Tropojani që sfidon majat e kuzhinës franceze

Armand Hasanpapaj është vetëm 25 vjeç dhe prej vitesh ushtron profesionin e kuzhinierit në Francë, shkruan albinfo.ch.

Kuzhina për të është vendi ku realizon çdo ide lidhur me përgatitjen e ushqimeve që shquhen për shije të veçantë dhe dekore mbresëlënëse.

Duke qenë se çdo vend ka specialitete të ushqimeve, ato të tropojanit dallohen fare lehtë në Francë, si nga ana e gatimit, ashtu edhe për nga prezantimi dhe garnitura e pjatave, e cila punohen me shumë delikatesë nga ai.

Franca është një nga shtetet që njihet për ushqimet e saj më të mira në botë. Por, përfshirja e kuzhinierit shqiptar brenda këtij shteti ka bërë që kuzhina franceze të jetë edhe më e pasur dhe më e frymëzuar, duke i futur edhe ushqimet tradicionale shqiptare brenda shoqërisë franceze.

Armandi u bë i famshëm në gjithë Francën për mënyrën e veçantë të përgatitjes së ushqimit, si ëmbëlsirat, ashtu edhe gjellët dhe brumërat. Shumë kuzhinierë me eksperiencë të lartë kanë shijuar pjatat e mrekullueshme të përgatitura nga ai, duke u ndarë të mahnitur me ushqimet e tij.

Ai mori pjesë edhe në programin “Objectif Top Chef”, i cili mbahet në Francë. Pavarësisht konkurrencës së madhe, profesionaliteti i të riut shqiptar e ka habitur jurinë, duke u renditur ndër finalistët më të mirë.

Përveç tjerash, Armandi tashmë është kthyer në sensacionin e internetit me videot e tij të gatimit, duke treguar shumë receta të ndryshme, me theks të veçantë ato shqiptare dhe franceze, shkruan tutje albinfo.ch.

Nga Shqipëria, për t‘u bërë një emër suksesi në Francë

Armandi është me prejardhje nga Tropoja, por ka jetuar dhe është shkolluar në Tiranë. Ka gati 9 vjet që ai jeton dhe punon në Francë, ku nisi edhe shkollën e kuzhinës.

Vlen të theksohet se Franca ishte destinacioni i parë dhe i vetëm i tij i jetës, deri më tani.

Si për çdo shqiptar, realiteti i vendlindjes me atë të Francës ishte ndryshe. Përshtatja, ambienti, gjuha, shoqëria, kultura dhe punësimi kanë qenë disa nga sfidat, të cilat pothuajse çdo mërgimtar i ka përjetuar në fillmet e veta në mërgim.

Njëjtë ka ndodhur edhe më Armandin, për të fillimi ishte i vështirë, sepse nuk kishte njohuri rreth gjuhës, por dëshira dhe vullneti i tij ishin më të mëdha se sfidat që ai kishte para vetes në atë kohë, pavarësisht moshës së re.

“Në Francë nuk kanë shumë qejf që emigrantët të arrijnë diçka. Unë nuk kam shumë kohë në Francë, edhe gjuha më pengon pak. Ndoshta nuk duan të shohin të huaj të jenë të suksesshëm në vendin e tyre. Por, unë kam marrë forcë dhe duke qenë se vij nga një vend i vogël, kam dashur të tregoj se edhe nga Shqipëria mund të dalin chef-a shumë të mirë”, është shprehur Armandi.

Personi kryesor që e ka shtyrë drejt suksesit Armandin pa dyshim që ka qenë nëna e tij, Fatimja, e cila në Shqipëri, Tiranë, zotëronte një dyqan ëmbëlsirash. Ai ndoqi zanatin e së ëmës dhe me shumë sukses tani po depërton në kuzhinën franceze, shkruan albinfo.ch.

Finalist i “Objectiv Top Chef” në Francë

Armand Hasanpapaj, i cili prej vitesh ushtron profesionin e kuzhinierit në Francë, është cilësuar si një nga më të mirët e gastronomisë franceze. Ai ka qenë pjesë e shumë konkurseve në këtë fushë, ku dhe është vlerësuar me disa çmime.

Ani pse i ri në moshë, me profesionalitetin dhe dashurinë që ka për ushqimet, iu bë e mundur që ai të punojë me “Chefs” më të mëdhenj me bazë në Lyon: si Mathieu Viannay, Fabrice Moya, Régis Marcon.

Ai u rendit i katërti në finalen e “Objectif Top Chef”, e cila mbahet në Francë dhe është programi më i famshëm për fushën e gastronomisë në këtë shtet.

Në këtë program kishte sfida dhe konkurrenca ishte e madhe, mirëpo profesionaliteti i të riut shqiptar e ka habitur jurinë, duke e cilësuar nga më të mirët dhe me aftësi mbresëlënëse pune. “Çdo pjatë e përgatitur nga Armandi është një pikturë në vete”, është shprehur juria e “Objectif Top Chef”.

Për tre vjet rresht Armandi ishte pjesë e një gare të rëndësishme gatimi në “Refugee food festival”, ku ka servirur gjithmonë gatime dhe specialitete të veçanta, duke përforcuar profesionalitetin e tij në këtë fushë.

Dashuria për ushqimet tradicionale shqiptare

Kuzhina shqiptare është një përzierje e influencave të ndryshme, e njohur për vlerat e larta ushqimore dhe shijen e saj mjaft të mirë. Pothuajse çdo krahinë ofron specialitetet e saj të veçanta.

Pa dyshim se ndër recetat e preferuara të Armandit janë edhe disa prej gatimeve shqiptare, si bakllavaja dhe byreku.

“Pjata e parë që kam mësuar nga gatimet është byreku. E shikoja se si hidhte petën e byrekut dhe mendoja se ishte diçka fantastike. Shpeshherë më kërkojnë të gatuaj byrek. Është diçka shumë e shijshme. Ndërsa për mua ushqimi i preferuar shqiptar vjen nga krahina jonë në veri dhe quhet leqenik misri”, tregon Armandi.

Armandi është një emër premtues në kuzhinën franceze.

Një portet për Armand Hasanpapaj ishte postuar në magazinen albinfo.ch të muajit mars 2021!

/Albinfo.ch

 

 

Rene Rexhepi, „Steve Jobs i kuzhinës botërore”

Në një pllakë të nxehtë të shporetit  e rrah një vezë të madhe pate. Një grusht barishte të vëna në një pjatë të vogël presin për t`u shpërndarë mbi vezën e fërguar. Janë këto momente kur mysafiri në restorantin Noma ndjehet sikur në përrallën “Rrobat e reja të perandorit”. Në mesin e mysafirëve nuk ka vetëm “Foodies”, siç quhen ndryshe turistët, për të cilët atraksionet turistike duhet të jenë patjetër me disa yje, por edhe festues ditëlindjesh apo dasmash si dhe  kuzhinierë dhe gastronomë.

Ata e regjistrojnë çdo detaj, çdo kombinacion. Kështu, restoranti Noma në vitet e kaluara ka qenë jo vetëm restoranti më i mirë në botë, sipas një liste legjendare të San-Pellegrinos por edhe restoranti më me ndikim, shkruan “Die Presse”.

Rene Rexhepi (René Redzepi) ka themeluar në Kopenhagë kuzhinën e re te gjelbër nordike, e mbështetur fuqishëm në përbërësit vendorë, gatime të përcaktuara në mënyrë strikte sipas sezonit dhe që përdor perime, barishta dhe bimë të cilat kuzhina nuk i njeh ose i ka harruar. Kjo kuzhinë e tij është cituar, kopjuar dhe zhvilluar më tutje.

Ekipi i Rexhepit tashmë po punon për kthimin e restorantit në vendin e parë, para së gjithash, e reçeta të reja. Danezi me rrënjë kosovare (kështu e quan “Die Presse”  tetovarin) është duke e përgatitur një libër të ri gatimi. Dhe, ka kohë që programi i trajnimit në kuzhinën e tij është bërë kolegj elitar. Janë me dhjetëra kuzhinierë të rinj që konkurrojnë, për të fituar shansin që për pak muaj të mësojnë dhe provojnë punën në këtë restorant.

Çdo të shtunë, pasi të mbyllë dxyert restoranti, ata prezantojnë një numër idesh dhe gjellërash të reja. Aty hahet deri në orët e hershme të mëngjesit, diskutohet çdo detaj i gjellës së provuar dhe, natyrisht, ngapak edhe pihet. Përballë restorantit qëndron një anije ku, me mbështetjen e shtetit, Rexhepi ka ngritur një laborator ushqimi. Aty bëhen eksperimente, maten, vlerësohen ushqimet. Të gjitha këto, Rexhepi dhe kuzhinierët e tij ua tregojnë personalisht çdo mysafiri të interesuar. Rene Rexhepi është Steve Jobs i kuzhinës botërore. Dhe kjo nëkupton edhe fokusimin në marketingun e përsosur, por jo vetëm në të.

Shqiptari, pastiçeri më i mirë në Itali

Mario Peqini është vlerësuar  nga “Identità Golose”, guida përvitshme e restoranteve më të mira të Italisë, Evropës dhe Botës që vlerëson kuzhinën dhe pastiçerinë e nivelit më të lartë.

Guida në fjalë jep këtë motivim: “Ka jetuar gjysmën e jetës në Shqipëri, nga ku u largua bashkë me familjen kur ishte vetëm 13 vjeç. Me babanë magazinier dhe nënën rrobaqepëse, me pengesën e parë italishten, ka studiuar me vështirësi  për t’ia dalë mbanë. Në stafin e ‘Il luogo di Aimo e Dania’, krijon ëmbëlsirat në sintoni të plotë me pjata të kripura të ofruara nga restoranti”.

Pas diplomimit si kuzhinier teknolog, ai nuk ka ndalur eksperimentimin në fushën e pastiçerisë.

Fitues i disa çmimeve të rëndësishëm, si ai për krijimin më të mirë të një recete me bazë ujin, pastiçeri shqiptar është vlerësuar për aftësinë e kombinimit të përbërësve të ëmbël dhe të kripur, për përdorimin plot fantazi të elementëve nga më të larmishmit.

Në këtë periudhë krize, veçanërisht në punësimin e të rinjve, Mario është një nga ata djem me fat që jo vetëm ka një punë, por gjen kënaqësi në të, e ka pasionin e vet.

“Në rrugën time kam pasur fatin të takoj gjithnjë persona të drejtë” thotë Peiqini për portalin “Shqiptariiitalise”.

Rene Rexhepi, edhe një herë kuzhinieri numër një në botë

Pas një “pauze” të shkurtë njëvjeçare, restoranti “Noma”, pronë e shqiptaro-danezit  Rene Rexhepi (Redzepi) shpallur edhe njëherë më i miri në botë.

“Noma” ka ka udhëhequr listën prej 50  restoranteve më të mirë në botë në vitet 2010, 2011 dhe 2012. Vetëm vitin e kaluar (2013) vendin e të parit atij ia pati marrë restoranti spanjoll “ El Celler de Can Roca”. Ky ndërkaq sivjet ka rënë sërish në vendin e dytë.

Të hënën, në mbrëmjen e ndarjes së çmimit, Rexhepi duke marrë mirënjohjen e ka cilësuar ekipin e tij si “frymëzim”, ndërsa ka pranuar se nuk është tip shumë i përshtatshëm. Ai ka shtuar se ende nuk kanë arritur synimin. “Ka ende shumë zbulime që presin për t`u bërë, shumë receta që duhen shkruar”.

Lista është bërë nga vlerësimet e 900 ekspertëve.

Rene Rexhepi është i biri i një shqiptari nga Tetova dhe i një danezeje. Vitin 2012, me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavaresisë së Shqipërisë ai pati bërë një vizitë në Tiranë.

Vitin e kaluar “Noma” ishte detyruar të kërkonte falje pasi që një numër mysafirësh kishin pësuar të vjella dhe diarre, shkruan azonline.ch.

Në listën e 50 restoranteve më të mira në botë për vitin 2014 është vetëm një restorant zviceran. Fjala është për restorantin “Schlos Schauenstein” në Füurstenau, i cili është radhitur në vendin 43, duke rënë për një vend më poshtë se vitin e kaluar.