Gjenden rrënojat e aeroplanit me 49 persona që u rrëzua në Rusi

Shërbimet ruse të shpëtimit kanë gjetur rrënojat e një aeroplani që u zhduk rreth 16 km nga destinacioni i tij në rajonin e largët lindor të Amurit, përcjell albinfo.ch.

Aeroplani An-24 i linjës ajrore Angara, që mbante 43 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit, ishte nisur nga Blagoveshchensk, afër kufirit kinez, dhe u zhduk nga radari ndërsa po i afrohej aeroportit Tynda, thanë zyrtarët e emergjencave.

Guvernatori rajonal i Amurit, Vasily Orlov, tha se “të gjitha burimet e nevojshme” ishin vendosur për të gjetur aeroplanin. Pesë fëmijë ishin midis atyre në bord, shtoi ai.

Menjëherë më pas, ministria ruse e emergjencave tha se një helikopter rus i aviacionit civil kishte vënë re trupin e djegur të aeroplanit. Askush nuk mendohet të ketë mbijetuar, thonë raportet.

Qendra e mbrojtjes civile e Amurit tha se aeroplani ishte gjetur në një shpat kodre, rreth 16 km nga Tynda, raportoi agjencia e lajmeve Tass. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregonin rrënojat e aeroplanit që digjeshin në pyll të dendur.

Hetimet paraprake po shqyrtojnë ose gabimin e pilotit në kushte të këqija moti, ose mosfunksionimin teknik, sipas zyrtarëve të emergjencave.

Aeroplani An-24 kishte qenë në pjesën e fundit të një itinerari nga Khabarovsk, në juglindjen e largët të Rusisë.

Antonov 24 i linjës ajrore Angara raportohet të jetë rreth 50 vjeç dhe ka pasur probleme në të kaluarën.

Një An-24RV doli nga pista teksa ulej në aeroportin e Nizhneangarsk, në korrik 2019. Dy anëtarë të ekuipazhit të fluturimit u vranë.

Në vitin 2011, një tjetër Angara An-24 u rrëzua në lumin Ob në Siberi, duke vrarë shtatë pasagjerë.

https://x.com/nexta_tv/status/1948283950834606227?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1948283950834606227%7Ctwgr%5E3e60ef4ec63340740611847db2e622560ef5325e%7Ctwcon%5Es1_&ref_url=https%3A%2F%2Ftelegrafi.com%2Fgjenden-rrenojat-e-aeroplanit-49-persona-qe-u-rrezua-ne-rusi%2F

A është Sunny Hill,më shumë se një festival?

Festivali Sunny Hill është rikthyer këtë gusht në Prishtinë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të muzikës në Evropë, përcjell albinfo.ch.

Nga data 1 deri më 3 gusht, kodrat pranë kryeqytetit do të mbushen me yje botërorë si Dua Lipa, Shawn Mendes, Peggy Gou, Fatboy Slim e të tjerë, por më shumë se kaq, do të ringjallin shpirtin e një kombi që përmes muzikës kërkon të dëgjohet në mbarë botën.

Që prej nisjes së tij në vitin 2018 nga Dukagjin dhe Dua Lipa, Sunny Hill ka qenë më shumë se një event muzikor – një platformë që ka ndihmuar Kosovën të gjejë zërin e saj në hartën globale, shkruan Newsbreak.

Që nga sfidimi i hartave digjitale që e injoronin Kosovën, e deri te ndërhyrjet në ndihmë pas tërmetit në Shqipëri, festivali është kthyer në një simbol të aktivizmit kulturor dhe solidaritetit rajonal.

Në vitin 2022, festivali u bë zë i fuqishëm në fushatën për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Momente si ai kur J Balvin mbështolli veten me flamurin kosovar dhe iu drejtua turmës me mesazhe shprese, u bënë virale dhe ndikuan në rritjen e presionit ndërkombëtar. Rezultati? Më 1 janar 2024, BE hoqi vizat për kosovarët.

Për të përballuar rritjen dhe për të përmirësuar përvojën, në vitin 2024 festivali u zhvendos në një park të ndërtuar enkas në Bernicë.

Hapësira e re, me kapacitet deri në 100 mijë njerëz, tashmë krahasohet me festivale si Coachella, jo vetëm për madhësinë por edhe për ndikimin.

Sunny Hill sjell çdo vit mbi 50 milionë dollarë të ardhura për Prishtinën dhe shndërron Kosovën në një destinacion të rëndësishëm turistik dhe kulturor.

Kur Dua Lipa të ngjitet në skenë këtë verë, ajo nuk do të performojë vetëm si artiste, por si një zë që përfaqëson shpresën, identitetin dhe të ardhmen e një kombi të vogël që po bën zhurmë të madhe.

Greta Thunberg proteston në Tiranë, thërret në shqip: Liri për Palestinën

Siç ishte paralajmëruar, aktivistja suedeze me famë ndërkombëtare, Greta Thunberg, protestoi pasditen e kësaj të mërkure në sheshin “Skënderbej”, për të ngritur “zërin” për vuajtjet e popullit palestinez, të shkaktuara nga Izraeli.

Protesta nisi në orën 18:00 dhe u zhvillua nën moton “Ndaloni urinë, lejoni ushqimin dhe jetën”, përcjell albinfo.ch.

Numri i të pranishmëve në këtë protestë ishte jo i vogël. Ata mbrojtën fort kauzën e tyre dhe kërkuan me ngulm ndalimin e luftës në Gaza, me anë të deklaratave të ndryshme që përcillnin solidarizimin e madh me palestinezët në Gaza.

Në disa momente, aktivistja Thunberg dukej teksa bënte thirrje në shqip: “Liri për Palestinën.” Gjithashtu, në fjalën e saj ajo theksoi se arsyeja pse lufta në Gaza ka degraduar në gjenocid është heshtja e vazhdueshme e komunitetit ndërkombëtar ndaj akteve të Izraelit, që kanë ardhur duke u përshkallëzuar.

“Gaza ka hyrë në fazën e pestë të kequshqyerjes, ndërkohë që në anën tjetër të kufirit mijëra kamionë me ndihma ushqimore presin për të hyrë. Kjo është pasojë direkte e heshtjes së botës që e lejoi Izraelin të kryente këtë gjenocid. Kjo është në vazhdim të politikave të paligjshme të Izraelit, që ka shkatërruar furrat e bukës për të vazhduar fushatën e urisë në Gaza. Shterimi i resurseve natyrore, ndryshimi klimatik shkojnë dorë më dorë me shtypjen dhe palestinezët po e dëshmojnë këtë në radhë të parë. Ne po jetojmë në një kohë që karakterizohet nga gjenocidi dhe katastrofat natyrore. Gjenocidi në Gaza, krimet humanitare në botë dhe eskalimi i ngrohjes globale kanë të njëjtin shkak. Nëse vrasja e miliona njerëzve në Gaza nuk është e mjaftueshme për t’ju ngritur nga divani, çfarë do të jetë tjetër?”, tha Thunberg në sheshin kryesor të kryeqytetit.

Pas fjalimeve të mbajtura nga disa prej protestuesve në sheshin “Skënderbej”, pjesëmarrësit tentuan të marshojnë drejt Kryeministrisë, por u penguan nga policia.

Mbi 100 organizata humanitare dhe të të drejtave të njeriut u bënë thirrje qeverive të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur përhapjen e urisë në Gazë.

Ato, gjithashtu, kërkuan armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm, si dhe heqjen e të gjitha pengesave për shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Në deklaratën e nënshkruar nga 111 organizata, përfshirë Mercy Corps, Këshillin Norvegjez për Refugjatët dhe Refugees International, paralajmërohet se uria në Gazë po përhapet me shpejtësi të madhe, ndërkohë që ndihmat jetike, si ushqimi, uji dhe barnat, qëndrojnë të pashpërndara pranë kufirit, pasi organizatave humanitare u ndalohet të veprojnë.

Në pamundësi për të realizuar marshimin drejt Kryeministrisë, pasi nuk u lejuan nga policia, protestuesit në mbështetje të Palestinës marshuan në sheshin “Skënderbej”.

Aeroplani me 49 persona në bord zhduket në Rusi

Raportohet se një aeroplan me 49 persona në bord është zhdukur në lindje të Rusisë dhe kërkimet po vazhdojnë, përcjell albinfo.ch.

Ndërkohë, autoritetet kanë thënë se aeroplani i linjës ajrore siberiane “Angara” është zhdukur nga radari ndërsa po i afrohej destinacionit Tynda, një qytet në rajonin kufitar me Kinën.

Guvernatori rajonal, Vasily Orlov, ka thënë se sipas të dhënave, 43 pasagjerë ishin në bord, përfshirë pesë fëmijë dhe gjashtë anëtarë të ekuipazhit.

Mediat ruse kanë raportuar se aeroplani po fluturonte në drejtimin Khabarovsk-Blagoveshchensk-Tynda dhe se kontakti me të ka humbur.

Itali: Shqiptari tenton të vrasë një bashkëkombas, arrestohet nga policia

Raportohet se një 43-vjeçar shqiptar është arrestuar nga autoritetet italiane në kufirin e Ventimiglia-s, teksa po kthehej nga Franca, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se ai ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane, pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë me thikë një 30-vjeçar, bashkëqytetarin e tij, po ashtu shqiptar. Ngjarja ndodhi mëngjesin e 16 Korrikut në parkingun e qendrës tregëtare Gran Reno, në Casalecchio, në afërsi të Bolonjës.

Referuar raportimeve të mediave përtej Adriatikut, 43-vjeçar i armatosur me thikë, e goditi dy herë bashkëqytetarin e tij shqiptar, një herë në shpinë dhe një herë në qafë, përpara se të arratisej, duke u larguar jashtë vendit. Hetuesve nuk u desh shumë punë për të zbardhur ngjarjen, pasi 43-vjeçari ishte filmuar nga kamerat e sigurisë në zonë.

Autori dyshonte se 30-vjeçari që plagosi ishte i dashuri i bashkëshortes së tij dhe dyshimet e autoriteteve janë se kemi të bëjmë me një krim pasioni. 43-vjeçari shqiptar është një banor i ligjshëm i Pianoro-s, me një precedent të mëparshëm penal për trafik droge.

30-vjeçari mbeti i plagosur rëndë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën, teksa u dërgua me urgjencë në Spitalin Maggiore pas sulmit dhe vijon të jetë ende i shtruar në këtë spital. Klientët e tjerë të qendrës tregtare e vunë re atë duke u shemb në dysheme në një pellg gjaku dhe ngritën alarmin. Thika e përdorur u gjet pak më vonë nga oficerët, e braktisur pranë parkingut të qendrës tregtare.

Nuk është e qartë nëse autori 43-vjeçar, menjëherë pasi u largua nga Shopville, u nis për në Francë dhe më pas, ndoshta duke menduar se gjërat mund të ishin qetësuar, vendosi të kthehej natën tjetër. Këto çështje do të duhet të sqarohen nga karabinierët, ndërsa shqiptari, aktualisht i ndaluar në burgun e Sanremos,  do të intervistohet nga gjykatësi për seancën e tij paraprake dëgjimore.

Granit Musliu përfaqëson Kosovën në garën prestigjioze “Operalia 2025”

Tenori i njohur nga Kosova, Granit Musliu, është përzgjedhur të marrë pjesë në “Operalia 2025”, një nga garat më prestigjioze ndërkombëtare të operës, e themeluar nga legjenda Plácido Domingo. Mes mbi 500 tenorëve nga mbarë bota, Musliu është përzgjedhur për të performuar në këtë ngjarje që sivjet mbahet në Bukuresht, në tetor, përcjell albinfo.ch.

Në një intervistë për Radio Kosova 2, ai u shpreh: “Të këndosh nën dirigjimin e Plácido Domingo është një ëndërr që po bëhet realitet dhe një nder i jashtëzakonshëm për mua dhe për Kosovën.”

Aktualisht solist në Operën Shtetërore të Mynihut, Musliu ka debutuar me sukses këtë sezon në rolin e Kassios në operën “Otello” të Verdit. Për sezonin e ardhshëm ai ka të konfirmuar paraqitje në Lozanë, Kopenhagë dhe Hamburg.

I lindur në Mitrovicë, Musliu konsiderohet një nga zërat më premtues të operës shqiptare. Ai pritet të rikthehet këtë vit në Kosovë për një koncert special.

Kosova më parë ka shënuar sukses në këtë garë përmes tenorit Ramë Lahaj, i cili në vitin 2016 zuri vendin e tretë në “Operalia”.

Përditësimi i të dhënave, kjo është gjendja në të gjitha pikat kufitare

Tash e disa ditë mërgimtarët kanë nisur të vijnë për pushime në Kosovë, mirëpo deri më tani nuk janë krijuar kolona të shumta në hyrjet dhe daljet e pikave kufitare, përcjell albinfo.ch.

Referuar përditësimit të fundit nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, situata paraqitet e qetë në të gjitha pikat.

Me rritjen e ardhjeve të mërgimtarëve, autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të informohen paraprakisht për gjendjen në kufi, për të shmangur pritjet e gjata gjatë ditëve në vijim.

Frutat që ruajnë shëndetin e trurit dhe zemrës gjatë ditëve të nxehta

Në ditët me temperatura të larta, trupi humb shumë lëngje për shkak të djersitjes, ndaj ekspertët rekomandojnë konsumimin e frutave të freskëta dhe të pasura me ujë për të ruajtur hidratimin dhe shëndetin.

Sipas The New York Post, ndër frutat më të mira janë shalqiri dhe pjepri, të cilët përmbajnë sasi të larta uji, elektrolite, vitamina dhe antioksidantë. Po ashtu, pjeshkat kanë rreth 89% ujë dhe janë ideale për hidratim, së bashku me nektarinat dhe kumbullat, sipas USDA. Përveçse kanë pak kalori, këto fruta janë të pasura me antioksidantë që sjellin përfitime të shumta shëndetësore.

Frutat që përmbajnë ujë dhe elektrolite ndihmojnë trupin të zëvendësojë lëngjet e humbura nga i nxehti veror. Dietologia Vandana Seth thekson se pjeshkat janë të pasura me fibra, vitaminë C dhe kalium, të cilat mbështesin tretjen, imunitetin dhe shëndetin e zemrës. Një pjeshkë mesatare ka rreth 285 miligramë kalium, mineral që luan rol të rëndësishëm në funksionimin e sistemit nervor, veçanërisht te gratë, sipas National Institute of Health.

CDC ka paralajmëruar se niveli i ulët i konsumit të kaliumit lidhet me rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Për shkak të përmbajtjes së lartë të antioksidantëve dhe flavonoideve, pjeshkat ndihmojnë në uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe përmirësojnë kujtesën dhe funksionet njohëse. Ato përmbajnë edhe karoten, i cili ka veti antiinflamatore dhe mbështet shëndetin e lëkurës.

Seth shton se antioksidantët që përmbajnë pjeshkat mund të mbrojnë trupin nga dëmtimet qelizore që lidhen me kancerin. Ndërkohë, profesoresha Mary Ann Lila nga Universiteti i Carolinas ka theksuar për The New York Times se pjeshkat kanë dy grupe të veçanta pigmentesh që nuk gjenden në fruta dhe perime të tjera.

Konsumimi i pjeshkave me lëkurë ofron 4% të nevojës ditore për vitaminë A dhe 13% për vitaminë C, së bashku me fibra që përmirësojnë tretjen dhe shëndetin e zorrëve. Pjeshka përmban rreth 13 gramë sheqer natyral, i cili kur kombinohet me proteina dhe yndyra të shëndetshme, bëhet alternativë e mirë për ata që dëshirojnë të shmangin ëmbëlsirat e dëmshme. Ky kombinim ndihmon gjithashtu në stabilizimin e nivelit të sheqerit në gjak duke ngadalësuar përthithjen e tij.

 

 

Gjuha shqipe në diasporë, sfidat në 15 vitet e fundit, angazhimi për të mbajtur gjallë gjuhën amtare

Mësimi i gjuhës shqipe nga fëmijët e diasporës vazhdon ende të përballet me sfida. Shtimi i vullnetarëve për mbajtjen gjallë të gjuhës amtare e ka rritur vetëdijesimin e emigrantëve, por kjo nuk e ka ndalur rënien e numrit të tyre përgjatë 15 viteve të fundit. Vaxhid Sejdiu anëtar i këshillit koordinues të diasporës flet për angazhimin e madh në këtë drejtim, për sa u takon disa prej kantoneve në Zvicër.

“Ka pasur rënie, por këto 4 vitet e fundit është punuar shumë në këtë drejtim”, thotë ai.

Sejdiu thotë se funksionimi i një klase kërkon disa muaj përgatitje duke nisur nga kërkesa në drejtorinë e shkollës zvicerane e deri tek njoftimi i prindërve në forma të ndryshme.

“Është ndryshe nga Gjermania sepse ne jemi te integruar në shkollën zvicerane”.

Në shkollat ku mësohet Gjuhë dhe Letërsi shqipe, kërkesa nuk vjen vetëm nga fëmijë të lindur nga prindër shqiptar dhe të rritur larg atdheut, por edhe nga vetë zviceranët.

“Zviceranët që janë martuar me shqiptarë, ose zviceranë për arsye biznesi”, thekson më tej Sejdiu.

Nga eksperienca shumëvjeçare si mësues i gjuhës shqipe Sejdiu vë re se mungesa e mësimit të shqipes shpesh bëhet pengesë për kthimin e fëmijëve të diasporës në Shqipëri.

“Kthehet në pengesë pasi ata mbarojnë shkollën por nuk dinë gjuhën shqipe”, tha ai.

Sejdiu pohon se deri tani nuk ka mungesë të teksteve shkollore as nga Ministria e Arsimit nga Shqipëria as nga ajo kosovare, ndërsa liston disa kërkesa.

”Nuk kemi pasur mungesa, por duam 1,2, 3”, shton më tej.

Pak ditë më parë nxënës të gjuhës shqipe nga diaspora vizituan ambientet e RTSH. Një nisme kjo nga Agjencia Kombëtare dhe Qendra e Botimeve të Diasporës, në kuadër një turi  disaditor në Shqipëri pjesë e programit shkolla verore “Jam shqiptar’/rtsh

 

 

Cila do të jetë kundërpërgjigja e BE-së në raport me tarifat e Trump-it?

Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së tarifave ndëshkuese ndaj mallrave amerikane me vlerë rreth 100 miliardë euro, nëse deri javën e ardhshme nuk arrihet një marrëveshje tregtare me Shtetet e Bashkuara. Këto tarifa do të prekin produkte të ndryshme amerikane, përfshirë uiski, automjete dhe aeroplanë Boeing.

Komisioni Evropian bëri të ditur se po planifikon të bashkojë dy lista të mëparshme të produkteve amerikane që do të përfshihen në masat ndëshkuese, të cilat arrijnë në total mbi 90 miliardë euro. Nëse propozimi miratohet nga shtetet anëtare, masat mund të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Olof Gill, theksoi se BE-ja preferon arritjen e një marrëveshjeje, por po përgatitet edhe për skenarin tjetër në rast dështimi të bisedimeve. Ai u shpreh se bashkimi i këtyre listave i bën masat kundërshpaguese më të qarta dhe më të fuqishme.

Këto zhvillime erdhën pasi presidenti amerikan Trump kërcënoi me vendosjen e një tarife prej 30% ndaj të gjitha importeve evropiane. Përballë këtyre kërcënimeve, BE po konsolidon pozicionin e saj, ndërsa Gjermania tashmë mbështet aplikimin e “Instrumentit Kundër Detyrimit” (ACI), i cili do të lejonte vendosjen e tarifave dhe ndalimin e disa shërbimeve amerikane, duke prekur sidomos sektorin e teknologjisë.

Industria evropiane e automjeteve ka ndjerë tashmë ndikim të madh financiar, me kompani si Stellantis dhe Volvo që kanë raportuar humbje të konsiderueshme. Presidenti francez Macron dhe kancelari gjerman Merz kanë kërkuar prej kohësh një reagim më të ashpër nga BE-ja ndaj presionit të SHBA-së.

Megjithatë, analistët mendojnë se zgjidhja përfundimtare mund të vijë vetëm përmes një takimi direkt mes Trump dhe liderëve evropianë, ndërkohë që BE-ja po përgatitet edhe për samitin e saj me Kinën, ku pritet të diskutohet për balancimin e marrëdhënieve tregtare dhe sfidat e eksportit të metaleve të rralla që po prekin rëndë industrinë gjermane.

Swiss rifillon fluturimet drejt Tel Avivit

Pas situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, kompania ajrore zvicerane Swiss kishte pezulluar disa herë fluturimet drejt Tel Avivit. Tani, ajo ka njoftuar se do të rifillojë operimin e kësaj linje.

Fluturimet drejt Tel Avivit do të rifillojnë më 29 shtator, me një fluturim ditor të operuar nga Airbus A330, me numrin e fluturimit LX252, transmeton albinfo.ch.

Ndërkohë, lidhja me Bejrutin do të rifillojë siç ishte planifikuar më 3 gusht, pasi edhe kjo linjë ishte pezulluar përkohësisht.

 

Ministri zviceran i Transportit i hapur për një përpjekje të dytë për zgjerimin e autostradave

Në më pak se një vit nga momenti kur votuesit hodhën poshtë zgjerimin e autostradave të Zvicrës, një koalicion konservator po synon të zbatojë disa nga projektet e planifikuara. Këshilltari Federal Albert Rösti po i mbështet këto iniciativa.

Aktualisht, natë pas nate, po zhvillohen punime në autostradën urbane të St. Gallen. Rreth 100 punëtorë po rinovojnë tunelin Rosenberg, dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, puna pritet të përfundojë pas dy vitesh. Megjithatë, Zyra Federale e Rrugëve parashikon një rinovim edhe më të gjerë të këtij tuneli pas më shumë se dhjetë vitesh, gjë që do të kërkonte mbylljen e gjatë të tubave ekzistues, transmeton albinfo.ch.

“Ky devijim do të ishte i padurueshëm për popullatën dhe ekonominë,” theksoi këshilltari kantonal i FDP-së në St. Gallen, Oskar Seger, duke shtuar se rreth 40,000 automjete do të kalonin çdo ditë nëpër qytet gjatë punimeve. Për këtë arsye, ata propozojnë ndërtimin e një tuneli të tretë.

Projekte të reja tunelesh në lindje të Zvicrës

FDP po bashkëpunon me SVP dhe partinë qendrore në të gjithë Zvicrën Lindore. Ata janë të shqetësuar edhe për tunelin Fäsenstaub në Schaffhausen, i cili gjithashtu ka nevojë për rinovim të thelluar. Për këtë, partitë konservatore po kërkojnë ndërtimin e një tuneli shtesë edhe atje. Iniciativa kantonale janë nisur në të pesë kantonet e Zvicrës Lindore.

Në St. Gallen, Thurgau dhe Schaffhausen, parlamentet kantonale i kanë referuar tashmë këto propozime në parlamentin federal. Në dy kantonet Appenzell, miratimi i iniciativave pritet gjatë vjeshtës. Ndërkohë, Dhomat e Tregtisë të Basel-Stadt dhe Basel-Landschaft po përgatisin një iniciativë kantonale për ndërtimin e tunelit të Rin-it.

Kritika nga e majta

E majta kundërshton fuqishëm këtë qasje. Udhëheqësja e grupit parlamentar të të Gjelbërve, Aline Trede, deklaroi se pretendimi se rrugët e reja do të zgjidhin problemet e trafikut nuk është i vërtetë:

“Statistikat tregojnë qartë se ndërtimi i më shumë rrugëve dhe tuneleve sjell më shumë trafik, dhe këtë nuk e duam,” tha Trede.

Ajo theksoi gjithashtu se është problematike në aspektin demokratik që të tentohet realizimi i gjysmës së projekteve të refuzuara nga votuesit në nëntor, duke shtuar se në situatën aktuale klimatike, ndërtimi i më shumë rrugëve është zgjedhja e gabuar.

Argumentet e FDP-së dhe qëndrimi i ministrit Rösti

Nga ana tjetër, këshilltari kantonal i FDP-së, Seger, thekson se votimi i vitit të kaluar përfshinte një paketë me gjashtë projekte të ndryshme dhe se kantonet lindore i kishin mbështetur fuqimisht projektet e tyre. Sipas tij, është legjitime që qeveria federale t’i zbatojë ato.

Ministri i Transportit, Albert Rösti, ka shprehur mbështetje, duke deklaruar së fundmi se mund të rishikohen projektet e tunelit në St. Gallen, Schaffhausen dhe Basel, pasi janë zonat me ngarkesat më të mëdha të trafikut dhe ndërtimi i tunelit rrit edhe reziliencën e atyre ekzistues.

E ardhmja e projekteve të zgjerimit

Prandaj, parlamenti federal do të duhet të merret përsëri me çështjen e zgjerimit të autostradave. Në fund, votuesit mund të jenë sërish ata që do të japin fjalën e fundit.

Megjithatë, një paketë zgjerimi vetëm për Zvicrën Lindore dhe rajonin e Basel-it do të kishte pak gjasa të miratohej në rang kombëtar, pasi pjesa tjetër e vendit do të ishte e vështirë të bindet për një shpenzim prej miliarda frangash nga i cili përfitojnë vetëm një apo dy rajone.

Zvicra humbet miliarda nga blerjet jashtë vendit

Blerjet jashtë vendit dhe ulja e konsumit në segmentet e kohës së lirë dhe hobeve kanë bërë që sektori i shitjes me pakicë në Zvicër të ketë një gjysmëve të parë të vitit të vështirë. Vetëm biznesi online ka pësuar një rritje të lehtë.

Rënia e shitjeve Sipas Federatës Zvicerane të Tregtisë me Pakicë, pritet një rënie e shitjeve prej 1.9% në periudhën janar-qershor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Analiza bazohet në transaksionet e kartave të debitit dhe kreditit, transmeton albinfo.ch.

Segmentet që humbasin më shumë Sipas shoqatës, shitoret fizike janë veçanërisht nën presion, me një rënie të parashikuar prej 2.2%. Segmentet më të goditura janë:

Kohë e lirë, hobe, lodra

Rroba dhe këpucë

Ora dhe bizhuteri

Ushqimi mbetet i qëndrueshëm, ndërkohë që biznesi online pritet të rritet me 0.8%. Vitin e kaluar, tregtia online zvicerane u godit nga konkurrenca e platformave kineze si Temu dhe Shein.

Problemi i turizmit të blerjeve

Edhe pse Këshilli Federal e ka përgjysmuar limitin pa doganë nga 300 CHF në 150 CHF për person në ditë që nga fillimi i vitit, Federata e Tregtisë me Pakicë thotë se kjo nuk ka sjellë efekt të ndjeshëm. Drejtoresha Dagmar Jenni deklaroi se do të preferonin një limit prej 50 CHF, si dhe më pak rregullime dhe kontribute sociale për kompanitë zvicerane, për të lehtësuar konkurrencën e ashpër.

Parashikimet për pjesën tjetër të vitit

Shoqata shprehet me optimizëm të kujdesshëm, duke pritur një gjysmëve të dytë më të mirë, me rritje të lehtë të shitjeve fizike dhe stabilitet të vazhdueshëm online. Megjithatë, nuk priten rritje të mëdha.

 

 

Studim i ri: Pirja e kafes ndalon plakjen e qelizave njerezore 

Një studim i fundit nga Queen Mary University of London ka nxjerrë në pah një zbulim të rëndësishëm që lidh konsumimin e kafesë me ngadalësimin e procesit të plakjes. Sipas studiuesve, përbërësi kryesor i kafesë — kafeina — është në gjendje të aktivizojë një enzimë të quajtur AMPK (adenosine monophosphate-activated protein kinase), e cila funksionon si një “sensor energjie” brenda qelizave.

Kur nivelet e energjisë në trup bien, kjo enzimë ndizet dhe aktivizon një sërë procesesh mbrojtëse dhe riparuese: ndihmon në riparimin e ADN-së, lufton stresin oksidativ dhe ndalon përhapjen e qelizave të dëmshme.

Çfarë treguan eksperimentet?

Në testime laboratorike me qeliza maja fuzioni, të ngjashme me ato njerëzore, u vu re se një dozë kafeine ekuivalente me dy deri në tre filxhanë kafe ekspres në ditë, rriti jetëgjatësinë e qelizave deri në 24%. Këto qeliza jo vetëm që plakeshin më ngadalë, por treguan edhe një rezistencë më të lartë ndaj dëmtimeve gjenetike.

Ajo që e bën këtë zbulim edhe më të rëndësishëm është fakti se njerëzit ndajnë të njëjtën rrugë qelizore si ky mekanizëm, të cilin shkencëtarët prej kohësh janë përpjekur ta stimulojnë në mënyrë natyrale.

Kosova ndalon importin e derrave dhe produkteve të tyre nga Kroacia 

Pas konfirmimit të shpërthimit të Murtajës Afrikane të Derrave (MAD) në rajonet Osjecko Baranjska dhe Vukovarsko Srijemska të Kroacisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) njoftoi sot, më 23 korrik 2025, se ka vendosur masën e ndalimit të përkohshëm të importit të derrave të gjallë, produkteve, nënprodukteve dhe materialit gjenetik të derrit nga Kroacia.

Masa u mor për të parandaluar përhapjen e sëmundjes në Kosovë, pasi MAD është një sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike dhe ka letalitet deri në 100% tek derrat e butë dhe të egër. Autoritetet sqaruan se:

Sëmundja nuk transmetohet tek njerëzit, por ka ndikim të madh ekonomik.

Transmetimi ndodh përmes kontaktit direkt mes kafshëve, pajisjeve të kontaminuara, ushqimit apo lëvizjeve të njerëzve nga fermat e infektuara.

Aktualisht në Kosovë nuk është raportuar asnjë rast i dyshuar. AUV po vazhdon monitorimin dhe inspektorët veterinarë janë aktivë në terren për të mbajtur situatën nën kontroll.

Autoritetet kufitare (Policia e Kosovës, Doganat e Kosovës dhe AUV) kanë ngritur nivelin e kontrollit në të gjitha pikat kufitare për të parandaluar hyrjen e mallrave të ndaluara në territorin e Republikës së Kosovës.

OBSH paralajmëron për përhapjen e virusit chikungunya nga mushkonjat

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë një thirrje urgjente për të parandaluar rikthimin e epidemisë së virusit chikungunya, i cili transmetohet përmes pickimeve të mushkonjave dhe kishte shkaktuar shpërthime të mëdha globale rreth 20 vite më parë.

Shqetësimi aktual lidhet me shpërthime të reja në rajonin e Oqeanit Indian, të cilat tashmë janë duke u përhapur edhe në Evropë dhe kontinente të tjera.

Sipas zyrtares së OBSH-së, Diana Rojas Alvarez, mbi 5.6 miliardë njerëz në 119 shtete jetojnë në zona me rrezik të lartë nga ky virus, i cili shkakton ethe të forta dhe dhimbje të vazhdueshme në nyje, duke çuar edhe në paaftësi afatgjate tek shumë të infektuar.

“Po shohim përsëritjen e historisë,” tha Alvarez, duke krahasuar situatën aktuale me epideminë e viteve 2004-2005, që fillimisht preku rreth gjysmë milioni njerëz në ishujt e vegjël të Oqeanit Indian, para se të përhapej në mbarë botën.

Sipas saj, vala e fundit ka filluar në fillim të vitit 2025, me shpërthime në të njëjtët ishuj të prekur më parë, përfshirë La Reunionin dhe Mauritiusin. Në La Reunion, raportohet se virusi ka infektuar tashmë rreth një të tretën e popullsisë.

Përveç këtyre, raste të shumta janë regjistruar edhe në Madagaskar, Somali, Kenia, Indi dhe Azinë Juglindore.

Një shqetësim i veçantë është rritja e rasteve të importuara në Evropë. Vetëm në Francë, që nga 1 maji, janë raportuar rreth 800 raste të importuara.

Virusi chikungunya nuk ka trajtim specifik dhe ka potencial për shpërthime të shpejta nëse nuk merren masa parandaluese, thekson OBSH-ja. Parandalimi mbetet thelbësor, përmes përdorimit të insekticidëve dhe veshjeve mbrojtëse me mëngë të gjata, pasi mushkonjat pickojnë gjatë ditës.

Aeroporti i Cyrihut po konfiskon gjithnjë e më shumë sende të rrezikshme

Gjatë vitit të kaluar, personeli i sigurisë në Aeroportin e Cyrihut ka konfiskuar rreth 180,000 sende të rrezikshme nga bagazhet e pasagjerëve. Nga këto, rreth 140,000 ishin në bagazhet e dorëzuara dhe rreth 40,000 në bagazhet e dorës.

Rritje e madhe e sendeve të rrezikshme

Numri i këtyre sendeve po rritet ndjeshëm vit pas viti. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, janë konfiskuar 80,000 sende të rrezikshme nga bagazhet e dorëzuara dhe 20,000 nga bagazhet e dorës, transmeton albinfo.ch.

“Pasagjerët po marrin gjithnjë e më shumë pajisje elektronike me bateri,” shpjegon Rolf Blöchliger, Shefi i Sigurisë në Aeroportin e Cyrihut.

Çfarë konfiskohet më shpesh?

Sipas statistikave të fundit:

Bateri, aku dhe powerbank: 6696 kg

Ndezësa: 1142 kg

Mjete motorike: 844 kg

Kartusha gazi: 773 kg

Mbetje boje: 649 kg

Të tjera: 547 kg

Çfarë konsiderohet “mall i rrezikshëm”?

Sende të tilla si:

Bateritë dhe akumulatorët e fuqishëm

Ndezësa dhe shkrepset

Fishekzjarret (veçanërisht rreth 1 gushtit)

Pasta karburanti, sprajra apo pajisje motorike (si skuterë elektrikë apo motorë të vegjël)

Ndryshe nga sende të ndaluara si gërshërë apo thika të vogla, mallrat e rrezikshme paraqesin rrezik të drejtpërdrejtë fizik ose kimik edhe kur nuk keqpërdoren.

 

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë hap rrugën për “dëmshpërblime” klimatike ndaj vendeve ndotëse

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ) ka vendosur që shtetet që shkelin detyrimet e tyre klimatike po kryejnë një akt “të paligjshëm”. Kjo mund t’u hapë rrugën kërkesave për dëmshpërblime nga vendet më të prekura nga ndryshimet klimatike.

Ky mendim këshillues i paprecedent, i kërkuar fillimisht nga studentët në arkipelagun Vanuatu, u miratua unanimisht nga gjykata më e lartë e OKB-së me seli në Hagë. Tani, ligjvënës, juristë dhe gjykatës në mbarë botën mund të veprojnë për të ndryshuar ligjet ose për të paditur shtetet për mosveprim ndaj krizës klimatike, transmeton albinfo.ch.

“Ndryshimet klimatike të shkaktuara nga emetimet e gazeve serrë përbëjnë një kërcënim urgjent dhe ekzistencial,” deklaroi kryetari i sapozgjedhur i ICJ, gjykatësi japonez Yuji Iwasawa, gjatë një fjalimi dyorësh.

Gjykata rrëzoi gjithashtu argumentin e vendeve më ndotëse se traktatet ekzistuese klimatike dhe procesi vjetor i negociatave COP janë të mjaftueshme.

Sipas Gjykatës, shtetet kanë “detyrime të rrepta për të mbrojtur sistemin klimatik”, duke konfirmuar se klima duhet të mbrohet “për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme”. Megjithatë, vendet kryesore ndotëse refuzojnë të njohin juridikisht të drejtat e personave që ende nuk kanë lindur.

Pjesa më e rëndësishme dhe ndoshta më e kontestuar e këtij mendimi lidhet me kompensimin që u detyrohet vendeve të shkatërruara nga pasojat klimatike. “Pasojat juridike të një akti ndërkombëtarisht të paligjshëm përfshijnë […] dëmshpërblim të plotë për dëmin e pësuar nga shtetet e lënduara, në formën e rikthimit, kompensimit dhe kënaqësisë,” sqaroi Iwasawa.

Gjykata theksoi gjithashtu se duhet provuar një lidhje e drejtpërdrejtë dhe e sigurt shkak-pasojë midis aktit të paligjshëm dhe dëmit, gjë e vështirë për t’u vërtetuar në gjykatë, por “jo e pamundur”, sipas 15 gjyqtarëve të ICJ.

Ky është mendimi i pestë unanim i Gjykatës në 80 vite.

 

Si i tërheq Italia milionerët e huaj me avantazhet e saj fiskale

Italia vazhdon të tërheqë të pasurit e huaj falë regjimit të saj shumë të favorshëm tatimor. Sipas gazetave të grupit Tamedia, dy bankierë zviceranë kanë përfituar kohët e fundit nga ky sistem, i cili u lejon të shmangin pagesën e miliona eurove në taksa kundrejt një pagese vjetore fikse.

Një regjim tatimor i krijuar posaçërisht për të pasurit Që prej vitit 2017, Italia ofron një regjim tatimor të modeluar sipas atij britanik, i cili u mundëson individëve të pasur që vendosin rezidencën tatimore në Itali të paguajnë vetëm një shumë fikse vjetore prej 200,000 euro, duke përfituar nga përjashtimi i plotë për të ardhurat e tyre jashtë vendit – qoftë dividentë, qira, fitime kapitale apo trashëgimi.

Ky regjim mund të zgjerohet edhe te anëtarët e familjes për 25,000 euro shtesë për person. Kështu, një familje me katër persona mund të paguajë teorikisht vetëm 275,000 euro taksa në vit, pavarësisht të ardhurave të tyre globale. Para reformës që hyri në fuqi në gusht 2024, kjo shumë ishte edhe më e ulët: 100,000 euro për tatimpaguesin kryesor.

Avantazhe shtesë

Regjimi është i vlefshëm për 15 vjet.

Nuk ka taksë mbi pasurinë.

Nuk ka detyrim për deklarimin e aseteve jashtë vendit.

Ky sistem synon të tërheqë persona të gatshëm të investojnë në ekonominë italiane, sidomos në sektorët e pasurive të paluajtshme, shërbimeve dhe mallrave luksoze.

MPJD me deklaratë pas arrestimit të kosovarit në Serbi: Të shmangen udhëtimet tranzite

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se autoritetet serbe kanë arrestuar shtetasin e Republikës së Kosovës, Lulzim Halili.

Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi është njoftuar mbrëmjen e 22 korrikut për arrestimin e Halilit në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi, ku ai është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti.

Ministria thekson se Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit direkt me policinë lokale rreth orës 23:00 të mbrëmjes së kaluar, mirëpo zyrtarët serbë kanë refuzuar të japin informata mbi rastin.

Sot, më 23 korrik, Zyra Ndërlidhëse i ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të marrë konfirmim dhe informacione shtesë. Deri në këtë moment, pala serbe nuk ka kthyer përgjigje.

Ndërkohë, për rastin janë njoftuar edhe misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacioni i BE-së.

MPJD njofton se sapo të konfirmohet nëse Halili do të përballet me masë paraburgimi apo procedura penale, Zyra Ndërlidhëse do të parashtrojë kërkesë zyrtare për ta vizituar në Qendrën e Mbajtjes.

Ministria u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të shtuar të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe.

 

 

Zvicër: Sa emra lejoheni të keni në të vërtetë?

Ka shumë arsye pse prindërit u vënë fëmijëve të tyre emra të shumtë: Disa fëmijë kanë edhe emrin e një prindi ose gjyshi, një personi nga rrethi i tyre shoqëror ose një personazhi të famshëm që është i rëndësishëm për ta.

Emrat sipas shenjtorëve janë gjithashtu të zakonshëm për shkak të traditës fetare.

Megjithatë, në rastin e Hubert Wolfeschlegelsteinhausenbergerdorff Sr., numri i emrave merr përmasa komike.

Me 26 emrat e tij, ai është lider në këtë kategori sipas Librit të Rekordeve Botërore Guinness. A do të ishte e mundur një varg kaq i gjatë emrash në vendin tonë?

Numri i emrave është i pakufizuar, por…

Në Zvicër nuk ka rregullore në lidhje me numrin e emrave që mund t’i jepen një fëmije. “Në versionin e ri të regjistrit të gjendjes civile, nuk ka më një kufizim karakteresh”, thotë David Rüetschi, kreu i Zyrës Federale të Gjendjes Civile, raporton SRF, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, numri i karaktereve në kartat e identitetit është i kufizuar. “Për pasaportat, është 45 karaktere, për kartat e identitetit, 30 karaktere për emrat.” Nëse nuk ka hapësirë të mjaftueshme sepse emrat e regjistruar janë më të gjatë, ato shkurtohen nga fundi.

Rregullat e emërtimit

Nuk ka një listë të emrave që prindërit lejohen t’u japin fëmijëve të tyre. Megjithatë, një emër mund të refuzohet nëse shkel qartë interesat e fëmijës.

“Nëse zyra përgjegjëse e gjendjes civile arrin në përfundimin se fëmija mund të tallet në oborrin e shkollës për shkak të emrit, kërkesa për emër mund të refuzohet.” Kjo vlen edhe për emrat e huaj, por zyrtarët në përgjithësi janë relativisht tolerantë.

Nëse një kërkesë refuzohet, prindërit zgjedhin një emër tjetër ose paraqesin një ankesë – në raste të rralla, deri në Gjykatën Federale Supreme. Shembuj të tjerë që janë zyrtarisht të ndjeshëm përfshijnë format zvogëluese, emrat me konotacione përkatëse si “Adolf” ose emrat e markave dhe emrat e produkteve.

Shkronjat e vetme në emra, si “J”, dhe shkronjat e mëdha në mes të emrit – “LouAnne” – nuk lejohen. Rüetschi: “Ka edhe prindër që përpiqen ta ruajnë një emër familjar si emër të mesëm – kjo nuk është e mundur.”

Emrat e mesëm në kultura të tjera

Në Kinë, shumë njerëz nuk kanë një emër të mesëm, por në vend të kësaj kanë një mbiemër perëndimor. “Kjo është veçanërisht e zakonshme në mesin e njerëzve që mbajnë kontakte ndërkombëtare për arsye profesionale”, shpjegon korrespondenti i Kinës Samuel Emch.

Mary, John, Jim: “Ju i jepni vetes këtë emër.” Emri perëndimor lehtëson komunikimin sepse është më e lehtë për njerëzit që flasin gjuhë të tjera ta mbajnë mend dhe ta shqiptojnë.

Në vendet e Amerikës Latine, njerëzit shpesh kanë dy ose më shumë emra. “Emri i mesëm zakonisht ka një konotacion katolik”, thotë korrespondentja e Amerikës së Jugut Teresa Delgado, duke shtuar, “Është gjithashtu popullore të kombinosh dy emra në një nofkë”. Juan Pablo bëhet “Juanpa” dhe Maria Teresa bëhet “Maite”.

Në vendet afrikane si Etiopia dhe Somalia, tre emra janë të zakonshëm. “Një emër si Jonas Tadesse Bekele përbëhet nga një emër biblik dhe emrat përkatës të gjyshit dhe babait”, shpjegon Sarah Fluck-Bärtsch, korrespondente e Afrikës. “I gjithë emri shërben si një lloj peme gjenealogjike që të tjerët mund ta përdorin për të identifikuar se nga vjen dikush.”

 

 

 

Gjermani: Rritje e punёs “nё tё zezёn”

Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, po përballet me një fenomen në rritje: puna e padeklaruar apo ajo që njihet si “ekonomia hije” është shtrirë në mbi 11% të produktit të brendshëm bruto (PBB), duke arritur vlerën prej 482 miliardë eurosh në vitin 2024. Ky nivel është më i larti në gati një dekadë, sipas studimeve të ekspertit të tregut të punës, Friedrich Schneider nga Universiteti Johannes Kepler në Linz, Austri, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.

Parashikimet për vitin 2025 janë edhe më shqetësuese, me një rritje prej 6.1%, duke çuar vlerën totale të ekonomisë së padeklaruar në 511 miliardë euro. Schneider e përshkruan këtë aktivitet ekonomik si ligjor, por të kryer pa pagesën e taksave dhe kontributeve shoqërore. Kjo përfshin shërbime të ndryshme si riparime makinash apo pastrime, që shpesh shmangin rregullat ligjore si pagat minimale apo kufizimet në oraret e punës.

Një nga arsyet kryesore të rritjes së ekonomisë së hije është perceptimi i popullsisë për një barrë tatimore shumë të lartë, e shoqëruar me cilësi të dobët të shërbimeve publike. Schneider vë në dukje se infrastruktura publike në Gjermani, si rrugët dhe shërbimet transportuese, shpesh janë të papërmbushura, duke ulur moralin tatimor të qytetarëve.

“Kjo sjell një lloj ‘rebelimi tatimor’ nga qytetarët e zakonshëm,” thotë Schneider, duke theksuar se shumë individë preferojnë të kryejnë aktivitete jashtë sistemit zyrtar, pa qëllim evazioni masiv tatimor, por si një mënyrë për të shmangur taksat në këmbim të shërbimeve të pakënaqshme, transmeton albinfo.ch.

Sipas Schneider, një barrë e lartë tatimore e shoqëruar me shërbime publike të dobëta nxit këtë trend, ndërsa shtetet që ofrojnë shërbime cilësore e pranojnë më lehtë ngarkesën tatimore.

Ndërsa Gjermania renditet në mesin e vendeve industriale me nivelin e ekonomisë së padeklaruar, vendet si Rumania dhe Greqia regjistrojnë nivele më të larta, respektivisht 30% dhe 22%.

Kjo rritje e ekonomisë së hije paraqet një sfidë të madhe për politikbërësit gjermanë, të cilët duhet të përmirësojnë shërbimet publike dhe të krijojnë një klimë më të drejtë tatimore për të reduktuar këtë fenomen në rritje, transmeton albinfo.ch.