Një analizë e re e rreth 6 mijë vendpushimeve përgjatë autostradave në 26 vende evropiane ka nxjerrë në pah dallime të konsiderueshme në cilësinë e shërbimeve. Polonia kryeson me vendpushimet më të vlerësuara, ndërsa Zvicra renditet vetëm në vendin e 14-të, pavarësisht infrastrukturës së saj të zhvilluar rrugore.
Një studim i realizuar nga një kompani që ofron vinjeta për autostradat çeke ka analizuar vlerësimet dhe komentet e përdoruesve në Google për pothuajse 6 mijë vendpushime përgjatë autostradave në Evropë. Rezultatet tregojnë se vendpushimet zvicerane nuk arrijnë të konkurrojnë me ato më të vlerësuarat në kontinent, kryesisht për shkak të çmimeve të larta dhe tarifave për përdorimin e tualeteve.
Sipas analizës së publikuar nga portali zviceran Watson, Polonia ka arritur rezultate veçanërisht të mira, duke dominuar pjesën më të lartë të renditjes evropiane, transmeton albinfo.ch.
Një ndër arsyet kryesore të këtij suksesi lidhet me investimet e viteve të fundit në zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të autostradave polake. Shumë vendpushime janë ndërtuar rishtazi dhe ofrojnë ambiente moderne, tualete të pastra dhe përdorim falas të shërbimeve sanitare.
Në anën tjetër, Zvicra ka përfunduar në pozitën e 14-të në renditjen e përgjithshme. Megjithatë, ajo ka arritur të pozicionohet më mirë sesa dy vendet fqinje, Gjermania dhe Italia, të cilat renditen përkatësisht në vendet 21 dhe 22.
Çmimet e larta të ushqimeve, pijeve dhe shërbimeve të tjera konsiderohen ndër problemet që ndikojnë në vlerësimet e udhëtarëve për vendpushimet zvicerane.
Vendpushimi më i mirë në Zvicër ndodhet pranë Montreux
Sipas renditjes, vendpushimi më i vlerësuar në Zvicër është Aire de repos Le Pertit, që ndodhet përgjatë autostradës A9, pranë qytetit Montreux. Ky vendpushim ofron pamje të bukura drejt Liqenit të Gjenevës, por ajo që ka ndikuar më shumë në vlerësimet pozitive të vizitorëve është pastërtia e tualeteve dhe mirëmbajtja e ambienteve.
Në fund të renditjes zvicerane gjendet vendpushimi Coldrerio Nord, në autostradën A2, pranë Novazzano, në kantonin Ticino.
Udhëtarët kanë shprehur pakënaqësi për çmimet e larta dhe mënyrën e funksionimit të kuponit prej një frangu për përdorimin e tualetit, i cili, sipas komenteve, mund të shfrytëzohet vetëm në bar.
Edhe vendpushimi në anën e kundërt të autostradës është përfshirë në mesin e dhjetë vendpushimeve me vlerësimet më të dobëta në Zvicër.
Rezultatet tregojnë se infrastruktura moderne rrugore nuk është domosdoshmërisht e mjaftueshme për të garantuar kënaqësinë e udhëtarëve. Pastërtia, çmimet e arsyeshme dhe qasja e lehtë në shërbimet bazë mbeten ndër faktorët që ndikojnë në përvojën e tyre.
Për udhëtarët që përshkojnë distanca të gjata nëpër Evropë, përfshirë edhe mërgimtarët që udhëtojnë nga Zvicra drejt vendeve të Ballkanit, cilësia e vendpushimeve përgjatë autostradave përbën një element të rëndësishëm të udhëtimit.
Studimi dëshmon se edhe vendet me infrastrukturë të zhvilluar, si Zvicra, kanë hapësirë për përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e kushteve më të favorshme për udhëtarët.