Lajme

Frëngjishtja, sfidë kombëtare për Zvicrën

Në gjuhët përkatëse të kantoneve – gjermanisht, frëngjisht dhe italisht – shumica e të rinjve arritën nivelin e kërkuar A2. Sipas Peter Lenz nga Konferenca e Ministrave Kantonalë të Arsimit (EDK), ky nivel përfaqëson “diçka më shumë se njohuri bazë”. Me këtë nënkuptohet se nxënësi mund të flasë për tema të përditshme me një person që flet një gjuhë të huaj, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, rezultatet për frëngjishten janë shqetësuese – madje edhe në pjesën frëngjishtfolëse të Zvicrës. Standardet për drejtshkrim nuk janë përmbushur, dhe sipas drejtuesit kantonal të arsimit në Valais dhe presidentit të EDK, Christophe Darbellay, kjo është për shkak të vështirësisë së vetë gjuhës: “Të shkruash në frëngjisht është një tmerr,” – thotë ai, duke shtuar se kërkesat e studimit janë të larta.

Ai rekomandon ushtrime më të strukturuara, si diktimet, për të përmirësuar aftësitë.

Këmbimi gjuhësor dhe kampet verore si zgjidhje

Në kantonet gjermanofolëse, ku frëngjishtja mësohet si gjuha e parë e huaj, nxënësit përballen me sfida të ngjashme. Darbellay sugjeron që kampet verore dhe programet e këmbimit gjuhësor të bëhen më tërheqëse.

E njëjta vlen edhe për nxënësit e pjesës frëngjishtfolëse që kanë vështirësi me gjuhën gjermane. Edhe faktorë si gjinia dhe prejardhja socio-ekonomike ndikojnë në rezultatet: vajzat dhe nxënësit nga familje më të privilegjuara kanë më shumë gjasa të arrijnë objektivat.

Anglishtja – një përjashtim pozitiv

Përkundrazi, shumica e të rinjve në Zvicër flasin anglisht shumë mirë. Deri në 85% e nxënësve kuptojnë çfarë lexojnë dhe dëgjojnë. Në Zvicrën Lindore dhe Qendrore, anglishtja mësohet si gjuha e parë e huaj, gjë që sipas Darbellay e bën atë një konkurrent të fortë të gjuhëve kombëtare. “Për të rinjtë, anglishtja është pjesë e përditshmërisë dhe internetit,” – thekson ai. Megjithatë, thekson se vetëm anglishtja nuk mjafton për të ndërtuar një karrierë në Zvicër.

Masat që po merren

Në kantonin Valais, shumë kandidatëve për pozita drejtuese u mungon njohja e një gjuhe të dytë kombëtare – diçka që shpesh bëhet pengesë për punësim. Për të përmirësuar situatën, kantonet po reagojnë. Në Basel-Stadt, për shembull, janë vendosur programe mbështetëse për leximin në gjermanisht. Por edhe aty, frëngjishtja mbetet një sfidë e madhe. Ndërkohë, kantoni Aargau planifikon të rishikojë metodologjinë e mësimdhënies së frëngjishtes.