Lajme

Rritje e numrit të azilkërkuesve nga Shqipëria dhe ulje e atyre nga Kosova

Kanë kërkuar azil 89 shtetas shqiptarë, ose 196.7% më shumë se në tremujorin e parë. Nga Kosova ka pasur 124 kërkesa ose 53.2% më pak

Në tremujorin e dytë të këtij viti, nga prilli deri në fund të qershorit, në Zvicër janë regjistruar gjithsej 7384 kërkesa azili. Kjo shifër shënon një rritje prej 2000 kërkesash në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë ose 2895 më shumë se në tremujorin e parë të vitit.
Siç bën të ditur Sekretariati Shtetëror për Migracion (SEM) në një komunikatë te lëshuar sot, të transmetuar nga albinfo.ch, kjo rritje shpjegohet me shtimin e kërkesave për azil të shtetasve të Eritresë, të cilët kanë arritur në Itali përmes lundrimit në Detin Mesdhe.

Vetëm gjatë qershorit janë regjistruar 3805 kërkesa azili ose 1602 më shumë se gjatë majit.

Në gjysmën e parë të vitit pra nga fillimi i janarit e deri në fund të qershorit, azil kanë kërkuar në Zvicër 11873 persona ose 16% më shumë se në gjysmëvjetorin e vitit të kaluar.

Megjithatë kjo rritje duket e ulët në krahasim me trendin që po mbretëron në vendet tjera perëndimore. Nga janari deri në maj të vitit 2015 në të gjitha vendet e BE-së dhe EFTA-s kanë kërkuar azil 335.000 veta që është për 68% më shumë se në pesë muajt e parë të vitit 2014. Në këtë kontekst, pjesëmarrja e Zvicrës në ndarjen e numrit të azilkërkuesve në Evropë nga viti 2012 deri tash ka pësuar rënie prej më shumë se përgjysmë.

SEM parashikon që deri në fund të vitit numri i azilkërkuesve të mbërrijë në 29 mijë.

Sikurse edhe më parë, numrin dukshëm më të madh të azilkërkuesve në Zvicër e përbëjnë ata nga Eritrea (3238). Pas tyre, me shifra ndjeshëm më të ulëta vijnë Somalia (455) Sri Lanka (405) dhe Siria (390).

Në krahasim me tremujorin e parë, nga Eritrea kanë ardhur 2676 azilkërkues më shume gjatë tremujorit të dytë. Edhe numri i somalezëve që kanë kërkuar azil ka shënuar një rritje prej 264 vetash. Nga Siria numri i azilkërkuesve ka mbetur stabil, gjegjësisht ka pasur vetëm një më pak se në tremujorin e parë.

Nga prilli deri në qershor 2015 janë zgjidhur në instancën e parë 6764 raste të kërkimit të azilit ose 9% më pak se në tremujorin e parë.

Po ashtu gjatë tremujorit të dytë nga Zvicra janë larguar ose dëbuar 2074 persona apo 10% më pak se në tremujorin e parë. 604 nga ta u janë dorëzuar shteteve përgjegjëse në kuadrin e procedurave të Shengenit, thuhet në fund të komunikatës.

Ndërsa në një raport më të zgjeruar që ka publikuar SEM e që e ka konsultuar albinfo.ch thuhet se ka pasur një rritje proporcionalisht mjaft të madhe të azilkërkuesve nga Shqipëria. Kështu, gjatë tremujorit të dytë në Zvicër kanë kërkuar azil 89 shtetas shqiptarë, numër ky që përfaqëson një ngritje prej 196.7% në krahasim me tremujorin e parë, kur ishin vetëm 30 kërkesa. SEM, këtë rritje e shpjegon me fluksin e madh të refugjatëve nga Shqipëria që gjatë fillimit të këtij viti ia kanë mësyrë Gjermanisë (rreth 15 mijë veta).

Duke e pasur informatën se Zvicra, kërkesat për azil nga vendet e sigurta (ku hyn edhe Shqipëria) i trajton për 48 orë, në Zvicër kanë kërkuar azil vetëm një numër i papërfillshëm i shqiptarëve, edhe pse i rritur në krahasim me tremujorin paraprak.

Nga ana tjetër kërkesat e kosovarëve për azil në Zvicër kanë shënuar një rënie të theksuar: ka pasur 124 kërkesa që janë për 53.2% ose për 141 kërkesa më pak se në tremujorin e fillimit të vitit.