Lajme

BDI e Aleanca i koordinojnë veprimet politike

Në qëndrimin që vjen një dit pas takimit të përbashkët të thirrur nga BDI, thuhet se është me rendësi që qëndrimi i shqiptarëve në Maqedoni të jetë i përbashkët për çështjet e rëndësishme kombëtare

 

Përfaqësuesit e BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët, nëpërmjet një deklarate të përbashkët thonë se më shumë ka gjëra që i bashkojnë se sa që i ndanë në dallimet politike partitë në Maqedoni. Në qëndrimin që vjen një dit pas takimit të përbashkët të thirrur nga BDI, thuhet se është me rendësi që qëndrimi i shqiptarëve të jetë i përbashkët për çështjet e rëndësishme kombëtare.

“Duke njohur vullnetin e votuesit shqiptar si dhe dëshirën e shprehur të popullit shqiptar që subjektet tona të bashkërendisin forcat, mundësitë dhe resurset e tyre për të arritur rezultate më të mira në bisedimet politike që do pasojnë; Duke qenë të vetëdijshëm për ndjeshmërinë e situatës në vend si dhe për nevojën e patjetërsueshme për të ecur drejt progresit…konsiderojmë se: të gjithë ne kemi më shumë çështje që na bashkojnë përkundër dallimeve që ne kemi..”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas BDI-së dhe Aleancës, është më se i nevojshëm instalimi i një tryeze të rregullt bisedimesh mes subjekteve politike shqiptare në vend sa u përket çështjeve të interesit kombëtar shqiptar në veçanti e atij të përbashkët në përgjithësi.

“E çmojmë të rëndësisë së veçantë që, këto takime të kenë si përfundim një platformë të përbashkët të përkrahur nga të gjithë ne”.

Duke i pasur parasysh çështjet me interes kombëtare, thuhet se dje kanë biseduar në një frymë vëllazërore mbi temat e përbashkëta.

“I iniciuam të njëjtat dhe ramë dakord që sa më shpejtë të mbajmë takimin tonë të dytë për të qartësuar linjat dhe qëndrimet tona. Gjithsesi që ky proces mbetet i hapur edhe për subjektet tjera politike shqiptare, gjithnjë duke pasur parasysh faktin që përgjegjësi për të ardhmen e shqiptarëve në vend kanë të gjithë subjektet politike që kanë qenë pjesë e procesit zgjedhor”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

“Ne subjektet politike shqiptare në Maqedoni, mbetemi të angazhuar për arritjen e barabartësisë së tërësishme të shqiptarëve dhe maqedonasve në vend. Përcaktimi për të ardhmen Euro-Atlantike të vendit tonë ngelet një ndër prioritetet kyçe impenjimit të mëtejmë politik. Respektojmë kontributin e çmueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë për paqen, stabilitetin, demokratizimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, thuhet më tej në qëndrim.

Dhe në fund, partitë politike vlerësojmë se bashkëpunimi mes subjekteve politike shqiptare është një kontribut i drejtpërdrejtë në stabilitetin, zhvillimin, demokratizimin dhe europianizimin e eMaqedonisë.