Integrimi
Rrëfimi tronditës i Albina Kurtisit, mes luftës, mërgimit dhe qëndresës
Në librin e saj Au nom de mon père (shën. përkth. Në emër të babait tim), autorja e re me origjinë shqiptare nga kantoni Vaud rrëfen sesi ajo që nuk e ka vrarë e ka bërë më të fortë. Ajo prezantoi librin e saj më 26 tetor në Lozanë, në një mbrëmje të organizuar nga grupi “La Voix de la Diversité” (shën. përkth. “Zëri i diversitetit”). Portreti i një luftëtareje.

Dikush mund të besojë se kujtimet e fëmijërisë shlyhen, se të vegjlit harrojnë luftën, rrëmujën e bombardimeve, shtëpinë në flakë, frikën e prindërve të tyre të pafuqishëm, urinë dhe tmerrin.
Nuk është e vërtetë. Albina Kurtisi nuk ka harruar kurrgjë nga ai 20 maj i vitit 2001 kur jeta e saj dhe e familjes së saj ndryshoi përgjithmonë. As ditët që pasuan, nuk i harroi dot kurrë. Ajo ishte sall pesë vjeçe teksa ushtria maqedonase bombardoi fshatin e saj në veri të vendit, në një regjin të banuar nga 40% të popullsisë shqiptare. Asaj i kujtohen edhe imtësitë më të vogla të rrjedhës së ngjarjeve të atyre javëve të tmerrit, gjestet e fjalët e akëcilit, shikimet e kryqëzuara, peizazhet e braktisura, qentë e ngordhur buzë rrugës, vendstrehimet e rastësishme, ajo farë pallto e kuqe, më e pëlqyera e saj, me të cilën mbulonte kryet për t’iu fshehë tmerrit. Ajo nuk e ka harruar as frikën kur e përzunë nga vendi i saj, mbërritjen në Zvicër dhe traumën e asaj dite të parë të shkollës në një vend gjuhën e të cilit nuk e kuptonte, as shpotitë e shokëve të klasës nuk i ka harruar, e as mizorinë e disa mësuesve që e ka ndjekur gjatë gjithë shkollimit. Megjithatë, ajo i kujton edhe disa njerëz të mirë që i ka takuar asokohe e të cilët i kanë zgjatur dorën.

“Albina, rrëfe!”
Këto kujtime, Albina kurtisi i rrëfen me një saktësi prekëse në librin e saj të parë, Au nom de mon père. Një rrëfim tronditës që flet për keqdashjen e disave dhe friken e të tjerëve, por edhe për guximin e qëndresën. Gjë që dëshmon para së gjithash se fëmijët nuk harrojnë kurrgjë dhe se ekzistenca e tyre lidhet ngushtë me këto ngjarje të kobshme.
Një libër intim, i shkruar me një stil faktik dhe një thjeshtësi të vetëdijshme. Sepse Albinës nuk i bëjnë përshtypje formulimet e kota apo shpjegimet. Ajo rrëfen ngjarjet thjesht përmes vështrimit të asaj vajzushe që ishte asokohe. Një vështrim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë që godet drejt e në zemër.
“Gjatëkohë e kam pyetur veten nëse kjo histori më përket mua, nëse kisha tagrin për ta rrëfyer; nuk doja të dukesha si një njeri që mban mësime morali, por njerëzit më thoshin “Albina, na e trego rrëfimin tënd!” Ndërsa për mua ka qenë gjithmonë më e lehtë të shprehesha përmes shkrimit”. Pikërisht mes miqsh e të afërmish, Albina Kurtisi përuroi librin e saj më 26 tetor në Lozanë. Ky takim u bashkë-organizua nga “La Voix de la Diversité” – një grup të rinjsh që vijnë nga shtresa të ndryshme, por me një dëshirë të madhe për t’u shprehur, në mesin e të cilëve bën pjesë edhe Albina – dhe e moderuar nga themeluesja e këtij grupi, Vjosa Gërvalla, njëherësh edhe drejtoreshë e Albinfo.ch. Kjo e fundit shfrytëzoi rastin për të theksuar guximin e autores së re.

Albina Kurtisi përuroi librin e saj në Espace Dickens, në Lozanë, para një publiku të shumtë në numër. Një mbrëmje e bashkë-organizuar nga “La voix de la Diversité” dhe e moderuar nga themeluesja e këtij grupi, Vjosa Gërvalla, njëherësh drejtoreshë e shoqatës Albinfo.ch.
“Do t’ia dalësh, bija ime!”
Sepse përkundër një rrugëtimi personal, shkollor e profesional mbushur me ndërkëmbëza et përçmime, Albina nuk u dorëzua kurrë. “Isha e mbushur mllef, shkruan ajo. Dëshiroja me çdo kusht t’ua dëshmoja atyre njerëzve që nuk kanë pasur të drejtë të më poshtërojnë e të mos besojnë në mua (…) dhe t’u tregoja se veçse më kishin bërë më të fortë”.
Forcë kjo për të cilën Albina i detyrohet edhe mbështetjes së babait të saj. Një burrë të cilin pothuajse nuk e njihte teksa familja iu bashkua në Zvicër, ku ai punonte prej vitesh. “Me kohë do të bëhemi shokë të ngushtë, bija ime”, i kishte thënë ai atëbotë. Njëzet vite më vonë, siç e dëshmon edhe titulli i librit, Albina Kurtisi ia kushton veprën e saj të parë pikërisht babait. “Ai i gjente gjithmonë fjalët e duhura për t’më dhënë zemër. Më thoshte: do t’ia dalësh, ndoshta do të t’duhet më shumë kohë se të tjerëve, por do t’ia dalësh!”

Të shkruash për të ekzistuar
Fjala u mbajt. Albina korr sot frytet e punës së saj në Konfederatë përmes pasionit të saj për të shkruar. “Shkrimi më ka mundësuar që të vazhdoj përpara. Sot jam krenare me veten, e lehtësuar gjithashtu.” Familja e saj ndan të njëjtën ndjesi me të. “Libri gjithmonë ka qenë një simbolikë e rëndësishme për shoqërinë shqiptare së cilës i pamundësohej të ekzistonte si komb dhe si gjuhë, shpjegon Vjosa Gërvalla. Të shkruash rrëfimin tënd, është më shumë sesa thjesht të shkruar një libër, është të vësh në pah kulturën tënde, të shpërfaqësh identitetin tënd, është një mënyrë për të ekzistuar dhe për t’i kujtuar vetes prej nga vjen.”

Për Albina Kurtisin, është edhe një ëndërr e parë e bërë realitet. Ajo ka ëndrra të tjera. E nëse autorja shprehet e rezervuar, kjo mos t’ju mashtrojë: megjithëse e ndrojtur, Albina Kurtisi e di fort mirë prej nga vjen, kush është e sidomos për ku është nisur.
Au nom de mon père (Në emër të babait tim), nga Albina Kurtisi, Vérone éditions, 2022, 267 faqe.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Ka rrahur rëndë një person: Kosovari dëbohet për pesë vjet nga Zvicra Gjykata Kantonale ka lënë në fuqi vendimin e fajësisë dhe dënimin me tre vjet burg por...
-
Për një ditë, 13 kosovarë nga Kantoni Valis morën pasaporten zvicerane
-
Historike: Tre shqiptarë janë zgjedhur në Këshillin Bashkiak të këtij qyteti në Itali
-
Mjeku nga Kosova bëhet shqiptari i parë që publikon punim shkencor në Harvard
-
Portret profesional në Linkedin dhe CV – fotosesion me Rromir Imamin
Jeta në Austri
-
Pritësit e Airbnb në Vjenë përballen me rregulla më të ashpra dhe gjoba të larta Vjena po shton presionin mbi tregun e qirave afatshkurtra, duke vënë në shënjestër platforma si Airbnb...
-
Qeveria austriake pezullon rritjen e ndihmave familjare për dy vitet e ardhshme
-
A mund të kthejë Gjermania azilkërkuesit në kufirin austriak?
-
Austria planifikon ngrirjen e përfitimeve familjare për shkak të masave shtrënguese
-
Fuqia punëtore emigrante e Austrisë: Kush gjen punë shpejt dhe kush jo?