Regjistrimi i popullatës, tash e tutje për çdo vit

Nuk do të regjistrohen të gjithë qytetarët përmes plotësimit të formularëve sikur deri tash por do të anketohet një pjesë e popullatës

Viti i ardhshëm është viti i radhës për regjistrimin e popullsisë në Zvicër. Mirëpo, për ndryshim nga regjistrimet e deritashme që bëheshin një herë në dhjetë vjet, tash e tutje popullata do të regjistrohet për çdo vjet. Qasja e re sjell me vete edhe ndryshime tjera: nuk do të regjistrohen më të gjithë qytetarët përmes plotësimit të formularëve sikur deri tash por do të anketohet një pjesë e caktuar e popullatës. Ndërsa shumica e të dhënave tjera do të merren nga regjistrat ekzistues, shkruan 20 Minuten.

Enti Federal i Statistikës në anketat në fjalë parashtron kriteret si mosha, gjinia, gjendja civile dhe nacionaliteti. Përgjigja në këtë anketë është e detyrueshme dhe ajo përcjell informata lidhur me familjen, banimin, punën, mobilitetin, arsimimin, gjuhën dhe religjionin.

Dita e zgjedhur për anketim është 31 dhjetori ndërsa formularët me anketa do të dërgohen nga 3 janari në 200  mijë adresa. Llogaritet se me këtë metodë, secilit qytetar të Zvicrës do t`i takojë të anketohet një herë në 12 deri 13 vjet.

Përmes zëvendësimit të regjistrimeve gjithëpërfshirëse me regjistrimet me mostra, Zvicra pritet të kursejë 100 milionë franga.