Pacientët me kancer në Zvicër përballen me trajtim të pabarabartë nga kompanitë e sigurimeve shëndetësore, pasi mbulimi i kostove të barnave dhe terapive inovative ndryshon ndjeshëm nga një kompani te tjetra.
Këtë e dëshmon një raport i Zyrës Federale të Shëndetit Publik në Zvicër, të dhënat e të cilit u publikuan pas pesë vjetësh, si rezultat i një kërkese për qasje në informacion nga Radio Televizioni i Zvicrës Frankofone (RTS) dhe një procesi gjyqësor.
Sipas të dhënave për periudhën 2017–2019, disa kompani sigurimesh kishin miratuar mbi 98 për qind të kërkesave për mbulimin e trajtimeve individuale, ndërsa te disa të tjera kjo përqindje ishte dukshëm më e ulët. Kështu, KPT kishte miratuar 98,2 për qind të kërkesave, ndërsa Sanitas vetëm 45,2 për qind.
Bëhet fjalë kryesisht për barna inovative që përdoren jashtë indikacioneve të miratuara zyrtarisht (off-label) dhe që nuk mbulohen automatikisht nga sigurimet. Çdo vit në Zvicër paraqiten rreth 80 mijë kërkesa të tilla, ndërsa vendimet merren individualisht nga kompanitë e sigurimeve.
Kompanitë e sigurimeve kanë kontestuar krahasueshmërinë e të dhënave, duke argumentuar se rastet nuk janë vlerësuar sipas kritereve të njëjta. Ndërkohë, një reformë e hyrë në fuqi në vitin 2024 synonte harmonizimin e procedurave dhe uljen e kostove për këto trajtime.
Megjithatë, onkologët thonë se pabarazitë vazhdojnë. Solange Peters, drejtuese e Departamentit të Onkologjisë në Spitalin Universitar të Lozanës, ka deklaruar se edhe në periudhën 2020–2025 janë evidentuar dallime prej më shumë se 20 pikë përqindjeje në normat e miratimit të kërkesave nga kompanitë e sigurimeve.
Ajo ka theksuar se vetëm gjatë këtij muaji, dy pacientë me kancer të pankreasit, me të njëjtën diagnozë dhe të njëjtin trajtim të rekomanduar, kanë marrë vendime të kundërta për mbulimin e shpenzimeve.
Sipas RTS-së, këto raste ngrenë shqetësime për barazinë në qasjen ndaj trajtimeve mjekësore dhe për ndikimin që zgjedhja e kompanisë së sigurimeve mund të ketë në mundësitë e trajtimit dhe mbijetesën e pacientëve.