Lajme

Inaugurohet fabrika 35 milionëshe, zgjidh problemin e ujit në Prishtinë

 “Jemi angazhuar dhe kemi punuar tash e sa kohë për këtë ditë, dhe sot arritëm që t’i shtojmë 700 litra në sekondë më shumë ujë për qytetarët e Prishtinës dhe komunave të tjera”, tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti

Shtatëmbëdhjetë vjet pas luftës, rreth 40 për qind e qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Prishtinë dhe qyteteve rreth saj, Fushp-Koosvë, Obiliq, Lipjan, Shtime, Drenas, Podujevë, Vushtrri, do të kenë furnizim të pandërprerë të ujit. Kjo pasi sot, u inaugurua fabrika e re e ujit në Shkabaj, e cila autoriteteve vendore iu ka kushtuar 35 milionë euro.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se “jemi angazhuar dhe kemi punuar tash e sa kohë për këtë ditë, dhe sot arritëm që t’i shtojmë 700 litra në sekondë më shumë ujë për qytetarët e Prishtinës dhe komunave të tjera”.

“Falënderoj të gjithë ata që na ndihmuan në këtë projekt. Në dy vitet e para të këtij projekti kemi punuar në ndërrimin e gypave të ujësjellësit, kurse para një jave përuruam fabrikën për trajtimin e ujit në Badovc. Sot, po e rrumbullakojmë këtë projekt tepër të rëndësishëm dhe po e zgjidhim një problem jetik për qytetarët e kryeqytetit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Ai në veçanti falënderoi dhe uroi qytetarët e Prishtinës, të cilët janë më meritorët për realizimin e këtij projekti, qoftë për durimin që kanë treguar, qoftë për kontributin dhe investimin.

“Përveç 5 milionë eurove investim të Komunës, që janë para të taksapaguesve të Prishtinës, edhe kredia prej 20 milionë euro e marrë nga KFW kthehet më së shumti nga po këta qytetarë. Kjo pasi që 70 për qind të konsumatorëve të KUR “Prishtina” janë qytetarë të Prishtinës , dhe këta qytetarë kanë arritur që të paguajnë mbi 90 për qind të faturave të ujit”, tha në fund Ahmeti.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli,  tha se ky projekt kapital i filluar vite më parë është rezultat i një bashkëpunimi të shumanshëm në mes Qeverisë, Komisionit Evropian, Komunës së Prishtinës dhe kreditorëve gjermanë dhe i jep zgjidhje njërit prej problemeve kronike në kryeqytetin e Kosovës – furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.

“Përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve është obligim i përditshëm i të gjithë neve që bartim përgjegjësi institucionale. Nuk duhet të humbim kohë dhe energji në agjenda shterpe të politikës ditore. Është koha që të gjithë të fokusohemi në zhvillimin ekonomik të vendit, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, para së gjithash në industritë prodhuese të sektorit privat”, tha kryetari Veseli.

I pari i legjislativit tha se ky projekt dhe projekte tjera që po realizohen në bashkëpunim me donatorë të huaj, janë dëshmi e partneritetit dhe hapjes së perspektivës për investime tjera të huaja në Kosovë. Veseli tha se pas këtij projekti institucionet duhet të punojnë shumë që edhe në komunat thera të Kosovës të zgjidhet problemi me ujë të pijes.

“Për ne vetëm një rrugë është e hapur: rruga drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. As nuk kemi e as nuk do lejojmë dilema në këtë vizion”, tha Veseli.

Financues të projektit janë: Qeveria e Republikës së Kosovës me 5 milion, Komisioni Evropian me 5 milion euro, Komuna e Prishtinës me 5 milion euro, dhe 20 milion KRU”Prishtina” sh.a. i ka marrë kredi nga Banka Gjermane për Zhvillim me ç’rast, garantuese e kthimit të saj është Qeveria e Republikës së Kosovës.