Lajme

SWISS bie nga vendi i 11-të në të 19-in në renditjen e kompanive më të mira ajrore

Kompania zvicerane humbi pozita në klasifikimin global, por vazhdon të vlerësohet lart për pastërtinë e avionëve

Kompania ajrore kombëtare e Zvicrës, SWISS, ka humbur disa pozita në renditjen e kompanive më të mira ajrore në botë.

Sipas World Airline Awards të Skytrax, ku analizohen dhe renditen 100 kompani ajrore, SWISS ka rënë nga pozita e 11-të në vendin e 19-të në renditjen e referuar nga The Local.

Në dhjetëshen e parë të renditjes globale ndodhet vetëm një kompani evropiane, Air France, transmeton albinfo.ch.

Megjithatë, SWISS ka rezultate dukshëm më të mira kur bëhet fjalë për pastërtinë. Kompania renditet në vendin e 13-të në botë në këtë kategori.

Në mesin e kompanive ajrore evropiane, rezultati është edhe më i mirë: sipas renditjes së cituar, SWISS zë vendin e parë në Evropë për pastërtinë.

Kjo do të thotë se, pavarësisht rënies në klasifikimin e përgjithshëm, transportuesi zviceran vazhdon të marrë vlerësime të larta në një nga aspektet e rëndësishme të përvojës së pasagjerëve.