Tematike

Të huajt e paarsimuar mbeten më gjatë në Zvicër

"Bilanci fiskal – diferenca në mes të asaj çfarë paguajnë të huajt në arkën e shtetit dhe në sigurimin social dhe asaj çfarë përfitojnë nga këto të dyja, një ditë të jetë negativ"

Diskursi i Bernës zyrtare lidhur me të huajt ka ndryshuar. Për dallim nga kohët e mëhershme kur të huajt konsideroheshin, së paku zyrtarisht, vetëm pasurim, së fundi në këtë diskurs vihet re diferencimi. Ndonëse edhe më tutje në fjalimet e zyrtarëve thuhet se “migracioni i ka kontribuuar mirëqenies në Zvicër”, tashmë nuk heshtet kur është fjala edhe për kundërefektet e migracionit, thuhet në një artikull të botuar në gazetën “Tages Anzeiger”.

Një studim i realizuar nga Qendra Studimore për tregun e Punës (FAI) në kuadrin e Universitetit të Bazelit ka sjellë në dyshim të mirat afatgjata që sjell migracioni në Zvicër, shkruan më tutje gazeta. Ai vjen në përfundimin se bilanci fiskal – diferenca në mes të asaj çfarë paguajnë të huajt në arkën e shtetit dhe në sigurimin social dhe asaj çfarë përfitojnë nga këto të dyja një ditë të jetë negativ.

Ekonomistët kanë llogaritur se aktualisht, një ekonomi familjare e të huajve mesatarisht paguan rreth 50 franga në muaj më pak (se të tjerët) në arkën shtetërore. Dhe sipas simulimit që kanë bërë studiuesit, kjo do të ndryshojë në mënyrë të theksuar. Duke llogaritur të huajt që ndërkohë do të marrin shtetësinë zvicerane, ata llogarisin se kjo shumë do të shkojë deri në 400 franga në minus.

Një ndër shkaktarët e kësaj rënieje do të jetë mplakja e popullatës së huaj, ndërsa shkaktari më i rëndësishëm është dallueshmëria e madhe në mes të grupeve të ndryshme të të huajve në Zvicër. Të huajt me kualifikime më të larta ose ata që fitojnë më shumë, sipas rregullit janë shumë më mobilë, që do të thotë qëndrojnë dukshëm më pak në Zvicër se sa ata me kualifikime të ulëta.

Konkretisht ekonomët nga Bazeli kanë llogaritur se koha mesatare e qëndrimit të të huajve në Zvicër është 23 vjet. Më së gjati qëndrojnë të huajt nga Evropa Juglindore, d.m.th. nga Ballkani, Turqia, Polonia ose Rusia (40 vjet). Mesatarisht 29 vjet qëndrojnë në Zvicër të huajt nga vendet evropiane të jugut, si nga Italia dhe Portugalia. Ndërkaq, qëndrimin më të shkurtë mesatar në Zvicër e kanë deri më tash të huajt nga Gjermania, Franca dhe vendet e Evropës së Veriut, mesatarisht nga 16 vjet. Ndërsa nga vendet e treta jashtevropiane, madje 14 vjet.

Njëkohësisht studimi tregon se dy grupet e fundit kanë nivel dukshëm më të lartë të arsimimit se të tjerat. Afër dy të tretat e evropianëve të veriut  dhe gjysma e shtetasve të vendeve të treta joevropiane kanë arsimim të lartë.  Te dy grupet e para ndërkaq janë më pak se një e treta me shkollim superior kështu, kombinimi i dy faktorëve e tregon ndryshimin në bilancin fiskal të përmendur më lartë.

Studimin e ka sponzoruar Enti Federal për Migracion (BFM), ndërsa Qeveria Federale kishte kërkuar sqarime rreth bilancit fiskal të të huajve një vit më parë. Ndonëse studimi ka qenë i gatshëm në dhjetor të vitit të kaluar, ai nuk është publikuar ende as sot zyrtarisht.

A po i mban BFM qëllimisht rezultatet të papublikuara? Zëvendësdrejtori Kurt Rohner kundërshton. Ai thotë se është menduar të publikohen ato por kjo duhet të ndodhë në një kontekst të përshtatshëm.

Ndërkohë, autoritetet gjermane po bëjnë gjithçka që emigrantët e tre me kualifikime të larta t`i kthejnë në Gjermani, thotë Rohner. Kjo kushtëzon që Zvicra të kundërveprojë me një “kulturë mikpritjeje” më të mirë dhe me integrim në të gjitha shkallët. Si shembull Rohner përmend një aktivitet të organizuar javën e kaluar, në formë të takimit informativ dhe njohës për partnerët dhe partneret e migrantëve të niveleve të larta, shkruan “Tages Anzeiger”.