Lajme

Kosovë, në 2017-n synohet vrasja masive e qenve

Përpjekja për t’i heq “qafe” qentë endacakë, po cilësohet si çnjerëzore nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve

Organizatat dhe aktivistët e të drejtave të kafshëve janë alarmuar nga një draft rregullore e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës, e cila parasheh eliminimin e qenve endacakë nëse nuk adoptohen brenda 30 ditësh. Kjo përpjekje për t’i heq “qafe” këta qenë endacakë, po cilësohet si çnjerëzore nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve.

“Të përditshme dhe shumë të rrezikshme janë bërë sulmet nga qenët endacakë”, shprehu shqetësimin kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili në nëntor tha se kjo çështje duhet të trajtohet si emergjencë shtetërore.

Ahmeti nuk është i vetmi nga kryetarët e komunave të Kosovës që në një mënyrë ose tjetër kanë ngritur duart nga përpjekjet për të zgjidhur këtë problematikë në nivel komunal, shkruan Kallxo.com

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, gjithashtu ka deklaruar se për rreth 4 mijë qentë endacakë të kësaj komune do duhen vite për të arritur një zgjidhje efikase që eliminon rrezikun për sulme ndaj njerëzve.

Sipas tij, metoda e kapjes, sterilizimit dhe lëshimit nuk ka rezultuar e efektshme deri më tani.

Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, Ndue Nikolla, ka vlerësuar nivelin e rrezikshmërisë si shumë të lartë.

“Këtu kemi qen që janë me epidemi të ndryshme, janë qen jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe mund të përhapin sëmundje te qytetarët të cilët mund t’i kafshojnë,” tha Nikolla.

Ligji në fuqi për përkujdesjen ndaj kafshëve e parasheh sterilizimin e kafshëve si metodë për zvogëlimin e numrit të kafshëve endacake.

“Me qëllim të zvogëlimit të popullacionit të kafshëve endacake, të rrezikshme dhe atyre të papërshtatshme për mbarështim, mund të përcaktohet steriliteti i obligueshëm i kafshës”, thuhet në nenin 6 të këtij ligji.

Ndërkaq , eliminimi i kafshëve në rastet e domosdoshme përshkruhet se duhet të bëhet vetëm me procesin e vrasjes pa dhimbje me preparate mjekësore, procedurë kjo që quhet eutanazi.

Një draft rregullore e punuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari e Kosovës (AUV) parasheh që qentë pa pronarë mund të qëndrojnë deri në 30 ditë në strehimore para se të eliminohen me procedurën e eutanazisë nëse askush nuk ofrohet për t’i adoptuar brenda kësaj periudhe.

Sipas AUV, për këtë draft rregullore janë konsultuar me institucione, individë dhe organizata, dhe nëse ajo miratohet, do të hyjë në fuqi në vitin 2017.

Megjithatë Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Kafshëve (OIPA) e vlerëson këtë pikë të rregullores si mizore dhe të pamenduar mirë.

Draft rregullorja e përpiluar nga AUV është një ndër aktet e para nënligjore që planifikohej për këtë çështje që para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ligji në fuqi për përkujdesjen e kafshëve daton në vitin 2006, gjegjësisht në kohën kur Kosova administrohej nga UNMIK-u.

Një nga kritikat që organizata OIPA i adresoi AVUK-ut rreth kësaj rregullore është përshtatja apo adaptimi që sipas tyre është bërë nga ligjet e vendeve ballkanike, që nuk janë shembuj të mirë për tu marrë.

Helen Wormser, përfaqësuese e kësaj organizate tha për Gazetën Jeta në Kosovë, se me këtë rregullore Kosova po ushtron një praktikë çnjerëzore ndaj kafshëve që sipas saj, është tipike për ligjet e Ballkanit.

Hulumtimi i JNK evidentoi në çfarëdo rasti kur paraqitet nevoja që të kryhet procesi i eutanazisë tek kafshët në Kosovë, ajo nuk mund të kryhet në rrugë ligjore sepse Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk ka licencuar asnjë preparat për kryerjen e kësaj procedure në Kosovë.

Megjithatë veterinerë dhe aktivistë të të drejtave të kafshëve kanë konfirmuar se procedura e eutanazisë kryhet në Kosovë përgjithësisht duke përdorur një preparat të quajtur T-61. Ky preparat është kritikuar se shkakton vuajtje të mëdha tek kafshët nga organizata OIPA dhe aktivistë të tjerë për mbrojtjen e kafshëve.

“Pse të kopjohen ligje nga shtete të tjera ballkanike, kur ka shembuj më të mirë që respektojnë mirëqenien dhe të drejtat e kafshëve”, tha Wormser.

Ndryshe, problemi i qenve endacakë në Kosovë vazhdon të jetë i theksuar në mungesë të një zgjidhjeje tërësisht ligjore, ndërsa draft rregullorja e re, objekt kritikash nga grupet e të drejtave të kafshëve, nuk dihet se çfarë zgjidhjesh do të ofrojë deri kur të hyjë në fuqi në formën e saj përfundimtare.