Lajme

Surroi flet për prioritetet në dialogun me Beogradin

Surroi: Menjëherë pas zgjedhjeve, pas formimit të qeverisë, pritet të fillojë dialogu me Beogradin

Në një intervistë që i dha Zërit të Amerikës, publicisti kosovar Veton Surroi u shpreh lidhur me zhvillimet politike nëpër të cilat po kalon Kosova. Sipas tij, Kosova ndodhet përpara dy momentesh të rëndësishme. Më 12 dhjetor zhvillohen zgjedhjet e para që pas shpalljes së pavarësisë dhe menjëherë pas tyre, pas formimit të qeverisë, pritet të fillojë dialogu me Beogradin.

Surroi tha se zgjedhjet e 12 dhjetorit do të sjellin një opozitë të fortë në Kosovë, madje ai përshëndeti mobilizimin e partive politike gjatë fushatës elektorale. Ai parashikon një krizë financiare në Kosovë për shkak të investimeve të tepëruara. “Detyrë kryesore e qeverisë së pas zgjedhjeve duhet të jetë balancimi i buxhetit dhe krijimi i kushteve për investime, me synimin kryesor, krijimin e vendeve të punës, pra për të luftuar papunësinë e lartë në vend”.

Zoti Surroi tha se në bisedimet me Beogradin, Kosova duhet të ketë tri përparësi: Së pari është vendosja e normalitetit ligjor në territorin e vendit, përfshirë edhe Veriun. Së dyti, normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin, edhe në kushtet kur nuk ekziston njohja e ndërsjellë dhe së treti, normalizimi i marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe me NATO-n.