Lajme

Heshtja e BDI-së “shpëton” Gruevskin

Katër anëtar të KSHZ-së ishin për anulimin e procesit zgjedhor dhe katër ishin pro rivotimit në Tearcë. Një votë e abstenuar e BDI-së e anuloi rivotimin dhe qetësoi “gjakrat” e protestuesve të VMRO-së

Me ndihmën e anëtarit të BDI-së, Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) në Maqedoni ka refuzuar ankesën e LSDM-së me të cilën kërkohet anulimi i procesit zgjedhor në vendvotimin 20-11 në Komunën e Tearcës. Ishte Subhi Jakupi, anëtar i BDI-së ai që abstenoi, duke anuluar rivotimin në këtë qendër.

Katër anëtar të KSHZ-së ishin për anulimin e procesit zgjedhor dhe katër ishin pro rivotimit. Prandaj një votë e abstenuar e BDI-së e anuloi rivotimin dhe në anën tjetër qetësoi “gjakrat” e simpatizantëve të VMRO DPMNE-së, të cilët protestonin dhe kërcënonin para këtij komisioni, se nuk do të marrin pjesë në rivotim.

Protesta iu priu vetë lideri i kësaj partie dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili akuzoi edhe diplomatët ndërkombëtarë të akredituar në Shkup, kryesisht SHBA-të dhe BE-në, se po përzihen në punët e brendshme të shtetit, duke aluduar se ata po ia mbajnë anën rivalit të tij, Zoran Zaev të LSDM-së.

Gruevski tha se ambasadorët po përzihen në punët e brendshme të shtetit dhe iu bëri thirrje që të rrinë anash dhe të veprojnë vetëm në kuadër të mandatit të ambasadorit. Ai paralajmëroi se nuk merr pjesë në bisedime politike ku ndërmjetësojnë ambasadorët e huaj.

KSZH, sipas anëtarëve të LSDM-së, ka pasur shumë arsyeje që këtë vendvotim ta çoj në rivotim, sepse ka pasur shkelje procedurale.

“Nuk u gjet procesverbali numër 15 nga ky vendvotim edhe pse anëtarët e komisionit zgjedhor deklaruan se e kanë plotësuar. Ky procesverbal është pjesë e materialeve kofidenciale. Fleta e cila mungon nuk është grabitur por qëllimisht, me shumë kujdes, është grisur”, tha anëtarja e KSHZ-së nga radhët e LSDM-së, Violeta Duma, citojnë mediet lokale në Shkup.

Në anën tjetër, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se koha e Gruevskit ka mbaruar, dhe iu bëri thirrje simpatizantëve të LSDM-së që mos bien në provokimet e tij.

“Institucionet punën e tyre duhet ta kryejnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet.

Nga vendimet e KSHZ dhe Gjykatës themelore nuk varet se kush do të formojnë Qeverinë, por janë të rëndësishme e vërteta dhe faktet. Qytetarët me shumicë votash, më shumë se 600 mijë votuan për ndryshime. Ndryshimet do të ndodhin…” deklaroi ai. Zaev i ftoj për durim dhe përmbajtje qytetarët e Maqedonisë.

“Ftoj për përgjegjësi ndaj shtetit dhe qytetarëve. Liria po vjen për të gjithë qytetarët, për të gjithë që votuan për ndryshime dhe për ata që ishin të shtypur nga Gruevski. Maqedonia do të ecë para. Do të ketë jetë për të gjithë”, ka deklaruar Zaev, i cili në këto zgjedhje ka marrë më shumë se 50 mijë vota nga shqiptarët.

Kundër fjalimi të Gruevskit, ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët. Sipas këtij koalicioni, “gjuha e përdorur nga subjekte të caktuara politike ndaj miqve tanë ndërkombëtarë, për Aleancën për Shqiptarët është e patolerueshme”.

“Trysnia që VMRO-DPMNE po e bën ndaj institucioneve të shtetit, në këtë rast KSHZ-së, që të pengojë punën e pavarur të saj rreth rrumbullakësimit të procesit dhe rezultateve zgjedhore, nuk mund ta zbeh dot vullnetin e qytetarëve të shprehur më 11 Dhjetor. Dënojmë ashpër çdo tentim për pengimin e punës së KSHZ-së dhe të gjitha fyerjeve dhe brohoritjeve raciste dhe shoviniste që bëhen në drejtim të tyre dhe popullit shqiptar nga po këta njerëz”, konsideron kjo aleancë.

Ndryshe, procesi i zgjedhjeve në Maqedoni duket se nuk e ka sjellë solucionin shumëpritur për dalja nga ngërçi politik e integrues. Në zgjedhjet e 11 dhjetorit, partia e Gruevskit VMRO DPMNE ka fituar më së shumti mandate 51, ndërsa LSDM e opozitës 49, dy me pak. 20 ulëse i kanë fituar shqiptarët, BDI 10 mandate, Besa 5, Aleanca për Shqiptarët 3 dhe PDSH 2 mandate.

Pa një koalicion me shqiptarët, duket se nuk do të bëhet qeveria e re. Por, heshtja e BDI-së në KSHZ, lë dyshime se Ali Ahmeti prapë mundë të lidhë partneritet me VMRO-në, si në dy mandatet e kaluara. Qeveria Gruevski-Ahmeti u gjet para një skandali përgjimesh që dëshmuan për korrupsion dhe ndikim në drejtuesi, dhe u detyrua të dorëhiqet.