Lajme

Përfundon takimi në Bruksel, pa rezultate konkrete

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë se të gjithë pjesëmarrësit sot kanë rikonfirmuar vendosmërinë e tyre të plotë për të bashkëpunuar në kuadër të dialogut

Takimi i radhës i liderëve institucional të Serbisë dhe Kosovës ka përfunduar në Bruksel pa rezultate konkrete. Ky ishte takimi i dytë, ku po merrnin pjesë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa si dhe presidenti serb, Tomisllav Nikoliq dhe kryeministri Aleksander Vuçiq. Përfaqësuesit e dy palëve nuk kanë bërë asnjë koment për mediat.

Pas takimit, përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka lëshuar një komunikatë për media, pas ndërmjetësimit të takimit të radhës të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Bashkë me presidentët Hashim Thaçi dhe Tomisllav Nikolliq, dhe kryeministrat Aleksandar Vuçiq dhe Isa Mustafa, unë zhvillova një takim tjetër të nivelit të lartë të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka deklaruar Mogherini pas takimit.

“Në takimin tonë sot ne kemi pasuar diskutimet që kemi zhvilluar në Dialog më 24 janar. Unë jam e inkurajuar nga angazhimi konstruktiv i treguar nga të dyja palët. Ky angazhim dhe vullnet politik i kontribuon shumë reduktimit të tensioneve dhe ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë frymë”, ka thënë Mogherini.

Bisedimet e sotme është thënë se do të përqendrohen te çështja e drejtësisë në veri, energjetika dhe krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përpara takimit i tha REL-it se pret që “tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ulen edhe më shumë” dhe që “dialogu i rinisur të çojë drejt pajtimit dhe bashkëpunimit”.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, tha se Beogradi do të këmbëngulë në formimin e Asociaionit të komunave me shumicë serbe.

Duke folur për gazetarët përpara takimit dypalësh tek Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, Nikoliq tha se delegacioni serb në Bruksel gjithmonë vjen me vullnet të mirë, porse tema si statusi dhe pavarësia e Kosovës nuk do të ketë.

Në takimin e javës së kaluar, palët janë pajtuar të ulin tensionet dhe të vazhdojnë bisedimet, me në fokus zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Tensionet midis tyre kanë nisur me ndërtimin e një muri në pjesën veriore të Mitrovicës, të banuar me shumicë serbe, dhjetorin e kaluar. Pastaj, në fillim të janarit, autoritetet franceze kanë ndaluar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, në bazë të një urdhër-arresti të Serbisë. Kjo e fundit vazhdon të kërkojë ekstradimin e tij.

Piku i tensioneve është shënuar në mes të janarit, kur Kosova ka ndaluar hyrjen në territorin e saj të një treni të nisur nga Serbia, me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Autoritetet në Prishtinë e kanë cilësuar trenin si provokim për sovranitetin. Ato në Beograd kanë thënë se Prishtina ka nxitur konflikt, duke dërguar njësite të posaçme policore në veri.

përpara anëtarësimit në BE.