Diaspora në shënjestër të Behgjet Pacollit dhe Ferid Aganit
Të angazhuar në garën zgjedhore të 12 dhjetorit, dy krerët partiakë kanë premtuar trajtim më të mirë për Diasporën
Të shtunën, në Glattburg të Cyrihut, Aleanca Kosova e Re Internacional, ka organizuar një manifestim me Diasporën shqiptare në Zvicër. Në të merrnin pjesë edhe lideri i kësaj partie nga Kosova, Behgjet Pacolli dhe ai i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani. Edhe pse zyrtarisht manifestimi ishte organizuar për Ditën e Flamurit, esenca e diskurseve të të pranishmëve është përqëndruar në rolin e Diasporës në proceset e shtetndërtimit të Kosovës.
Behgjet Pacolli : Fuqia juaj është shumë e madhe
Behgjet Pacolli, lider i AKR-së, ka theksuar se mërgata kosovare zë vend të veçantë në programin e koalicionit, të cilin e përfaqëson partia e tij në zgjedhjet e 12 dhjetorit në Kosovë. “Fuqia juaj është shumë e madhe, ajo shihet nga dërgesat tuaja që llogariten të jenë 400 deri 500 milionë euro në vit”, ka thënë Pacolli.
Prandaj, ai me këtë rast ka kërkuar nga mërgimtarët që të intervenojnë te familjet e tyre në Kosovë, që të votojnë për vetveten dhe që sipas tij, të mos manipulohet vota e tyre më 12 dhjetor .
Kryetari i AKR-së ka dhënë premtime se do të punojë që mërgata të ketë vendin e merituar në Kosovë. Pacolli, po ashtu përmendi se do të vazhdojë lobimin për Kosovën, duke garantuar se do ta bëjë vendin anëtare të Kombeve të Bashkuar në shtator të vitit të ardhshëm.
Ferid Agani : Nuk jemi këtu për të përçarë Diasporën
Nga ana tjetër, lideri i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka përjashtuar pohimet se ata janë në Diasporë për të bërë ndarje në mesin e shqiptarëve. “Ne jemi kundër ndarjes së shqiptarëve në baza partiake, elektorati sa është në Kosovë, aq është në mërgatë. Ne nuk bëjmë dallime me qytetarin e Kosovës dhe me ata që jetojnë dhe veprojnë në mërgatë. Bashkimi duhet të jetë vizion i kombit. Gjithmonë kemi tentuar dhe tentojmë t’ ju shohim bashkë”, tha Agani, duke folur për rëndësinë e Ditës së Flamurit për shqiptarët në mërgatë.
Agani tha se problemet e qytetarëve në diasporë duhet të zgjidhen në kuadër të një departamenti të veçantë që duhet të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Kandidatët e Diasporës tërhiqen nga gara zgjedhore
Organizatori i këtij manifestimi, kryetari i AKR-së Internacional, Arben Kurteshi, ka bërë të ditur se ka tërhequr kandidaturën për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Diaspora për shkak të kohës së shkurtër të caktuar për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për shkak të kushteve jo të volitshme të krijuara për të investuar mërgata në Kosovë.
„Nëse Diaspora nuk investon në shtetin e vet, mos pritni që do të ketë investime të huaja në vend. Unë pikërisht për këtë e kam tërhequr kandidaturën time, ngase nuk janë krijuar kushtet ligjore për Diasporën. Qeveria e deritanishme nuk arriti t’ i bindë vendet kredidhënëse të investojnë në fushat kryesore për zhvillim të Kosovës”, ka thënë Kurteshi.
Edhe kryetari i Degës së Partisë së Drejtësisë në Zvicër, Naser Mustafa, ka tërhequr kandidaturën për deputet të Kuvendit të Kosovës nga Diaspora për shkak të kohës së shkurtër të organizimit të zgjedhjeve në Kosovë.
Mimoza Kusari : Remitencat e Diasporës më të mëdha se investimet direkte
Ndërsa Mimoza Kusari, nënkryetare e AKR-së, ka folur për kushtet që duhet krijuar për të investuar në Kosovë. Remitencat e mërgimtarëve, sipas Kusarit, janë gjithnjë stabile.
“Remitencat nga Diaspora janë më të mëdha se investimet direkte në Kosovë. Megjithatë, pas 10 vjetësh nuk janë krijuar kushtet e volitshme për investime në vend. Shumë shqiptarë që janë kthyer me plane të mëdha investimi kanë hasur në vështirësi dhe janë kthyer sërish nga kanë ardhur. Derisa institucionet e Kosovës nuk krijojnë kushte që Diaspora të kthehet e para për të investuar në Kosovë, atëherë nuk kemi bërë asgjë”, tha Kusari.
Ajo u ka premtuar bashkatdhetarëve se nëse vijnë në pushtet do të punojnë që kur të vijnë ata për pushime t’i gëzohen Kosovës. Manifestimi në fjalë është përcjellë me një program argëtues me këngë nga Arjeta Zhuta, e njohur nga pjesëmarrja në audicionin e famshëm muzikor “Popstar, si dhe nga artistë të tjerë të njohur në diasporë.
E-Diaspora
-
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur Vallet dhe traditat shqiptare prezantohen nga ansambli “Trojet” në një mbrëmje ndërkulturore me pjesëmarrjen e komuniteteve... -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin -
Bronx
Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx -
Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”
Jeta në Austri
-
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare Konferenca Ekonomike B2b pritet të bashkon mbi 400 biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet shqiptare... -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit













