Privilegj apo sfidë? Një brez mes rrënjëve dhe horizonteve të reja

Në zemër të diasporës shqiptare në Zvicër po rritet një brez i ri që jeton mes dy botëve, dy kulturave dhe dy identiteteve. Të lindur ose të rritur në një shoqëri të zhvilluar dhe shumëkulturore, këta të rinj shqiptarë kanë arritur të ndërtojnë karriera të suksesshme në fusha të ndryshme, duke u integruar plotësisht në shoqërinë zvicerane, por pa u shkëputur nga rrënjët e tyre.

Përmes 12 rrëfimeve personale, kjo temë sjell një pyetje thelbësore: a është të jesh shqiptar dhe zviceran një sfidë që duhet balancuar, apo një privilegj që krijon mundësi të reja, perspektiva më të gjera dhe një identitet më të pasur?

Pa dyshim, kush është rritur si fëmijë i prindërve mërgimtarë e njeh mirë ndjesinë e të jetuarit “mes dy botëve”. Në njërën anë janë vlerat, gjuha dhe traditat që përcjell familja, ndërsa në anën tjetër është shoqëria ku rritesh dhe arsimohesh, aty ku gradualisht formohet edhe identiteti. Pikërisht në këtë bashkëjetesë përvojash formësohet një brez i ri, me një identitet të dyfishtë që ndërthur natyrshëm përkatësinë shqiptare me kulturën dhe normat e vendit ku jeton.

Në Zvicër, kjo përvojë shfaqet qartë te gjenerata e dytë e diasporës shqiptare. Të rinj të shumtë, të lindur ose të rritur në këtë vend, kanë arritur të integrohen me sukses në sistemin arsimor dhe profesional zviceran, duke u afirmuar në fusha të ndryshme si shkenca, mjekësia, ekonomia, arti dhe kultura. Ata dëshmojnë se integrimi nuk është thjesht përshtatje, por edhe aftësi për të ndërtuar një rrugë të re pa mohuar origjinën.

Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë apo e shtruar. Prindërit, të rritur në trojet shqiptare, zakonisht përpiqen të ruajnë gjuhën, traditat dhe mënyrën e jetesës që kanë sjellë nga vendlindja, ndërsa gjenerata e dytë kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj në një realitet tjetër. Në tema si përkatësia, ruajtja e gjuhës, identiteti, integrimi, ndarja mes kulturës së shtëpisë dhe realitetit shoqëror, si dhe me pritshmëritë e dyfishta që u vendosen, kjo përvojë shpesh shndërrohet në tension dhe sfidë në vete, por njëkohësisht edhe në një në avantazh, një mundësi për të jetuar me dy horizonte dhe për ta kthyer këtë dyzim në forcë.

Në këtë kontekst lind shpesh pyetja: A është privilegj apo sfidë të jetosh mes dy kulturave?

Përmes shumë intervistave me të rinj shqiptarë të suksesshëm që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, kjo temë përpiqet të sjellë pikërisht këtë perspektivë: si e përjetojnë ata identitetin e tyre mes dy kulturave dhe çfarë roli luan kjo përvojë në formimin e tyre personal dhe profesional.

 

Identiteti mes dy kulturave: të jesh shqiptar dhe njëkohësisht zviceran

Për shumë shqiptarë që jetojnë dhe veprojnë në Zvicër, veçanërisht për brezin e dytë të diasporës, identiteti nuk përjetohet si një zgjedhje mes dy përkatësive, por si një proces i vazhdueshëm ndërthurjeje mes dy kulturave. Përvoja e tyre dëshmon se të qenit shqiptar dhe njëkohësisht pjesë e shoqërisë zvicerane nuk përbën një kundërthënie, por një realitet kompleks dhe shpeshherë pasurues. Në rrëfimet e të intervistuarve për revistën Albinfo.ch, identiteti i dyfishtë shfaqet si një hapësirë ku bashkëjetojnë disiplina dhe emocioni, tradita dhe moderniteti, rrënjët dhe perspektiva globale.

 

 

Kjo përvojë bëhet veçanërisht e dukshme në rrugëtimet profesionale të brezit të ri të diasporës.

Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” dhe sot pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich”, përfaqëson një shembull të qartë të kësaj ndërthurjeje kulturore. Për të, identiteti shqiptar nuk ka qenë kurrë diçka që duhej ruajtur me vetëdije, ai ka qenë gjithmonë pjesë organike e personalitetit të saj. Lidhja me komunitetin shqiptar dhe mënyra se si ajo ndërton marrëdhënie njerëzore i kanë dhënë një dimension tjetër profesionit të saj, aftësinë për të krijuar besim dhe bashkëpunim brenda ekipeve shumëkulturore, siç shprehet ajo: “Kombinimi i të dyjave më ka dhënë një balancë midis rigorozitetit analitik dhe inteligjencës emocionale”.

Edhe për Arbron Gashin, shkrimtar dhe autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, i cili njëkohësisht punon si “web designer” në Zvicër, jeta mes dy kulturave për të përfaqëson një sfidë të vazhdueshme balancimi. Ai thekson se dallimet mes dy mentaliteteve janë të dukshme, nga njëra anë struktura, rregulli dhe orientimi individual i shoqërisë zvicerane, ndërsa nga ana tjetër ngrohtësia, lidhja familjare dhe emocionaliteti që karakterizon kulturën shqiptare. Për të, sfida nuk qëndron në zgjedhjen e njërës kulturë ndaj tjetrës, por në aftësinë për të përthithur disiplinën dhe organizimin e njërës, duke ruajtur njëkohësisht dimensionin njerëzor dhe emocional të tjetrës.

Një perspektivë e ngjashme vjen edhe nga Vildane Rexhepi, menaxhere e prokurimit në sektorin e IT-së në bankën UBS. Sipas saj, për brezin e dytë të shqiptarëve në Zvicër integrimi shpesh fillon herët, përmes shkollës, rrethit shoqëror dhe përfshirjes në jetën profesionale. Megjithatë, kjo rrugë nuk është gjithmonë e thjeshtë, pasi komuniteti shqiptar mbetet i madh dhe shpesh krijon një hapësirë të vetën sociale. Për të, çelësi qëndron në vetëdijen për vlerat e origjinës dhe në aftësinë për t’i përfaqësuar ato me krenari, duke ndërtuar një personalitet që përçon më të mirën nga të dyja kulturat.

Ndërkohë, në profesionin e mjekësisë, ku përgjegjësia ndaj njerëzve është e jashtëzakonshme, identiteti i dyfishtë merr një dimension edhe më të thellë. Dr. Kaltrina Zahiti, mjeke oftalmologe në Zvicër, e përjeton këtë identitet si një pasuri të dyfishtë. Ajo thekson se kultura shqiptare i ka dhënë ndjeshmëri dhe empati ndaj pacientëve, ndërsa shoqëria zvicerane e ka formuar me disiplinë, korrektësi dhe përgjegjësi profesionale. Për këtë arsye, ajo e përshkruan identitetin e saj si “një pasuri të dyfishtë”, ku dimensioni njerëzor dhe ai profesional plotësojnë natyrshëm njëri-tjetrin.

Në fakt identiteti mes dy kulturave shprehet edhe përmes artit. Për piktoren Vanesa Lika, e lindur në Gjenevë nga prindër shqiptarë, rrënjët kulturore janë një nga burimet kryesore të frymëzimit artistik. Në veprat e saj, arti shndërrohet në një hapësirë reflektimi ku ndërthuren kujtesa, tradita dhe kërkimi personal shpirtëror. Siç thekson vetë ajo, përmes veprave të saj përpiqet të krijojë “një dialog mes së kaluarës dhe së tashmes”, duke e shndërruar identitetin në një proces krijues dhe të vazhdueshëm kërkimi. Për Likën, të jetosh mes dy kulturave nuk është një ndarje identitare, por një proces krijimi, një mundësi për të parë botën nga dy perspektiva dhe për të ndërtuar një identitet më të lirë dhe më autentik.

Edhe në muzikë, përkatësia kulturore shpesh shndërrohet në burim shprehjeje dhe lidhjeje me rrënjët. Këngëtari shqiptar Elion Krasniqi (LMN) e sheh artin, sidomos muzikën, si një nga mënyrat më të fuqishme për ruajtjen e identitetit shqiptar në diasporë. Përmes muzikës, sipas tij, krijohet një lidhje e drejtpërdrejtë emocionale me gjuhën, traditat dhe trashëgiminë shpirtërore, duke bërë që identiteti të mos mbetet vetëm një koncept kulturor, por një përjetim i gjallë dhe i vazhdueshëm.

Nga ana tjetër, për disa prej të intervistuarve, jeta mes dy kulturave përjetohet kryesisht si një përvojë pasuruese. Modelja Cendrine Berisha, e cila ka përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” e sheh këtë ndërthurje kulturore si një pasuri personale që ka ndikuar në formimin e saj si individ.

Një perspektivë interesante mbi këtë realitet ofrojnë edhe dy mjekët e rinj shqiptarë, Thesar Abdullahu dhe Morgan Hetemi, të diplomuar në “University of Basel” dhe tashmë në rrugën e studimeve doktorale. Për ta, të jetosh dhe të studiosh mes dy kulturave ka qenë një element thelbësor formues. Morgan Hetemi e sheh përkatësinë në diasporën shqiptare si një mundësi për të përfituar nga më të mirat e të dyja botëve, nga njëra anë vlerat familjare, respekti dhe ndjenja e bashkësisë që burojnë nga kultura shqiptare, dhe nga ana tjetër standardet e larta profesionale dhe akademike të shoqërisë zvicerane. Ndërsa për Thesar Abdullahun, kontrasti mes dy botëve e ka ndihmuar në zhvillimin e një perspektive më të hapur dhe fleksibile ndaj diversitetit.

Në tërësi, përvojat e këtyre të rinjve tregojnë se identiteti i shqiptarëve në Zvicër nuk është një realitet statik, por një proces dinamik ndërtimi, një identitet “hibrid” kulturor, që nuk ndahet mes dy botëve, por ndërtohet nga bashkimi i tyre. Mes disiplinës zvicerane dhe ndjeshmërisë shqiptare, mes traditës dhe modernitetit, brezi i ri i diasporës po krijon një identitet të ri, një identitet që nuk e mohon origjinën, por e shndërron atë në një burim force për të ndërtuar rrugëtimin e vet në një shoqëri gjithnjë e më shumë globale.

 

Suksesi i gjeneratës së dytë në arsim dhe integrim

Pas trajtimit të identitetit dhe mënyrës se si ai ndërtohet mes kulturës shqiptare dhe asaj zvicerane, vlen të theksohet se një pjesë e madhe e të intervistuarve nuk dallohen vetëm për përjetimin kulturor, por edhe për arritjet e tyre profesionale dhe akademike. Shumica prej tyre, të përmendur më herët, bartin tituj të avancuar akademikë, përfshirë edhe nivele doktorature, dhe janë të integruar në mënyrë të suksesshme në tregun profesional të Zvicrës.

 

 

Megjithatë, në këtë kapitull fokusi zhvendoset edhe më tej drejt një grupi të ri profilesh, të cilët përfaqësojnë fusha të ndryshme si mjekësia, ekonomia, menaxhimi, arti dhe moda. Këto histori dëshmojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por gjithnjë e më shumë e suksesshme në fusha të ndryshme profesionale, duke ndërtuar karriera të qëndrueshme dhe të dukshme në shtetin zviceran.

Një nga këto raste është Lavdrim Xhemaili, artist shumëdimensional shqiptar që jeton dhe vepron në Zvicër, i angazhuar në kërcim, aktrim dhe muzikë. Ai përfaqëson një profil artistik të kompletuar, i cili ka arritur të depërtojë në skenën zvicerane pa e humbur lidhjen me identitetin e tij kulturor. Rrugëtimin e tij ai e përshkruan si një proces natyral përshtatjeje, duke theksuar me një dozë ironie se “Zvicra është shtëpia ime, edhe pse jo gjithmonë e kam ndier ashtu”, duke reflektuar kështu raportin kompleks mes përkatësisë dhe përvojës personale në Zvicër.

Në aspektin profesional, ai thekson se depërtimi në tregun artistik zviceran nuk ka qenë domosdoshmërisht i vështirë për shkak të mungesës së mundësive, por më shumë për shkak të perceptimeve ekzistuese mbi diversitetin. Sipas tij, shpesh paragjykimet vizuale dhe kulturore ndikojnë në mënyrën se si interpretohet një artist në skenë, duke krijuar sfida të padukshme për individët me prejardhje të ndryshme.

Një rol të veçantë në këtë dimension të arsimit dhe integrimit profesional e zë edhe Shkurta Gashi, doktorante në “Università della Svizzera italiana” në Lugano, e cila sot është gjithashtu post-doktorante dhe pjesë e stafit akademik në “ETH Zurich” në Departamentin e Shkencave Kompjuterike dhe “ETH AI Center”. Paralelisht me angazhimin akademik, ajo vepron edhe si “Data Scientist” në IKEA në Bazel, duke lidhur kështu kërkimin shkencor me aplikimin praktik në industri.

Ajo thekson se sistemi arsimor zviceran ka ndikuar thellësisht në mënyrën e saj të të menduarit dhe të punuarit, duke e orientuar drejt cilësisë, precizitetit dhe rigorozitetit shkencor. Sipas saj, në fushën e inteligjencës artificiale “nuk mjafton që një model të funksionojë, ai duhet të jetë i dokumentuar, i justifikuar dhe i riprodhueshëm”, qasje kjo që e ka bërë pjesë të pandashme të punës së saj të përditshme.

Një tjetër profil i rëndësishëm është Vildane Rexhepi, e angazhuar në sektorin e IT-së në bankën UBS, me formim akademik në transformimin digjital nga “ZHAW Zurich University of Applied Sciences”. Ajo e përshkruan edukimin zviceran si vendimtar në formimin e saj profesional, duke theksuar rëndësinë e saktësisë, efikasitetit dhe menaxhimit të prioriteteve në punën e përditshme.

Mes profileve të suksesshme që dëshmojnë integrimin profesional në Zvicër është edhe Dr. Kaltrina Zahiti. Si mjeke e specializuar për sëmundjet e syrit, ajo ka themeluar dy ordinanca oftalmologjike në Biberist dhe Emmen, të cilat ofrojnë shërbime moderne dhe kujdes cilësor për pacientët.

Ndërsa fushën e ekonomisë dhe biznesit, një histori veçanërisht e dallueshme është ajo e Fjolla Gashit, e cila ka ndërtuar një rrugëtim të shumëfishtë akademik dhe profesional në Zvicër. Ajo ka përfunduar studime në infermieri dhe ekonomi e biznes, duke arritur deri në nivelin Master në “University of Basel”, ndërsa sot punon si menaxhere klientësh në kompaninë “BDO AG”. Rrugëtimi i saj akademik karakterizohet nga një intensitet i lartë dhe një disiplinë e jashtëzakonshme, duke dëshmuar njëkohësisht aftësinë për të kombinuar studimet me integrimin profesional në një sistem të kërkuar si ai zviceran.

Po ashtu edhe në botën e modës, Cendrine Berisha, modele shqiptare nga Zvicra, përfaqëson një tjetër dimension të këtij integrimi. Ajo ka ndërtuar karrierën e saj në skenën ndërkombëtare të modës, duke përfaqësuar Zvicrën në konkursin “Miss Europe Continental” në Napoli dhe duke bashkëpunuar me agjenci dhe revista në vende të ndryshme. Për të, përfaqësimi i Zvicrës në një skenë ndërkombëtare, duke ruajtur njëkohësisht edhe rrënjët shqiptare, përbën një përvojë të veçantë dhe të rëndësishme në aspketin e integrimit në shoqërinë zvicerane.

 

Ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare

Në jetën e përditshme të shqiptarëve në Zvicër, gjuha dhe kultura shqiptare mbeten një nga shtyllat më të rëndësishme të identitetit. Në rrëfimet e tyre, ruajtja e shqipes nuk paraqitet vetëm si një çështje tradite, por si një përpjekje e vetëdijshme për të mbajtur gjallë lidhjen me rrënjët, historinë familjare dhe përkatësinë kulturore. Kjo përpjekje shpesh fillon brenda familjes, por forcohet edhe përmes institucioneve arsimore dhe aktiviteteve kulturore të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Një rol të veçantë në këtë proces luajnë shkollat plotësuese të gjuhës shqipe. Një nga figurat që i ka kushtuar vite të tëra këtij misioni është mësuesja Ida Jashari, e cila prej afro dy dekadash u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të diasporës në Ostermundigen të Bernës. Në klasat e saj, ku shpesh mësojnë edhe fëmijë të gjeneratës së tretë, gjuha nuk trajtohet vetëm si mësim gramatike, por si pjesë e identitetit dhe ndjenjës së përkatësisë. “Shkolla shqipe është zemra që mban gjallë identitetin tonë larg atdheut,” shprehet ajo, duke theksuar se aty fëmijët mësojnë jo vetëm të flasin shqip, por edhe të ndjejnë lidhjen me rrënjët e tyre.

Sipas saj, ruajtja e gjuhës në diasporë është një proces që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes familjes dhe shkollës. Ajo vëren se brezi i ri nuk e ka humbur shqipen, por ka nevojë për më shumë mbështetje për ta kultivuar atë. “Brenda tyre ekziston dëshira për ta ruajtur gjuhën, ne vetëm duhet ta ushqejmë me dashuri dhe përkushtim,” thekson Jashari. Për këtë arsye, ajo e konsideron bashkëpunimin mes prindërve dhe mësuesve si një faktor vendimtar, kur këto dy shtylla ecin së bashku, gjuha dhe kultura bëhen më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm. Në fund të fundit, siç thotë ajo me shumë ndjenjë, të edukosh fëmijët shqiptarë në mërgatë do të thotë “të mbash gjallë një copë atdheu në zemrat e tyre”.

Ruajtja e gjuhës shfaqet edhe në përvojat e profesionistëve të rinj shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Zvicër. Për shembull, mjekët e rinj të diplomuar në Bazel, Morgan Hetemi dhe Thesar Abdullahu, tregojnë se lidhja me gjuhën dhe kulturën shqiptare i ka shoqëruar edhe gjatë rrugëtimit të tyre akademik. Ata u njohën që në semestrin e parë të studimeve dhe zbuluan se ndanin jo vetëm të njëjtin profesion, por edhe të njëjtën prejardhje nga Ferizaj. Kjo afërsi krijoi një ndjenjë të veçantë bashkëpunimi dhe përkatësie. “Ka qenë gjithmonë një ndjenjë e bukur të dish se ke dikë me të cilin ndan të njëjtin rrugëtim,” kujton Thesari, duke nënvizuar se kjo lidhje i ka ndihmuar të ruajnë më lehtë edhe kontaktin me gjuhen dhe kulturën shqiptare brenda një mjedisi akademik zviceran.

Edhe në botën e letërsisë, gjuha shqipe mbetet një mjet i rëndësishëm për të ruajtur lidhjen me origjinën. Shkrimtari Arbron Gashi, autor i librit poetik “Ajo çka heshtja fsheh”, tregon se të jetosh në Zvicër shpesh të shtyn të përdorësh më shumë gjuhë të tjera në përditshmëri, por zgjedhja për të shkruar në shqip është një vendim i vetëdijshëm. “Kam dashur që njerëzit e mi në Kosovë dhe në Zvicër të mund të lexojnë atë që kam për të thënë,” shprehet ai, duke theksuar se ruajtja e gjuhës në nivel të mirë kërkon praktikë dhe vetëdije të vazhdueshme.

 

Keystone SDA
Keystone

 

Në mënyrë të ngjashme, edhe profesionistë të tjerë shqiptarë në Zvicër e shohin gjuhën si një lidhje të drejtpërdrejtë me identitetin e tyre. Menaxherja në sektorin e IT-së bankare, Vildane Rexhepi, thekson se familja ka qenë faktori kryesor në ruajtjen e gjuhës dhe traditave shqiptare, ndërsa lidhja e vazhdueshme me Kosovën dhe Shqipërinë e ka ndihmuar që kjo përkatësi të mbetet e gjallë. Edhe mjekja e syve, Kaltrina Zahiti tregon se, ndonëse në përditshmërinë profesionale përdor kryesisht gjuhët zvicerane, në jetën private shqipja mbetet thelbësore. “Përmes gjuhës kam një lidhje të drejtpërdrejtë me rrënjët e mia, me traditat dhe me një mënyrë të menduari që është pjesë e rëndësishme e identitetit tim,” shprehet ajo.

Në fushën e artit dhe muzikës, kjo lidhje merr një dimension tjetër. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) nga Gjeneva ka zgjedhur të këndojë kryesisht në gjuhën shqipe, duke e parë atë si një pjesë të pandashme të identitetit të tij artistik. Ai tregon se ndikimi i familjes ka qenë vendimtar në këtë drejtim, pasi është rritur në një mjedis ku gjuha dhe muzika shqiptare ishin gjithmonë të pranishme. “Kam vendosur të këndoj në shqip sepse kjo është pjesë e pandashme e identitetit tim,” thotë ai, duke shtuar se publiku shqiptar e përjeton këtë me shumë emocion, ndërsa edhe publiku ndërkombëtar e vlerëson autenticitetin e artistëve që ruajnë rrënjët e tyre.

Në të gjitha këto rrëfime, gjuha shqipe shfaqet jo vetëm si një element komunikimi, por si një urë që lidh brezat dhe kulturat. Për shqiptarët në Zvicër, ajo mbetet një mënyrë për të ruajtur kujtesën kolektive, për të kultivuar ndjenjën e përkatësisë dhe për të mbajtur gjallë një pjesë të atdheut, edhe larg tyre.

 

“Një shqiptari e re”, gjenerata moderne e diasporës

Gjenerata e dytë e diasporës po formon një mënyrë të re të të qenit shqiptar, më të artikuluar, më të vetëdijshme dhe të lidhur njëkohësisht me rrënjët dhe me realitetin global. Në rrëfimet e të intervistuarve kjo “shqiptari e re” nuk shihet si shkëputje nga tradita, por si një vazhdimësi që merr forma të reja në kontekstin e jetës në Zvicër.

Për studiuesen dhe shkencëtaren e të dhënave Shkurta Gashi, kjo dukuri nuk përfaqëson krijimin e një identiteti krejtësisht të ri, por zgjerimin e atij ekzistues. Sipas saj, brezi i dytë është rezultat i një evolucioni që ndërthur vlerat e trashëguara nga familja me standardet që ofron sistemi arsimor zviceran. Ajo e vendos këtë zhvillim edhe në kontekst historik, duke e lidhur me valët e migrimit të viteve ’70 dhe ’90, kur shumë shqiptarë u përballën me sfida të mëdha integrimi. Pikërisht mbi përvojën dhe sakrificat e atij brezi është ndërtuar stabiliteti dhe mundësia e zhvillimit për brezin e dytë. Në këtë kuptim, sipas saj, kontrasti mes tradicionales dhe modernes është shpesh artificial, sepse në realitet po ndodh një sintezë mes tyre. “Brezi i dytë nuk po krijon një ‘shqiptari të re’, po e zgjeron atë,” shprehet ajo, duke theksuar se identiteti sot ndërtohet duke mbajtur fort rrënjët dhe duke përfshirë përvojën ndërkombëtare. Në një përkufizim të shkurtër, ajo e përmbledh këtë përvojë me fjalët: “Të kesh dy perspektiva dhe të dish t’i shndërrosh të dyja në vlerë.”

Edhe shkrimtari Arbron Gashi sheh në këtë brez një zhvillim të natyrshëm drejt një identiteti më të hapur dhe më modern. Sipas tij, mundësitë më të mëdha për arsim dhe zhvillim kanë krijuar një gjeneratë më të vetëdijshme për potencialin e saj. Megjithatë, ai thekson se kjo rrugë kërkon edhe një përpjekje të vazhdueshme për të mos humbur lidhjen me rrënjët. “Po, mendoj që brezi i dytë po formon një lloj ‘shqiptari të ri’, më të hapur dhe më modern,” thotë ai, duke shtuar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës është thelbësore për të mbajtur gjallë këtë identitet. Në një fjali të vetme, ai e përkufizon këtë përvojë si “të jetosh mes dy botëve dhe të marrësh më të mirën nga të dyja”.

Edhe në fushën e mjekësisë, përvoja e Kaltrina Zahitit e përforcon këtë ide. Sipas saj, brezi i dytë i shqiptarëve në Zvicër po ndërton gradualisht një identitet më të integruar, ku gjuha, traditat dhe lidhja me origjinën mbeten pjesë e rëndësishme e vetëdijes kulturore, ndërsa integrimi në shoqërinë zvicerane vazhdon të thellohet.

Një perspektivë të ngjashme sjell edhe profesionistja në sektorin bankar Vildane Rexhepi, e cila vëren se brezi i dytë karakterizohet nga orientimi drejt qëllimeve dhe nga këmbëngulja për të përballuar sfidat. Sipas saj, ky brez po dëshmon çdo ditë se integrimi dhe suksesi profesional mund të ecin paralelisht me ruajtjen e identitetit kulturor. Prania e shqiptarëve në fusha të ndryshme, nga mjekësia dhe infermieria deri te ekonomia dhe drejtësia, krijon një urë të natyrshme mes dy kulturave, duke reflektuar atë që ajo e përshkruan si “bukurinë e identitetit shqiptar me atribute zvicerane”.

Në art dhe kulturë, ky identitet shfaqet përmes mënyrës se si artistët e rinj përfaqësojnë rrënjët e tyre në një skenë ndërkombëtare. Këngëtari Elion Krasniqi (LMN) e përshkruan këtë përvojë në mënyrë të thjeshtë dhe domethënëse: “Të jesh shqiptar në Zvicër do të thotë të jetosh mes dy botëve, duke ruajtur origjinën dhe duke u integruar me dinjitet.” Një mesazh të ngjashëm përcjell edhe modelja Cendrine Berisha, e cila e sheh gjeneratën e re si një brez që arrin të balancojë traditën me modernitetin. “Është një brez që di të balancojë traditën me modernitetin, me shumë vetëdije dhe ambicie,” thotë ajo, ndërsa për veten e saj të jesh shqiptare në Zvicër do të thotë “të jesh krenare për rrënjët dhe e vendosur për të ardhmen”.

Në të gjitha këto perspektiva, gjenerata e re e diasporës shqiptare shfaqet si një brez që nuk e sheh identitetin si një kufi mes dy kulturave, por si një hapësirë ku ato bashkëjetojnë dhe pasurojnë njëra-tjetrën. Kjo “shqiptari e re” nuk e zëvendëson traditën, por e zgjeron atë, duke e bërë identitetin shqiptar më të hapur, më të sigurt dhe më të pranishëm në një botë gjithnjë e më globale.

Në katër nënkapitujt e këtij artikulli u shpalosën disa nga dimensionet më të rëndësishme të këtij realiteti, siç janë identiteti mes dy kulturave, roli i arsimit dhe integrimit profesional, ruajtja e gjuhës dhe kulturës shqiptare, si dhe formimi i një gjenerate të re të diasporës. Së bashku, këto rrëfime krijojnë një mozaik përvojash që tregojnë se gjenerata e dytë e shqiptarëve në Zvicër nuk është vetëm e integruar, por edhe shumë e suksesshme në fusha të ndryshme, nga shkenca dhe mjekësia, te arti, ekonomia dhe kultura.

Një element që shfaqet vazhdimisht në këto histori është roli i familjes dhe i gjuhës shqipe në ruajtjen e identitetit. Për shumë prej tyre, gjuha nuk është vetëm një mjet komunikimi, por një lidhje e drejtpërdrejtë me rrënjët, kujtesën dhe kulturën e prejardhjes. Në të njëjtën kohë, arsimi dhe përvoja profesionale në Zvicër kanë ndihmuar në formimin e një brezi të ri të profesionistëve të përgatitur, të disiplinuar dhe të hapur ndaj botës.

Kjo gjeneratë, në shumë mënyra, përfaqëson një urë të padukshme mes dy kulturave. Ajo lëviz natyrshëm mes traditave shqiptare dhe standardeve të shoqërisë zvicerane, duke marrë më të mirën nga të dyja. Përmes këtij ndërthurje, identiteti shqiptar në diasporë nuk mbetet i ngrirë në kohë, por evoluon, duke u pasuruar me përvoja të reja dhe duke fituar një dimension më të gjerë.

Në fund, historitë e këtyre të rinjve dëshmojnë se diaspora shqiptare në Zvicër nuk është vetëm një histori migrimi, por edhe një histori zhvillimi, integrimi dhe suksesi. Ajo tregon se si rrënjët mund të mbeten të forta edhe larg vendit të origjinës dhe se si një identitet i dyfishtë, larg të qenit një pengesë, mund të shndërrohet në një forcë që hap horizonte të reja për individin dhe për komunitetin si një pasuri dhe privilegj.

 

E mbijetuara nga kanceri i gjirit prenë flokët në shenjë solidarizimin për muajin rozë

Arbela Statovci, shqiptarja nga Zvicra që i ka mbijetuar kancerit të gjirit ka prerë flokët e saj në festivalin “Shliroj cicât” në Prishtinë si shenjë solidarizimi për muajin rozë.

“Vlerat e jetës po të dilshin para syve se njeri ish ma i fortë se guri”, është shprehur ajo, përcjell albinfo.ch.

Pjesë e këtij festivali treditor është edhe Vera Ora, po ashtu e mbijetuar nga kanceri i gjirit

Këtë vit është edicioni i tretë i festivalit “Shliroj Cicât” me një program 3-ditor, nga data 13 deri më 15 tetor, një festival edukues dhe avokues, që ka për qëllim vetëdijesimin për kancerin e gjirit si dhe ngritjen e fondeve për këtë kauzë të rëndësishme, përcjell albinfo.ch.

VIDEO: Testohu – Shërohu – Shlirohu!

Lexoni po ashtu: Tetori do të jetë përsëri rozë! “Kancerit të gjirit nuk i intereson kush je” – Albinfo

 

 

 

 

Gentiana, e specializuar në shitblerjen e pasurive të paluajtshme

“Gentiana Real Estate” është adresa ku ju jo vetëm mund të gjeni shtëpinë e ëndrrave tuaja, por të cilës edhe mund t’ia besoni shtëpinë, banesën apo pronën tuaj për shitje. Gentiana Bajrami ka një përvojë të gjatë në tregun e paluajtshmërive, është kreative dhe e guximshme.

Ajo është krenare me të arriturat e shqiptarëve në Zvicër, sidomos në patundshmëri.

“Jam e lumtur kur takoj njerëzit tanë që kanë kursyer për shumë vite për të blerë një shtëpi që kanë ëndërruar gjatë gjithë kohës sa kanë punuar e kursyer”.

Kurrë nuk ka qenë më lehtë të jetosh si shqiptar në Zvicër. Pothuajse në çdo fushë e kudo gjeni dikë, me të cilin mund të komunikoni e të këshilloheni edhe në gjuhën shqipe për punët për të cilat ju po kërkoni zgjidhje. Pasuritë e paluajtshme janë bërë trend në kuptimin që pothuaj secili blen apo investon në këtë fushë. Ky biznes duket i thjeshtë e lukrativ, por nëse nuk bëni një analizë profesionale, ju mund të paguani shumë. Pasojat mund të jenë afatgjate dhe kriza e shkaktuar financiare, e pariparueshme. Që kjo mos të ndodhë, shumica e qytetarëve të Zvicrës, menaxhimin e pronës dhe shitblerjen ua besojnë kompanive të specializuara për pasuri të paluajtshme.

Në mesin e kompanive të shumta të tilla ju gjeni edhe kompaninë “Gentiana Real Estate”. Mbrapa kësaj kompanie qëndron një grua e re e me vetëbesim. Ajo sjell një përvojë të gjatë në këtë fushë. Misioni i Gentiana Bajramit është bashkimi i njerëzve dhe pasurive të paluajtshme. “Blerja e një prone është më shumë se një investim. Është detyrë e zemrës sonë të realizojmë dëshirat, kërkesat dhe qëllimet e jetës. Ne heqim dorë nga kërkimi ynë vetëm kur klientët dhe pronat tona janë bashkuar në një simbiozë unike, thotë Gentiana Bajrami, e cila ju këshillon në blerjen e një shtëpie, banese apo një prone. Ajo qëndron pranë jush edhe në dhënien me qira të pasurive të paluajtshme e menaxhimin e pronës. Për Gentianën, shtëpitë apo banesat janë më shumë se vetëm hapësira boshe. Ato janë një shtëpi, një vend për të jetuar, një pjesë ardhmëri dhe ajo i shikon dhe i trajton si të tilla.

“Pasuritë e paluajtshme kanë qenë pasioni im i madh për 10 vjet. Secila prej tyre është unike. Më gëzojnë edhe më shumë fytyrat e lumtura të pronarëve pas emërimit të noterit dhe ato të blerësve të rinj që mundën të blejnë pronën e tyre të ëndrrave. Të bashkoj njerëzit dhe pasuritë e paluajtshme – kjo është një çështje personale e zemrës sime”, shprehet Gentiana.

“Si kompani, ne fokusohemi në cilësi dhe jo në sasi, në mënyrë që të jemi aty për ju dhe pronën tuaj. Është e rëndësishme për ne që ju të shijoni rrugëtimin e shitjes së një prone dhe që ne të mund të kujdesemi për pjesën tjetër. Kjo na gëzon dhe na bën të lumtur për ju dhe pronën tuaj”, thotë drejtuesja e “Gentiana Real Estate”, Gentiana Bajrami e cila merr përsipër tërë procesin e shitblerjes për ju. Përmes “Gentiana real Estate” ju mund të shijoni “udhëtimin” falas- me 0% komision e 100% shërbim. Çmimet jane fikse dhe ju paguani vetëm nëse kemi pasur një ndërmjetësim të suksesshëm.

6-hapat tanë deri te shitja e pasurive të paluajtshme

  1. Konsultimi fillestar, falas

Për të qenë në gjendje të krijojmë një vlerësim tregu, ne vizitojmë shtëpinë tuaj së bashku me ju. Sigurish, pa pagesë dhe pa detyrim. Ju përfitoni nga përvoja jonë shumëvjeçare në shitje dhe qira. Mos hezitoni të caktoni takimin tuaj të shikimit, sot!

  1. Oferta jonë: 0% komision – 100% shërbim

Ne shesim pronën tuaj për një çmim fiks prej 12,500 CHF. Falë modelit tonë transparent të çmimeve, ju i dini kostot aktuale që nga fillimi i shitjes së pronës. Si klient i “Gentiana Real Estate” ju jo vetëm që kurseni më shumë se 50% në krahasim me komisionet konvencionale të brokerimit – ju mund të prisni një shërbim profesional në një nivel të lartë.

  1. Foto – shkrepje me dron – turne 360°

Pasi të keni vendosur për shërbimet tona, ne fillojmë menjëherë. Fotografi ynë personal, i specializuar në fotot e pasurive të paluajtshme, do të prezantojë pronën tuaj në dritën më të mirë. Ne ofrojmë shërbime shtesë të regjistrimit të pronës tuaj me dron.

  1. Krijimi i dokumenteve të shitjes

Pas regjistrimeve, do të krijohet një dokumentacion gjithëpërfshirës dhe shumë tërheqës i shitjes së pronës suaj. Pas inspektimit të suksesshëm, blerësi i mundshëm do të tregojë dokumentacionin e shitjes në mjedisin e afërt dhe do të diskutojë pronën tuaj. Prandaj është thelbësore që dokumentacioni i shitjes t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve dhe të lërë një përshtypje të qëndrueshme.

  1. Pyetje dhe vizita

Ne jemi kontakti i drejtpërdrejtë për të gjithë blerësit e mundshëm dhe koordinojmë të gjitha takimet e shikimit për ju. Ne përgatitemi për vizitën dhe pasqyrojmë dokumentacionin e shitjes – tërheqës dhe informues. Nëse blerësi i mundshëm ka një ndjenjë të mirë të brendshme dhe të gjitha pyetjet janë sqaruar, përvoja ka treguar se asgjë nuk mund të pengojë një blerje.

  1. Negociatat dhe mbyllja e shitjes

Çdo ofertë kontrollohet me ju. Qëllimi ynë është të arrijmë të ardhurat më të larta të mundshme nga shitja e pronës suaj. Sigurisht që ne jemi pranë jush deri në përfundimin e emërimit të noterit! 

“Besimi- Puna efikase – Çmime të drejta”

Janë fjalët kyçe që e kanë provuar eksperiencën tonë 10 vjeçare në industrinë e pasurive të paluajtshme. Ajo që ka rëndësi për ne jeni ju, prona juaj dhe besimi juaj tek ne. Ne përpiqemi të shohim pronën tuaj të dashur përmes syve tuaj në mënyrë që të bindim plotësisht blerësin e mundshëm. Empatia dhe çmimet fikse të drejta të shoqëruara me përvojën shumëvjeçare në fusha të ndryshme të lëmit të pasurive të paluajtshme janë ato që na dallojnë dhe na bëjnë partnerin e përsosur për ju. Ju presim me padurim.

Shumë vite eksperiencë

Për shumë vjet kemi arritur të ndërthurim njohuritë e thella të tregut me ekspertizën personale dhe kështu të gjejmë gjithmonë pronën ideale për klientët tanë.

Besim, jo mashtrim

Për ne, pasuria e paluajtshme është më shumë sesa thjesht hapësira boshe. Ata janë një shtëpi, një ëndërr e jetës, një pjesë e së ardhmes dhe pikërisht kështu i shohim dhe i trajtojmë ne.

Cilësi, jo sasi

Qëllimi ynë nuk është të shesim me çdo kusht. Qëllimi ynë është t’ju bëjmë të lumtur, të respektojmë, pranojmë dhe zbatojmë dëshirat tuaja.

www.g-realestate.ch

[email protected]

+41 79 887 88 77

Instagram: gentiana_real_estate

/Shkrim i sponzorizuar/

 

Shqiptari, drejtor i Zhvillimit Software në një nga kompanitë më të mëdha të Zvicrës

Me të drejtë thuhet se drejtorët e mirë i kuptojnë parimet themelore të menaxhimit dhe përdorin një gamë të gjerë të atyre parimeve për të drejtuar nevojat individuale dhe unike në punën e tyre, shkruan albinfo.ch.

Rasteve të suksesshme të shqiptarëve në Zvicër, pa dyshim i shtohet edhe Klevis Mino, një drejtor i suksesshëm në fushën e teknologjisë.

Zvicra, pa dyshim se është një nga shtetet evropiane, ku mundësia e arsimimit, punësimit, depërtimit në karrierë dhe formimit profesional e etik është shumë e madhe.

Ai është me prejardhje nga Fieri dhe ka qenë nxënës dhe student ekselent, i dalluar për njohuritë e thella në shkencat ekzakte. Fitues i olimpiadave rajonale dhe kombëtare në matematikë dhe informatikë, transmeton tutje albinfo.ch.

It PRo

Klevis Mino ka mbaruar studimet Bachelor për Informatikë në Universitetin e Tiranës, ndërsa studimet Master për Computer Science në Universitetin e Camerinos (UNICAM), Itali dhe për Business Information System në Universitetin e Shkencave të Aplikuara dhe Arteve të Zvicrës Veri-Perëndimore (FHNW).

Gjatë kësaj periudhe ka kontribuar edhe si kërkues shkencor. Me një karrierë të sukseshme në fushën e informatikës, Klevisi aktualisht është drejtor i Zhvillimit Software në një nga kompanitë më të mëdha të Zvicrës si partner të Google Maps. /Albinfo.ch

Krenar Sinani, pasionin për veturat BMW e bën profesion

Emri i shqiptarëve në Zvicër po lakohet gjithnjë më tepër për të mirë. Falë përkushtimit dhe talentit të tyre në punën që bëjnë, na përfaqësojnë denjësisht si në biznes e po ashtu edhe në fusha të tjera. Krahas të arriturave në profesion, gjenerata e të rinjve që sot janë të integruar mirë në Zvicër, me shumë krenari dhe dashuri po e theksojnë vendin e prejardhjes.

Shqiptarët kanë treguar që dinë të integrohen kudo që janë vendosur, pa u shkëputur nga rrënjët e tyre. Këtë e dëshmon edhe Krenar Sinani, i cili e thekson me mburrje se vjen nga një fshat malor me emrin Raincë, në Luginën e Preshevës. I njohur si “Krenari i BMW-së”, ai është vlerësuar nga kompania “Binelli Group BMW” në Cyrih, si shitësi më i suksesshëm i markës së njohur të automobilave, BMW.

Krenar Sinani është rritur në Bernë ndërsa që nga viti 2000 është zhvendosur me familje në Dietikon të Cyrihut. Pasionin për veturat e tipit BMW dhe jo vetëm, sipas Krenarit është diçka qe e gjen pothuaj tek pjesa më e madhe e shqiptarëve.

“Gjithmonë kisha dëshire të kem një veturë super luksoze të tipit BMW”, shprehet ai në këtë intervistë me albinfo.ch. Pasioni për veturat tek ai kishte lindur që në moshën më të re. Dhe, për këtë arsye ai ishte orientuar që të shkollohej po në këtë lëmë.

Në vitin 2007, Krenari kishte filluar zanatin si shitës i pjesëve të automjeteve, por gjithmonë mendjen e kishte, që një ditë të ishte pjesë e një marke luksoze të automjeteve siç është BMW.

Cila ishte vetura e parë e shitur nga ai

Dëshira e madhe për të pasur dhe për të qenë pjesë e kësaj marke, e mbante atë të lidhur fort drejt arritjes së qëllimit. Gjatë shkollimit të tij, ai në fillim kishte arritur që të ishte pjesë e sektorit të furnizimit me autopjesë, tek kompania Binelli. Meqenëse entuziazmi i tij ishte parë edhe nga menaxherët, atij ju kërkua edhe një shkollim plotësues dyvjeçar për të realizuar ëndrrën e te qenit njëri prej agjentëve më të suksesshëm tek “Binelli Group”, partneri më i madh zviceran i BMW Group.

Fillimet e sukseseve të tij në këtë fushë, Krenari i kujton në një rrëfim për albinfo.ch duke sjellë në kujtesë momentin kur ai, në një sallon veturash, të organizuar në Cyrih, kishte arritur që të shiste një veturë të markës, “Skoda Octavia. Skoda pra ishte vetura e parë që mban mend ta kishte shitur, sigurisht, një moment gëzimi për të dhe shkalla e parë drejt sukseseve që nuk i ndahen, që nga viti 2013.

Koha kur kishte filluar si agjent i shitjes, për Krenarin ishte një sfidë në vete, ngase ishte i vetmi shqiptar që kishte filluar te merrej me këtë fushë. Sot, i njohur si ekspert i serisë M të BMW ai është shitësi më i suksesshëm jo vetëm në Zvicër, por sukseset e tij tashmë janë parë edhe më gjerë, gjithandej në Evropë. Krenari është i pasionuar dhe shumë i përkushtuar në punën që bën, kontakti me klientët që sot janë të shumtë, për të nuk sjellë lodhje por një dëshirë për tu shërbyer të gjithë atyre që janë të pasionuar pas markës super luksoze BMW, në Cyrih.

Foto Armend Berisha

Kush blen veturën te Krenari, “blen” edhe përkujdesjen e tij për veturën

Falë angazhimit të tij të palodhur, viti i pandemisë nuk e ka ngadalësuar ritmin e shitjes që bën krenari i BMW-së. Madje, në vitin 2021, siç thotë ai, do ta shënojë rekordin e tij të shitjeve.

Shitësi më i suksesshëm i veturave i cilëson si klishe etiketimet se vetëm shqiptarët në Zvicër ngasin vetura të shpejta të tipit BMW. “Blerësit shqiptarë i kanë në qejf BMW-të, të bardha ose të zeza, të pajisura me të gjitha opsionet. Por, përveç kësaj, Krenari thotë duke qeshur se këto vetura i kërkojnë që të jenë edhe me çmime më të lira”. Ai thotë se, në mënyrë simbolike ata “më blejnë edhe mua” ngase ai përgjigjet për çfarëdo kërkese që kanë blerësit, edhe pasi të realizohet kontrata e blerjes.

Ai, konfirmon se blerësit shqiptarë janë më korrekt dhe të rregullt në pagesa. Rrallë ndodh t’i që ndonjërit t`i merret vetura për shkak të borxheve.

“Nuk është lehtë të merret as Leasing një veturë e shtrenjtë ngase ne aplikojmë kritere të rrepta kontrolli”, thotë Krenari duke mohuar zërat se gjithkush mund të ngasë një veturë super luksoze të tipit BMW.

Foto Armend Berisha

Përse vetëm Leasing?

Por, përse nuk i rekomandon “Binelli Group” kreditë për blerjen e veturave por vetëm Leasing-un?. “Ne gjithmonë i mbrojmë interesat e klientëve ngase bankat gjithmonë vlerësojnë veturën me vlerën që e keni blerë e jo si me kredi, sipas të cilës vlera e veturës humb gjithmonë, posa del nga salloni i shitjes. Më tutje, sigurimi është i plotë “Full Casco”, pastaj garancia 4 vjeçare dhe servisimi falas 10 vjet, sqaron specialisti shqiptar i M-BMW serive.

Vlera e veturave të këtilla kap shifrën deri 300 mijë frangash  ndërsa shqiptarët kanë gjithmonë pasion të blejnë veturat me paketën M të BMW-së. Si një adhurues i madh i kësaj marke, Krenari ka porositur për vete BMW-M5. Vetura të këtij lloji janë vetëm 5 në tërë Zvicrën.  Ndërsa, si i ri, me të mbushur 18 vjet, ai kishte marrë një Mini Copper, dhuratë që i kishte bërë babai i tij.

Eksperti shqiptar i M serive i adhuron befasitë e prindërve shqiptarë që i bëjnë fëmijët e tyre. “U shkëlqejnë sytë kur i zbulojnë veturat e tyre”, thotë ai.

“Ka shqiptarë të tillë që nuk guxojnë të blejnë automjete M vetëm për shkak të shefave të tyre”, thotë ai.

Krenarin mund ta takoni vetëm nëse siguroni një termin përndryshe ai mbetet shitësi më i kërkuar i BMW-së.

Foto Armend Berisha

I vlerësuar nga partnerët dhe klientët

Ata që sot e njohin dhe punojnë me Krenarin, mund ta përshkruajnë atë si një djalë i hareshëm, që i njeh shumë mirë veturat BMW deri në detajet më të vogla. Me njohuritë e tij të thella në sektorin e automobilave, ai i kishte bindur edhe kompanitë të mëdha për të lidhur partneritet me Binelli Group në Cyrih.

Ndërsa për Krenarin kanë vetëm lëvdata edhe klientët e tij shqiptarë.

Për shembull, çifti Kqiku nga Kamenica me vendbanim në Rümlang të Zvicrës që sapo kanë blerë veturën e ëndrrave në sallonin e Binelli Group në Cyrih. Po përse pikërisht nga Krenari?.

“Krenari është shitësi më i mirë që kam takuar ndonjëherë”, thotë z.Kqiku derisa e provon BMW 840i Gran Coupe, të cilën tashmë ishte përcaktuar ta blejë. Ai thotë me krenari se nuk e ndërron BMW-në me asnjë veturë tjetër ngase është e dashur si për të rinj edhe për të moshuar.

Krenari është i martuar dhe ka një vajzë 3 vjeçare ndërsa për punën e tij të suksesshme ai ka falënderuar edhe familjen që e ka mbështetur gjithmonë në këtë biznes.

 

Ëndrra e realizuar e Arditës: puna në kullën e lartë 126 metra

Me 126 metra dhe 36 kate, Prime Tower në Cyrih, është njëra ndër ndërtesat më të larta të Zvicrës. Dizajni i saj është konceptuar në atë mënyrë që rezulton një kombinim interesant i modernes dhe historisë. Të gjitha katet e sipërme, e posaqërisht Café-bari-I në katin më të lartë, ofron një pamje panoramike të Cyrihut.

Ishte viti 2014 kur Ardita Bunjaku kishte vizituar Cyrihun. Si pjesë e vizitave të saj ishte edhe Prime Tower. E mahnitur me dizajnin, si dhe pamjen që ofronte Bar-I nga lartë, asaj po ashtu i kishte rënë në sy lista e kompanive prestigjioze që zhvillojnë aktivitetin e tyre në këtë ndërtesë.

Edhe Ardita, si cçdo kush tjetër, do të ngazëllehej vetëm me idenë për të punuar në një ndërtesë të tillë, në njërën nga këto kompani.

E lindur në Prishtinë, por si fëmijë dy vjeçe emigron me familjen në Britaninë e madhe, ku dhe kalon pjesën tjetër të jetës deri në moshën 25 vjeçare.

Inovatore dhe me prirje menaxheriale

Gjatë shkollimit, tek Ardita dukej e qartë prirja e saj për numrat e llogaritjet, kështu që vendimi për të studiuar për Ekonomi Biznesi në Londër, ishte një vendim jo i vështirë për të.

“Gjatë studimeve, ishte e qartë se përvoja e punës ishte po aq e rëndësishme sa edhe përfundimi i një drejtimi akademik” thotë ajo, përderisa pas disa aplikimeve fiton vendin e saj të parë të punës në HSBC, një bankë ndërkombëtare, ku fillimisht punon si zyrtare e kredisë, ku klientët e saj ishin kompani me qarkullime të mëdha vjetore.

Aty fillojnë edhe sukseset e para. Pas vetëm 9 muajsh ajo nominohet si punëtorja më e mirë, gjë që i mundëson edhe trajnimin nga ana e saj të kolegëve të saj të punës, e që po ashtu ishte një nivel tjetër i përgjegjësisë. Po ashtu nga menaxherët e saj ajo përshkruhej edhe si shumë inovatore, natyrale e me aspirate menaxheriale.

Pasi tashmë kishte vizituar Cyrihun, e mahnitur nga ambienti i bukur që e rrethon, dhe nga stili i lartë i jetës që ofron ky qytet, Ardita, synon më lartë, duke aplikuar në kompani të ndryshme të Cyrihut për ndonjë vend pune.

Ëndrra për të punuar në Prime Tower të Cyrihut, bëhet realitet

Ndodhi që Ardita dhe Prime Tower të takohen prapë. Por kësaj radhe ajo vinte aty si analiste e tatimeve një nga bankat më të mëdha ndërkombëtare, selia e së cilës për Zvicër ishte pikërisht aty.

“Ajo që për mua dikur ishte vetëm një ëndërr, dalngadalë u kthye në realitet” shprehet Ardita, duke bërë kështu që studimet dhe përvoja e saj në Britani të shpaguhet.

Edhe këtu shpejt dallohet përkushtimi dhe zotësia e saj në punë, për çfarë emërohet si bashkë koordinatore e një ekipi prej 4 vetash. Ndërsa tash, si pjesë e një ekipi prej 12 vetash, është duke bërë specializimin në tregti dhe tatime të kompanive amerikane, gjë që padyshim do të shënojë edhe një hap tutje në karrierën e saj.

Duke punuar në një ambient multikulturor, pos punës zhvillon edhe shumë aktivitete të tjera bashkë me ekipin e saj. Por ajo ende nuk është ngopur me pamjen e Cyrihut që e sheh çdo ditë nga tavolina e punës në Prime Tower, e që e eksiton çdo ditë. Por, për të arriturat e saj të deritashme ajo padyshim se i detyrohet vetëvendosjes së saj, përkushtimit dhe punës së madhe, si dhe përvojës në të kaluarën.

Studioni! Mundimet shpaguhen një ditë

Ardita me këtë rast ka edhe një porosi për të rinjtë në Zvicër. Sipas saj, shumë nga ta nuk e shfrytëzojnë potencialin e tyre të plotë, për të përfituar nga të mirat që ky shtet mund të ofrojë. Dikujt mund t`i duket si një rrugëtim i gjatë, gjatë të cilit ndonjëherë puna dhe studimi humbin kuptimin një një pikë, por Ardita insiston se një ditë të gjitha shpaguhen…

 

Shtëpi kosovare për familje zvicerane

Albinfo.ch fillon prezantimin e gjashtë video-portreteve të para të realizuara me pjesëtarët e diasporës kosovare. Që tani e tutje do të zbuloni profilet e sipërmarrësve nga diaspora kosovare në Zvicër dhe gjetkë në Evropë, të cilët kanë nisur projekte inovuese dhe me vlerë të shtuar në Kosovë.

Projekti “Storie suksesi” synon të prodhojë dymbëdhjetë video-portrete të emigrantëve ose ish-emigrantëve kosovarë, të cilët kanë ndërmarrë iniciativa të pazakonta në favor të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit të tyre të origjinës. Bëhet fjalë, pra, për kosovarët e diasporës që kanë përfituar nga arritjet e tyre në Zvicër apo në vende të tjera të Evropës për të nisur projekte origjinale ekonomike, shkencore, kulturore apo socio-politike në favor të Kosovës. Nëpërmjet këtyre portreteve ne mund të kuptojmë më konkretisht ndikimin që diaspora kosovare mund të ketë në prosperitetin e shtetit të Kosovës.

Kjo qasje pozitive e projektit “Storie suksesi” synon të influencojë vendimmarrësit në Kosovë dhe në rajon, në mënyrë që të jenë më të vetëdijshëm për potencialin që ka diaspora në modernizimin e vendit. Ky projekt gjithashtu synon të promovojë shembuj të suksesshme, duke ngritur vetëdijen dhe duke nxitur anëtarët e tjerë të diasporës të ndërmarrin iniciativa të ngjashme, pasi që Kosova është e mbushur me mundësi për investime ekonomike.

“Storie suksesi” i përgjigjet një nevoje prioritare sa i përket përpjekjeve për të krijuar mekanizma të qëndrueshëm dhe institucionalë në transferimin e njohurive në Kosovë. Më konkretisht, transmetimi gjatë gjithë vitit të këtyre video-portreteve ka për qëllim të theksojë projektet që kanë efekte direkte ose indirekte në Kosovë.

Ky projekt është hartuar pas një reflektimi afatgjatë dhe është ndërtuar me një qasje moderne dhe dinamike. Ai është i pasuruar nga një shumëllojshmëri vendesh xhirimi në Kosovë, Zvicër dhe vende të tjera perëndimore. Intervistat e ndryshme janë kryer me bashkëbisedues dhe dëshmitarë të drejtpërdrejtë. Gjithë kjo punë sjell një komponent të rëndësishëm informacioni në marrëdhëniet e diasporës me vendin e origjinës.

Cikli i dymbëdhjetë portreteve “Storie suksesi” është i mbështetur nga Zyra Zvicerane për Zhvillim e Bashkëpunim në Kosovë (SDC-DEZA-DDC), Programit për Promovimin e Shoqërisë Demokratike (DSP) dhe projekti po zbatohet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Shqiptari nga Kosova me njërin nga restorantet më të famshme në Berlin

Fatos Xhafolli, një shtetar shqiptar i Kosovës është pronar i restorantit “Nuovo Mario”. Ai para 25 vjetësh ishte prapa banakut, kurse tani është ‘bosi’, shkruan “sueddeutsche.de”.

Restoranti italian është shumë i vizituar në Berlin, duke njëri nga restorantet më të mira në vend, përcjell albinfo.ch.

“Nuovo Mario” është njëri nga restorantet më të mira italiane në qytet, por pronari i tij është shqiptar. Shqiptar nga Kosova.

Në Berlin nuk ka shumë njohuri për këtë vend, që nuk janë shumë pozitive. Picat dhe pastat i duan gjermanët, por edhe Tavë kosi, por edhe qengji i pjekur me oriz nga kuzhina tradicionale shqiptare. Gjermanët kanë disa lidhje me Italinë, por jo me Shqipërinë apo Kosovën.

Fatos Xhafolli (40-vjeçar) kishte ardhur nga kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, për të filluar si një i huaj, por duke punuar shumë, ka arritur të jetë i suksesshëm në këtë fushë. Tashmë ai është shefi.

Vendi i tij është shumë i vizituar, çka nuk mund të thuhet për Kosovën. Ky vend ka shumë pak vizitorë, dhe njëri nga më të dobëtit ekonomikisht në Evropë. Ky vend ishte shkatërruar gjatë luftës para 20 vjetësh, kurse BE ka dhënë shumë ndihma. Disa kanë qenë të suksesshëm në Gjermani, por rruga është e vështirë.

Ai është nënkryetar i rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare në Gjermani, ku nënkryetar është edhe Bekim Borovci, derisa kryetar është Mustafë Abazi. Ky i fundit tregon për problemet me të cilat ballafaqohen shqiptarët.

Xhafolli ka dy dekada që jeton dhe vepron në Berlin të Gjermanisë, ku në këtë qytet ai ka në pronësi tre restorante, në të cilat ka të punësuar 65 punëtorë.

Jeton Asani fitoi çmimin “British Mortgage Awards 2017”

Shqiptarët vazhdojnë të jenë të suksesshëm, duke fituar çmime të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme. Kjo jo vetëm në sport e kulturë, por edhe në sektorë të tjerë.

I fundit që ka fituar çmim të rëndësishëm është shqiptari nga Tetova. Jeton Asani ka fituar “British Mortgage Awards 2017”, duke u shpallur më i mirë në sferën e hipotekave, ka njoftuar ‘Telegrafi Maqedoni’.

Asani është i punësuar në “Metro Bank”, i specializuar në çështje financiare, përcjell albinfo.ch.

“British Mortgage Awards” vlerëson njerëzit për arritje të larta në industrinë e hipotekave.

Arjeta Vataj, pjesë e stafit të lartë të kompanisë “Kodak Alaris”

Nga janari i këtij viti, Arjeta Vataj është pjesë e stafit të lartë për Austri dhe Zvicër  të kompanisë së njohur botërore të fotografisë, “Kodak Alaris”. Vataj bëhet kështu bashkëdrejtuese e sektorit për menaxhim të informacioneve në Austri dhe si “Account & Partner Manager për konsumatorët dhe partnerët, shkruan unternehmerheute.de.

“Me Arjeta Vatajn, Kodak Alaris ia ka dalë t`i sigurojë shërbimet e një eksperteje me përvojë të kësaj dege, transmeton albinfo.ch. Përmes posteve të saj të mëhershme në Dicom/Kofax dhe Alos/Spihgraph në fushë të marketingut, mbështetjes së partnerëve dhe të distribucionit, ajo është në mënyrë të përsosur e njohur me tregun e imazhit.

Së fundi, Vataj ka mbajtur postin e udhëheqëses së marketingut për Evropë të kompanisë së softuerit, Trimble/Plancal.

“Gëzohem me sfidën e re. Motoja ime është: Më mirë të fitohet në mënyrë digjitale se sa të humbet në atë analoge. Për shkak të kompleksitetit në ngritje të fushave të aplikimit të digjitalizimit, bashkëpunimi me partnerët tanë është me rëndësi qendrore, përcjell albinfo.ch. Vetëm përpunimi dhe aplikimi i bërë bashkërisht i strategjive dhe zgjidhjeve përkatëse realizon dobi optimale për ndërmarrjen.

Kodak Alaris është një kompani e madhe britanike e fushës së fotografisë, e cila është aktive në 34 vende të botës. Ajo ka 3000 punëtorë dhe një qarkullim prej mbi 1 miliardë dollarë ndërsa selinë e ka në Hempstead.

U largua për shkak të krizës, ndihmon kompanitë në tejkalimin e krizave

 

 

Kriza ekonomike dhe politike detyroi shumë shqiptarë që të largohen nga Kosova. Ata u larguan nga regjimi serb, duke gjetur strehë në Evropë. Kështu ndodhi edhe me Shqipe Karaxhën. Babai i saj ishte i përndjekur politik dhe u detyrua të shkojë në Gjermani. Shqipja u integrua mjaft mirë në shtetin gjerman, që e falënderon shumë ndërsa tashmë ajo është zyrtare në kompaninë “Controllit AG”, që merret me planin e emergjencave në raste fatkeqësia.

Ajo nuk e harron asnjëherë vendlindjen e saj, ku qëndroi për tri javë, kur albinfo.ch shfrytëzoi rastin për një bisedë me të. Shqipja tregon për vështirësitë që kishte në fillim në Gjermani, rrugën e shkollimit dhe punësimit.

Në Gjermani na priste babai

“Isha vetëm 10-vjeçe kur jam larguar nga Kosova. Arsyeja pse jemi larguar ishte pasi babai im ishte i përndjekur politik nga regjimi serb. Për këtë arsye vendosëm të largoheshim dhe të shkonim në Munih, aty ku po na priste babai (Halit Karaxha)”, thotë fillimisht Shqipe Karaxha për revistën tonë.

Halit Karaxha shkoi në perëndim në vitet ‘80-ta dhe ishte bashkëpunëtor i Jusuf Gërvallës dhe veprimtar i lëvizjeve patriotike për çlirimin e bashkimin e trojeve shqiptare. Ai ndërroi jetë në gusht të vitit 2015.

Sikur për shumicën e emigrantëve, vështirësitë nuk munguan në fillim. “Ne kemi qenë me fat, pasi na ka pritur babai në Hamburg dhe kjo na e ka lehtësuar shumë punën. Ai kishte shumë shokë, shqiptarë dhe gjermanë. Megjithatë, ka pasur edhe vështirësi, si gjuha, që nuk e dinim, por pastaj jemi adaptuar shumë shpejt dhe jemi integruar. Filluam të shkollohemi dhe të shoqërohemi me miqtë e rinj. Mësuesja gjermane, Frau Lochte na ka ndihmuar shumë për gjithçka dhe falë saj dhe babait që na kanë dhënë ndihmë morale dhe materiale, e kemi pasur shumë më lehtë”, shton Shqipja.

Diaspora të investojë edhe më shumë

Ajo u shkollua në Hamburg dhe tashmë ndihmon kompanitë dhe bizneset që të tejkalojnë krizat në raste fatkeqësie. “Shkollën e kam kryer në Hamburg  “Berufliche Schule für Büro-und Personalmanagement”, në drejtimin menaxhere e zyrave. Tash punoj në kompaninë “Controllit AG” si zyrtare. Kjo kompani merret me planin e emergjencave në raste fatkeqësie. Ne ndihmojmë bizneset që të menaxhojnë krizën. U ndihmojmë atyre me konceptet strategjike, organizative dhe teknike për mbrojtjen e biznesit kundër kërcënimeve dhe që të sigurohen në raste urgjente”, ka shtuar 37-vjeçarja.

Ajo për fund ka thënë se shpreson që diaspora shqiptare do të investojë edhe më shumë në Kosovë. “Shteti gjerman t’i ofron të gjithë mundësitë për punësim dhe shkollim. E vetmja mangësi është që nuk je në vendlindjen tënde, kurse shteti t’i plotëson të gjitha kushtet. Shpresoj që diaspora shqiptare do të vazhdojë të investojë në Kosovë dhe t’i sjellim donatorët që të hapen më shumë fabrika dhe vende për të punuar të rinjtë”, ka përfunduar Shqipe Karaxha.

(B.R.)

Mesazhi për diasporën

Ajo ka porositur të gjithë që të mos e harrojnë vendlindjen e tyre. “Atje ku jetoni duhet të përshtateni në mënyrë që të integroheni sa më shpejt, por i kisha porositur të gjithë që të mos e harrojnë vendin e tyre ku kanë lindur”.

Bardhyl dhe Maria Coli, kandidatë për çmimin më të madh zviceran për hotelieri

 

Nga 97 kandidatura, juria ka zgjedhur 14 projekte për çmimin e sivjetshëm për turizëm, “Milestone Tourismuspreis”, shkruan luzernerzeitung.ch. Ky është çmimi zyrtar i hotelerisë zvicerane. Është i dotuar me 32500 franga dhe ndahet në Bernë më 15 nëntor.

Në mesin e të nominuarve është edhe projekti i udhëhequr nga hotelieri i suksesshëm shqiptarozviceran Bardhyl Coli dhe partnerja e tij, Maria, përcjell albinfo.ch. Ai është nominuar për kategorinë inovacionit, sepse edhe mënyra e punës së hoteleve që menaxhon çifti, është mjaft inovative.

Ka afër dy vjet që Maria dhe Bardhyl Coli e drejtojnë hotelin Viznauerhof në Vitznau  gjatë verës dhe hotelin Waldhotel në Davos, gjatë dimrit. I gjithë personeli e ndërron vendin e punës në varësi nga sezoni: gjysmë viti në Vitznau dhe gjysmën tjetër në Davos.

E veçanta në këtë rast është se dy hotelet kanë pronarë krejt të ndryshëm dhe krejtësisht të pavarur nga njëri tjetri, shkruan albinfo.ch. Vetëm të punësuarit dhe çifti i drejtorëve janë lidhja në mes të dy firmave, të cilët kështu kanë mundësi t`i shfrytëzojnë resurset në mënyrë optimale.

Kjo shpërndarje e bashkëpunëtorëve mund të bëhet e ardhmja e të gjitha ndërmarrjeve sezonale hoteliere ndërsa hotelet e përmendura janë avangardë në këtë drejtim.

Bardhyl Coli pak vite më parë qe zgjedhur si drejtori më i ri dhe i suksesshëm i një hoteli luksoz në Zvicër.

“Njëri për të dytë, të dytë për njërin, Maria dhe Bardhyl Coli, Hotel Vitznauerhof dhe Waldhotel Davos” është motoja e çiftit të nominuar për shpërblim.

Egzona Sej, udhëheqëse e agjencisë Aigner PR në Austri

Agjencia e njohur në Vjenë Aigner PR që nga fillimi i qershorit udhëhiqet nga shqiptarja Egzona Sej.  Ajo flet katër gjuhë të huaja ndërsa ka studiuar publicistikën dhe shkencat e komunikimit në degën e marketingut në Vjenë. Në ekipin e agjencisë Aigner PR, 24 vjeçarja është që nga prilli i këtij viti, shkruan gazeta austriake der standard, përcjell “albinfo.ch”.

Shefi i agjencisë Peter Aigner  shprehet: “Që nga largimi i Heidi Schuller  – Hrusa para dy viteve, pozita e udhëheqësit të agjencisë është zënë sërish. Nganjëherë kjo zgjatë gjatë derisa e gjen  personin e duhur për këtë punë”, ka thënë ai.

Egzona përveç hobeve të saj që janë: vrapimi dhe boksi, është e pasionuar edhe pas  futbollit. (Klubi i preferuar:Bajern Munih). Në pranverën e këtij viti ajo ishte e përfshirë në dy projektë futbollistike që kishin të bënin me kampionatin Evropian që do të zhvillohet në Francë.

Agjencia Aigner Pr është e specializuar për konsulentë të marketingut me partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë. Agjencia ka një rrjet të specializuar të komunikimit në Vjenë, Berlin, Dyseldorf dhe Cyrih. Ajo iu ofron klientëve të saj konsulencë të hollësishme për projektë të ndryshme dhe madhore.

Hanife Bajrami, shqiptarja e re, drejtoreshë në kompaninë zvicerane

Hanife Bajrami vjen nga Tërnovci, Lugina e Preshevës. Ajo sot jeton në Broye të rajonit të Fribourg-ut. Hanifja, 32 vjeçare, e ushtron detyrën e saj në fushën e patundshmërive si drejtoreshë e njërës nga 23 degët e Wincasa SA, lider zviceran në shërbimet e patundshmërisë.

Albinfo.ch: Cili ka qenë shkollimi i ndjekur dhe trajnimet profesionale ?

Hanife Bajrami: Shkollimin primar dhe sekondar i kam vijuar në Dompierre dhe Domdidier. Pastaj, kam kryer një praktikë komerciale në një agjension patundshmërie dhe jam shpërblyer me një diplomë komerciale në 2002. Përvojat e mia të para në këtë profesion kanë bërë që të rritem në pozitat e bashkëpunëtorës menaxhues, menaxhuese junior dhe pastaj menaxhere e ndërtesave në një kompani më të madhe dhe në fund jam angazhuar me Wincasa SA si menaxhere, në vitin 2008. Në këtë kompani më është ofruar mundësia që të punoj si udhëheqëse e grupit dhe nga marsi 2014 si drejtoreshë e agjensionit. Sa i perkët shkollimit tim, në vitin 2010 kam fituar licencën federale për menaxhim të ndërtesave. Momentalisht, jam duke shkuar mëtej duke i ndjekur kurset që do të më çojnë tek diploma federale e administratores së pronave të paluajtshme. Në të njëjtën kohë marr pjesë rregullisht në seminare mbi të drejtën e qiradhënies dhe konferenca të tjera në fushën e patundshmërive për t’i azhurnuar dhe mbajtur në nivel njohuritë e mia.

Sot e mbani pozitën e drejtoreshës së Wincasa në Neuchâtel. A mund të na flisni pak për Wincasa ? A mund ta përshkruani punën dhe përgjegjësitë tuaja ?

Wincasa është lider i patundshmërive në Zvicër. Me 730 bashkëpunëtorë dhe me një prezencë në të gjithë territorin, kompania jonë u ofron një paketë të madhe të shërbimeve rreth pronës së paluhatshme gjatë tërë jetës. Kompania është e njohur për nivelin e lartë të cilësisë dhe të sigurisë. Përgjegjësitë e mia kanë të bëjnë me pjesëmarrjen në ruajtjen e këtij reputacioni me ndihmën e ekipit tim. Po ashtu, kam për detyrë që të punoj si përfaqësuese rajonale.

Si keni arritur deri këtu?

Një edukim i mirë, bazik dhe i vazhdueshëm, më ka mundësuar që t’i fitoj njohuritë dhe kompetencat për t’i ngritur nivelet duke kaluar nëpër pozitat e cekura më lartë.

Cili është çelësi i suksesit tuaj?

Pasioni. Në fakt, patundshmëria është degë me shumëllojshmëri dhe komplekse në evolucion konstant.

A ka qenë e lehtë qasja në trajnim?

Po, ekzistojnë shumë mundësi në këtë fushë. Wincasa inkurajon bashkëpunëtorët e saj që ta vazhdojnë trajnimin.

Ju vini nga një familje emigrantësh shqiptarë nga Lugina e Preshevës (Serbi). Si e shohin të afërmit e juaj suksesin që e keni korrur dhe a gëzoni mbështetje?

Si fëmija i pestë nga tetë fëmijët, familja zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time. Secili kemi ndjekur shumë karriera të mira në Zvicer dhe ndjehemi të plotësuar nga arritjet e secilit. Mirëkuptimi ynë më jep vetëbesim të madh. Dhe siç thuhet, bashkimi bën fuqinë.

E pesta nga tetë fëmijët

Si fëmija i pestë nga tetë fëmijët, familja zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time. Secili kemi ndjekur shumë karriera të mira në Zvicer dhe ndjehemi të plotësuar nga arritjet e secilit. Mirëkuptimi ynë më jep vetëbesim të madh. Dhe siç thuhet, bashkimi bën fuqinë.

 

Dritoni, një gjilanas në krye të 40 inxhinierëve në Austri

 

Driton Emini ka migruar dy herë. Një herë për shkak të situatës së tensionuar, nga Kosova në Gjermani dhe herën tjetër nga Gjermania për në Austri. Prej gjashtë vitesh ai është duke jetuar dhe punuar në Vjenë. Shumë pak i njohur nga shqiptarët në Austri, por me një vend shumë të rëndësishëm pune dhe me përgjegjësi. Ai është drejtor i departamentit Radio Network nësi dhe udhëheq mbi 40 inxhinierë. Me z. Eminin u takuam në një nga ambientet e gjigantit të telefonisë mobile “T – Mobile Austria”.

Driton Emini është nga komuna e Gjilanit. Në vitin 1992, atëbotë 16 vjeçar, si shumë të rinj të asaj kohë edhe ai mori arratinë. Destinacioni i tij ishte Berlini i Gjermanisë. Atje u paraqit si refugjat.  Me të nuk ishte askush, pos disa familjarëve që jetonin në këtë qytet. Pas tri vitesh atij i bashkëngjitet edhe familja.  Si çdo refugjat tjetër, edhe ai kishte vështirësitë e tij, si të gjuhës ashtu edhe të adaptimit. Krahas shkollimit që e filloi në Berlin, ai regjistrohet edhe në një klub futbollistik që për të ishte shumë i dobishëm. “Aty gjeta një shoqëri shumë të mirë. Përfitova si në aspektin gjuhësor ashtu edhe në atë të integrimit. Po ashtu futbolli është një lojë ekipore dhe kjo më ka mësuar edhe mua që të punoj në ekip”, thotë Emini për “albinfo”, ndërkohë tregon se ende e ka pasion lojën e futbollit.

Dritoni në Berlin përfundoi gjimnazin, ndërsa më vonë regjistroi fakultetin e Elektroteknikës, dega e telekomunikacionit. “Prej shkollës fillore me tërhiqnin lëndët shkencore, sidomos matematika. Themelet e shkollimit që kam fituar në Kosovë, kanë qenë për mua një bazë e fortë edhe për shkollimin tim në Gjermani”, shprehet ai.

Punimi i diplomës i shpërblehet me “Werner von Siemens Excellence Award”

Dega në të cilën ai studionte në planprogramin arsimor të Gjermanisë parashihte mbajtjen e një praktike gjashtëmujore si dhe përfundimin e temës së diplomës. Dritoni të dy këto i ka bërë në bashkëpunim me Telekomin e Gjermanisë me seli në Nürnberg. Në vitin 2007 ai diplomon dhe merr titullin inxhinier i telekomunikacionit, ndërsa punimi i tij i diplomës në atë vit shpërblehet me çmimin“Werner von Siemens Excellence Award”.  “Ky çmim më është ndarë nga Siemsens-i në bashkëpunim me 11 universitetet me renome më të madhe ne Gjermani, ne mesin e tyre edhe Universiteti Teknik në Berlin”, thotë ai.

Pas përfundimit të studimeve, Dritoni fillon të punojë për kompaninë “Teleca Systems” në Nürnberg, përmes të cilës kishte projekte të shpeshta në Amerikë, Kanada, Finlandë dhe vende të tjera të botës.

Në vitin 2009 “migron” në Austri

Në vitin 2009 merr një ofertë nga Telekomi gjerman për të udhëhequr disa projekte në “T – Mobile” të Austrisë. Dritonit iu desh që edhe një herë të migronte, nga një shtet në një shtet tjetër. Ai thotë se migrimi në Austri ishte krejtësisht ndryshe nga migrimi që kishte bërë nga Kosova për në Gjermani. “Sigurisht se ishte krejt ndryshe. Këtu në Vjenë më kanë pritur me duar hapur. E njihja gjuhën, kulturën dhe kisha një vend pune të siguruar. Më shumë ishte një ndërrim ambienti se sa një migrim”, shprehet ai duke shtuar se shpesh udhëton edhe nga Vjena për në Berlin për t`i vizituar prindërit dhe pjesën tjetër të familjes.

Dritoni tash e gjashtë vite është në“T-Mobile Austria” i cili është ndër operatorët më të fortë të telekomunikacionit në Austri. Pas sukseseve të njëpasnjëshme në projekte të ndryshme, atij i besohet një vend pune shumë i rëndësishëm për këtë kompani gjigante. Prej disa vitesh është drejtor i departamentit Radio Networks në“T – Mobile Austria”, ndërsa udhëheq më shumë se 40 inxhinierë të tjerë.

Këtu vlerësohet puna jote dhe jo prejardhja

“Nëse punën e kryen me përgjegjësi dhe me sukses, fitohet edhe besimi. Kur tregon sukses në përgjegjësitë e tuaja, askujt nuk i intereson se kush je dhe nga je, por i intereson puna që bën. Në kompaninë gjigante siç është Telekomi gjerman, nuk mund të vëresh asnjë lloj paragjykimi për askënd. Askush nuk të fut gurë në rrugë nëpër të cilën duhet të kalosh, përkundrazi kur shohin motivimin, të japin mundësinë për t`u dëshmuar” na tregon profesionisti i telekomunikacionit.

Puna që bën ai ka të bëjë me zhvillimin e strategjisë së departamentit Radio Networks e cila duhet të planifikohet deri për dhjetë vitet e ardhshme.

«Aktualisht jemi duke e bërë shtrirjen e gjeneratës së katërt të  LTE-së e cila është një prej projekteve shumë të mëdha që duhet të realizohet deri në fund të vitit. Po ashtu një projekt tjetër shumë i rëndësishëm është ai në bashkëpunim me ÖBB-në  (Ndërmarrja e Hekurudhave Austriake) e cila në bashkëpunim me tre operatorët e telefonisë mobile në Austri: A1, T-mobile dhe “Drei” (3), kanë gjetur një gjuhë të përbashkët që të fillojnë një projekt për mbulesën e hekurudhave me rrjetin e telefonisë mobile. Ky projekt përpos që ka një kosto të madhe, po ashtu ka një vlerë për popullsinë austriake dhe konsumatorët tanë. Projekti do të implementohet në tri faza dhe do të zgjasë deri në vitin 2018”, bën më dije ai.

Pas një bisede  të gjerë e të gjatë me Dritonin, u ndamë nga ai e shpresën se në të ardhmen e afërt do të shkruajmë edhe për suksese të tjera të tij në karrierën profesionale.

Vizita të shpeshta në Berlin dhe në Kosovë

Dritoni është 40 vjeçar, i martuar dhe ka dy vajza. Zakonisht thotë se ditët e lira të punës ia kushton familjes por ai nuk i harron as vizitat në Kosovë. “Përveç Berlinit, sigurisht që më së shumti e vizitoj edhe Kosovën. Meqë këtu nga Vjena e kemi më afër Kosovën ndodh shpesh që shkoj për dy – tri ditë pushimi. Në Kosovë kam një pjesë të madhe të familjarëve që i vizitoj me shumë kënaqësi”, thekson ai.

 

 

 

 

Një ish “pa letra” organizon darkën e sotme në nder të Guy Parmelin

Në vitin 2007, Ibrahim Zili, shqiptar nga Maqedonia, kishte tërhequr vëmendjen e mediave sepse historia e tij ishte befasuese dhe e mbushur me kuraje. Kur u largua nga lufta në ish-Jugosllavi, Ibrahimi nuk hezitoj të sjelli familjen e tij ilegalisht në Zvicër. Ai jetoj për gati dhjetë vjet i fshehur dhe në mënyrë të paligjshme, por kjo gjë nuk e ndaloj atë të punoj dhe madje t’ju shërbejë shampanjë personaliteteve të ndryshme zvicerane, ndër të cilat përfshihen edhe këshilltarë federale !

Kur Socialistja dhe ish-Këshilltarja Federale Micheline Calmy-Rey është informuar për historinë e Ibrahimit, ajo menjëherë ka shprehur simpatinë e saj në media duke theksuar se « historia e Zilit është simbolike, sepse ajo na kujton se imigracioni është gjithashtu një shans për Zvicrën. ( … ) Zili ka preferuar të qëndroj në Zvicër, i fshehur për më shumë se dhjetë vjet. Ai përfundimisht është adaptuar duke punuar shumë dhe pa kërkuar ndihmë. Unë nuk mund ta gjykoj zgjedhjen e tij, por sprovat e tij, dëshira e tij për të pasur një jetë me dinjitet në Zvicër, më prekin ».

Aktualisht Ibrahimi ka dokumenta te rregullta dhe punon si epror në shkollën e Hotelerisë në Lozanë (l’Ecole hôtelière de Lausanne) dhe gëzon një reputacion të pakrahasueshëm për ç’do gjë që ka të bëjë me organizimin e ngjarjeve të nivelit të lartë. Pas sigurimit të shërbimit për Pascal Couchepin, Ruth Dreyfuss, Micheline Calmy-Rey, ai po ashtu ka shërbyer personalitete me famë si Monica Belluci, Levis Hamilton (Formula 1) et Peter Ustinof. Ai gjithashtu ka kryer shërbime për industrinë luksoze, si Cartier dhe Louis Vuitton.

Biseda me Ibrahimin është e këndshme sepse çdo herë ai ka një histori qesharake për të treguar në lidhje me gjithë këta njerëz të famshëm. Për shembull, i kujtohet kur i ka ofruar shampanjë yllit të Formula 1, dhe ai ju përgjigj duke qeshur « Jo faleminderit … jam në timon ! ».

Sot, gati dhjetë vjet më vonë, Ibrahimi zjenë nga stresi, komuna e qytetit Nyon e kontaktoi për të organizuar në vetëm dy – tre ditë darkën solemne për pritjen e Këshilltarit të ri vaudois, Guy Parmelin. Kjo do të thotë do të shërbehen më shumë se 750 personalitete.

Duhet thënë se në ditët e fundit, banorët e kantonit Vaud janë të emocionuar sepse po bëhen shtatëmbëdhjetë vjet që ata nuk kanë pasur Këshilltar federal, kështu që cilësia e shërbimit duhet të jetë e shkëlqyer. Edhe pas 25 vjet shërbimi, Ibrahimi stresohet shumë « çdo gjë duhet të jetë e përkryer. Të gjitha të papriturat e mundshme duhet të zotërohen deri në detajin e fundit ».

Në prag të përgatitjeve, mund të themi me lehtësi se këmbëngulja e tij, aftësitë e tij, shija e tij për saktësi dhe vëmendja në detaje mishërojnë potencialin e pashtershëm që Ibrahimi ka kultivuar nga përvoja e tij si emigrant.

 

CNN: Kosovari, nga refugjati në biznesmen në Londër

Derisa po vazhdon kriza e refugjatëve në Evropë, rrjeti botëror CNN ka sjellë historinë e një emigranti nga Kosova dhe familjes së tij, të cilët për shkak të luftës kishin kaluar rrugën e refugjatëve për një jetë më të mirë.

Bëhet fjalë për Përparim Ramën, i cili kishte kërkuar azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992.

„Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën e atjeshme”, rrëfehet Përparim Rama në CNN, përcjell albinfo.ch.
Gjatë kohës së krizës në Kosovë ai vendosi të linte punën në studion e arkitekturës dhe t’i përkushtohej çështjes së refugjatëve të vendit të tij për t’i ndihmuar.

Familja e Përparimit ishte larguar nga Kosova gjatë sulmeve të NATO-s mbi Serbinë

Ai humbi të paktën dy muaj kontaktim me familjen.

“Familjes sime iu lanë vetëm pesë minuta në dispozicion për të marrë ç’të mundej e të largoheshin. Kështu që mamaja ime mori vetëm një album fotografik të familjes dhe im atë, si një piktor dhe pedagog artesh, mori punimet e tij më të mira. Prej aty shkuan në Maqedoni dhe më vonë për në SHBA”, vijon tregimin Rama.

Përparimi kishte vijuar studimet në Britani për arkitekturë dhe sot ai ka një kompani që kryen punime në mbarë botën dhe në të ka të punësuar edhe refugjatë.

Imazhet e refugjatëve ia kujtojnë Përparimit familjen dhe bashkëkombësit që në ato vite ndiqnin të njëjtën rrugë për një jetë më të mirë.

Përparimi ka një porosi: “Në kohë si këto që po kalojmë, të gjithë duhet të bëhemi solidarë. T’i ndihmojmë ata dhe t’i udhëheqim drejt një jete më të mirë”.

“Skënderbeg” shpallet fitues i “Fund of Hedge Funds” në Evropë


Skënderbeg Alternative Investments AG, të cilin e udhëheq shqiptarja me origjinë nga Kosova, Miranda Ademaj, ka fituar çmimin e 13-të prestigjioz evropian „Fund of Hedge Funds Awards 2014“ nga “Hedge Funds Review Awards” në kategorinë “Best new FoHF”. Ceremonia e shpërblimeve ishte mbajtur në Londër, në Sheraton Park Lane.

Fituesit janë zgjedhur në bazë të një metodologjie rigoroze, duke kombinuar analizat sasiore dhe cilësore.

“Skënderbeg Alternative Investimet AG” ka filluar operacionet në dhjetor 2013 me seli në Cyrih. Kompania përbëhet nga një ekip i specialistëve me përvojë financiare në sektorin “Hedge Funds”.

Fondi Skënderbeg operon me 10 milionë dollarë që nga shkurti 2014. Nga janari 2015 do të nisin operimin nën ombrellën e fondit “Skënderbeg” 4 nënfonde. Asetet do të rriten në ombrellën e fondit “Skënderbeg“ në rreth 100 milionë dollarë.

„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasje neutrale ndaj tregut të investimeve”, ka thënë në një intervistë për albinfo.ch Miranda Ademaj.

Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale. Për informacione më detale www.skenderbeg.ch Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet.

Prej një vajze refugjate, menaxhere e fondit 10 milionë $ (Video)

Miranda Ademaj është një vajzë e lindur në Shtime të Kosovës dhe e rritur jashtë vendit që nga viti 1994, kur bashkë me familjen iku ilegalisht në Gjermani.

Miranda tregon në një intervistë për albinfo.ch se kishte shumë vështirësi në integrimin e saj si një kosovare me kulturën e re në Gjermani. Ishte vetëm 10 vjeçe kur filloi jetën nga e para në një vend të huaj.

Ajo e flet rrjedhshëm shqipen, ngase e kishte ruajtur gjuhën nga katër vjetët e shkollës fillore që i kishte kryer në Kosovë.
Miranda ishte rritur në Gjermani deri në moshën 20-vjeçare. Për arsye se gjendja ekonomike në Gjermani filloi të përkeqësohej, në vitin 2006 ajo vendosi të jetojë në Zürich të Zvicrës, ku dhe studioi ekonominë.

Për pesë vjet me radhë ajo ka punuar në institucionet më të rëndësishme helvetike: BrunnerInvest AG, Sallfort Privatbank dhe Credit Suisse.
Ndërmjet tri kulturave Kosovë-Gjermani-Zvicër, Miranda kishte edhe një dëshirë, ta shëtitë botën. Ajo ka udhëtuar për 1 vit në katër kontinente të botës vetëm me një çantë shpine, si në Amerikë, Azi, Australi dhe Evropë. Më së shumti kishte kaluar kohën në Australi, ku edhe kishte punuar për disa javë me një fabrikë bananesh “Bananafarm” në Outback të Australisë. Ajo kishte përfituar shumë nga kjo eksperiencë, duke zgjeruar horizontin e saj.

Miranda tash ka mendim tjetër për kulturën shqiptare.

“Kultura të cilës i takoj kufizon sidomos femrën me aspektet tradicionale dhe familjare më shumë se të tjerat kultura në Evropë. Ky është një aspekt i cili sigurisht vështirëson rrugën e arritjeve të tyre në jetë”, tha Miranda.

Pas kësaj aventure rreth botës, ajo u kthye në Zürich dhe filloi të punojë në një fond të pionierëve BrunnerInvest AG, ku ka takuar shumë njerëz të zgjuar dhe të arsimuar, të cilët e kuptuan botën e Mirandës.

“Një ditë më erdhi ideja që të themeloj kompaninë time Skënderbeg Alternative Investments AG me punëdhënësit e mëparshëm. Bashkëpunova me dy kolegë të mi, sepse së bashku bëjmë një ekip të shkëlqyeshëm. Tani, unë jam themeluese dhe Cief Executive Officer e Skënderbeg Alternative Investments AG, kandidate për Chartered Alternative Investment Analyst dhe anëtare e “100 Woman in Hedge Funds”, zvicerani Bruno J. Schneller, Cief Investment Officer, ka magjistruar në HSG dhe gjermani Thomas Fliegner, Cief Risk Manager, ishte edhe profesor matematike në Cambridge dhe Bath. Filozofia dhe strategjia e investimeve është autentike nga Miranda. Ngase ajo kishte përfituar nga eksperiencat e krizës ekonomike të 2008-ës dhe nga kompania e mëparshme që kishte operuar me një boshllëk.

Sa i përket vështirësive të biznesit, Miranda ka thënë se natyrisht që duhet të përpiqesh si një e huaj më shumë për të arritur, sidomos në biznesin e “Hedge Funds” që është sfidë e madhe, për faktin se është i dominuar nga meshkujt.

“Është vështirë të gjesh femra në këto lloj pozita si jam unë në këtë industri”, pohon Miranda.

Këmbëngulësia në bindjen se edhe femrat mund t’ia dalin si meshkujt i kishte dhënë Mirandës guximin të mbërrijë objektivat që i kishte para vetes.

Megjithatë ajo shprehet të jetë krenare që është shqiptare nga Kosova dhe për këtë ka insistuar ta emërtojë fondin me emrin e heroit kombëtar Skenderbeu.

Miranda nuk ka fshehur kurrë identitetin se është shqiptare nga Kosova.

„Ku shkoj nëpër botë na presin mirë dhe janë mësuar me emrin Skënderbeg, ngase shumica kanë lexuar për historinë e lavdishme të heroit tonë kombëtar“, thekson themeluesja dhe CEO e Skënderbeg Alternative Investments AG.

Fondi Skënderbeg Alternative Investments AG operon me 10 milionë dollarë më 1 shkurt 2014, që është edhe përjashtim, ngase në këtë segment startohet zakonisht me 2-5 milionë.

„Fondi Skënderbeg garanton investitorët për një qasjse neutrale ndaj tregut të investimeve”, tha Miranda.

Ky fond specializohet në kapitalin e strategjive të long/short equity dhe iu ofron investitorëve qasje të jashtëzakonshme në fondet mbrojtëse në shkallë globale.

Emri i kësaj kompanie lidhet me misionin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke u bazuar në atributet si pavarësi, përkushtim dhe superioritet. “Ne jemi të përkushtuar dhe të pasionuar në targetin tonë ashtu si Skënderbeu”, ka thënë ajo.

Miranda në të njëjtën kohë po luan rolin edhe të një promotoreje të Kosovës në takime dhe kontakte të ndryshme me investitorët e huaj.

Ajo thotë se ka për synim që me hapa të vegjël të mbërrijë deri te suksesi.
Miranda ka prezentuar së fundi në Tiranë në TED që është një format konferencash që ka përshkuar gjithë globin, nga Seuli në Buenos Aires, nga Londra në Podgoricë, nga San Diego në Tel Aviv.

Ekonomistja kosovare thotë se nuk do të ndalet  me kaq dhe ka për objektiv të shkruajë libër për jetën e saj.

Miranda duke kaluar këtë gërshetim kulturash ndërmjet Kosovës-Gjermanisë dhe Zvicrës, si një financiere globale sigurisht do të shërbejë si një inspirim për shumë femra të botës, të cilat kanë frikë t’i ndjekin ëndrrat e tyre.

Sevdail Tahiri

Më shumë mikpritës sesa drejtor

Si tetëvjeçar erdhi nga Kosova në Zvicër dhe ndoçi shkollën për herë të parë këtu. Njëzetë vite më vonë, në qershor 2012, ai u bë drejtor i hotelit superior  me katër yje „Waldhotel Davos“. Bardhyl Coli është një ndër drejtorët më të rinj të hoteleve luksoze zvicerane, edhe pse edhe në hotele të tjera të nivelit të lartë gjithnjë e më shumë ligjin po e merr në dorë gjenerata e re. Marketingu thjeshtohet duke pasur parasysh faktin se hoteli – atëherë ishte një sanatorim mushkërish – ishte shkas për lindjen e romanit „Bregu magjik“ të Thomas Mann-it. Por, me magji s’ka të bëjë fare karriera vetëtimë e drejtorit të ri të hotelit e as rangimi i ngritur i ndërmarrjes. Coli i zellshëm nuk dëshiron ta theksojë posaçërisht as  të kaluarën e tij të vështirë si fëmijë i një familjeje me prejardhje shqiptare e as  rrugën e rrëpirtë të ngritjes së tij profesionale. Por vlerën e arritjes së tij të jashtëzakonshme për marketingun dhe mediet ai i njeh mirë.

Me qëllim të qartë parasysh

Bardhyl Coli është i vetëdijshëm se ambicja dhe gatishmëria për rezultate e sollën në krye të hotelit rrëzë malit në Davos. „Dhe fati ishte natyrisht aty“, shton ai. Pronarin gjerman të hotelit ai arriti ta bindë me pasionin për profesionet e tij, të cilat ai i kupton pakompromis si shërbime. 29 – vjeçari filloi karrierën e tij në vitin 2000 me mësimin e zanatit të shërbimit hotelier. Tri vite shërbeu në këtë zanat dhe njëkohësisht u aftësua më tej për shërbyes verërash. Pastaj absolvoi edhe mësimin e zanatit të dytë si kuzhinier. Nga bodrumi i verërave dhe kuzhina kaloi në recepcionin e një hoteli  « wellnes » («  i të niderit mirë ») para se më 2008 ta marrë diplomën e hotelierit në Shkollën e Profilizuar për Hoteleri Belovierpark në Cyrih. Më pastaj ndodhi një transfer jashtë vendit në hotelin « Berlin Mitte » të zinxhirit hotelier NH. Këtu Coli punoi si zëvendësdrejtor dhe ishte përgjegjës për 120 të punësuar.

Në hotelin e vogël „Waldhotel“ me 46 dhoma ai varësisht nga sezoni udhëheq me 35 deri 50 të punësuar. Këtu ka shansin që ta zbatojë filozofinë e tij, thotë drejtori i hotelit. Sharmi i një   „boutique- hoteli“ të mundëson që mysafirët, ndryshe nga një hotel i madh, t’i shërbesh individualisht. Ai mbështetet në moton e „befasimit të klientit“, me çka synon që hotelin e tij ta lartësojë në krahasim me konkurrencën. Ndoshta për këtë arsye në vizitkartën e tij nuk shkruan „drejtor“, por „mikpritës“. Kjo s’ka të bëjë me servilizëm, thotë Coli. Me këtë ai dëshiron shumë më tepër të sinjalizojë se mysafiri merret seriozisht parasysh me të gjitha dëshirat dhe kërkesat e tij. Vërtet të befasuar janë shumëkush, kur në një hotel luksoz ju qëndron përballë një shefi kaq të ri.(…)

Nga personeli hotelieri i ri, i vendosur dhe dinamik kërkon shumë. Secili në domenin e vetë të përgjegjësisë duhet të tregohet si mikpritës. Qëllimi është „të ofrohet shërbim personal dhe komoditet i shkallës më të lartë“. Kështu dhe në fjalë të ngjashme shkruan edhe në  fletëpalosjet me vizionin e hotelit, parimete tij bazë dhe parimet e mënyrës së udhëheqjes së tij, të cilat mund t’i marrë në xhep edhe secili mysafir i hotelit.  Që Coli dhe ekipi i tij që në vitin e parë patën sukses me këtë kredo nuk flet vetëm numri i shtuar i mysafirëve. Në rangimin e 100 hoteleve më mikpritës të Zvicrës, hoteli „Waldhotel“ renditet i 9-ti në kategorinë e tij. (…)

„waldhotel“ nuk dëshiron të mbetet i veçantë vetëm përmes të kaluarës së tij me sanatoriumin apo të Thomas Mann-it, por në radhë të parë përmes mikpritjes së tij.

Përkthimi nga NZZ: Nexhmedin Gerguri

27.06.2013