Lajme

Kosova mbetet trampolinë e trafikimit të drogës

Kosova vazhdon të mbetet një vend transit nga ku shkon droga drejt vendeve të bashkimit Evropian, ku tregu është më i shtrenjtë

Derisa në Shqipëri, mbjellja e kanabis-sativës është bërë si ajo e grurit, në Kosovë akoma droga mbetet si diçka e huaj. Madje sipas Policisë së Kosovës dhe ekspertëve social, Kosova vazhdon të mbetet një vend transit nga ku shkon droga drejt vendeve të Bashkimit Evropian, ku tregu është më i shtrenjtë.

Sipas shënimeve zyrtare vetëm brenda vitit janë konfiskuar mbi 420 kilogramë marihuana dhe autoritetet e rendit thonë se kanë arrestuar 562 persona për trafikim me substanca narkotike. Ato thonë se veç tjerash, janë kapur lloje të ndryshme të narkotikëve duke përfshirë marihuanë, kokainë, heroinë e të tjera.

Kosova në raportet ndërkombëtare e ato të Departamentit të Shtetit është cilësuar si një vend transiti dhe jo burim i i drogës dhe as vend destinimi, megjithëse së bashku me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit është shndërruar edhe në vend shfrytëzues.

Bahri Shala nga njësia antidrogë në Policinë e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Kosova për shkak të pozitës strategjike është ndërmjet vijave të komunikimit mes Lindjes dhe Perëndimit, si dhe bën pjesë në rrugën Ballkanike të transportimit të substancave narkotike, qoftë me origjinë nga Lindja drejt Perëndimit apo anasjelltas.

“Kosova më shumë pra është vend transit sesa që është vend i konsumimit të këtyre substancave. Viteve të fundit në bazë të statistikave vërehet një rritje e lehtë sidomos e llojit marihuana, derisa ato me origjinë prej lindjes dhe që njihen si droga më të rënda kanë shënuar rënie deri në 70 për qind” ka thënë Shala.

“Ne si institucione kemi ngritur kapacitetet tona, në parandalimin e narkotikëve. Doganat e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë ndërrmarëaksione që janë të bazuara në strategjinë nacionale dhe në situata të ndryshme në bazë të informacioneve që pranojmë, ndërmarim plane operative në parandalimin e futjes së substancave në teritorin tone”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës ka të miratuar strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të luftimit të luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, të drogave si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Por, zyrtarët e Policisë se Kosovës thonë se luftimi i trafikimit me drogat për Kosovën është bërë më e vështirë, për faktin se ajo nuk është anëtare e INTERPOL-it dhe as EUROPOL-it, si dhe mekanizmave të tjerë të sigurisë jo vetëm në rajon.

Trafikimi i drogave nëpërmjet Kosovës e ka shndërruar vendin edhe në një bazë të shfrytëzimit të tyre, dhe numri i përdoruesve të drogave thuhet se ka shënuar rritje të lehtë nëpër vite.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, në Prishtinë, ka thënë se në vitet e fundit Kosova ka shënuar rënie në përdorimin e llojit të drogës heroinë duke i lënë vendin marihuanës.

“Interesimi për të përdorur ka rënë, por edhe çasja deri tek kjo drogë është vështirësuar. Dëmet e këtij lloji të drogës janë të mëdha. Marihuana ka shënuar rritje të madhe të përdorimit. Edhe llojet e reja të drogave si GHB e të ngjashme po përdoren shumë sidomos në kryeqytet. Kokaina është duke shënuar rritje në përdorim, vitin e fundit’’, ka thënë Blakaj.

Blakaj thotë se ‘narko-dilerët’ që veprojnë në Kosovë janë të një niveli të ulët dhe ata të cilët vetë e përdorin edhe e trafikojnë si doza ditore”. “Por mund të them se përdoruesit e drogave tashmë janë mjaft kreativë dhe sigurimi i disa llojeve të drogave bëhet edhe përmes postave të shpejta” ka thënë Blakaj.