Deniola dhe shkopi i saj “magjik” i dirigjimit

Dëshirën për t`u bërë dirigjente, Deniola Kuraja e ka shfaqur relativisht vonë. Shqiptarja 32 vjeçe është duke mbaruar semestrin e tetë në Shkollën e lartë për muzikë, teatër dhe medie, në Hanover. Pas studimeve të mbaruara për piano në Shqipëri, ajo ka emigruar  në Gjermani dhe ka bërë këtu shoqërimin me piano të këngëtareve të operës. Vetëm pastaj te ajo zhvillohet dëshira për të shprehur veten përmes dirigjimit. Krahas dirigjimit Deniola ka marrë për dy vite mësime të violinës dhe krahas gjithë kësaj ajo di t`i lexojë notat e partiturave për të gjitha instrumentet. Kjo gjë ka qene vendimtare për pranimin e saj në Shkollën e Lartë në Hanover.

Dirigjimi, për shqiptaren e re është në radhë të parë komunikim. “Unë e kam një ide, një interpretim personal të muzikës dhe dua që atë t`ua përcjell instrumentisteve”, thotë ajo. Ndonëse notat dhe konstrukti i një vepre muzikore janë të shkruara qartë, partiturat lejojnë një hapësirë të lirë, të cilën secili dirigjent e interpreton ndryshe, pasi që “ndjenjat janë të ndryshme te secili”.

Për Denjolën dirigjimi, krahas aspektit artistik ka edhe shumëçka të punëdores, shkuan “Hanowersche Allgemeinie”. Gjatë studimeve asaj i duhet të mësojë se si janë krijuar instrumentet e veçanta, në mënyrë që pastaj t`i qaset secilit instrumentist në mënyrë individuale. “Paramendo, sikur të duash të vendosësh harmoni në mes të vetëtimës dhe murmurimës. Gjatë dirigjimit unë duhet t`i bashkoj të gjithë instrumentistët e orkestrës”.

Në semestrat e parë ajo ka mësuar para së gjithash teknikat me shkopin e dirigjimit. Me gjestet e bëra me shkop ajo i thekson udhëzimet që ua jep instrumentistëve në mënyrë individuale. Për disa javë Deniola, pas katër vitesh studimi merr shkallën e masterit për muzikë. Në provimin e saj të diplomës ajo do të dirigjojë mjuziklin “Street Scene” të Kurt Weill, që normalisht e bën profesori saj, Martin Brauss.  Por, në shfaqjen e 12 shkurtit, Deniola do të bartë gjithë përgjegjësinë për orkestrën.

“Do të kem sigurisht shumë emocione”, thotë ajo, dhe, pa emocione nuk bëhet kjo punë.  Mirëpo, pas pak minutash ajo është aq e përqendruar sa që harron çdo gjë që e rrethon dhe mendon vetëm për muzikën. Pas përfundimit të masterit, Deniola do të detyrohet që të prezantohet në sa më shumë vende. Sepse, siç e thotë ajo “mua nuk më njeh akoma askush”. Por ajo shpreson të fitojë një vend pune si pianiste me punë plotësues dirigjimin, ku do të merrte përvojën për ndonjë vend tjetër pune në të ardhmen.

“Synim imi është që dikur, para së gjithash të mund të dirigjoj dhe të qëndroj e vetme në pult para orkestrës. Atëherë përfundon punëdorja dhe fillon artistikja”.

 

05.02.2013

 

Artistët shqiptarë shkëlqejnë me Orkestrën Simfonike të Këlnit

125 vjet më parë, pikërisht në vitin 1888 në Këln të Gjermanisë do të themelohej një orkestër simfonike me muzikantë amatorë, duke u bërë kështu orkestra më e vjetër e këtij qyteti.

Dirigjenti i parë dhe po ashtu iniciatori për themelimin e kësaj orkestre në vitin 1888 ishte Alexander Rive. Më pas janë një sërë dirigjentë të cilët kanë drejtuar këtë orkestër me vite e dekada të tërë deri sa në 2012 këtë fat do ta kishte një shqiptar, artisti tashmë i njohur Desar Sulejmani, shkruan DW në gjuhën shqipe. Presidentja e kësaj shoqate orkestruesish Lene Lutz kujton kur u bë zgjedhja e tij: “Shumë shpejt na u bë e qartë se dirigjent do të ishte Desari duke pasur parasysh konkurentët e tjerë. Pra me paraqitjen e tij shumë prej nesh ishin të mendimit se ai do të ishte në krye të orkestrës sonë. Ne zhvilluam votimin për kandidatët favoritë dhe në përfundim doli se me shumicë unanime fitues ishte Desari. Sot them me bindjen e plotë se nuk kemi bërë zgjedhje të gabuar. Ai është vërtet shumë i talentuar, shumë praktik, me shumë energji. Desari ka një pasion të madh për muzikën dhe ne ndjehemi shumë mirë me të si drejtues i orkestrës.”

„Ajo që më shtyu të konkurroj si dirigjent i kësaj orkestre ishte mbi të gjitha qyteti i Këlnit duke e parë si qëllim në vetvete. Mendova që Këlni do të ishte për mua edhe një dritare më e madhe qoftë si dirigjent, por qoftë edhe si artist në përgjithësi. Pra fati më krijoi mundësinë që unë ta shfrytëzoja menjëherë këtë konkurim dhe u ndjeva shumë krenar kur mora lajmin që kisha fituar. Por sigurisht unë ndjej edhe përgjegjsinë e madhe për këtë vend sepse një orkestër e tillë me një jetë kaq të gjatë artistike, 125 vjet, do të thotë që përveç të qenurit dirigjent, do të thotë edhe përgjegjësi organizative përpos asaj artistike. Sepse një orkestër e tillë me rreth 70 veta, të cilët jo vetëm që vijnë rregullisht në prova dhe organizojnë koncerte të tilla siç ishte ky në Filarmoninë e Këlnit dhe organizime të tjera, kërkon edhe displinë organizative”, thotë Sulejmani.

Në mesin e veprave klasike, interpretohet edhe “Rapsodia Shqiptare” e Gerti Drugës

Orkestra ka interpetuar vepra që nga koha e Barokut deri tek ato modernet klasike apo vepra të muzikës bashkëkohore. Në koncertin e së dielës (26.05.) mes veprave si Elgar, Brahms apo Mendelssohn Bartholdy që u intepretuan me rastin e 125 vjetorit të themelimit të kësaj orkestre, ishte edhe vepra e kompozitorit shqiptar Gerti Druga “Rapsodi shqiptare”, një suprizë tjetër kjo për publikun gjerman.
„Jam totalisht i emocionuar dhe në rradhë të parë falenderoj Desarin, i cili na dha këtë mundësi për të promovuar para publikut gjerman një vepër shqiptare e sigurisht që unë ndjehem i priviligjuar që u zgjodha në këtë rast. Eshtë një vlerësim i madh për mua si i ri por për të gjithë artistët e rinj që kanë këto shanse dhe kjo i dedikohet pikërisht kësaj orkestre e cila ka vite që e ka bërë këtë si traditë të sajën. Në fakt vepra ime është thellësisht shqiptare; sepse unë në kompozimet e mia dua të flas shqip prandaj edhe kompozimi im titullohet „Rapsodi shqiptare“ dhe në rastin e këtij koncerti e konsiderova këtë vepër si një sfidë të vetes sime“, thotë për Deutsche Welle, Gerti i emocionuar .
Dhe këtë test, dy shqiptarët Desari dhe Gerti e kaluan shumë mirë duke marrë duartrokitje të gjata dhe ovacione. Ishte një e papritur edhe për vetë orkestrantët që siç thotë violina e parë, Susanna Schael ishtë një përvojë e shkëlqyeshme me të dy djemtë artistë nga Shqipëria.

Muzika shqiptare ka shumë energji dhe dashuri brenda

„Ka qenë një përvojë e shkëlqyer me dirigjentin por edhe me muzikën shqiptare e cila është shumë interesante për ne si gjermanë pasi ka një përzierje mes asaj popullores dhe modernes, por gjatë interpretimit e ndjen edhe romantiken e saj që ka brënda. Eshtë fat i madh që ne kemi një dirigjent të tillë pasi unë e njoh Desarin më herët dhe kemi bashkëpunuar shumë. Unë kam qenë edhe në Tiranë dhe jam mahnitur nga talentet që ka Shqipëria në fushën e muzikës. Pra është vërtet një përvojë e mrekullueshme dhe jam shumë e gëzuar me rapsodinë që intepretuam në këtë koncert jubilar. Muzika shqiptare ka shumë energji, por dhe shumë dashuri”.
Edhe vetë kompozitori Druga u habit nga suksesi që pati vepra e tij: ”Ritmet tona janë pak të vështira, në përgjithësi ritmet e përziera nuk janë të lehta edhe për tu interpretuar nga instrumentistët, por në momentin kur kjo vepër përthithet mirë nga orkestra atëherë edhe publiku e ka më të lehtë për ta përçuar, për ta përcjellë. Çuditërisht kjo në koncert u arrit në mënyrë të shkëlqyer, ndaj jam dhe shumë i lumtur. Shpresoj që kjo përvojë të më ndihmojë që të kemi mundësi edhe për një përvojë tjetër në të ardhmen si kjo”.

U larguam nga salla e Filarmonisë së Këlnit me shpresë së së shpejti do të kemi të tjera aktivitete nën drejtimin e dirigjentit tonë Sulejmani, por dhe një bashkëpunim më të ngushtë gjermano-shqiptar në këtë fushë. Këtë na e premtoi vetë Desari pas koncertit: „Për të ardhmen mendoj se do të ketë një sërë aktivitetesh jo vetëm me kompozitorë shqiptarë por edhe me të tjerë talente të rinj. Gjithashtu do të ketë bashkëpunim edhe me instrumentistët shqiptarë të cilët unë shpesh i sjell këtu në Gjermani dhe ku ata kanë mundësi të promovojnë talentin e tyre. Një plan jo shumë i largët është që me këtë orkestër të shkojmë edhe në Shqipëri për një tur koncertesh”.

Kushtrim Gashi, kompozitori në mes të vlerësimit dhe mbijetesës

Një vend i mirë për tone të reja është qyteti Darmstadt, thotë kompozitori dhe dirigjenti me prejardhje nga Kosova, Kushtrim Gashi. Para tri vitesh ai pati ardhur për të studiuar në Hesenin jugor. Jeta që bën këtu nuk është e thjeshtë por produktive. Dhe, nganjëherë ndodh edhe të shpaguhet: Gashi e ka fituar së fundi një bursë studimi.

Një burrë plak me vështrim serioz e me mjekër të madhe që të ngjallë frikë i qëndron mbi kokë dhe e vëzhgon gjithnjë Kushtrimin teksa ai është duke kompozuar. Është kompozitori klasik Johannes Brahms, i futur në një kornizë të bukur ari dhe i varur në murin e bibliotekës së akademisë së arteve muzikore. Drejtpërdrejt mbi tavolinën në të cilën Kushtrim Gashi i shkruan notat me lapsin e tij të mprehtë.

“Ndoshta”, thotë Kushtrimi me një nënqeshje fine, “një ditë edhe unë do të dukem kështu”. Por, tash për tash ai bart një mjekër treditore të modës, ka shikim gazmor dhe në përgjithësi kompozitori i ri është larg nga pamja sentimentale e kolegut gjerman.

Gashi, 30 vjeçar, vjen nga Prishtina, Kosova, studion prej tri vitesh në Darmstadt dhe është i pasionuar pas kërkimit të ngjyrave krejt të reja të toneve dhe kombinimit të tyre. Për këtë ai ka fituar tash bursën e Darmstadti për muzikë, me vlerë prej 2000 eurosh. Një ndihmesë që i vjen në kohën e duhur Gashit dhe familjes së tij të vogël.

Ai dhe gruaja e tij Delina kanë ardhur para tri vitesh këtu. Të dy janë studentë të muzikës, të cilët në qytetin gjerman i solli nami i mirë i Darmstadit dhe i akademisë së këtushme te muzikës. Atyre dhe prindërve u është dashur të kursenin një kohë të gjatë për ta mbushur konton e kërkuar si kusht për të fituar të drejtën e ardhjes këtu për studime. Me mjaft mund ata gjetën banesën e tyre, një dhomë në një lagje kompozitorësh, ku tash jetojnë tre veta.

Tepër ngushtë në banesën njëdhomëshe

Më 10 nëntor do të jepet çmimi i Darmstadit për muzikë, me ç`rast Kushtrimi do ta marrë bursën që shkon me këtë çmim. Ndarja e çmimit shoqërohet nga një koncert që fillon në orën 19, hyrja gratis.

Para katër muajsh çifti i ri solli në jetë fëmijën e parë, një djalë që solli gëzim të madh te ta. Por, për të kompozuar në qetësi është “shumë, shume ngushtë”, thotë kompozitori i ri. Kështu, ai i kalon ditët e veta – gjashtë orë, tetë orë në këndin e tij në bibliotekë, nën vështrimin kritik të Brahmsit plak. Dhe duket se kjo i bën mirë.

“Unë jam një kompozitor i ngadalshëm”, thotë ai. Por gjatë kohës së tij të Darmstadt-it, nuk është se ka shkruar pak. Shumë muzikë dhome, pjesë korale por edhe poema simfonike. “Është fantastike se këtu në akademi ka mundësi të dëgjohet muzika e krijuar menjëherë”, thotë Gashi, i cili shprehet me entuziazëm tek flet për kolegët e tij instrumentistë.

Së fundi ai ka shkruar një kompozim tetë minutash “Bagatelli con Interludi” për instrumentet me tela, klarinetë, flaut, instrumente me të rëna dhe piano.  “Më shumë se gjysmë viti kam punuar në të”. Në këtë rast ai ka lidhur muzikën e re me tingujt tradicionalë ballkanikë të vendlindjes së tij.

Në Kosovë drejton një orkestër të rinjsh

Përkundër skenës së avancuar muzikore të Darmstadit, përshtatja në këtë vend nuk është e thjeshtë për Gashët. Përditshmëria i kalon Kushtrimit në mes të kozmosit të vogël të akademisë, dhomës ku jeton me familjen dhe Kosovës, ku ai kthen shpesh dhe ku dirigjon një orkestër të rinjsh që e ka themeluar vetë.

Banorët e Hesenit jugor janë mikpritës, sidomos drejtori i akademisë, i cili i ka hapur shume dyer. Por toni i qasjes  së tyre është i ndryshëm nga ai që mbretëron në mes të kosovarëve, më i ftohtë. Gjë që sipas Gashit nuk është keq. “Atje (në Kosovë) njerëzit mendojnë se evropianët perëndimorë janë të ftohtë, por kjo nuk qëndron, Ata janë thjesht `shumë të zënë` thotë ai dhe shton se kjo i pëlqen.

Me paratë e çmimit që ka fituar ai do ta mbajë familjen mbi ujë për një kohë. Nganjëherë, si mbajtës i vetëm i familjes, Kushtrimi detyrohet të muzikojë nëpër festa private. Si kompozitor nuk mund të bëhesh i pasur, kështu është në gjithë botën”, thotë ai. Por ai është i vendosur që megjithatë të këmbëngulë në objektivin e tij profesional.

Një vend fiks pune si dirigjent, është synim afatgjatë i tij. Në Gjermani? Në Kosovë? Gjithçka është e hapur. Por nuk përjashtohet që ai të bëhet njëri nga ata mësimdhënësit që me bazament të fortë të përvojës nga jashtë dikur te kthehet në Prishtinë që të entuziazmojë atje brezin e ri me tonet e reja.