Integrimi

Reklamë: Gjermania të bëhet më tërheqëse për emigrantët

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Thomas de Maizière, tha se Gjermania do të bëjë reklamë në një vend të padëshiruar, siç bëri të ditur në një kongres në Berlin.

“Ne duhet të bëjmë shumë reklamë për vendin tonë, pasi duam që njerëzit të vijnë tek ne“, tha ministri në një kongres me ekspertë të migracionit.

“Marketingu i migracionit” është i nevojshëm, sepse prognozat e fuqisë punëtore për tregun gjerman të punës në vitet e ardhshme pa emigracion do të jenë të errëta.

Një studim i fondacionit „Bertelsmann“ ka llogaritur, se numri i njerëzve në moshë pune në Gjermani deri në vitin 2050 mund të bjerë deri në njëmbëdhjetë milionë, në se nuk ka emigracion sistematik.

Nga 45 milionë vendet e punës, që janë sot, do të mbeteshin vetëm 29 milionë punonjës. Konkluzioni për ministrin është se Gjermania duhet të bëhet më tërheqëse për emigrantët.

“Ne gjermanët flasim shumë për lejen, por për ftesën dhe për ardhjen flasim pak.Edhe firmat të ndihmojnë në “marketimin e emigracionit”.

„Duhet më shumë reklamë, megjithëse Gjermania sot është një nga vendet më të preferuara të emigrimit në botë“, tha ministri.

8,2 milionë njerëz me pasaportë të huaj jetojnë ndërkohë në Gjermani, dhe shumë më tepër të brezit të dytë apo të tretë të familjeve me sfond emigracioni.

Luftërat civile në Irak dhe Siri kanë shkaktuar një rritje të madhe të numrit të refugjatëve në Gjermani, sidomos vitet e fundit. Nëse në vitin e kaluar janë paraqitur 200.000 kërkesa për azil, këtë vit sipas vlerësimeve mund të jenë 300.000.

“Në asnjë vend të botës nuk bëhen më shumë kërkesa për azil se në Gjermani”, tha ministri i Brendshëm. Ndërsa kohët e fundit është folur shumë për ndihmën konkrete dhe strehimin e këtyre refugjatëve, muajt e ardhshëm ministri dëshiron të bëhet më konkret.

“Vendi modern i emigracionit”. Gjermania duhet të diskutojë tani konkretisht, se si do ta realizojë emigracionin.

Kjo fushatë publicitare nuk është vetëm detyrë e shtetit, por duhet të mbështetet edhe nga ekonomia gjermane, e cila është jashtëzakonisht e suksesshme në botë, tha ministri.

“Firmat gjermane janë shumë kreative, për të eksportuar produket gjermane në të gjithë botën.” Përse duhet që ekonomia gjermane të jetë aq pak kreative, kur është fjala për t’u ofruar njerëzve të duhur jashtë një vend pune në Gjermani?”, pyeti ministri duke iu drejtuar përfaqësuesve të ekonomisë. Ulrich Grillo, president i Shoqatës së Industrisë gjermane, i garantoi ministrit se edhe ekonomia do të marrë pjesë në këtë fushatë imazhi, shkruan DW, trasmeton albinfo.ch

Që tani lind polemika lidhur me çështjen, se në cilat vende duhet bërë marketingu i emigracionit gjerman. Ministri nuk e fshehu faktin se do të bëjë reklamë, sidomos në ato vende, që janë të afërta me kulturën evropiane kristiane.

“Mendoj se është legjitime, që një vend migracioni të shohë se kush i përshtatet më së miri.”

Argumenti i tij, pranimi i emigrantëve nga qytetarët, është më i madh, sa më pranë kulturës së tyre të jenë ato.

Kundër një argumenti të tillë, që mund të çojë në ndarje të reja me vendet myslimane, mund të krijohet së shpejti rezistencë.

Një temë e ndjeshme, edhe sepse mediat në javët e muajt është dashur të informojnë për anën e shëmtuar të vendit të emigracionit, Gjermanisë. Akoma lëvizja e djathtë populiste Pegida nxit ndjenjat kundër ardhjes së refugjatëve.

„Përveç asaj, që mund të bëjë Gjermania, ministri mendon se edhe BE duhet të veprojë. Duke patur parasysh 50 milionë refugjatët në gjithë botën, tha ministri, nevojiten përgjigje të përbashkëta evropiane.

Në maj Komisioni Evropian do të paraqesë një agjendë për migracionin e 28 shteteve anëtare të BE. Do të shqyrtohet marrëveshja e deritanishme Dublin II, që kritikohet ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut dhe rregullon ndarjen e refugjatëve ndërmjet shteteve të BE.

Në të do të bisedohet edhe për rrugët e migrimit, si dhe për luftën kundër kontrabandës me njerëz në kufijtë e jashtëm të BE, tha ministri. Vendimet e para do të merren në takimin e ministrave të brendshëm dhe të jashtëm të BE.