin propozimin për centrale të reja

Sipas sondazhit, 50% e të anketuarve janë plotësisht ose pjesërisht në favor të kundërpropozimit të të ashtuquajturës “iniciativa blackout”, e cila synon të lejojë ndërtimin e centraleve të reja bërthamore. Ndërsa 44% e refuzojnë këtë ide.

Gjithashtu, 59% e të anketuarve e konsiderojnë të arsyeshme ndërtimin e gjeneratës së re të centraleve bërthamore.

Për herë të parë që nga fillimi i këtij cikli sondazhesh në vitin 2022, gjysma e pjesëmarrësve preferojnë një central të ri bërthamor në vend të zgjerimit të madh të energjive të rinovueshme.

Mbështetje e fortë për vazhdimin e centraleve ekzistuese

Mbështetja për centralet aktuale mbetet shumë e lartë: 79% e qytetarëve janë pro vazhdimit të funksionimit të tyre, për sa kohë që konsiderohen të sigurta.

Ndërkohë, vetë “iniciativa blackout”, e cila përveç lejes për centrale të reja kërkon edhe futjen e sigurisë së furnizimit në kushtetutë, gëzon mbështetje prej 55%.

Një vit më parë, mbështetja për këtë iniciativë ishte 46%, duke shënuar një rritje të ndjeshme.

Siguria e furnizimit si faktor kryesor

Politologu Urs Bieri nga GFS Bern thotë se çështja e sigurisë së furnizimit po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme në Zvicër:

“Siguria e furnizimit do të jetë një temë e madhe në vitin 2026. Ka pasiguri nëse energjitë e rinovueshme do të mjaftojnë, prandaj po kërkohen alternativa. Energjia bërthamore është një prej tyre.”

Debat i ndarë politikisht

Në Parlamentin zviceran, reagimet janë të ndryshme. Deputeti Christian Imark (SVP) e sheh rritjen e mbështetjes si konfirmim të kursit politik aktual, duke theksuar se qytetarët preferojnë centrale të përqendruara bërthamore në vend të shpërndarjes së gjerë të infrastrukturës energjetike.

Ndërkohë, deputetja e Gjelbërve, Marionna Schlatter, shprehet se diskutimi mbi energjinë bërthamore po krijon pasiguri në popullatë dhe thekson se prioritet duhet të mbetet zgjerimi i energjive të rinovueshme.

Vendim historik në horizont

Pavarësisht kundërshtimeve nga e majta politike, pritet që Dhoma e Ulët e Parlamentit të Zvicrës të marrë së shpejti një vendim që mund të hapë sërish rrugën për energjinë bërthamore – një kthesë e madhe, pas vendimit të vitit 2017 për daljen nga energjia atomike.

Megjithatë, fjala e fundit do t’i mbetet popullit zviceran, i cili do të vendosë nëse do të lejohet apo jo ndërtimi i centraleve të reja bërthamore.