KE miraton Raportin e Martyt

I vetmi ndryshim i është bërë titullit: "Hetimi rreth dyshimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve në Kosovë"

 

Ashtu siç pritej, me shumicë votash, sot Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka miratuar raportin e Dick Martyt, ku akuzohet kryeministri në largim Hashim Thaçi dhe disa prej ish-drejtuesve të UÇK-së për përfshirje në krimin e organizuar, përfshirë trafikun e organeve njerëzore gjatë vitit 1999.

Refuzimet e përkrahjes së amendamenteve vinin nga raportuesi Dick Marty dhe Komiteti për Drejtësi i Këshillit të Evropë. Shumica nga eurodeputetët 169 sish, e mbështetën raportin e Martyt rreth dyshimeve për trafikim organesh në Kosovë nga pjesëtarë të UÇK-së. Vetëm tetë deputetë ishin kundër.

  

Deputeti i Shqipërisë, Ilir Rrusmajli arsyetonte amendamentet, por ato rrëzoheshin nga raportuesi Dick Marty dhe Komiteti i Drejtësisë, dhe në votim të mbyllur refuzoheshin nga shumica e eurodeputetëve.

 

I vetmi ndryshim që është bërë në draft-projektin ishte ndryshimi i titullit të tij në “Hetimi rreth dyshimeve për trajtim çnjerëzor dhe trafikim të organeve në Kosovë”.

 

Komitetit të Drejtësisë të Këshillit të Evropës i ishin dorëzuar 21 amendamente – katër i kishte dorëzuar Dick Marty dhe që të gjithë ishin miratuar, ndërsa 17 amendamentet tjera i kishin dorëzuar delegacionet e Shqipërisë dhe Turqisë.

 

Shqipëria dhe Turqia bënin përpjekje që të përmirësonin draft-rezolutën me amendamente. Ato bënë përpjekje të zhdukin nga draft-rezoluta fjalët “prova” dhe “fakte”, duke i zëvendësuar ato me “dyshime” dhe “thashetheme”. Por, këto refuzoheshin gjatë votimit.