Lajme

Opozita nesër bllokon rrugët, BE i frikësohet dhunës në Shqipëri

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen ditën e nesërme, e hënë, për t’i bllokuar rrugët e Shqipërisë. Policia nuk i jep leje PD-së për protesta. Nesër në Tiranë vjen edhe një delegacion i PE-së

Koalicioni opozitar në Shqipëri ka paralajmëruar masa radikale në Tiranë, duke bllokuar rrugët dhe bulevardet, në shenjë pakënaqësie me zhvillimet politike në këtë vend. Opozita e udhëhequr nga kryetari i partisë Demokratike, Lulzim Basha po kërkon formimin e një qeverie teknike dhe klimë të përshtatshme për zgjedhjet e reja. Kjo kërkesë po kundërshtohet nga partitë mazhorancës, të cilat po kërkon zgjedhje sipas ligjit, në pjesën e dytë të qershorit.

Në anën tjetër, këto refleksione politike me polarizime të theksuara, kanë ngritur dyshime në BE për përshkallëzim të dhunës në Shqipëri.

Eureporter në shkrimi e sotëm, flet për frikën e episodeve të reja të dhunës përpara vizitës së delegacionit të Parlamentit Evropian në Shqipëri. Ndryshe, një delegacion i PE-së i udhëhequr nga kryesuesi i Komitetit për çështjeve të jashtme, David McAlliste vjen nesër në Tiranë, me qëllimi që të ndihmojë në zgjidhjen e ngërçit politik.

Por, Eureporter kujton se si Lulzim Basha i kërkoi mbështetësve të PD-së të bllokojnë rrugët kombëtare paraditen e së hënës, kur duhet të mbërrijnë negociatorët e PE-së. Ekziston frika se vizita e delegacionit do të përkojë me një shpërthim të ri dhune në rrugët e Tiranës, thekson shkrimi, duke kujtuar po ashtu sintagmën e Bashës: “Doni luftë? Luftë do të keni”.

Por, pavarësisht kësaj vizite, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u bën thirrje qytetarëve që të bashkohen ditën e nesërme, e hënë, për të protestuar duke bllokuar rrugët në të gjithë vendin. Ai tha se ditën e nesërme çdo shqiptar është i thirrur t’i bashkohet një orë bllokimit të trafikut kombëtar, duke e cilësuar si një sakrificë të vogël, por dhuratë të madhe për Shqipërinë, për të bllokuar trafikun e drogës, të krimit dhe për të garantuar mirëqenien e qytetarëve.

“Mos harroni, nesër një orë të gjithë bashkë, për t’i hapur rrugë të mirës për çdo shqiptar e shqiptare dhe duke u kthyer shqiptarëve të drejtën për të zgjedhur me votë të lirë dhe të ndershme. Le të bashkohemi nesër në orën 11.00- 12.00 për t’i thënë ndal krimit, drogës dhe korrupsionit, për ti thënë po zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, u shpreh Lulzim Basha.

Ndërsa, Policia e Shtetit tha se PD nuk ka leje për protesta ditën e nesërme.

“Zhvillimi i kësaj proteste cënon rëndë rendin dhe sigurinë publike dhe po ashtu qartësisht ajo dëmton interesat e qytetarëve. Ndaj Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë qytetarëve të mos marrin pjesë në këtë protestë të paligjshme dhe me rrezik të madh për rendin dhe sigurinë”, tha Altin Qato, drejtor i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë Publike në Tiranë.

Ai tha se Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve të mos bien pre e thirrjeve që synojnë kaos, konflikt, destabilizim, ashtu sikundër u bën thirrje të mos i bashkohen manifestimeve të paligjshme, që cenojnë lirinë e qytetarëve të tjerë dhe të drejtën e tyre për të qarkulluar lirshëm.

Kundër, thirrjes së PD-së për protesta ishte edhe kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama. Ai tha se politika duhet të shihet si një fuqi për ta bërë Shqipërinë shtet, jo për të shkatërruar atë.

“Çadra në Bulevard është shëmbëlltyra spektakolare e mënyrës së mbrapshtë e të menduarit të politikës për njerëzit. Dështuan ta bëjnë Shqipërinë shtet, dështuan ta demokratizojnë. Janë ngujuar në çadër nga frika e drejtësisë. Duan destabilizim, rrëmujë, tym pasi e kuptojnë se çadra nuk i mbron për shumë koha nga drejtësia. Flasin për Republikë të re se nuk duan drejtësi të re, flasin për qeveri teknike se nuk duan që populli të zgjedhë qeverinë që do, flasin për bllokim rrugësh se nuk duan që rruga e Evropës të hapet, nuk duan një shtet me drejtësi dhe mirëqenie”, konsideron Ram.

Ndryshe, mbështetësit e PD-së ka disa javë që janë ngujuar në tenda (çadra) në mes të Tiranës, në shenjë pakënaqësie me qeverisjes e kryeministrit Edi Rama. Nga nesër ata do të dalin nga çadrat, për t’i bllokuar rrugët.