Shërbimi Federal i Inteligjencës i Zvicrës (NDB) mbështetet në një masë të konsiderueshme në bashkëpunimin me shërbimet inteligjente të vendeve partnere. Por ky bashkëpunim mund të vihet gjithnjë e më shumë në pikëpyetje, për shkak të kapaciteteve të kufizuara të institucionit zviceran.
Informacioni është burimi kryesor i fuqisë për shërbimet inteligjente. Një nga mënyrat për sigurimin e tij nga Zvicra është objekti satelitor pranë Leukut, ku përgjohen dhe analizohen rrjedhat ndërkombëtare të të dhënave. Megjithatë, po aq i rëndësishëm, në mos edhe më shumë, është shkëmbimi i drejtpërdrejtë i informacionit me shërbimet homologe të vendeve të tjera.
Zvicra paraqet një terren me interes për shërbimet e huaja të inteligjencës, për shkak të pranisë së institucioneve ndërkombëtare në Gjenevë, industrisë farmaceutike në Bazel dhe qendrës financiare në Cyrih.
Ndërkohë, Shërbimi Federal i Inteligjencës i Zvicrës ka kapacitete relativisht të kufizuara. Aktualisht, ai ka rreth 450 punonjës dhe mbështetet në bashkëpunimin me agjencitë partnere jashtë vendit.
Të dhënat për vitin 2025 tregojnë se Zvicra ka pranuar më shumë se 13 mijë raporte nga shërbimet e huaja të inteligjencës, ndërsa në drejtim të partnerëve ka përcjellë informacione në më pak se 3 mijë e 900 raste. Pra, numri i informacioneve të pranuara është më shumë se tri herë më i lartë sesa ai i informacioneve të shkëmbyera nga pala zvicerane.
Eksperti i sigurisë Ralph Weber vlerëson se, si një shtet relativisht i vogël, Zvicra duhet të mbështetet në aleanca dhe bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve mike.
“Megjithatë, kjo bëhet gjithnjë e më e vështirë kur ke shumë më pak për të ofruar në krahasim me partnerët. Shërbimi inteligjent zviceran është shumë herë më i vogël se, për shembull, ai i Gjermanisë apo Mbretërisë së Bashkuar”, thekson Weber.
Debat për rritjen e kapaciteteve
Deputeti i Këshillit Kombëtar nga Partia Qendra, Reto Nause, thotë se Zvicra po përpiqet të kompensojë vonesat në këtë fushë. Aktualisht është duke u rishikuar Ligji për Shërbimin e Inteligjencës.
“Kur nuk ke investuar në këtë instrument për 30 vjet, përparimi natyrshëm është më i ngadalshëm. Kjo përbën edhe rrezik për reputacionin tonë”, deklaron Nause.
Ndryshimet e propozuara në ligj synojnë t’i japin Shërbimit Federal të Inteligjencës kompetenca më të mëdha, ndër të tjera edhe në fushën e kundërzbulimit dhe aktiviteteve të inteligjencës.
Në një përgjigje për SRF-në, ky institucion ka theksuar se, për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë, pritshmëritë për bashkëpunim ndërkombëtar po rriten vazhdimisht.
Sipas tij, për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave dhe për të mbetur partner i besueshëm, është thelbësore që Shërbimi Federal i Inteligjencës të ketë në dispozicion kapacitetet dhe burimet e nevojshme.
Megjithatë, rritja e mëtejshme e buxhetit dhe personelit të këtij institucioni mbetet çështje e debatueshme.
Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Fabian Molina, vë në pah problemet e mëparshme në menaxhimin dhe organizimin e shërbimit inteligjent. Sipas tij, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të numrit të punonjësve gjatë viteve të fundit, institucioni është përballur me një sërë skandalesh.
“Për këtë arsye, është e qartë se shërbimi inteligjent duhet fillimisht ta përfundojë procesin e transformimit të brendshëm, para se të kërkojë financim shtesë”, shprehet Molina.
Propozimi për bashkëpunim më të ngushtë me Japoninë dhe Korenë e Jugut
Një qasje tjetër vjen nga deputeti i Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Walter Gartmann, i cili kërkon forcimin e shërbimit inteligjent dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, veçanërisht në raport me Kinën.
Sipas tij, Zvicra duhet të intensifikojë shkëmbimin e informacioneve me Japoninë dhe Korenë e Jugut.
“Para së gjithash mendoj për Korenë e Jugut dhe Japoninë. Duhet të zhvillojmë bisedime me këto vende dhe të shkëmbejmë informacione inteligjente”, thotë Gartmann.
Interesat kombëtare përcaktojnë shkëmbimin e informacionit
Pavarësisht marrëveshjeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, shkëmbimi i informacionit inteligjent mbetet një proces ku secili shtet i vendos interesat e veta në plan të parë.
Eksperti i sigurisë Ralph Weber thekson se vendet partnere i shqyrtojnë me kujdes informacionet që ndajnë dhe përcaktojnë se me kë dhe në çfarë mase i shkëmbejnë ato.
“Është një lojë në të cilën, në fund të fundit, secili pjesëmarrës përfaqëson interesat kombëtare të vendit të vet”, shprehet Weber.
Zvicra ka shumë përparësi në këtë fushë, por duhet të sigurohet që edhe informacioni inteligjent të mbetet një prej tyre.