81-ta, hallkë me rëndësi e procesit të shtetformimit të Kosovës
Ngjarjet e 81-tës i kanë dhënë shtytje vendimtare procesit, i cili 20 vite më vonë do të çonte në çlirimin e Kosovës, u tha në simpozium

Demonstratat studentore të vitit 1981, 30 vjet më pas. Një kohë e gjatë kjo për jetën e njeriut por e shkurtë për historinë. Por, simpoziumi që ka organizuar Këshilli për Shënimin e 30-Vjetorit të Demonstratave të vitit 1981 në Kosovë dhe Mërgatë, i mbajtur më 6 mars në Neuenhof, ka pretenduar të japë një kontribut që së paku do t`i hyjë në punë shkencës së historisë, kur ajo do të merret me ngjarjet e përmendura.
© albinfo.ch: Saime Isufi
Në fjalën e saj të hapjes, Saime Isufi, në emrin e organizatorit, shprehu ndjenjën e krenarisë që si pjesëmarrje e demonstratave të 81-tës kishte rastin të hapte manifestimin në 30 vjetorin e tyre.
Simpoziumin, në emrin e ambasadorit të Kosovës në Bernë, Naim Malajt, e ka përshëndetur zëvendëskonsulli i Kosovës në Cyrih, Sali Sefa. Një përshëndetje ka ardhur edhe nga Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Referuesit në vazhdim kanë bërë përpjekje për të ndriçuar sfondin historik të demonstratave të vitit 1981, duke vënë theksin në faktin se ato nuk ishin spontane dhe as aksidentale. Sipas shumicës së tyre, ngjarjet tashmë historike të atij viti kanë organizatorët e tyre dhe si të tilla, ato i kanë dhënë një shtytje vendimtare zhvillimit të proceseve historike, të cilat, rreth 20 vite më vonë do të çonin në çlirimin e Kosovës.
Por, ashtu si dhe në gjithë debatin tonë mbi historinë e afërt, edhe këtu pati deklarime diferencuese, ndalje të meritave vetëm për vete dhe shprehje të tjera të një mendësie të bunkerizuar në kohë. Ndërsa patetika ideologjike, e shpërfaqur me simbolika të caktuara (si thirrja për të përshëndetur me grusht etj.), ishte po ashtu pjesë e pashmangshme ikonografisë edhe të këtij tubimi.
Në punimet që i kishte përzgjedhur këshilli për shënimin e këtij 30 vjetori mbizotëronte evokimi pa shumë pretendime, i ngjarjeve dhe përshkrimi i përjetimit personal të tyre nga autorët e kumtesave. Sigurisht, për vlerësime (vetë)kritike është ende herët të flitet… Për këtë nevojitet një distancë e mjaftueshme historike.
Megjithatë disa prej referuesve kishin marrë për trajtim më serioz aspekte të caktuara të ngjarjeve ose të reflektimit të tyre në rrethanat e kohës. Punime të kësaj natyre ishin: kumtesa e përbashkët e Jashar Aliut dhe Nezir Myrtajt, që trajtonte kontekstin e përgjithshëm politik dhe historik të ngjarjeve, Saime Isufit, e cila kishte marrë për trajtim rolin e gruas në vitin e bujshëm 1981, Nikë Gjeloshit, që merrej me vlerësimin e demonstratave nga politika e asokohshme jugosllave, Ibish Nezirit mbi shtypin ndërkombëtar të kohës (kryesisht gjerman e zviceran) në lidhje me zhvillimet politike të vitit 1981 në Kosovë apo Ismet Rashitit, që ishte përqendruar në demonstratat e zhvilluara në Zvicër, si jehonë e atyre të Kosovës. Në përmbyllje, pjesëmarrësit propozuan që Hydajet Hyseni të shpallet nga institucionet e Kosovës “Hero i gjallë” i demonstratave të vitit 1981. Ky propozim u pranua me aklamacion nga të pranishmit.
Në margjinat sallës ku mbahej simpoziumi ishin ekspozuar një numër punimesh të realizuara në burgje, nga të burgosurit politikë si: dëshmori Gursel Sylejmani, pastaj Hydajet Hyseni, Sylë Mujaj, Emrush Xhemaili dhe Gani Vlahna.
© albinfo.ch
Punimet e tyre i lexuan ose ia dorëzuan këshillit, këta autorë: Saime Isufi, Fahridin Tafallari, Abaz Fejzullahu, Asllan Dibrani, Agim Sylejmani, Trëndelina Labënishti- Jaha, Avni Lumnica, Bejtullah Tahiri, Brahim Avdyli, Dashnim Hebibi, Gani Bala, Gani Vlahna, Hamëz Morina, Halit Naxhaku, Hamdi Hajdini, Ibish Neziri, Idriz Mehmeti, Ilmi Cakolli, Ismet Rashiti, Jashar Alia, Kadri Rexha, Llukman Halili, Metush Sadiku, Metush Zenuni, Musli Kasumi, Naser Berisha, Nezir Myrtaj, Nikë Gjeloshi, Ramadan Pllana, Ramiz Daku, Resmije Berisha, Riza Dema, Sejdi Gega, Shefqet Cakiqi, Sylë Muja, Tefik Ramadani Xhevat Zeka, Xun Çeta.
E-Diaspora
-
Gjithçka gati për “Alba Festival”, a jeni gati edhe ju? Artisti më i rëndësishëm i alba Festival-it të këtij viti është Topic, një DJ me famë...
-
Itali: Futbollisti shqiptar vdes aksidentalisht
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Ansambli “Trojet” përfaqëson shqiptarët në festën e Kreuzlingen-it
-
“Refugjati” nga Alan Gratz, një rrëfim përtej kufijve gjeografikë dhe kohorë
Jeta në Austri
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë? Vjena pas tre vjetësh bie nga froni...
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€
-
Austria prezanton pensionin e pjesshëm
-
Austria forcon ligjet për armët dhe sigurinë në shkolla pas tragjedisë në Graz
-
Der Standard: “Në Kosovë tani po mbretëron kokëfortësia”