Lajme

Regjistrimi anashkalon diasporën

"Si e kuptuan se ne jetojmë në Zvicër, por jemi për pushime, na thanë se nuk mund të na regjistrojnë"

Pas tridhjetë vjetësh, Kosova regjistron popullsinë dhe ekonomitë familjare. Por në këto të dhëna nuk përfshihet diaspora. Përfshirjen e mërgimtarëve të statistika, e pamundëson në praktikë Ligji për Regjistrim. Për këtë çështje ka reaguar KMDLNJ.

Në këtë rast, Ligji për Regjistrim që mban numrin 03/L-237, saktësisht neni 3, pika 1.1, i pamundëson diasporës së Kosovës  të jenë pjesë e statistikave të shtetit më të ri të Evropës.

Në pjesën e parë të kësaj pike e cila duket se prek pjesën më të madhe të mërgatës së Kosovës, flitet për regjistrimin  popullsisë rezidente, ku specifikohet se të drejtë për të hyrë në të dhënat statistikore të vendit,  kanë ata persona që kanë jetuar vazhdimisht për 12 muaj në Kosovë, para datës së fillimit të regjistrimit. “….Ose kanë arritur në atë vendbanim gjatë dymbëdhjetë (12) muajve para ditës së regjistrimit me qëllim që të qëndrojnë aty më gjatë se një (1) vit”, thuhet më tej në nenin e këtij ligji.

Sipas këtij ligji, ata mërgimtarë që kanë dashur të  regjistrohen në Kosovë, është dashur të vijnë disa ditë para datës 1 prill të këtij viti dhe të qëndrojnë për një vit në vendlindje që në praktikë, duket të jetë tërësisht e pamundur.

Por në lidhje me këtë çështje, përveç Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) dhe Lëvizjes “Vetëvendosje” si subjekt politik, askush tjetër nuk ka reaguar.

Prej që ka filluar ky proces, më shumë polemika janë shtruar rreth deklarimit apo mos deklarimit të besimit fetar nga ana e qytetarëve, sesa çështja e regjistrimit të diasporës.Për këtë arsye, KMDLNJ kërkon nga Komisioni Shtetëror i Regjistrimit dhe Enti i Statistikave të Kosovës, të japin sqarime se si do të regjistrohen personat apo qytetarët e Kosovës që përkohësisht punojnë jashtë vendit dhe si do të regjistrohen pronat e tyre në Kosovë. 

“Në regjistrimin  popullsisë, në bazohemi vetëm në Ligjin për Regjistrim të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave”, thotë ministri Yagcilar, gjatë një vizite të enjten në Podujevë, në kuadër të turit të tij për të parë nga afër mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit.

Stafete Berisha e cila jeton në kantonin e Zurichut, por ka një javë që ndodhet në Prishtinë, të enjten ishte shumë e nervozuar. Tërë mllefin e grumbulluar ajo sikur e zbrazte në kafenë e saj të cilën e pinte me tension.

Safetja nuk ishte fjalosur me bashkëshortin e saj,  por tërë inatin, 35 vjeçarja, nënë e dy fëmijëve, e kishte me regjistruesit e popullsisë.

Një ditë më parë, dy prej 5 mijë regjistruesve, të cilët nga 1 prilli e për dy javë do të mbledhin informacione të sakta për të dhënë përgjigje në pyetje që nisin nga ajo se banorë ka Kosova, e deri të numërimi se sa pula mund të ketë një familje, kishin shkuar në shtëpinë e Safetes. Por ajo ishte zhgënjyer shumë kur regjistruesit nuk ia morën të dhënat.

“Si e kuptuan se ne jetojmë në Zvicër, por jemi për pushime, na thanë se nuk mund të na regjistrojnë. Ata na morën vetëm emrat, mbiemrat dhe ditëlindjet dhe u larguan”, thotë ajo për albinfo.ch.

Safetja, sikurse edhe shumë mërgimtarë nga Kosova që jetojnë në diasporë, nuk do të jenë pjesë e regjistrimit të popullsisë që do të vazhdojë vetëm edhe për një javë.

Pavarësisht se mendohet që jashtë vendit jetojnë më shumë se gjysmë milioni banorë, kryesisht shqiptarë të Kosovës, ata nuk do të figurojnë në të dhënat statistikore të shtetit.  “Nuk mund të spekulojmë me shifra se sa banorë të Kosovës jetojnë jashtë vendit sepse nuk e dimë”, thotë Mahir Yagcilar për albinfo.ch i cili është ministër i Administratës Publike, dikaster ky që është i përfshirë drejtpërdrejt në procesin e  regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare.

“Shqetësimet e qytetarëve janë legjitime dhe se në këtë rast diaspora po diskriminohet duke mos u trajtuar si qytetarët e Kosovës”, thuhet ndër të tjera në reagimin e këtij këshilli. Ndërkohë, zyrtarë të Lëvizjes “Vetëvendosje” janë shprehur edhe më ashpër në lidhje më këtë çështje. Përveç që kanë kërkuar shtyrjen e këtij procesi, ata nuk janë pajtuar me anashkalimin e diasporës. “Ligji u mohon të drejtën e regjistrimit si rezident të gjithë bashkatdhetarëve tanë  por e njëjta nuk vlen edhe për serbët që nuk jetojnë në Kosovë…”, kanë thënë zyrtarë të kësaj lëvizje vetëm pesë ditë para se të fillonte regjistrimi i popullsisë.

Pavarësisht kësaj, regjistrimi tashmë po shkon drejt fundit. Përveç pesë mijë personave që po punojnë në teren, në këtë proces janë përfshirë edhe 120 mbikëqyrës si dhe  920 kontrollorë.  Komisioni Qendror i Regjistrimit është i përbërë nga 11 anëtarë, që përfaqësojnë të gjithë pjesëmarrësit vendorë të regjistrimit në Kosovë: Qeveria e Kosovës, Ministria e Administratës Publike, Enti i Statistikës, shoqëria civile, ekspertët, minoritetet dhe institucionet ndërkombëtare. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është bërë në vitin 1981.   Ligji  Neni 3Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në këtë ligj kanë këtë kuptim:

1.1. Popullsi rezidente – individët që kanë jetuar për një periudhë kohore të vazhdueshme në vendbanimin e tyre të zakonshëm më shumë se dymbëdhjetë (12) muaj para ditës së regjistrimit, ose kanë arritur në atë vendbanim gjatë dymbëdhjetë (12) muajve para ditës së regjistrimit me qëllim që të qëndrojnë aty më gjatë se një (1) vit. Personat të cilët përkohësisht mungojnë për një periudhë të shkurtër prej vendit të tyre rezident nga vendi i zakonshëm i banimit, për një periudhë më pak se dymbëdhjetë (12) muaj, për arsye të ndryshme, si: punësimi, studimi, udhëtimit, shërimit apo shkollimit, duhet të përfshihen në regjistrim, respektivisht në popullsinë