Kosova

Analiza e gazetës gjermane për krizën në Kosovë

"Berliner Zeitung" i kushton vëmendje edhe humbjes së besimit të aleatëve të Kosovës duke kujtuar mbylljen e dialogut strategjik nga Uashingtoni

Pas dështimit të përpjekjes së Albin Kurtit për të formuar qeverinë, Kosova përballet tani me një fazë të re pasigurie politike, shkruan gazeta “Berliner Zeitung”.

Sipas analizës së medias gjermane dështimi në Kosovë, mund të shihet si simptomë e një krize më të thellë politike. “Për më shumë se nëntë muaj, bllokadat institucionale dhe grindjet e brendshme partiake e kanë paralizuar vendin. Shumë analistë besojnë se Kurti, i cili e ka qeverisur shtetin e ri ballkanik si kryeministër që nga viti 2020, është shkaku i këtij ngërçi, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.

Qëndrimi i tij, shpesh i pakompromis dhe konfrontues ndaj kundërshtarëve politikë, ka vazhduar ta mbajë Vetëvendosjen si forcën më të fortë politike në vend – pavarësisht humbjeve – por në të njëjtën kohë e ka bërë atë praktikisht të paaftë për të formuar një koalicion.

“Berliner Zeitung” i kushton vëmendje edhe humbjes së besimit të aleatëve të Kosovës duke kujtuar mbylljen e dialogut strategjik nga Uashingtoni. “Ky është një zhvillim i rrezikshëm për ekonominë e brishtë të Kosovës. Vendi, me 1.7 milion banorë është një nga më të varfrit në Evropë, me papunësi relativisht të lartë dhe një largim të madh të rinisë. Edhe pse kushtet ekonomike janë përmirësuar vitet e fundit, pa mbështetje të huaj, ekziston rreziku i rënies masive të investimeve dhe humbjes së besimit tashmë të dobët të investitorëve ndërkombëtarë.” Në analizën e Berliner Zeitung theksohet, se “kriza ka edhe një dimension gjeopolitik. Situata e paqëndrueshme në Kosovë po monitorohet nga afër në Beograd dhe, në disa raste, komentohet me gëzim.”

“Frankfurter Rundschau” po ashtu i kushton vëmendje krizës politike në Kosovë duke theksuar, se kjo bllokadë rrezikon vendime të rëndësishme për Kosovën. “Kriza e vazhdueshme qeveritare po vonon vendimet kyçe: Një buxhet për vitin 2026 zor se mund të arrihet në kohë, miliona euro ndihma të BE-së janë bllokuar. Analistët paralajmërojnë për humbje ekonomike në rritje për shtetin e ri, i cili është mbështetur në mbështetjen ndërkombëtare që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Megjithëse Kurti paralajmëroi në parlament, se pa qeveri të re çdo ditë “është një ditë e humbur për zhvillimin, për qytetarët, për shtetin”, shkruan gazeta gjermane, kryeministri Albin Kurti dështoi të krijojë qeverinë.