Lajme

Safet Gashi, njeriu me plis të bardhë, në Austri

Safet Gashi tregon për albinfo.at për kënaqësinë që ia sjell plisi dhe si reagojnë austriakët kur e shohin me plis në kokë

Të shohësh një njeri që bart plis në Kosovë është shumë normale. Por, që një mërgimtar i cili jeton në Austri që nga viti 1990 dhe që plisin e ka pjesë të përditshmërisë së tij, në një rreth tërësisht të huaj, kjo është pak jo e zakonshme. Safet Gashi tregon për kënaqësinë që ia sjell plisi dhe si reagojnë austriakët kur e shohin me plis në kokë.

Zotëri Safet, na tregoni qe sa kohë jeni në Austri dhe si jeni gjetur këtu ?

Në Austri kam ardhur  në maj të vitit 1990. Jam nga fshati Begracë i komunës së Kaçanikut. Rrjedh nga një familje tradicionale, i ushqyer nga traditat shqiptare, nga familja dhe rrethi. Fati deshi të vi në Weiz të Steiermark-ut, në një rreth të ri dhe aspak të njohur. Gradualisht fillova të mësoj gjuhën dhe rregullat e shtetit austriak duke u integruar dalëngadalë dhe pastaj edhe duke u punësuar dhe duke e shikuar jetën me një sy tjetër.

Menjëherë pas ardhjes tuaj në Austri, keni filluar aktivitete në dobi të çështjes kombëtare. A mund të na thoni diçka për këtë ?

Në atë kohë nuk kishte shumë shqiptarë në rrethin ku unë banoja, nuk kishte shumë shoqata si sot. Vazhdova aktivitetin në mënyrë më të organizuar në shoqatën “Nënë Tereza” nga viti 1994-1999 ku isha edhe kryetar i saj me aktivitete të ndryshme të kohës. Lufta në Kosovë intensifikoi aktivitete duke bashkëpunuar edhe me shumë shoqata tjera të cilat u formuan në atë kohë. Duke qenë pjesë e pashkëputur e aktiviteteve të shumë shoqatave, Këshilli Koordinues i Shoqatave të Steiermark-ut në vitin 2015 më zgjodhi kryetar të Bordit i Nderit, ndërsa  shoqata  “KSC Arbëria” në Weiz si aktivist shumë vjeçar më 2017 më shpalli anëtar nderi.

Na ka rënë në sy paraqitja e juaj me plis dhe veshje kombëtare në vende publike dhe organizime të ndryshme në Austri. Cili është motivi i juaj për këtë veprim?

Në organizimet e shumta të cilat i organizonin vendësit, më kishte rënë në sy se një pjesë e tyre kishin të veshur edhe veshjet e tyre tradicionale dhe kjo më zgjoi kureshtjen duke menduar se pse të mos e provoj edhe unë një gjë të tillë. Kështu, në disa manifestime, fillova të mbaj plisin dhe veshjen kombëtare. Reagimet nga komuniteti ynë ishin shumë të mira, mirëpo gjithmonë në këto aktivitete kishte edhe vendës (austriakë). Shikimi i tyre në veshjen time zgjonte kureshtjen dhe shpesh më ndalonin  duke më pyetur se për çfarë veshje bëhej fjalë, nga vija etj. Duke më dhënë komplimente për koloritin e ngjyrave dhe një veshje që s’ka asgjë të përbashkët me veshjen regjionale-austriake më dhanë kurajën që të vazhdoja më tutje.

Na ka rënë në sy edhe dëshira e austriakëve për të bërë foto me ju. Si e ndieni veten në këto raste?

Është ndjenja më e mirë që kam. Është kënaqësi e veçantë kur afrohen dhe më lusin që të bëj një foto me ta, jo vetëm austriakët, por edhe njerëz të nacionaliteteve tjera që jetojnë në Austri. Këto raste më bëjnë krenar që i përkas kombit më të vjetër në Ballkan, duke më liruar energji pozitive dhe duke më motivuar për angazhim edhe më të madh në afirmimin e vlerave kombëtare të cilat i kemi dhe duhet t’i promovojmë.

Safeti me bashkëshorten, Lirien

Edhe bashkëshortja e juaj, Lirija ju shoqëron shpesh me veshje të bukura kombëtare. Jeni një çift i veçantë dhe shumë simpatik. Ka qenë dëshirë e saj apo ju ia keni imponuar që të vishet edhe ajo në veshje kombëtare?

Jo, në asnjë mënyrë nuk është imponim. Edhe ajo është e dhënë shumë pas veshjeve kombëtare dhe me vetë dëshirë mban veshjet kombëtare dhe më shoqëron në çdo manifestim. Si çift mendoj se dukemi më komplet dhe kjo më plotëson edhe mua.

Tani jeni bërë si një lloj embleme në shumë manifestime, anembanë Austrisë. Si gjeni kohë dhe si ia arrini të jeni thuajse në secilin manifestim shqiptarë?

Ëndja për të qenë me shqiptarë me shiju të mirën dhe të keqen bashkë më ka shtyrë që gjithmonë të gjej kohë dhe të jem aty. Respekti që ma ofrojnë të gjithë dhe që mundohem t`ua kthej, më bën edhe më këmbëngulës në idealet e tona. Emocionohem shumë kur gjeneratat e reja, të lindura dhe të rritura në Austri më përshëndesin, më afrohen duke shkëmbyer disa fjalë me aq shumë dashamirësi sa që shpesh mezi përmbahem nga lotët. Një jetë në mërgim është gjithmonë plagë e freskët por të gjitha këto mundohem t`i kaloj dhe të gjej ngushëllim tek bashkëkombësit tanë.

Duke qenë njohës i mirë i komunitetit shqiptar në Austri, çfarë mund të na thoni për organizimin dhe imazhin e tij?

Mendoj se jemi një komunitet shumë mirë i organizuar por kurrë nuk duhet të jemi të kënaqur me kaq. Kemi shoqata, klube, ekipe sportive, radion tonë „Radio Rinia“ në Graz që emeton program në kuadër të Radio Helsinkit. Tani kemi revistën dhe portalin „albinfo.at“ që çdo ditë po na sjell lajme të reja dhe në interes të komuniteti tonë, manifestime të ndryshme si: orë letrare, ekspozita, tryeza të rrumbullakëta, koncerte etj., të cilat e bëjnë edhe më krenar plisin të cilin unë e mbaj në kokë, Promovimi i kulturës sonë kombëtare kudo që na jepet rasti është i shenjtë  dhe detyrë e çdokujt.

Safet Gashi me William Woker

Box

Si filloi e gjitha

Në organizimet e shumta të cilat i organizonin vendësit, më kishte rënë në sy se një pjesë e tyre kishin të veshur edhe veshjet e tyre tradicionale dhe kjo më zgjoi kureshtjen duke menduar se pse të mos e provoj edhe unë një gjë të tillë. Kështu, në disa manifestime, fillova të mbaj plisin dhe veshjen kombëtare.

Box

Mezi përmbahem nga lotët!

Emocionohem shumë kur gjeneratat e reja, të lindura dhe të rritura në Austri më përshëndesin, më afrohen duke shkëmbyer disa fjalë me aq shumë dashamirësi sa që shpesh mezi përmbahem nga lotët. Një jetë në mërgim është gjithmonë plagë e freskët…