Shqipëria

Shifrat: Sa shqiptarë u refuzuan për hyrje në BE në vitin 2025

Në vitin 2025, numri më i madh i shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE u regjistrua për ukrainasit (26 mijë e 975), të ndjekur nga shqiptarët (12 mijë e 430)

Në vitin 2025, 132 mijë e 600 shtetas të vendeve të treta iu refuzua hyrja në BE, duke përfaqësuar një rritje prej 7.1% krahasuar me vitin 2024.

Numri më i lartë i refuzimeve u regjistrua në Poloni (28 mijë e 960; ose 21.8% e totalit të BE-së), e ndjekur nga Franca (12 mijë e 210; 9.2%), Kroacia (12 mijë e 90; 9.1%) dhe Spanja (10 mijë e 610; 8.0%).

Në vitin 2025, shumica (53.9%) e shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE ishin në kufijtë e jashtëm tokësorë, të ndjekur nga kufijtë ajrorë (43.1%), ndërsa vetëm një pjesë e vogël (3.0%) u regjistrua në kufijtë detarë, raportojnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.

Numri më i madh i refuzimeve në kufijtë e jashtëm tokësorë u raportua nga Polonia (26 mijë e 355), Kroacia (11mijë e 660) dhe Rumania (9 mijë e 185).

Në kufijtë ajrorë, Franca raportoi numrin më të lartë të refuzimeve (10 mijë e 080), e ndjekur nga Spanja (9 mijë e 980) dhe Gjermania (7 mijë e 465). Italia raportoi numrin më të lartë të refuzimeve në kufijtë detarë të BE-së (1 mijë e 405), e ndjekur nga Franca (1 mijë e 35) dhe Greqia (405).

Në vitin 2025, numri më i madh i shtetasve të vendeve të treta të cilëve iu refuzua hyrja në BE u regjistrua për ukrainasit (26 mijë e 975), të ndjekur nga shqiptarët (12 mijë e 430), moldavët (11 mijë e 660), kolumbianët (6 mijë e 565), turqit (5 mijë e 635) dhe serbët (5 mijë e 440), shumica e të cilëve vijnë nga vende që ndajnë kufij tokësorë me BE-në.

Sipas eurostat, arsyeja kryesore për refuzimin e hyrjes ishte “qëllimi dhe kushtet e qëndrimit të pajustifikuara” (30.3%), e ndjekur nga “personi ka qëndruar tashmë 3 muaj brenda një periudhe 6-mujore” (16.9%) dhe “pa vizë ose leje qëndrimi të vlefshme” (15.3%).

Sakaq, 35 mijë e 460 shtetas të vendeve të treta që morën një urdhër për t’u larguar nga një vend i BE-së u kthyen në një vend të tretë, duke përfaqësuar 87.3% të totalit të kthimeve (155 mijë e 110).

Numri më i lartë i shtetasve të vendeve të treta të kthyer në një vend të tretë në BE ishte për shtetasit e Turqisë (13 mijë e 405), të ndjekur nga gjeorgjianët (10 mijë e 475), sirianët (8 mijë e 370), shqiptarët (8 mijë e 20) dhe rusët (5 mijë e 725).