Gjatë vitit 2025, në Zvicrën frankofone janë regjistruar 2.438 raste të antisemitizmit, një rritje prej 36 për qind krahasuar me vitin paraprak. Një pjesë e rasteve janë evidentuar edhe në shkolla, ku janë raportuar fyerje, vizatime të kryqeve naziste dhe përshëndetje naziste ndaj personave me prejardhje hebraike.
Sipas Koordinimit Ndërkomunitar kundër Antisemitizmit dhe Shpifjes (CICAD), kjo është shifra më e lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2003. Nga rastet e evidentuara, 2.239 kanë ndodhur në internet, ndërsa 199 janë regjistruar jashtë tij. Rreth 30 prej këtyre të fundit konsiderohen raste të rënda.
Dëshmitë e një mësimdhënëseje nga kantoni i Vaud-it dhe të një nëne nga Gjeneva tregojnë për përvojat me antisemitizmin në ambientet shkollore. Në mesin e rasteve të raportuara janë vizatimet e simboleve naziste në bankat dhe ditarët e nxënësve, komentet fyese dhe gjestet naziste ndaj një mësimdhënëseje hebreje. Një tjetër rast përfshin një vajzë gjashtëvjeçare, së cilës bashkëmoshatari i kishte thënë se Ylli i Davidit sjell fat të keq.
Përballë kësaj dukurie, kantonet po ndërmarrin masa për forcimin e parandalimit dhe reagimit në shkolla. Vaud-i ka miratuar një plan veprimi kundër racizmit, që përfshin trajnimin e drejtuesve dhe mësimdhënësve, mbështetjen e viktimave dhe masa ndaj autorëve. Gjeneva rekomandon trajnime të detyrueshme për personat që punojnë me të rinjtë, ndërsa Neuchâtel-i synon ndërgjegjësimin e të gjithë komunitetit shkollor, përfshirë nxënësit dhe prindërit.
Sekretari i Përgjithshëm i CICAD-it, Johanne Gurfinkiel, thekson se reagimi ndaj rasteve të antisemitizmit duhet të përfshijë njohjen e viktimës, sanksionimin e sjelljes dhe masa edukative për vetëdijesimin e nxënësve mbi historinë dhe pasojat e nazizmit.
Pavarësisht masave të ndërmarra, mësimdhënësja nga Vaud-i thotë se ende nuk ndihet e sigurt në vendin e punës. Ajo vlerëson se edukimi, njohja e stereotipeve dhe nxitja e dialogut janë thelbësore për të parandaluar përhapjen e antisemitizmit.