Lajme

Marrëveshja e pazbatuar e Ohrit

Marrëveshjes së Ohrit që i dha fund luftës së përgjakshme ndërmjet UÇK-së dhe forcave maqedonase, mbetet çelësi i stabilitetit të Maqedonisë. Kërkohet zbatimi i saj

Marrëveshja e Ohrit, e nënshkruar 14 vjet më parë nga liderët politikë shqiptar e maqedonas, e cila i dha fund konfliktit të armatosur të vitit 2001, ka mbetur në gjysmë të rrugës. Të gjitha palët konsiderojnë ajo nuk është zbatuar, ndërsa shqiptarët e Maqedonisë thonë se ajo nuk u zbatua fare.

E cilësuar si historike, pasi që i dha fund luftës së përgjakshme ndërmjet ish-Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe forcave sllavo-maqedonase, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit mbetet çelësi i stabilitetit ndëretnik në Maqedoni.

Qytetarët janë unik në vlerësimin se Marrëveshja e Ohrit nuk është zbatuar si duhet, ndërsa shprehen të ndarë rreth idesë nëse duhet ose jo një marrëveshje të re. Disa thonë që të vazhdohet zbatimi i marrëveshjes aktuale, disa thonë se duhet rishikuar ideja për marrëveshje të re.

“Marrëveshja e Ohrit ka qenë e mirë, ka pasur baza për avancimin e të drejtave të shqiptarëve edhe barazimin deri diku të shqiptarëve në Maqedoni. Sa më tepër që kalon koha, në vend që të avancohet çështja e shqiptareve ajo ngec edhe pse ngec fajtori duhet të kërkohet te ata që duhet ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit”, deklaroi një qytetarë nga Shkupi.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua por rezultat s’ka asgjë. Ajo po pret veç me forcë me sjell rezultat, me forcë nuk i përket njerëzisë dhe atëherë është kështu populli nuk e di kah udhëzon e ka udhëton po ka nevojë për marrëveshje të re por më tepër ka nevojë për me vendos si burrat po-po, jo-jo”, thotë një qytetarë tjetër.

Ndërsa për partitë opozitare  Marrëveshja e Ohrit ka mbetur aty ku ka qenë tash e 14 vjet.

“Të gjithë ata që edhe pas 14 vitesh përmendin nevojën e të Marrëveshjes së Ohrit, në fakt konstatojnë një të vërtetë të madhe, faktin që ajo nuk është zbatuar dhe faktin tjetër që nevojitet një Marrëveshje të Re me të cilën të realizohen kërkesat e drejta të shqiptareve për barazi në këtë shtet. Kjo Marrëveshje e Re është pjesë e platformës politike të PDSH-së”, theksuan nga PDSH-ja, citon AlsatM.

Nga Lëvizja për Reforma në PDSH, Zijadin Sela theksoi se Maqedonia duhet të shpallet shtet binacional, dhe në vend të Marrëveshjes së Ohrit, duhet një marrëveshje e re. Sela theksoi madje se Marrëveshja e Ohrit ka qenë e pasuksesshme, pikërisht për shkak se nuk i korri rezultatet e pritura.

“Duhet të ketë marrëveshje të re, sepse nuk duhet më, një marrëveshje e cila nuk respektohen, dhe për të cilën, institucionet nuk kanë as dokumentin origjinal që t’i përmbahet. Duhet një marrëveshje e re me të cilën Maqedonia të shpallej shtet binacional, ose bilinguale, pra e shqiptarëve dhe maqedonasve, dhe ndarje buxheti në nivel lokal, e jo si tani, i centralizuar”, deklaroi Sela.

Edhe lëvizja “Besa” e shpalli të vdekur Marrëveshjen e Ohrit, duke ironizuar madje me vendosjen e një karrigeje me peshqir, para selisë së saj, dhe duke pritur qytetarë për ngushëllime.

“Dhuna ndaj saj ka vijuar sistematikisht që nga viti 2001, por sot përfundimisht mjekët konstatuam vdekjen. Ndonëse prindërit e saj kishin menduar se pjekuria do të arrihej qysh në vitin 2004, ajo edhe 11 vjet më vonë mbeti jo vetëm e parealizuar, por edhe e paralizuar. …Kur duhet të shënohet ditëlindja e saj e 14-të, ne me dhimbje të madhe njoftojmë opinionin se ajo tashmë është e vdekur si pasojë e vrasjes që ia kanë bërë disa politikanë të vendit. Personat që dyshohet se e kanë kryer këtë vrasje janë me iniciale A.A. dhe M.Th.”, tha Fuat Saiti, Lëvizja “Besa”.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti pranon se ka ende gjëra të pa realizuara nga Marrëveshja e Ohrit, madje edhe të pahapura fare. Ai tha se gjuha shqipe mbetet një nga projektet e mëdha që BDI ka përfolur gjatë, por edhe për të, po bëhen progrese drejt përmbushjes së qëllimit.

Lidhur me Marrëveshjen e Ohrit ai theksoi se shtetit nuk i duhet një administratë e politizuar, dhe se për administratorët që rrinë në shtëpi dhe nuk janë sistematizuar ende, qeveria duhet të ketë një axhendë për vendosjen e tyre në bazë të aftësive.

“Marrëveshja e Ohrit si tërësi ka kaluar në legjislativin e Maqedonisë, përjashto këtu vetëm gjuhën shqipe e cila është bërë hap pas hapi drejt arritjes së qëllimit. Po të flasim për zbatimin praktik. Këtu ka vend për të diskutuar, për të analizuar pasi ka gjëra që duhet bërë, ka gjëra që s’janë bërë akoma…”, theksoi Ali Ahmeti

Ndërkaq analisti Naser Zyberi, një nga ekspertët shqiptar, pjesëmarrës në bisedimet për arritjen e marrëveshjes së Ohrit, tha se  nga arritja e kësaj marrëveshjeje, shumë çështje kanë mbetur pezull, pa epilogun e pritur sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare të shqiptarëve.

“Edhe 14 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit mund të flitet në një formë të zbehur për këtë marrëveshje sepse pritjet e qytetarëve shqiptarë nuk janë realizuar. Mund të thuhet se gati në të gjitha segmentet kanë mbetur ende shumë çështje pa u realizuar”, deklaroi ai.

Kjo marrëveshje ishte paraparë të zbatohet katër vite që nga arritja e saj me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së. “Marrëveshja e Ohrit më tepër përdoret si instrument për realizimin e interesave të ngushta partiake dhe qëndrimi i partive shqiptare ndaj kësaj marrëveshjeje ndryshon varësisht nga pozita që kanë në pushtet”, shprehet Zyberi.