????????????????????????????????????
Lajme
Turneu i futbollit, nderoi dëshmorët dhe kënaqi mërgimtarët
Për tri javë rresht, në orët e pasditës, fusha sportive e shkollës fillore „Metush Krasniqi“ në Roganë (Rogaçicë) të Dardanës (Kamenicës) ishte arenë takimesh e 27 skuadrave dhe e mijëra shikuesve nga Anamorava e Diaspora
Të martën, më 4 gusht, u zhvillua takimi final i turneut futbollistik tradicional i cili, sivjet, u organizua në shenjë nderimi për dëshmorët roganas Selver dhe Emin Kryeziu si dhe për të respektuar mërgimtarët e shumtë që pushimet e tyre po i kalojnë në vendlindje.
Në përmbyllje të turneut, para ndeshjes finale ndërmjet skuadrës „Mobilieria Besiani“ nga Rogana dhe „Petrovci XXL“ nga fshati Petrit, u zhvillua një ndeshje e futbollit për femra, luajtur nga femrat e klubit futbollistik „Intelektualet“ nga Gjilani.
Në mesin e rreth 3500 shikuesve ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Kamenicës Begzad Sinani me përgjegjësen e Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Venera Dërmaku –Rexha, por pati edhe të ftuar të tjerë si: prindërit e dëshmorëve të Selver e Emin Kryeziut, pastaj aktivistë të politikës e sportit: Emin Krasniqi, Bajram Dërmaku, Nusret Kallaba, Sylejman Kryeziu etj.
Para fillimit të takimit final, organizatorët e turneut i nderuan me mirënjohje kontribuesit dhe donatorët e këtij turneu: „Victoria Dancing“, agjencionin turistik „Përparimi“, sponzorin medial „Kosovanet“, firmën „Ylli alplast“, „DJ Energy“, grupin muzikor „AlbaTrio“, klubin futbollistik të femrave „Inelektualet“, mobilierinë „Besiani“, referin nga diaspora i cili, pos disa ndeshjeve gjatë turneut, referoi edhe ndeshjen finale, Milaim Lakna dhe gazetarin Xhevdet Kallaba nga „albinfo.ch“ i cili edhe mbajti një fjalë rasti.
Rreth 400 mijë spektatorë nga viti 2003
„Pas tri javë garash në turneun e futbollit të vogël, i cili sivjet u organizua në shenjë nderimi për dëshmorët e luftës së fundit „Selver dhe Emin Kryeziu“ dhe mërgimtarëve tanë gjithandej Evropës, përkatësisht botës, arritëm në takimin final të edicionit të 13-të të këtij turneu tashmë tradiconal, tha në fjalën e tij të rastit Xhevdet Kallaba.
Që prej vitit 2003 kur u organizua turneu i parë nga disa të rinj roganas, përkundër vështirësive të herëpashershme, roganasit gjetën forcë dhe formë për mbajtjen e këtij turneu futbollistik i cili, deri tash u përcoll nga rreth 400 mijë shikues. Dhe, pikërisht këta shikues ishin edhe promotori kryesor që organizatorëve u jepnin kurajë që të mos dorëzoheshin para sfidave të shumta organizative. Para një sfide të tillë kësaj radhe u gjendën edhe të rinjtë Hetem Geci dhe Jeton e Arben Kryeziu, por të cilët ndjehen edhe krenarë që organizimin e këtij turneu po e përmbyllin me sukses.
Padyshim, këta shikues dhe këto shikuese, nuk ishin vetëm nga Rogana. Sikur edhe ekipet futbollistike, po ashtu edhe shikuesit vinin edhe nga fshatra dhe qytete që e rrethojnë Roganën, bile, shpesh edhe më larg, nga Prishtina, Skenderaj, Ferizaj, Shkupi, Presheva e gjetiu. Ky turne, bashkë edhe me atletët tanë shumë të suksesshëm, si: Zijadini, Shehati, Musahu, Astriti, Viona, Suadi, Graniti etj., Roganën e bënë të njohur, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë vendit.
Gjithqysh, duhet cekur edhe ndihmën e vazhdueshme të diasporës sonë e cila, përveç pranisë së saj fizike gjatë këtij turneu, ajo ndihmoi dhe po vazhdon të ndihmojë talentet e reja sportive si dhe njerëzit në nevojë“, tha mes tjerash z. Kallaba.
Nderim për dëshmorët
Para fillimit të ndeshjes finale shikuesit u ngritën dy herë në këmbë për të nderuar himnin kombëtar dhe dëshmorët Selver e Emin Kryeziu nga Rogana.
Baca Bajram, babai i dëshmorit Selver Kryeziu me këtë rast tha: « Nuk desha të vij sepse jam plakur dhe nuk jam mirë me shëndet, por kur e pashë këtë rini duke u kënaqur dhe gjithë këta mërgimtarë që me qejf po vijnë në këtë kohë për ta përcjellë turneun në Rogoçicë, atëherë mirë që erdha e u kënaqa edhe unë, dhe shumë faleminderit prej organizatorëve », falënderoi xha Bajrami 76-vjeçar.
Pas ndeshjes finale ku skuadra e Petritit ishte shumë më e fortë se ajo e Roganës dhe fitoi me rezultat 6:0, pasoi ndarja e kupave dhe mirënjohjeve.
Shpërblimet i dorëzoi vetë kryetari i Komunës z. Begzad Sinani i cili, në emër të Komunës, këtë turne e kishte ndihmuar me 980 €.
Pra, vendin e parë e fitoi skuadra « Petrovci XXL » nga Petriti dhe u shpërblye me një kupë, pastaj me 1080 € dhe një mirënjohje, kurse për vendin e dytë u nda një kupë, 270 € dhe një mirënjohje.
Organizatorët u ndanë tepër të kënaqur me praninë e shikuesve dhe lojat fer të skuadrave si dhe me referimin korrekt të referëve, me dëshirën që në të ardhmen të jenë edhe më të suksesshëm.
E-Diaspora
-
Piloti kosovar në qiellin ndërkombëtar, Lirik Qerimi licensohet për Boeing 737 Sukses në aviacion, Lirik Qerimi, piloti kosovar që ngjitet në qiellin ndërkombëtar...
-
Afro dy ore pritje në dalje të pikës Merdarë dhe Dheu i Bardhë
-
Dënim i përjetshëm kosovarit, për vrasjen e “dyshes” së një gruaje
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Riola e Hira, dy yjet shqiptare të pianos nga Italia
Jeta në Austri
-
Deri në 36°C: Ditë të nxehta përpara në të gjithë Austrinë Vala e ardhshme e të nxehtit në Austri është këtu: deri në 36°C, qiell me diell...
-
Borxhi i Austrisë po rritet, rritja mbetet e ulët
-
Austri: 121.40 euro shtesë për çdo fëmijë në gusht
-
Esat Bytyqi në mesin e arkitektëve më të mirë në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak