Lajme

Steinmeier kërkon themelimin e Gjykatës Speciale

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier theksoi rëndësinë e themelimit sa më të shpejt të Gjykatës Speciale, e cila “do t’i bënte favor gjeneratave të reja”

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier solli në Prishtinë mesazhin e BE-së për themelimin e Gjykatës Speciale për krime të luftë. Ai theksoi rëndësinë e themelimit sa më të shpejt të kësaj Gjykate, e cila, siç u shpreh Steinmeier, do t’i bënte favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja.

Ministri Steinmeier i bëri këto komente pas takimit që zhvilloi me kryeministri e Kosovës, Isa Mustafa dhe me përfaqësuesit e tjerë të shtetit të Kosovës, presidenten Atifete Jahjaga  dhe zëvendëskryeministri dhe ministrin e Jashtëm, Hashim Thaçin. Në të tri takimet ai e konsidero shumë të rëndësishme themelimin e kësaj gjykate.

Ministri Steinmeier tha se Gjykata Speciale nuk duhet të kuptohet favor për bashkësinë ndërkombëtares. “Kosova i bën favor historisë së saj dhe gjeneratave të reja me krijimin e Gjykatës, sepse ka përgjegjësi ndaj historisë që t’i shtjellojë çështjet (e caktuara) përmes kësaj Gjykate”, ka thënë Steinmeier, duke mos e konsideruar themelimin e këtij tribunali si laj  të keq për Kosovën,

Ai po ashtu shprehu edhe njëherë përkushtimin e Gjermanisë për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e saj zhvillimore në rrugën e saj drejt familjes evropiane dhe vlerësoi të arriturat e deritanishme të Kosovës.

Ministri Frank-Walter Steinmeier në të njëjtën kohë kërkoi të thellohen reformat në të gjitha fushat dhe në veçanti forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit si parakusht për investime të jashtme që do të ndikonin direkt në zhvillimin e Kosovës dhe hapjen e vendeve të reja të punës dhe do të siguronte perspektivë për të rinjtë.

Shefi i diplomacisë gjermane po ashtu e vlerësoi kontributin e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Kryeministri Mustafa, ndërkaq kërkoi nga ministri gjerman të ndihmoj integrimin Kosovës e në veçanti heqjen e vizave.

“Krahas përmbushjes së këtyre kritereve, të kemi përkrahjen e vendeve të Bashkimit Evropian, dhe veçmas të Gjermanisë si shtet lider i Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave dhe për proceset e ardhshme tona integruese”, tha kryeministri, duke shtuar se po punohet ngushtë për forcimin e ligjit dhe të shtetit ligjor në Kosovë dhe se kjo do të jetë synim i Kosovës krahas zhvillimit ekonomik etj.

Kryeministri Isa Mustafa e ka njoftuar edhe lidhur me proceset e dialogut të cilat po zhvillohen për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ai tha se ka nevojë të punohet më shumë në implementimin e marrëveshjeve të deritanishme dhe se implementimi i marrëveshjeve është një kusht i rëndësishëm që të ecet përpara më procesin dialogues.

Presidentja Atifete Jahjaga, ndërkaq kërkoi nga shefi i diplomacisë gjermane, që belini ta kushtëzoj Serbinë me zbatimin e marrëveshjeve.

“Kosova dhe Serbia, në kuadër të procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, kanë arritur një numër marrëveshjesh të cilat kërkojnë zbatim të plotë dhe tha se rruga evropiane e Serbisë duhet të kushtëzohet me përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare”, ka thënë Jahjaga.

Ndryshe, para vizitës në Prishtinë, ministri gjerman i Punëve të Jashtme qëndroi në Beograd. Edhe këtu Steinemeier këkoi zbatimin e marrëveshjeve në Bruksel dhe hamonizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.