Paqe, mirësi por edhe vendosmëri kundër asimilimit

Tu përmbahemi parimeve të krishterimit si mirësia e mëshira dhe të punojmë kundër asimilimit, ka thënë don Kolaj në predikimin e tij

Pashk Oroshi është argjendtar. Jeton prej 34 vitesh në Zvicër, vjen nga fshati Novak i Prizrenit dhe është besimtar i devotshëm. Sot është dita e Krishtlindjes dhe Pashku ka ardhur në Kishën më të afërme katolike, ku Misioni Katolik shqiptar për Zvicrën lindore ka organizuar meshë. Ai di të tregojë mjaft gjëra nga tradita e shënimit të krishtlindjes në Kosovë. “Në natën e Kshndellave ne jemi përpjekur që e gjithë familja të jemi së bashku, në shtëpi. Pikë e veçantë e ceremonisë ka qenë djegia e “Buzmit”, një traditë kjo e moçme ndër shqiptarët e besimit katolik. Në mëngjes e prisnim në mal një dru të njomë tek i cili në të dy anët gdhendnim shenjën e kryqit. Ky është “druri i Buzmit”, të cilit në një ceremoni i bashkohen simbolikisht “të gjitha të mirat që I ka falë Zoti” dhe improvizohet “lama”. E gjithë kjo shoqërohet me rituale dhe thënie në shenjë falënderimi zotit për begatitë. Pastaj druri vendoset në zjarrin e oxhakut dhe digjet por duke iu ruajtur dy skajet ku është gdhendur shenja e kryqit”. Kjo është pak a shumë ajo që e njohim ne si traditë të kshnellave në Kosovë, thotë Pashku. Ai shton se në kushtet e jetës në Zvicër ky ritual nuk mund të praktikohet por “përpiqemi që së paku ushqimet që përgatiten për Krishtlindje këtu të jenë po ato nga vendlindja dhe, gjithsesi, të bashkohemi në meshën e krishtlindjeve në kishë”, përfundon Pashk Oroshi.

“Ka lindur shëlbuesi”

Të shtunën, ditën e Krishtlindjes në Kishën Katolike në Altsteten të Cyrihut është mbajtur mesha e Krishtlindjes. Besimtarë nga regjioni i Cyrihut, në mesin e të cilëve edhe familjarë të Pashk Oroshit, kanë ardhur këtu për të dëgjuar predikimin nga famullitari dhe drejtuesi i Misionit Katolik Shqiptar për Zvicrën Lindore, Don Franë Kolaj.

Kolaj ka përshëndetur besimtarët dhe duke u uruar festën e Krishtlindjes ka kërkuar nga ata devotshmëri në kryerjen e detyrimeve fetare. Ai, në predikimin e tij ka kujtuar edhe një herë historinë e lindjes së Krishtit në Betlehem. „Sot është ditë e shenjtë sepse ka lindur shëlbuesi.

Zoti është afër prandaj ju ftoj: ejani ta adhurojmë. Me këtë thirrje, liturgjia na thotë të gjithë neve meshtarë e shekullarë t`i afrohemi veprës së Betlehemit ku ndodhi ngjarja e jashtëzakonshme e lindjes së shëlbuesit, ngjarje që ndryshoi gjithë historinë e njerëzimit”, ka thënë veç tjerash don Kolaj në predikimin e tij duke shpalosur vlerat e krishterimit si paqen, tolerancën dhe mirësinë, të cilat njerëzit duhet t`i ndajnë mes vete.

Kolaj: integrim po, por vetëm duke ruajtur vlerat tona

Duke iu drejtuar në vazhdim besimtarëve në një ligjërim të lirë, don Franë Kolaj ka bërë fjalë edhe për çështje më „tokësore”. Ai ka dhënë këshilla dhe vërejtje me tone kritike mbi sjelljet e komunitetit në përditshmërinë e tij, në Zvicër. Ai ka apeluar kundër mendësisë materialiste të shtuar së fundi, për pasurim të shpejtë, të shpeshtuar së fundi, mendësi kjo që, siç u shpreh ai, shpie në degjenerim dhe në shkatërrim të njeriut dhe të popullit.

Kolaj pastaj ka drejtuar kritika ndaj një numri pjesëtarësh të komunitetit shqiptar katolik, të cilët, duke dashur të tregohen „të integruar”, nuk vizitojnë meshat në gjuhën shqipe. Me këtë rast ai apeloi te shqiptarët e besimit katolik dhe te të gjithë shqiptarët tjerë që të integrohen në shoqërinë ku jetojnë por të mos braktisin vlerat kombëtare, të mos asimilohen. Për të ruajtur popullin nga asimilimi ai kërkoi edhe ndihmën e institucioneve dhe të medieve tona. Të gjithë së bashku, sipas don Kolajt kemi për detyrë të punojmë në këtë drejtim.

Don Franë Kolaj ka lexuar në fund një letër urimi që i është dërguar atij në cilësinë e drejtuesit të misionit dhe të famullitarit, nga një grup të rinjsh shqiptarë të besimit mysliman. Në këtë letër shprehet adhurimi i tyre për punën e përkushtuar të klerit katolik shqiptar, punë që, sipas letërshkruesit, i tejkalon caqet fetare dhe merr dimension gjithëkombëtar.