Autoritetet kosovare dhe ndërkombëtare dënojnë vrasjen e punëtorit të KQZ-së

Shefi i EULEX, Xavier Bout de Marnhac dhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, kanë dënuar sulmin ndaj dy punëtorëve të komisionit komunal zgjedhor në Leposaviq, me ç’rast u vra Shefko Salkovic, ndërsa mbet i plagosur Edin Islamovic.

Duke dënuar incidentin e rëndë në Leposaviq, shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, ka thënë se “dhuna nuk ka vend në demokraci”. Ai ka thënë se ka besim të plotë në Policinë e Kosovës, e cila e mbështetur nga EULEX-i, do të arrijnë të nxjerrin fajtoret para drejtësisë.

Incidentin e ka dënuar edhe KQZ, ndërkohë që strukturat paralele serbe në veri të Kosovës, kanë paralajmëruar ditë më parë se nuk do të lejojnë hapjen e vendvotimeve në pjesën veriore të Kosovës, për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 12 dhjetor.