Lajme
Çavuşoğlu: Dorëzoni gylenistët që jetojnë në Shqipëri
Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në takimin me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Cakaj, ai i paraqiti gylenistët si rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, që zhvilloi sot (12.02.2020) një vizitë zyrtare në Tiranë, u ka kërkuar autoriteteve të Shqipërisë “t’i dorëzojnë Ankarasë të gjithë gylenistët që jetojnë në Shqipëri”.
Fjala është për anëtarët e lëvizjes së klerikut turk Fetullah Gülen, të njohur me inicialet FETO, të klasifikuar nga qeveria turke, pas grushtit të dështuar të shtetit më 2016, si “organizatë terroriste” dhe kundërshtare e betuar e Presidentit turk Erdoğan. Sipas autoriteteve turke, anëtarët e kësaj lëvizjeje ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në Shqipëri.
“Ka me qindra anëtarë të FETO-s në Shqipëri, edhe pse nuk ka shifra të sakta. Kemi kërkuar rikthimin e tyre në Turqi. Shqipëria ka hedhur disa hapa në këtë drejtim, presim të vazhdojë. Nuk duam që Shqipëria të jetë një portë sigurie për FETO-n. Prania e anëtarëve të FETO-s vë në rrezik sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, tha Mevlüt Çavuşoğlu në konferencën e përbashkët për shtyp në Tiranë me ministrin në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
Shqipëria deportoi në Turqi më 1 janar të këtij viti gylenistin Harun Çelik, pas 8 muajve burgim në Shqipëri, me akuzën e falsifikimit të pasaportës.
Nënshkruhen tri marrëveshje bashkëpunimi Turqi- Shqipëri
Kërkesa për kthimin në Turqi të gylenistëve, që sipas ministrit të Jashtëm, Çavuşoğlu, vazhdojnë të jetojnë në Shqipëri është bërë prej tij edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve. Çavuşoğlu tha se “Turqia është investuesja më e madhe në Shqipëri” dhe se shumë firma turke ”kanë bërë investime të rëndësishme në Shqipëri”.
“Kemi nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për shkëmbim të diplomatëve dhe përvojave. Së dyti deklaratën e përbashkët për angazhim në luftën kundër terrorizmit dhe së treti njohjen e ndërsjellë të patentave”, tha në konferencën e përbashkët për shtyp ministri në detyrë, Cakaj.
Ai vlerësoi “mbështetjen e Turqisë në organizatat ndërkombëtare për Kosovën” dhe e cilësoi Turqinë “një nga kontribueset kryesore në KFOR, për më shumë se 20 vjet” dhe veçoi “barrën e Turqisë në mbajtjen e refugjatëve sirianë”.
Çavuşoğlu bëri të ditur se Presidenti Erdoğan do të vizitojë këtë vit Tiranën, por nuk dha hollësi për datën e vizitës, shkruan DW, përcjell Albinfo.ch.
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Kërkohet 13-vjeçari Eduart Arifi në Radolfzell të Gjermanisë Policia dhe familja kërkojnë ndihmë për gjetjen e djalit të zhdukur që nga mëngjesi i sotëm... -
Nju-Jork
“United FestivAlb” bashkon diasporën shqiptare në Nju-Jork -
Kanadë
“Dy Emra / Two Names”, filmi nga Toronto që sfidon heshtjen mbi lirinë e gruas shqiptare -
St.Gallen
Njihuni me Flamur Ademin, talentin shqiptar që i bashkohet St. Gallen U15 -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit
Jeta në Austri
-
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit Kur isha në shkollë fillore, 1 Maji për mua ishte thjesht një ditë në natyrë me... -
Ambasada e Kosovës në Austri njofton shërbime të mbyllura konsullore në disa data të majit 2026 -
Autoritetet e Austrisë dhe Shqipërisë çmontojnë rrjet kriminal të mashtrimeve online me vlerë 50 milionë euro, 10 të arrestuar -
Trupa e teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu” shfaq me 27 prill vepren “Vojçeku” në Vjenë -
Austria planifikon rregulla më të rrepta për ofertat e kreditit online











