Kosova

Të burgosurit e parë nga Danimarka pritet të arrijnë në Kosovë në prillin e 2027-ës

Grupi i parë i të burgosurve nga Danimarka pritet të arrijë në Kosovë pas dy vitesh.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK), Ismail Dibrani, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se ata pritet të vendosen në burgun e qytetit të Gjilanit në prillin e 2027-s.

Ky transferim është pjesë e një marrëveshjeje dhjetëvjeçare mes Kosovës dhe Danimarkës, e cila parasheh shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez.

Në këmbim, Kosova do të përfitojë mbi 200 milionë euro.

Kuvendi i Kosovës e ratifikoi marrëveshjen më 23 maj 2024, dy vjet pasi ajo ishte nënshkruar.

Përgatitjet infrastrukturore dhe administrative

Drejtori i SHKK-së, Dibrani, thekson se, sipas marrëveshjes, Kosova duhet të përmbushë standardet daneze, si në aspektin e infrastrukturës, ashtu edhe në trajnimin e stafit korrektues.

Megjithatë, procesi i renovimeve ende nuk ka nisur.

“Ne, si Kosovë, mund ta shpallim tenderin që sot, por kemi kërkesa të reja nga pala daneze. Premtimet e tyre janë që deri në fund të qershorit të na dërgojnë kërkesat përfundimtare, dhe ne më pas do ta hapim tenderin gjatë muajit korrik”, thotë Dibrani.

Tenderi pritet të përfshijë renovimin e qelive ekzistuese dhe punëtorive, krijimin e hapësirave të reja për vizitorë, si dhe trajnimin e stafit për të përmbushur standardet evropiane.

Muajin e ardhshëm, 20 oficerë korrektues kosovarë do të udhëtojnë drejt Danimarkës për të ndjekur trajnim bazik dhe punë praktike në institucionet daneze.

Aktualisht, burgu i Gjilanit shërben si qendër paraburgimi për më shumë se 200 persona nga Kosova. Pasi të përfundojnë renovimet, në këtë institucion do të vendosen të burgosur me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze, transmeton albinfo.ch.

“Për këtë duhet të ndërtohen punëtori të reja, për të siguruar punësim për të burgosurit që do vijnë”, sqaron Dibrani.

Sipas marrëveshjes, personat që do të transferohen nuk do të jenë shtetas të Danimarkës.

Danimarka është zotuar se nuk do të sjellë të burgosur me rrezikshmëri të lartë.

Ata nuk do të jenë të dënuar për krime lufte a terrorizëm, apo persona me çrregullime të rënda mendore.

Nga Ministria e Drejtësisë e Danimarkës nuk u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me fillimin e përdorimit të qelive.

Më herët, kjo ministri kishte deklaruar për REL-in se të burgosurit të cilët do t’i dërgojë në burgun e Gjilanit janë persona të dënuar me dëbim nga Danimarka.

“Sipas traktatit, të burgosurit duhet patjetër t’i kryejnë dënimet e tyre në kushte të njëjta siç do t’i kishin kryer në një burg danez, përfshirë kushtet fizike në përputhje me kushtet në një burg danez”, ka thënë ministria daneze.

Shqetësimet për transparencë dhe të drejtat e njeriut

Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ka ngritur shqetësime në lidhje me transparencën dhe zbatimin e marrëveshjes.

“Një vit pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes, ende nuk është e qartë se ku do të sistemohen të paraburgosurit kosovarë që aktualisht ndodhen në burgun e Gjilanit”, thotë Mehmet Musaj nga QKRMT, organizatë kjo që monitoron sistemin korrektues në Kosovë.

Sipas SHKK-së, të paraburgosurit aktualë do të zhvendosen gradualisht në institucione të tjera, pasi sistemi korrektues ka kapacitete të mjaftueshme.

Musaj ngre edhe shqetësimin për respektimin e të drejtave të njeriut të të burgosurve nga Danimarka, të cilët nuk janë danezë.

“Cili do të jetë modeli i komunikimit  a njihet gjuha angleze nga të gjithë, a njohin gjuhën angleze edhe oficerët tanë, si do të menaxhohen dosjet dhe shërbimet mjekësore”, thotë ai për REL-in.

Për marrëveshjen ndërmjet Danimarkës dhe Kosovës shqetësime shprehën edhe aktivistët e të drejtave të njeriut në Danimarkë.

Çfarë parasheh marrëveshja?

Kosova do të vërë në dispozicion kapacitete për 300 të burgosur për një periudhë 10-vjeçare.

Qelitë do të jenë individuale ose të përbashkëta (maksimumi 2 persona), jo më pak se gjashtë metra katrorë për qelitë individuale dhe jo më pak se tetë metra katrorë për qelitë e përbashkëta.

Gjuha e punës në burg do të jetë gjuha angleze, ndërsa dokumentet zyrtare, sipas nevojës, mund të përkthehen edhe në gjuhën daneze.

Pagesat dhe transparenca financiare

Nga 200 milionë euro që pritet të përfitojë Kosova, një pjesë do të investohet në Shërbimin Korrektues, ndërsa pjesa tjetër në energji të ripërtërishme.

Sipas marrëveshjes, Danimarka ka premtuar një tarifë fillestare prej pesë milionë eurosh për të mbuluar periudhën e tranzicionit, që nga hyrja në fuqi e marrëveshjes deri në funksionalizimin e plotë të burgut.

Pas kësaj, pagesat do të bëhen në baza tremujore, në varësi të numrit të të burgosurve të pranishëm në institucion.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar konfirmim nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave e Kosovës lidhur me pranimin e shumës fillestare, por nuk ka marrë përgjigje  edhe pse tashmë ka kaluar një vit nga hyrja në fuqi e marrëveshjes.

Sipas SHKK-së, në të gjitha burgjet e Kosovës aktualisht ndodhen rreth 1.800 të burgosur, ndërsa 1.000 vende janë të lira çka, sipas autoriteteve, krijon hapësirë të mjaftueshme për riorganizimin e të paraburgosurve aktualë.

Drejtori i SHKK-së, Dibrani, bëri të ditur se edhe disa shtete të tjera evropiane kanë shprehur interesim për të dërguar të burgosurit e tyre në Kosovë, por këto kërkesa nuk janë pranuar.

Ai nuk specifikoi se për cilat shtete bëhej fjalë./REL