Lajme
I huaj në mërgim, jo në atdheun tim*
Por, ajo që e shqetëson sot mërgimtarin dhe këtë shoqëri të mërguar është fjala „I HUAJ“, në atdhe të vet

Athua për shkak se e ndjejnë veten të lodhur, të molisur dhe të zhgënjyer, sa që tanimë nuk do t`u mjaftonin fuqitë e tyre të shteruara, për t`u dhënë edhe një kritikë, apo vërejtje të merituar atdhetarëve të vet. Dashuria aq e fuqishme që përjetohet për atdheun dhe të afërmit nuk mund të përshkruhet dhe të krahasohet me asgjë, por plagët që e thyejnë këtë stuhi shpirtërore janë të lloj-llojshme, sa që nuk imagjinohen. Janë disa rrethana të cilat duhet të merren në konsiderim, nëse duam ta masin arsyen e motivit.
„Mërgimi një rrugë e gjatë, që na i dogji zemrat flakë, ku na humbi kjo rini, ka marrë rrugët pa fre, pa kry”, janë fjalët e një poeti. Mirëpo, rrëqethjet e fjalëve të këtilla të poetit kushtuar mërgimit, aq më pak janë në gjendje të na shpëtojnë dhe ta shërojnë këtë plagë të kohës, e cila për ndonjë vizion, apo ngushëllim e ka filluar këtë rrugë shumë herët, që nuk ka të ndalur deri në ditët e sotme.
Me qindra shqiptarë gjinden sot në mërgim, të shpërndarë në të gjitha anët e botës, shumica e tyre kanë zënë vend në shtetet perëndimore dhe deri te këndi i Australisë. Numri i mërgimtarëve nuk është i saktë asnjëherë, sepse ai rritet secilën ditë, duke llogaritur edhe ata që dalin sot nga kushtet e rënda ekonomike. Mirëpo, kjo nuk e kufizon ndjenjën e dashurisë për secilin që ka për vendin e vet, sepse të gjithë këta njerëz ngado që shkojnë, punojnë e veprojnë, e kanë vetëm një atdhe.
Sa herë që vijnë pushimet verore e dimërore, kjo shtresë e njerëzimit i jep sharm të veçantë rrugëtimit të vet për të pushuar dhe për t`u ç’lodhur në atdheun e tyre, i cili është edhe pjesa me e rëndësishme e botës së tyre. Ata udhëtojnë me qindra e mija kilometra, kalojnë rrugë të gjata me plot ngjarje të ndryshme, por edhe të pakëndshme, ndoshta vetëm për të pushuar pak orë, ose pak ditë në atdhe, dhe për tu çmallur me më të dashurit e tyre. Kush mundet t`i numërojë këto rrugë të gjata me plot peripeci të ndryshme, kush mund t`i numërojë ato maltretime të cilat i përjetojnë këta mërgimtarë shqiptarë, sidomos rrugëve që shpiejnë nëpër Sërbi.
Rruga e mërgimtarëve shqiptarë është e mundimshme, por e pa thyeshme, përkundër rrethanave, maltretimeve nëpër rrugët e Serbisë, dashuria për atdhe, është një rrugë e pandalshme. Prandaj edhe pasojat janë të dukshme, në rend të parë pasojat e luftës, ndërsa në rend të dytë edhe pasojat shoqërore, mos të themi edhe individuale.
Megjithëse, sa do pak që duket se Kosova ka bërë disa hapa pas luftës, ka edhe shumë çka për të bërë, këtë e thonë edhe të tjerët, sidomos përpjekja për t`i larguar disa pasoja negative që e kanë kapluar këtë shoqëri. Natyrisht, disa fenomene negative janë gjurmë që i lë pas lufta, shërimi i të cilave kërkon një tretman dhe përvojë të pasur dhe me një përkushtim vetëmohues.
Por, ajo që e shqetëson sot mërgimtarin dhe këtë shoqëri të mërguar është fjala „I HUAJ“, në atdhe të vet. Kjo fjalë, apo ky mendim disponon një boshllëk të kuptimit dhe mendimit shoqëror, pa e llogaritur se këta njerëz janë të pa ndarë dhe të mishëruar me gjenezën e vet prej një gjaku dhe një vendi.
Mërgimtarët në çdo kohë e përjetuan fatin tragjik të pushtuesve të vendit tonë, dhe përmes fundit katastrofal që përjetojë Kosova, ata e nxorrën shpirtin e tyre të pamposhtur të atdhetarit tonë, në rezistencën aktive kundër okupatorit serb dhe deri te ngadhënjimi i lirisë.
Janë disa shqetësime, por ato që vërehen edhe e zbejnë vullnetin e mërgimtarëve, janë disa cënime të vrazhda, të cilat nuk i duken dikujt aq të rëndësishme, edhe pse e kanë një kosto të madhe materiale e morale. Kur një mërgimtar vjen i gëzuar dhe me plot vullnet në vendin e vet, pse jo edhe me ndonjë makinë të mirë, të cilën e parkon në qytetin e vet, mirëpo ndodh ajo më e keqja, që pastaj makinën e vet nuk e sheh më me sy.
Për të thënë troç, për gjërat e tilla të cilat e tregojnë pasigurinë e qytetareve të vet në vend, përgjegjësinë kryesore e mban qeveria e brishtë e shtetit, së cilës i mungon vullneti dhe disponimi ligjor, mandej duhet të fajësohen edhe qytetarët vandalë me një vetëdije të ulët shoqërore dhe njerëzore.
Janë edhe shumë shqetësime të tjera, të cilat nuk duhet të vargohen si elemente të „pseheve“, nëse mungon në rend të parë shteti ligjor dhe kushtet ekonomike, por duhet ta sqarojmë çështjen e cila na brengos: Athua të gjitha këto gjëra të pakëndshme na e zgjojnë ndjenjën e urrejtjes e të antipatisë ndëratdhetare, kjo nuk duhet të ekzistojë, sepse te mërgimtarët shqiptarë gjithmonë është vërejtur dhe është nxitur ndjenja e kërshërisë dhe dashurisë ndaj popullit dhe atdheut të vet, por gjenezën e këtyre të këqijave duhet kërkuar diku në keqardhje, në dhembje dhe në ndjenja atdhetare. I huaj jam në mërgim, por jo në atdheun tim.
* Pikëpamjet e shprehura në këtë kronikë shprehim mendimet e autorit dhe nuk reflektojnë domosdoshmërisht mendimet e redaksisë.
E-Diaspora
-
Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737 Sukses në aviacion, Lirik Qerimi, piloti kosovar që ngjitet në qiellin ndërkombëtar...
-
Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
Jeta në Austri
-
Deri në 36°C: Ditë të nxehta përpara në të gjithë Austrinë Vala e ardhshme e të nxehtit në Austri është këtu: deri në 36°C, qiell me diell...
-
Borxhi i Austrisë po rritet, rritja mbetet e ulët
-
Austri: 121.40 euro shtesë për çdo fëmijë në gusht
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak