Lajme

Vrau drejtorin në zyrë, dënohet me 27 vjet mësuesi i biologjisë

Në seancën e kaluar, kur u dha fjala përfundimtare e palëve, i akuzuari deklaroi se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer dhe i kërkoi falje familjes së të ndjerit

Pesë vjet më parë, Gani Sahiti mësues i biologjisë, kishte vrarë në vendin e punës drejtorin e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihun pas një zënke lidhur me një vend punë në malësinë e Gollakut. Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi atë me 27 vjet burg.

Ky ishte rigjykimi i Sahitit, pasi Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin e ti. Për të njëjtën vepër penale, Gani Sahiti nga Gjykata Themelore e Prishtinës në qershorin e vitit 2013 ishte dënuar me 35 vjet burg.

Mirëpo, rasti u kthye në rigjykim nga Gjykata e Apelit në janar 2014 me arsyetimin se janë konstatuar shkelje thelbësore të dispozitave penale gjatë gjykimit të shkallës së parë, citon Kallxo.com.

Në seancën e së premtes, kur u dha fjala përfundimtare e palëve, i akuzuari deklaroi se ndihet i penduar për veprën që e ka kryer dhe i kërkoi falje familjes së të ndjerit.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës e vrau me revole Remzi Salihun, atëkohë drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës. Ndërmjet viktimës  dhe vrasësit thuhet se kishte një zënkë të mëhershme lidhur me një vend punë në fshatin Koliq të komunës së Prishtinës.

Vrasja kishte ndodhur paradite, derisa i ndjeri drejtori i Arsimit po fliste në telefon me një palë. Viktima thuhet se e kishte pritur derisa e kishte përfunduar telefonatën dhe më pas e kishte nxjerre revolverin dhe kishte shtënë disa herë në drejtim të viktimës, derisa i ishtin harxhuar fishekët në karikator.

Më pas, krejt gjakftohtë ishte futur vetë në veturën e policisë, duke iu treguar policëve se “sapo kishte vrarë një njeri” dhe me pas kishte dorëzuar revolen. Vrasësi më herë kishte qenë edhe ish-luftëtarë i Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) në Luginën e Preshevës.

I pakënaqur me vendimin e Gjykatës, Haxhi Millaku, avokati i të akuzuarit, paralajmëroi ankesë në Gjykatën e Apelit.