Lajme

Shqiptarët festojnë “Ditën e Flamurit”

Në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, kjo ditë kremtohet edhe zyrtarisht, në Luginën e Preshevës nxjerrja e flamurit kombëtar është e ndaluar nga autoritetet serbe

Shqiptarët në Ballkan të ndarë në gjashtë shtete, e kanë shënuar në mënyra të ndryshme “Festën e Flamurit, që shënon 104 vjetorin e themelimit të shtetit shqiptar. Derisa në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, kjo ditë kremtohet edhe zyrtarisht, në Luginën e Preshevës nxjerrja e flamurit kombëtar është e ndaluar nga autoritetet serbe. Por, pavarësisht kërcënimeve, në të gjitha lokalitetet shqiptare ka valëvitur flamuri kuqezi.

Festa zyrtare e “Ditës së Flamurit” si rëndomtë mbahet në Vlorë, aty ku 104 vjet më parë Ismail Qemajlai dhe plejada e patriotëve shqiptarë e shpallën Shqipërinë shtet sovran. Ndërsa në Kosovë, festa gumëzhin në Prekaz, vendlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari

Në ceremoninë në Vlorë ishte i pranishëm presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor. Por ky ishte vetëm fillimi i festimeve në qytetin e Vlorës, festime këto që janë parashikuar të vijojnë gjatë gjithë ditës me aktivitete të ndryshme që do të zhvillohen në disa zona të qytetit bregdetar.

Ndërkohë në një urim të veçantë, kryeministri Edi Rama uroi të gjithë shqiptarët me rastin e kësaj feste.

“Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Mirënjohje përjetë Ismail Qemalit dhe të gjithë etërve themelues të shtetit shqiptar! Rroftë Shqipëria dhe rrofshin shqiptarët kudo ku jetojnë!”, thotë Rama.

“Shqipëria u shpall e pavarur në Vlorë, më 28 nëntor 1912, nga Ismail Qemali. Në shpalljen e pavarësisë morën pjesë 83 delegatë nga të gjitha trevat shqiptare. Njohja ndërkombëtare e pavarësisë si dhe përcaktimi i kufijve të Shqipërisë u bë pas një viti në Konferencën e Ambasadorëve në Londër”, ka thënë Rama.

Ndërkaq në Kosovë, 28 Nëntori, Dita e Flamurit është ditë pushimi. Shkollat nuk punojnë dhe siç është bërë traditë, bëhen homazhe tek komplekset memoriale të figurave të njohura historike, ku dominojnë vizitat tek varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova në Prishtinë dhe Kompleksi Memorial, Adem Jashari në Prekaz.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka shkruar në rrjetin social Facebook se “flamuri kuqezi ka qenë gjithmonë në zemrat tona si burim i pashtershëm frymëzimi”.

“Sot, krenaria është më e madhe se dhimbja për heronjtë tanë, për dëshmorët e martirët. Për Skënderbeun, për Ismail Qemalin e Isa Boletinin, për Bajram Currin e Themistokli Gërmenjin, për Hasan Prishtinën e Marigo Posio, për Shaban Polluzhën e Adem Jasharin, për UÇK-në dhe çdo ushtar të saj, për ata që dhanë jetën për liri dhe ata që e gëzojnë së bashku me ne këtë liri”, ka shkruar presidenti Thaçi.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar shqiptarët për Ditën e Flamurit duke kërkuar angazhim e përgjegjësi për zhvillimin e shtetit të Shqipërisë dhe Kosovës.

“Të gjithë ne sot ndjehemi Një, të fort, por edhe përgjegjës për ndërtimin dhe zhvillimin e shteteve dhe vendeve tona, gjithandej ku jemi”, ka shkruar Mustafa në rrjetin social, Facebook.

Por, sivjet, ndryshe nga vitet tjera, nëpër qytetet e Kosovës po vërehen më pak njerëz dhe ka më pak manifestime.

Edhe në Maqedoni po kremtohet Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. Atje, liderët politik kanë uruar festën, ndërsa nëpër qytetet shqiptare ka të rinj të veshur kuq e zi, por edhe partitë politike po e shfrytëzojnë këtë ditë, për të bërë fushatë dhe për të “reflektuar” sa më shumë patriotizëm.

Flamuri kombëtarë shqiptarë është vendosur në ndërtesën e komunës së Bujanocit njëjtë tinëzisht sikur në Preshevë. Për nderë të kësaj feste shtëpia e kulturës në Bujanoc ka organizuar program festiv brenda objektit të këtij institucioni.

Por, vetëm disa ditë më parë, Gjykata për kundërvajtje në Vrajë-Njësia në Bujanoc ka shpallur vendimin që shqipton dënimin e Partisë Demokratike në Bujanoc dhe kryetarin e saj Nagip Arifi për vendosjen e flamurit kombëtar shqiptarë në selinë e partisë së tij për festën e nëntorit.

Kjo gjykatë ka shqiptuar dënimin me arsyen se kjo parti në selinë e vet më 28 Nëntor të vitit 2014 ka vendosur flamurin e shtetit të Shqipërisë pa vendosur krahas edhe flamurin e Serbisë dhe në këtë rast ka shkelur ligjin për pamjen e përdorimit të flamurit dhe himnit të Serbisë.

Në Kosovë, kjo ditë ka karakter të veçantë, sepse në këtë ditë ndërlidhen katër tri festa të rëndësishme për shqiptarët: Ngritja e Flamurit nga Skënderbeu në Krujë më 1443, Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912; Ditëlindja e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari (1955) dhe dalja në skenë e UÇK-së në varrimin e një arsimtari në Llaushë të Skenderajt më 1997.