Kosova

Europol godet krimin e organizuar në Kosovë, arrestohen 5 persona, sekuestrohen 80 milionë euro

Në operacion u angazhuan rreth 150 zyrtarë, të mbështetur nga një ekspert i Europolit

Europol ka njoftuar se mesazhet e shkëmbyera në platformën e koduar SKY ECC kanë zbuluar një rrjet kriminal të organizuar me bazë në Kosovë, i përfshirë në trafikim të drogës në shkallë të gjerë, përdorim të dokumenteve të rreme të identitetit, posedim të paligjshëm të armëve dhe pastrim parash në Evropë.

Sipas Europolit, inteligjenca e mbledhur gjatë një hetimi trevjeçar kulmoi më 9 qershor me një aksion të koordinuar në Kosovë, ku u arrestuan pesë anëtarë kyç të organizatës kriminale. Në operacion u angazhuan rreth 150 zyrtarë, të mbështetur nga një ekspert i Europolit, transmeton albinfo.ch.

Europol ka bërë të ditur se grupi i krimit të organizuar përdorte një platformë të koduar komunikimi për të koordinuar aktivitetet e trafikimit të drogës në disa vende evropiane, ndërsa qendrën operative e mbante në Kosovë. Sipas Europolit, prej aty anëtarët e lartë drejtonin aktivitetet kriminale, koordinonin dërgesat ndërkombëtare të drogës dhe menaxhonin pastrimin e fitimeve të paligjshme.

Sipas Europolit, hetimi u mbështet në analizën e komunikimeve kriminale të shkëmbyera përmes platformave të koduara. Duke kombinuar këtë inteligjencë me informacionin operativ të mbledhur në disa vende, hetuesit identifikuan anëtarët kyç të rrjetit, hartëzuan infrastrukturën kriminale dhe gjurmuan rrjedhat financiare të lidhura me aktivitetet e trafikimit të drogës.

Europol njofton se qasja hetimore e bazuar në të dhëna ishte thelbësore për operacionin, ndërsa analistët e tij punuan së bashku me specialistë të Policisë së Kosovës në selinë e Europolit për të analizuar inteligjencën dhe për të identifikuar lidhjet operative ndërmjet të dyshuarve, aktiviteteve kriminale dhe pasurive kriminale të shpërndara në disa juridiksione.

Sipas Europolit, që nga nisja e hetimit janë hetuar 42 të dyshuar, janë kontrolluar 76 objekte dhe janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë të vlerësuar prej 80 milionë eurosh.

Europol thekson se operacioni është pjesë e një projekti të strukturuar operacional në kuadër të Task Forcës Operacionale LIMIT, që bashkon autoritetet e zbatimit të ligjit nga Belgjika, Franca, Kosova dhe Holanda, me mbështetjen e Europolit.

Gjithashtu, Europol bën të ditur se lehtësoi shkëmbimin e informacionit, mbështeti analizën operacionale dhe koordinoi bashkëpunimin ndërkombëtar mbi të cilin u mbështet hetimi. Për ditën e aksionit, Europol dërgoi një ekspert në Kosovë për të ofruar mbështetje operative në kohë reale dhe për të lehtësuar shkëmbimin e informacionit ndërmjet autoriteteve pjesëmarrëse.