Opinione
Politikanët kosovarë, argatë të Serbisë së Madhe
Serbia ka pasur historikisht një synim ideologjik: bashkimin e të gjitha trojeve me përbërje etnike «serbe», në një shtet të vetëm serb. Kjo suazë, që është elaboruar që nga «Plani» (Naçertanje) e Ilija Garashaninit në vitin 1844, është ndjekur historikisht. Edhe Memorandumi famëkeq i vitit 1986 i Akademisë së Shkencave të Serbisë është po në atë vazhdë. Legjitimiteti i ndërmarrjeve të tilla është bazuar herë mbi arsye të imagjinuara «demografike», e herë në ato «historike» (lexo mitologjike) apo «fetare», etj. Thënë shkurt, shteti serb është ndërtuar me ambicie ekspansioniste ndaj territoreve të kombeve të tjera të Ballkanit, përmes propagandës nacionaliste aktive brenda dhe jashtë vendit, uzurpimit, përmes luftërave, integrimeve të territoreve të huaja me forcë (lexo aneksime), etnocideve dhe gjenocideve, etj. Kështu ka ndodhur me pushtimin e Kosovës dhe Maqedonisë lindore që nga viti 1912. Serbia nuk ka pasur asnjëherë interesim për t`i integruar vendësit e vendeve të pushtuara, por tokat e tyre. Kjo maksimë nuk ka ndryshuar deri më sot, por përkundrazi ajo rikujtohet si pikë reference historike.
Ky trashëgim ideologjik u mundua të zbutet me formulën jugosllave të Titos, ku njëherësh Serbia kishte rol lideri dhe i kishte mbledhur të gjithë serbët etnikë në suaza të një shteti. Mirëpo, falë decentralizimit politik dhe ekonomik të ish-Jugosllavisë, njësitë e tjera (lexo Republikat dhe krahinat autonome), arrinin ta zbusnin nacionalizmin serb, në emër të një ideologjie klasore, të përzier me formulën e Bashkim-Vëllazërimit mes kombeve dhe kombësive të atij vendi. Fundi i Luftës së Ftohtë, demokracia e stërvonuar, si dhe ekonomia e kolapsuar e formulës jugosllave i mundësuan sërish nacionalizmit serb të ringritet, duke iu referuar të njëjtës paradigmë, etnike serbomadhe. Pra, që nga copëtimi i Federatës Jugosllave, Serbia riaktivizoi suazën ideologjike të vjetër, atë të krijimit afatmesëm apo afatgjatë të një shteti të vetëm etnik serb, duke u marrë me dhunë pjesë territoresh të Kroacisë, Bosnjës, Kosovës (pse jo edhe Malit të Zi dhe Maqedonisë). Kroacia nuk ia la asnjë pëllëmbë toke Serbisë, falë raportit të forcave që patën ndryshuar në fushëbetejë dhe njohjes ndërkombëtare të saj.
Pra, edhe që nga fillimi i luftës në Kosovë, Serbia ka pasur një qëllim të vetëm: krijimin e një pjese të territorit etnik serb në Kosovë, me qëllim bashkëngjitjen e tij të ardhshme në një shtet monoetnik serb. Të mos harrojmë operacionin «Patkoi» më 1998-1999, i cili pikërisht rreshtohej në atë qëllim, krijimin e një harku territorial përreth Kosovës që lidhej në kontinuitet me territorin amë, atë të Serbisë.
Me humbjen e opsionit të marrjes së territoreve të Kosovës me dhunë, Serbia aktivizoi opsione të tjera, respektivisht ato të politikës dhe diplomacisë për të marrë ato pjesë të Kosovës që synon. Në fakt, kjo bëhet realitet, ngase Serbia ka strategji dhe plan operativ për ta zbatuar atë qëllim në Kosovë, apo edhe gjetiu. Kjo ka filluar që nga viti 1999, duke e varësuar ekonomikisht tregun e Kosovës me atë të Serbisë, duke i krijuar enklavat serbe dhe duke i financuar ato (shumat vjetore artikulohen me qindra milionë euro), duke kontrolluar nga shumë afër klasën politike serbe në Kosovë (rasti i fundit është vrasja e pragmatikut Oliver Ivanoviq) si dhe duke lansuar Asociacionin e komunave serbe. Dhe, tani në fund, finalizimi i këtij projekti arrihet përmes kushtëzimit politik të vendimmarrësve të korruptuar kosovarë, deri në atë shkallë sa që fati i Hashim Thaçit dhe shokëve të tij tani vendoset në Beograd. Duke e vendosur në tryezë kartën e njohjes së Kosovës në shkëmbim me një copë të saj, sidomos atë pjesë ku janë resurset energjetike të rajonit (Trepça dhe Ujmani), ajo e arrin objektivin e saj strategjik afatgjatë. Njëkohësisht, ajo arriti të krijojë po ashtu edhe pashallëqe autonome serbe brenda Kosovës, si për shembull, komunat serbe si dhe territoret përreth manastireve ortodokse, që fatkeqësisht ne vetë i quajmë serbe.
Me këtë hap në Kosovë, Serbia fiton kështu në shumë plane, dhe atë që e tejkalojnë vetë Kosovën. Me ndryshimin e kufijve, ajo i thyen parimet e mosndryshimit të kufijve në Ballkan dhe hap opsionin afatmesëm të bashkimit të Republika srpska me shtetin serb! Këtu argatët kryesorë të kësaj vepre janë fatkeqësisht politikanët miopë dhe naivë kosovaro-shqiptarë, duke legjitimuar dhënien e trojeve të Kosovës në emër të një reciprociteti fantazmagorik me Luginën e Preshevës
Po tani? Opozita kërkon protesta. Si duket, Kristi do të bërtasë, por karvanët sërish nuk do të ndalen. Këtu vetëm disa vende perëndimore, sikurse Gjermania apo Anglia, mund të ndikojnë në rrjedhat politike atje, që ta stopojnë këtë proces, ose ta riekuilibrojnë peshoren në anën e shqiptarëve në pazarllëqet territoriale në fjalë, ngase politikanët kosovarë nuk e shohin malin nga druri që e kanë para syve (druri = lexo shpëtimi i tyre nga drejtësia që i pret në horizont për uzurpim masiv personal të pronës shoqërore).
Opozita kosovare ndoshta duhet të shtrojë edhe opsione të tjera ndërshqiptare, nëse natyrisht ndarja e Kosovës bëhet realitet. Kjo do të ishte parimisht e mundur, ngase kërkesat e prera normative të bashkësisë ndërkombëtare që e kufizonin Kosovën në këtë aspekt, nuk do të vlenin më. Së fundi, nëse opozitës në Kosovë nuk i dëgjohet zëri në Kosovë, ndoshta diaspora shqiptare që është e madhe në numër dhe që ka filluar të ketë ndikim në shtetet respektive ku jeton, do të kishte së paku një lloj impakti te vendimmarrësit në vendet ku ata jetojnë, ngase janë shtetas të atyre vendeve, pra taksapagues dhe votues.
Dr. Bashkim Iseni, ligjërues në Universitetin e Fribourgut dhe drejtues i platformës albinfo.ch
E-Diaspora
-
Mjekët e rinj shqiptarë në Zvicër, do të kenë nga një mentor shqiptar Kryetari i Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës, Dr. med. Mentor Bilali, me plane konkrete për...
-
Hamza në Shtutgart: Kuvendi do të ketë deputetë që vijnë nga diaspora jonë
-
Kurti në Frankfurt takohet me studentët e diasporës shqiptare, bashkëbisedohet për disa tema
-
Mbrëmje kulturore mbi Shën Jeronimin dhe Shën Nënë Terezën
-
Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës sot po zhvillon punimet e simpoziunit të pestë
Jeta në Austri
-
‘Betriebskosten’: Cilat janë kostot shtesë që duhet të paguajnë qiramarrësit në Austri? Marrja me qira e një apartamenti në Austri do të thotë që do të duhet të...
-
Pacientët në Austri mund të përballen me kosto më të larta dentare
-
Austri: Koha e pritjes për nënshtetësinë mbetet e gjatë
-
Zvicerani që u vra në Vjenë, kishe jetuar me të dyshuarin
-
Si mund të ndikojë në Austri fitorja e Trumpit?