Kosova

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë viziton Hanin e Elezit

Kryetari i komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma ka bërë të ditur se ka pasur në vizitë ambasadorin e Zvicrës në Kosovë Jean Hubert Lebet, përcjellë albinfo.ch

Në këtë takim është biseduar për interesat e investitorëbe zvicran për sektorët e çimentos dhe të minierave.

Ky është njoftimi i plotë:

Kryetari i komunës, Rufki Suma priti sot ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Jean-Hubert Lebet. Kryetari Suma falënderoi në veçanti Zvicrën për mbështetjen në programe qeverisëse dhënë komunës së Hanit të Elezit që nga viti 2000, si dhe për përmirësimin e infrastrukturës rajonale të ujit.

Me këtë rast ata biseduan edhe interesat e investitorëve zviceranë për sektorët e çimentos dhe të minierave. Ambasadori Lebet falënderoi kryetarin Suma për përpjekjet e tij të vazhdueshme për ta mbështetur legjislacionin në fuqi dhe për t’i përmirësuar kushtet jetësore të qytetarëve. “ Pa siguri ligjore nuk mund të ketë perspektivë për investime të huaja, përfshirë edhe ato nga Zvicra”, deklaroi ambasadori Lebet. Me këtë rast, kryetari Suma dhe ambasadori Lebet vizituan minierën e kromit, drejtuar nga kompania zvicerane Achro AG, e cila synon të krijojë deri në 150 vende pune.