Lajme

Merkel kërkon rezultate nga bisedimet Kosovë-Serbi

Kancelarja gjermane, Angela Merkel kërkoi që bisedimet Kosovë-Serbi të zhvillohen me intensitet të lartë, sepse vazhdimi i tyre, është i rëndësisë së madhe për të dyja shtetet

Kancelaria gjermane, Angela Merkel i ka dhënë mbështetje të fuqishme kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa për integrimin dhe zhvillimin e vendit, ndërsa ka kërkuar nga Prishtina zyrtare që të ecë më shpejt në procesin e dialogun me Serbinë, si proces për normalizimin e raporteve ndërmjet dy endeve.

Kryeministri Mustafa, është pritur të martën në Berlin me nderime shtetërore nga Kancelarja Federale e Gjermanisë, Angela Merkel. Pas ceremonisë ushtarake, kryeministri Mustafa dhe Kancelarja Merkel janë takuar në Zyrën e Kancelares Federale.

Në takimin, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi, ministri i Financave, Avdullah Hoti dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për proceset në Kosovë, për marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian, si dhe për procesin e dialogut.

“Gëzohem që mund të përshëndes sot në Berlin, kryeministrin kosovar, Isa Mustafa. Ne si Republikë Federale e Gjermanisë jemi ndër vendet e para që e kanë njohur Kosovën. Sot, janë mbi 100 shtete që tashmë kanë realizuar njohjen e Kosovës. Ne tërë kohën që nga njohja e Kosovës përpiqemi që proceset politike para së gjithash përkitazi me Serbinë të normalizohen ashtu që vërtetë të mund të themi që i gjithë zhvillimi merr një drejtim të mbarë”, tha Merkel në fillim.

Ajo tha se bisedat përkatëse duhet të zhvillohen me intensitet të lartë, sepse vazhdimi i kësaj çështjeje është i rëndësisë së madhe si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën përkitazi me përafrimin në Bashkimin Evropian.

“Sa i përket Kosovën këtu bëhet fjalë për Marrëveshjen e Asociimit. Ndërsa për Serbinë bëhet fjalë për hapjen e kapitujve. Pas pak ditësh unë vetë do të udhëtoj në Serbi. Për këtë arsye pastaj jepet edhe mundësia që të flitet edhe një herë me përgjegjësit serbë”, deklaroi Merkel.

Në këtë takim, kancelarja gjermane foli edhe për refugjatët kosovarë, për të cilët tha se nuk kanë kurrfarë gjasash të marrin statusin në Gjermani. “Unë këtu dua edhe të përsërisë, se gati se nuk ka kurrfarë gjasash për të marrë miratimin si azilkërkues në Gjermani. Kjo do të thotë, se ne dëshirojmë të punojmë në atë që njerëzit e rinj në Kosovë të kenë mundësi më të mira që atje ta konceptojnë të ardhmen e tyre. Kërkesat për azil në Gjermani në masë të madhe s’kanë gjasa për miratim”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Isa Mustafa falënderoi kancelaren gjermane për mbështetjen, ndërsa e theksoi kërkesën që të thellohen edhe më shumë marrëdhëniet me Gjermaninë.

“Jemi të interesuar që të kemi një përkrahje më të madhe ekonomike nga Gjermania, sepse kemi shumë njerëz tanë në që punojnë në Gjermani për një kohë të gjatë, të cilët i kanë ndihmuar zhvillimit ekonomik të Kosovë me remitencat e tyre dhe po ashtu kemi pas një përkrahje, ndër përkrahjet më të mëdha të çdo vendi nga Gjermania, qoftë në investimet e drejtpërdrejta që kanë ndodhur në Kosovë, qoftë në asistencën për zhvillimin ekonomik, sidomos të objekteve infrastrukturore të cilat janë të rëndësisë themelore të zhvillimit tonë”, th ai.

Kryeministri kosovar u angazhua edhe për liberalizimin e vizave për kosovarët, të cilët, sipas tij, kanë mbetur të vetmit në rajon që janë të izoluar.

“Në proceset e ardhshme jemi të interesuar që sa më shpejt të nënshkruajmë Marrëveshjen për Stabilizim Asocim, në mënyrë që të fitojmë të drejtën për marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian. Dhe po ashtu kemi nevojë që vendi ynë pas përmbushjes së të gjitha kritereve teknike që janë paraqitur para nesh, të fitojë liberalizimin e vizave në mënyrë që qytetarët tanë të kenë mundësi të qarkullimit në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, ashtu siç qarkullojnë edhe qytetarët e tjerë”, tha Mustafa.

Ndryshe, kjo ishte vizita e parë e kryeministri të Kosovës, Isa Mustafa në Gjermani dhe njëherit vizita më e rëndësishme e tij në shtatë muajt e qeverisjes. Vizita e Mustafës, vjen pas bisedimeve intensive që kryeministri kosovar zhvilloi në Bruksel me homologun serb, Aleksander Vuçiq.